Gjekë Gjonaj me veprat e tij është një flurudhë shqipe mbi troje të veta dhe kudo ka shqiptarë

Zef Pergega

Në kuptimin gazetaresk dhe letrar Gjekë Gjonaj i merr nuset nga të gjitha trevat shqiptare, ky shpërbetar deri në shenjtëri i kujtesës kombëtare.
Ja si shkruan ai për disa nga personazhet e tij: “Nëse do ti besojmë Justin Rrotës dhe të tjerëve që janë marrë me Buzukun, mund të kuptojmë që autori i librit të parë shqip deri më tani është një prift shqiptar nga Gegëria, një prift shqiptar nga Kraja …një zonë e pa pushtuar nga turqit…!
“Nanë Tereza, nënë e mbarë njerëzimit, figurë e ndritshme që me fisnikërinë e shpirtit shqiptar, pushtoi zemrat e njerëzimit, pa dallim race, kombi apo besimi!” “Ded Gjo’ Luli, …I pari në kuvend, i pari në betejë, i pari për mbrojtjen e dheut të të parëve. Kështu mbeti në zemrat dhe kujtesën e shqiptarit!’’ “Baca Kurti një ndër personalitetet më të shquara të Malësisë. Luftëtar i paepur kundra vendimeve të Fuqive të Mëdha për copëtimin e trojeve shqiptare! “Tringë Smajlja heroina e Malësisë. S’e fal Zoti mashkullin më të mirë se kjo vajzë!” “Heroizmi i përjetshëm i Oso Kukës me 24 luftëtarë të tij, u bë objekt frymëzimi për poetin e Lahutës së Malësisë Gjergj Fishtën, i cili i kushton katër prej tridhjetë këngëve…!”
Dom Simon Filipaj, ky njeri i Zotit dhe i popullit, i cili duke përkthyer Biblën bëri të mundur që edhe në gjuhën tonë të flitet për dashurinë e madhe që ka zoti dhe njeriu! “At Vinçenc Malaj, kishte një kulturë të gjerë dhe prodhuese…I ka dashur njerëzit, për këtë arsye Zoti ia dhuroj talentin me çka ai krijoi vepra të bukura!”

Një libër për piramidën e kufirit, Prekë Calin
Një nga librat me vlera të larta historike të autorit Gjekë Gjonaj është edhe ai që i kushtohet piramidës së kufijve të Shqipërisë , Prekë Calit. Libri botohet me rastin e 60 -vjetorit të pushkatimit nga diktatura komuniste. Enti botues “Gjergj Fishta” Tiranë, 2005, me 275 faqe, ku përshkruhet jeta e tij me dokumente origjinale dhe në gjuhën e gjallë të popullit, sidomos të Kelmendit.
Rreth kësaj vepre Prof.As. Dr. Romeo Gurakuqi shkruan: “…Vepra e Gjekë Gjonajt vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Malësinë në përgjithësi dhe Kelmendin në veçanti. Sot më shumë se kurrë veriperëndimi i trojeve etnike shqiptare ka nevojë për vëmendje më të madhe, në radhë të parë nga bijtë e tij më të mirë . Këtë e them sepse Malësia kreshnike që e ruajti të pastër etninë shqiptare po zbrazet me një shpejtësi të frikshme. Çdo ditë stërnipërit e e Lekëve të Malësisë largohen nga vendlindja stërgjyshore me një nxitim të pamatshëm … Asnjë˜ kullë malësore të mos mbetet e braktisur, ky duhet të jetë˜ qëllimi ynë i madh, sepse ky është amaneti i Dedë Gjo’ Lulit, Prekë Calit dhe heronjve të tjerë të Malësisë. Është koha sot që malësorët të mbajnë me çdo kusht piramidat që mbrojti Prekë Cali…!”
Gjekë Gjonaj, duke ecur gjurmëve të historisë si një eksplorues në nën detin e saj i hedh një vështrim historik gjithë Kelemendit, që sipas Edith Durham janë nga më trimat midis gjithë fiseve dhe një˜ i tillë ishte Prekë Cali. Luftërat për pavarësinë e Shqipërisë, dy kryengritjet e Malësisë së Madhe, Prekë Cali është në ballët e kryengritësve kelmendas. Luftëtarët e Kelmendit dhanë kontribut në organizmin e Kuvendit të˜ Greçës i mbajtur në qershor të˜ vitit 1913. Në këtë kohë Prekë Cali është anëtar i komisionit shqiptar për përcaktimin e kufirit verior të Shqipërisë e ai u tha copëtuesve : “Ato janë Bjeshkët e Kuqe dhe jo të Kuçit, sepse ato janë të lara me gjakun e malësorëve për të mbrojtur tokat shqiptare!”

Gjurmues dhe hulumtues i zellshëm i historisë shqiptare
Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj: “…Gjonaj, krahas dhe përtej vlerësimeve si gazetar e autor reportazhesh shumë të pëlqyera, është edhe gjurmues e hulumtues i zellshëm i historisë shqiptare, duke gjakuar të ndriçojë e të bëjë të njohura figura të mëdha të kombit shqiptar, si Prekë Calin e Kelmendit, një nga figurat madhore e madhështore të patriotizmit shqiptar, të cilit ai do t’i kushtonte librin e tij të rëndësishëm monografik “Prekë Cali-Piramidë e kufijve të Shqipërisë” (Tiranë, 2005, 273 faqe). Një vepër madhore e me vlera të shënueshme historike e dokumentuese!”
Prof. As. Dr. Alfred Çapaliku e vlerëson kështu veprën e Gjekë Gjonajt: “Hulumtuesi dhe publicist i palodhur, sa gazetar aq folklorist, Gjekë Gjonaj me botimin e sistemuar të krijimtarisë gojore për Prekë Calin, s’po bën gjë tjetër veçse po i ngre atij monumentin e dytë prej bashkëtingëlloresh që ndrisin si bronzi”
Gazetari, publicisti dhe studiuesi Gjekë Gjonaj ka lindur më 20 mars 1958 në Triesh -Malësi e Madhe, Komuna e Podgoricës, Mal i Zi. Librat e tij janë pëlqyer, përhapur e vlerësuar nga studiues dhe personalitete të mirënjohura të letrave shqipe në Mal të Zi, në Shqipëri, në Kosovë e në diasporën shqiptare, sidomos në Amerikë, ku ai ka edhe aq shumë farefis e miq që e duan dhe e ndjekin veprimtarinë e tij të lëvdueshme publicistike e studimore. Përmendim, ndër të tjera, vlerësimet e recensionet e përgëzimet për veprat e tij nga nga Prof.Dr.Simë Dobreci, Prof.Dr.Bahri Brisku, Prof.Dr.Hamit Boriçi, Prof. Dr. Hysni Hoxha, Prof.Dr.Romeo Gurakuqi,Prof.Dr.Alfred Çapaliku e shumë të tjerë. Më 14 shkrut të vitit 1945 regjimi komunist pushkatoi kundërshtarin e vet Prekë Calin në Zallë të Kirit. Rush Dragu me cilësinë e kryetarit të Komunës së Kelmendit, kontribuoi që në qytetin e Shkodrës të ngrihej madhërisht përmendorja e Prekë Calit, Martir i Demokracisë, më 15 qershor 2000, vepër e skulptorit Muntaz Dhrami.
Në një pragraf në hyrje të këtij libri Gjonaj shkruan: “Figura e Prekë Calit më është ngulitur në mendjen dhe shpirtin tim që i vogël, nga rrëfimet e nënës time, Nocit, së cilës ia kushtoj këtë libër. Prandaj e çmoj pa masë këtë burrë gjigand, trim dhe atdhetar, prijës popullor të Malësisë së Madhe, shpëtuesin e Vërmoshit dhe të Bjeshkëve të Kelmendit nga synimet serbo-malazeze. Ky bir i dashur nga populli, pa arsim dhe pa një stemë princi në gjoks, përveç atë të gjashtë Krajlave të Fuqive të Mëdha qe gjithmonë luftëtar në mbrojtje të tokave shqiptare dhe për një Shqipëri dhe një kundërshtar i komunizmit. E kam për nder që jam stërnipi i tij.”
E kështu pra nipat e stërnipat shkojnë në gjurmë të piramidave. Nderi u qoftë atyre dhe autorit.
Gjekë Gjonaj me veprat e tij është një flurudhë shqipe mbi troje të veta dhe në tërë botën, ku ka shqiptarë edhe në vendet e lira në Evropë e Amerikë. E kështu plotësohet biblioteka e shqiptarit dhe amaneti i të parit. Libri është tapia e kombit dhe kush e shkruan atë për etninë e vet, atë dorë e ka të shenjtë. Kemi të drejtë ta themi këtë për Gjekë Gjonajn, i trieshiani…!

Të fundit

më të lexuarat