
Në një kohë kur shumëçka po harrohet, Shtjefën Ujkaj është ende aty – me fyell në dorë dhe zjarr në shpirt – duke mbajtur gjallë trashëgiminë muzikore folklorike të Malësisë, si një ndër përfaqësuesit më të përkushtuar të saj.
Dashuria për fyellin nuk nisi rastësisht. Që fëmijë, Shtjefni e trashëgoi këtë instrument nga babai i tij. Frymëzimi i parë vjen nga natyra – në brigjet e lumit magjepsës të Cemit, ku tingujt që vinin nga fyelltarët barinj të Kelmendit silleshin nga erërat, mbërrinin tek ai si një thirrje e brendshme. E atje, në atë paqe të thellë natyrore, ai nisi të ushtrohej i vetëm, derisa fyelli u bë zëri i tij i dytë.
Në vitin 2019 ai botoi librin “Vallet dhe lojërat e Malësisë – Folklori koreografik malësor”, një vepër e rëndësishme që dokumenton trashëgiminë e zonës me seriozitet akademik, përkujdesje dhe dashuri
Më pas, vite me radhë do të bëhej një figurë kyçe në Shoqërinë Kulturore-Artistike “Besa”, shoqëria më e vjetër e Malësisë, që për 57 vjet me radhë – gati gjashtë dekada – ka ruajtur dhe kultivuar folklorin autokton, duke e shndërruar atë në një vatër autentike të trashëgimisë kulturore të Malësisë.
Ujkaj nuk është thjesht një interpretues, ai është zemra e “Besës”, forca që e ka mbajtur atë në jetë edhe kur koha, burimet dhe lodhja bënin të kundërtën.
E kujtoj Shtjefnin nga koha kur edhe unë isha pjesë e kësaj shoqërie. Pas përgatitjeve që zgjatnin deri në orët e vona, ai nuk ndalej. Me entuziazëm të pashtershëm, na ftonte në shtëpinë e tij – instrumentistë, valltarë, këngëtarë – për të ndarë një gotë, një kafshatë dhe shumë dashuri. Edhe pas mesnate, në orë që nuk ishin për mikpritje, familja e tij na priste me ngrohtësi të jashtëzakonshme. Ato nuk ishin thjesht darka, por net gëzimi, frymëzimi, përkatësie. Ishin një tjetër mënyrë me të cilën Shtjefni luftonte për ta mbajtur gjallë frymën kolektive të SHKA “Besa”.
Shtjefën Ujkaj është një nga ata njerëz që nuk kërkon lavdi, por që e meriton. Sepse me fyell në dorë dhe me shpirt të madh, ai nuk e lejon Malësinë ta harrojë vetveten
Përkushtimi i tij nuk ka qenë kurrë për interes personal, por për një mision që ai e ndien si detyrë shpirtërore. Ai ka qenë aktiv në këtë shoqëri që nga dita e parë e themelimit e deri më sot. Ka mbajtur role të shumta: fyelltar, koreograf, udhëheqës artistik, valltar, e për një kohë edhe kryetar i saj. Kontributi i tij ka qenë i gjithanshëm, si rrallëkush.
Me kalimin e viteve, ai nuk u kufizua vetëm te ruajtja e valleve, por bëri edhe stilizime të shkallës së parë të lojërave popullore, të cilat e ngritën nivelin artistik të “Besës”, duke e bërë atë një nga shoqëritë më të dalluara në festivalet rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Si instrumentist, ai ka marrë pjesë në dhjetëra festivale folklorike – nga ato lokale deri te skenat ndërkombëtare: Festivali i Gjirokastrës, Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë, Napoli në Itali, Gjermani, Hungari, Kroaci, Slloveni, SHBA e shumë të tjera. Në to është vlerësuar vazhdimisht me çmime, shpesh si instrumentisti më i mirë, falë teknikës së tij të rrallë në fyell.
Një nga veçantitë e interpretimit të tij është teknika e marrjes frymë, e cila i mundëson të luajë për minuta të tëra pa ndërprerje, duke krijuar një rrjedhë melodike që duket thuajse e pafund.
Një nga veçantitë e interpretimit të tij është teknika e marrjes frymë, e cila i mundëson të luajë për minuta të tëra pa ndërprerje, duke krijuar një rrjedhë melodike që duket thuajse e pafund
Tingujt e fyellit të tij janë dëgjuar edhe në shumë video-klipe të këngëtarëve nga Malësia, Kosova dhe më gjerë. Ai ekzekuton gjithashtu në bilbil dhe instrumente të tjera frymore, me një mjeshtëri që shkon përtej teknikës – është një rrëfim i shpirtit.
Në vitin 2019 ai botoi librin “Vallet dhe lojërat e Malësisë – Folklori koreografik malësor”, një vepër e rëndësishme që dokumenton trashëgiminë e zonës me seriozitet akademik, përkujdesje dhe dashuri.
Pavarësisht se sot nuk është më në vitet e rinisë, pa e humbur pasionin dhe këmbënguljen, Shtjefën Ujkaj mbetet një pikë referimi për brezat e rinj. Ai ftohet shpesh nga shoqëri të tjera përtej kufirit për të ndarë dijen dhe përvojën e tij si konsulent muzikor, duke shërbyer si një urë lidhëse kulturore mes brezash, krahinash dhe kohësh.
Shtjefën Ujkaj është një nga ata njerëz që nuk kërkon lavdi, por që e meriton. Sepse me fyell në dorë dhe me shpirt të madh, ai nuk e lejon Malësinë ta harrojë vetveten.