Fillimet e Dr.Ruzhdi Ushakut

Luljeta Avdiu – Cura

Koha e Perandorisë Osmane

Fillimi i punës së mejtepit – shkollës fillore katër vjeçare
Nga burimet historike vërehet se në Anë të Malit të ketë pasur mejtepe – shkolla fillore katërvjeçare. Sipas ditarit të inspektorit të arsimit të Vilajetit të Shkodrës, Davud Boriçi, të vitit 1874, në Anë të Malit vërehet të jetë i hapur mejtepi – shkolla fillore në Shas, për Shas, Brajshë e Krythë. Këtë e dëshmon vetë fleta e atij ditari.
I njëjti inspektor, Davud Boriçi, në vitin 1871, shënon që në Anë të Malit – Oblikë të jetë i hapur mejtepi – shkolla fillore. Në bazë të atyre shënimeve, mbi ekzistimin e mejtepeve në Oblikë 1871, në Shas për Brajshë e Krythë, në Villgar për Villgar, Bobot, Kravar Naltë e Shtegvashë 1874, mund të konkludohet se hapja – puna e shkollës fillore katërvjeçare në Anë të Malit është e lidhur me Reformën e arsimit, respektivisht Rregullorën e vitit 1869. ( Rexhep Lleshi-Shkolla Fillore “Bedri Elezaga”1869-2019, faqe 50).
Ai vit, 1869 vlenë të jetë dhe koha e fillimit të punës së mejtepit – shkollës fillore katërvjeçare për arsimimin e njerëzve në këtë trevë, Anë të Malit – Ulqin.

Rihapja e shkollave në Anë të Malit (1929-1941)
Shkolla në Kosiq/Krythë
Shkolla në Kosiq punën e rifilloi në shtëpinë e Kasem Nasradinit, në Tuzaj – Kosiqi Poshtë. Shtëpia ishte kullë në kat, muret të ndërtuar prej guri të lidhur me lloç gëlqereje. Pullazi i mbuluar me tjegulla kanale vendi. Mësimi mbahej në kat; dhoma e madhe kishte dy dritare të vogla me kapakë druri. Nga orenditë kishte pesë banka prej dërrase në të cilat rrinin nxënësit, nga katër, tavolinë të vogël e karrige për mësuesin dhe tabela për shkrim.
Mësuesi i parë në këtë shkollë ka qenë Milenko Guberiniq.
Nga viti 1932 shkolla e vazhdon punën në ndërtesë të re në Krythë. Aty erdhen mësuesit, Vukashin Dragoviq, Zako Paviqeviq, Miliq Çukiq dhe Bosilka Strugar-Miliqi.
Me anëtarë të deleguar nga vetë populli u formua Këshilli i shkollës me përbërje: Brahim Tagani e Fazli ef. Halili, nga Krytha, Osman Ibroçi – Kaliman.( Rexhep Lleshi-Shkolla Fillore “Bedri Elezaga”1869-2019, faqe 58).

Periudha e tretë e shkollës (1941-1943)
Shkolla e parë në gjuhën shqipe
Ajo punën e vazhdoi në objektin shkollor në Krythë. Mësimin e vijonin nxënësit nga Kosiqi, Bojku, Kalimani, Kllezna Naltë dhe Krytha.Këtu shërbyen mësuesit Ramadan Milla nga Shkodra, me origjinë nga Milla-Ulqin dhe Hasan Ibrahimi, nga Shkodra.( Rexhep Lleshi-Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” 1869-2019, faqe 66).

Shkolla fillore popullore në Kosiq/Krythë, 1945/46-1961/62
Viti shkollor 1945/46 -1961/62
Falë vullnetit të mirë të mësuesit dhe administruesit të shkollës fillore popullore në Katërkollë, Minja Nikollaidisit dhe pëlqimit të Këshillit Popullor të rrethit Ulqin, akti nr. 47 më 29. 10. 1945, Shkolla Fillore Popullore në Kosiq, punën e vazhdoi pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të vendit, në Vitin shkollor 1945/46. Aty u bë regjistrimi i fëmijëve të gjinisë mashkullore 7-14 vjeç në klasë I. Pushteti Popullor në marrëveshje me mësuesin Nikollaidis, vendosi që përveç në Kosiq/Krythë shkollat të hapen edhe në fshatrat për rreth të cilët janë larg ndërtesës së shkollës. Shkolla në Kosiq/Krythë punoi në ndërtesën shkollore, ndërsa në fshatra në shtëpi private. Mësim mbanin të rinjtë vullnetarë, të udhëzuar nga mësuesi Nikollaidis……( Rexhep Lleshi-Shkolla Fillore “Bedri Elezaga”1869-2019, faqe 101).

Fillimet e karrierës së Dr.Ruzhdi Ushakut në shkollën e Krythës
Dorëshkrimi është pjesë e arkivit personale që nga viti 2012.
Në shkollën e Krythës, njëheri paralele e ndarë e shkollës fillore “Bedri Elezaga”, fillova për herë të parë të punoj me nxënësit e klasës I dhe III në vitin shkollor 1957-58. Aty punoja me të ndjerin Shaqir Durakun i cili ishte njëkohësisht edhe drejtor i shkollës dhe jepte mësim në klasën II dhe IV.
Çdo ditë udhëtoja me biçikletë përveç sezonit të dimrit ku rrija me qira në shtëpinë e Hasan Palit.

Udhëtimi me biçikletë sidomos javët e para nuk ishte i lehtë, por pastaj me kalimin e kohës u mësova. Puna në Anë të Malit që njëheri ishte edhe fillimi i karrierës sime më dha mundësinë që të njihem nga afër me këtë vend dhe me banorët e kësaj treve, të cilët më respektonin shumë dhe madje më ftonin si mysafir në familjet e tyre pasi që përfundoja orarin mësimor por edhe në raste gëzimesh familjare. Kontakti me nxënësit më dha mundësinë që bashkë me to të bënim edhe koncerte e në këta raste unë kisha edhe rolin e muzikantit pasi që i bija harmonikut ndërsa ato këndonin e hidhnin valle. Po ashtu mbaj mend dhe e kujtoj me nostalgji vitin 1958 ku me nxënës u ngjitëm në Malin e Sumes, ende sot jam i mahnitur nga pamja gjë që më ka shty që vitet e fundit të bëj një punim shkencor për këtë të fundit.
Kur shkollën e vjetër e vizitonin personalitete, drejtori Jonuz Divani më ftonte të merrja pjesë me harmonik. Dhe në këtë rast një ministër e pyeti drejtorin Jonuzin; A shihni ndonjë dallim nga komshinjtë e anës tjetër sa i përket çështjeve kulturore? Jo, nuk shohim shumë u përgjigj ai, por një gjë duhet ta pranojmë se me muzikë na e kalojnë.
Jam nda nga ajo shkollë dhe nga treva e Anës së Malit me përshtypjet më të mira, gabimi im i vetëm ka qenë që duke parë se sa pastër e flisnin gjuhen shqipe banorët e kësaj treve është dashur të mbaj shënime gjuhësore, të mbaja shënim përrallat e gojëdhënat, ndodhitë etj., e t’i kultivoja më vonë, si një thesar të çmuar, por fatkeqësisht nuk ka pasur kush të më udhëzojë. Gjë që më ka bërë përshtypje ka qenë se vallet i luanin në të njëjtin vend si burrat ashtu edhe gratë.
I kujtoj me nostalgji fillimet e karrierës sime, udhëtimin me biçikletë, harmonikun që më shoqëronte në koncerte e gëzime familjare, urtësinë e të moshuarve, këngën e fëmijëve dhe mikpritjen e Anës së Malit.

Në vend të përfundimit
Historia e dr. Ruzhdi Ushakut përshkruan një periudhë të rëndësishme dhe emocionuese në jetën e tij, duke theksuar fillimin e karrierës si mësues në Krythë. Përmes këtij rrëfimi, lexuesi njihet me sfidat dhe përvojat personale që kanë ndikuar në formimin e tij profesional dhe personal. Historia është e shkruar me një ndjenjë të thellë nostalgjie dhe respekti për kohën e kaluar në Anë të Malit. Dr. Ushaku përshkruan detajet e përditshmërisë së tij, duke përfshirë udhëtimet me biçikletë dhe mikpritjen e banorëve lokalë, gjë që i jep lexuesit një ndjenjë të qartë të përvojave të tij. Përvoja e Dr. Ushakut në këtë komunitet rural tregon se sa i rëndësishëm është roli i mësuesit jo vetëm në edukimin e nxënësve, por edhe në integrimin dhe kontributin në jetën kulturore të komunitetit. Përkushtimi i tij për të marrë pjesë në aktivitete kulturore dhe për të krijuar lidhje me banorët tregon angazhimin e tij të madh dhe ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore. Puna me nxënësit e klasave të ndryshme, përgatitja e koncerteve dhe aktivitetet e tjera tregojnë përkushtimin e Dr. Ushakut ndaj edukimit dhe zhvillimit të nxënësve. Kjo tregon një angazhim të thellë dhe pasion për profesionin e tij. Reflektimi i Dr. Ushakut për mosdokumentimin e gjuhës dhe kulturës së banorëve tregon një vetëdije të lartë dhe respekt për trashëgiminë kulturore. Kjo pendesë shton një dimension personal dhe emocional në histori, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Përshkrimi i mikpritjes së banorëve dhe integrimi i Dr. Ushakut në jetën e tyre familjare dhe kulturore ilustron vlerat e forta të komunitetit dhe traditave shqiptare. Kjo është një dëshmi e ndjeshmërisë dhe aftësisë së tij për të ndërtuar marrëdhënie të ngrohta dhe të qëndrueshme. Angazhimi në organizimin e koncerteve dhe roli i tij si muzikant tregojnë përkushtimin e tij për të pasuruar jetën kulturore të nxënësve dhe komunitetit. Kjo pasqyron një aspekt të rëndësishëm të edukimit që shkon përtej klasës dhe përfshin zhvillimin kulturor dhe artistik.

Të fundit

më të lexuarat