Lindi në qytetin e bukur të Shkodrës, më 5 qershor 1920, në familjen intelektuale Pelinku, nga babai detar, kapiten i njohur anijesh, vëllai gjeometër, xhaxhai oficer. Familja e saj kishte primare edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Shkollën fillore pesëklasëshe e kreu në Tiranë. Po aty, bashkë me motrën, regjistrohen në shkollën normale. Motra e madhe diplomoi dhe u punësua në qytetin e lindjes, pastaj familjarisht kthehen për të jetuar në Shkodër. Qoutheres i mbeti pa përfunduar viti i fundit i studimeve.
Fati i jetës e solli në Ulqin. Martohet në vitin 1946 në familjen e nderuar Llunji. La pasardhës të shkolluar e të emancipuar – djalin Fatmirin, inxhinier, dhe vajzën Fatbardha, punonjëse e mjekësisë.
Në atë kohë, në Ulqin kishte kërkesë për kuadro – mësues shqipfolës që të punonin me fëmijë në shkolla fillore. Më 30 mars 1946 mësuese Qoutherja filloi punën në shkollën shtatëvjeçare, e cila më vonë u shndërrua në tetëvjeçare, që ndryshe quhej dhe Gjimnazi real. Punoi pandërprerë deri më 31 gusht 1956. Fatkeqësisht, në shkollën fillore të Ulqinit u ndërpre mësimi në gjuhën shqipe. Mësuesja e nderuar detyrohet të kërkojë punë jashtë qytetit të Ulqinit. Dy vite shkollore punoi në Shtoj e Kllezën, ku mësimi zhvillohej ende në gjuhën amtare shqipe.
“Fillova me klasën e dytë, ku i kisha 60 nxënës, djem dhe vajza pa dallim gjinie. Ishte një kohë ku duhej zhvilluar mësimi edhe pa libra”, do të rrëfente ajo vite më parë.
Në vitin 1958 filloi të punojë edukatore në kopshtin e qytetit, ku mësimi dhe puna zhvillohej në gjuhën serbokroate. Në vitin e parë edukatorja e përpiktë, me tërë fuqinë u përpoq për të formuar një grup edukativ në gjuhën shqipe, por nuk arriti. Pas punës së palodhshme e taktit pedagogjik të përkryer, arriti t’i bindë prindërit, kështu që në vitin e dytë fillon punën grupi edukativ në gjuhën shqipe. Kështu viti 1960 shënon vitin e parë të punës edukative në shqip të Kopshtit për fëmijë në komunën e Ulqinit.
“Me ardhjen e Qoutheres në Kopshtin e Fëmijëve në Ulqin fillon një etapë e re, e cila ngadalë, por sigurt, vendos bazën e shëndoshë të punës edukative në gjuhën shqipe“.
Aty ka punuar plot 18 vite me vogëlushët e kopshtit. Mësuese Qoutheren vogëlushët shpejt e bënë për vete, ishte e afërt dhe e dashur me fëmijë. Ajo jepte dhe merrte dashuri, ishte nënë e dytë për ta. Me shumë kënaqësi iu lexonte përralla, tregime, mësonte vjersha të bukura. Luante lojëra argëtuese, i nxirrte në këndin e lojërave, shëtitje në vëzhgim të natyrës, përgatisnin programe për festa të ndryshme, i mësonte të mbanin lapsin, të manipulonin me ngjyra, të shprehnin mendimet, të pikturonin që nesër këta vogëlushë të shkëlqenin edhe në shkollën fillore si dhe në jetë të bëhen njerëz punëtorë e qytetarë të mirë për vendin e vet.
Mësuesja i kushtonte shumë rëndësi ngritjes profesionale. Duke qenë se i kishte mbetur pa përfunduar viti i fundit, në vitin shkollor 1964/1965 arrin t’i përfundojë studimet në Shkup dhe të marrë diplomën e mësueses së ciklit të ulët shkollor.
Qouthere Pelinku – Llunji gëzon respekt dhe mbetet pishtare e luftës kundër analfabetizmit. Me punën e palodhshme si mësuese, edukatore, nënë, gjyshe, themeluese e grupit të parë edukativ në gjuhën shqipe për fëmijët e moshës parashkollore në komunën e Ulqinit. U pensionua në vitin 1977.
Mësuesja dhe edukatorja veterane e arsimit, e cila i dha shumë Ulqinit, në kohën kur kishte më së shumti nevojë, vdiq në vitin 2006.