Djaloshi vuthjan, shqiptari i parë që u diplomua në Universitetin e Kembrixhit

“Kishte çaste kur dukej se fati i ndriçonte, kur dukej se midis errësirës ku e kishte përplasë fati, një shkëndijë shprese do t’i ndriçonte të ardhmen... Pati çaste kur në rrugën e tij gjeti njerëz që e deshën, por fatit tragjik nuk do të mund t’i shpëtonte kurrsesi

Shaban Hasangjekaj

E tillë është jeta e Rexhë Metës, djalit të talentuar vuthjan që mbeti jetim pa nënë, pa babë, por në rrugën e tij ndeshi amerikanen e shquar Rouz Uillder Lane, e cila do të bëhej nëna e tij. Është shqiptari i parë që jetoi madhështinë e studentit të shkëlqyer në një prej universiteteve më të famshme në botë. E atje, la gjurmën e tij për jetë, duke u përfshirë në librin e artë të Kembrixhit. Rexhë Meta është njeriu që do të provonte kampet fashiste të përqendrimit dhe në fund, ato më të tmerrshmet, burgjet komuniste për 27 vjet. “Rexhë Meta është njeriu që vuajti ashpër tri diktaturat e tmerrshme të shekullit që shkoi: gjenocidin serb, kampet e përqendrimit fashist, dhe burgjet komuniste”, thuhet në fillim të artikullit të veprimtares dhe publicistes shqiptare, Luljeta Progni, me titull “Rexhë Meta, vuthjani i diplomuar në Kembrixh, që vuajti tri diktatura” i botuar në gazetën “Koha Javore” nr. 849, të datës 31 janar 2019, rrëfimet për hartimin e të cilin i ka marrë nga libri “Saga e dhimbjes” të autores Fatbardha Saraçi, të mbështetura në letrën dëshmi që bashkëshortja e Rexhë Metës, Përtefe Leka, ia ka dhënë autores së librit.
Përndryshe, Rexhë Meta, i lindur në vitin 1906 në Vuthaj të Plavë-Gucisë, ka qenë një djalë i vëllazërisë Ulaj. Babai i tij, Metë Fazlia Ulaj, bashkë me disa familjarë të tjerë, në vitin 1913 largohet nga Vuthajt për të shpëtuar familjen nga gjenocidi që u bëhej shqiptarëve në krahinën e Plavës dhe Gucisë nga forcat malazeze. Pasi shkojnë për disa vjet në Kosovë, në vitin 1919 Metë Fazlia Ulaj me gruan, djalin Rexhën dhe dy vajzat Gjykën dhe Zojën, kthehen dhe jetojnë në Shkodër. Meta dhe gruaja e tij pas një kohe vdesin, ashtu që Rexha dhe dy motrat e tij strehohen në jetimoren e Shkodrës që varej nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar. Rexha aty nisë shkollimin dhe mëson në mënyrë të shkëlqyer gjuhën angleze. Që nga mosha 12 vjeçare fillon të shoqërojë ekspeditat anglo-amerikane në Veri të Shqipërisë, si përkthyes. Por, ekspedita që i ndryshoi jetën këtij djaloshi, ishte ajo që udhëhiqej nga shkrimtarja e famshme amerikane, Rouz Uillder Lane, që ka shkruar veprën “Majat e Shalës”. Ajo në Shqipëri erdhi në vitin 1921 me mision humanitar. Ishte ngarkuar nga Kryqi i Kuq amerikan për vëzhgimin e veprimtarisë së këtij misioni në Evropë e Azi, pas Luftës së Dytë Botërore. Rouz Uillder Lane ishte në Shqipëri në atë kohë, për të ndihmuar refugjatët nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare, që ishin larguar nga dhuna e represioni serb, dhe për këtë arsye gjendeshin si refugjatë në Shqipëri. Ajo në atë kohë drejtonte Organizatën e quajtur “Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës”. Në këtë kohë shkrimtarja e shquar amerikane udhëtoi drejt veriut të Shqipërisë, në zonat më të thella, në luginën e Shalës, në Dukagjin, me qëllim për të hapur një rrjet shkollash atje.
Rouz Uillder Lane, gjatë atij udhëtimi u shoqërua nga një djalë i ri 12 vjeçar që quhej Rexhë Meta, i cili ishte nga Mali i Zi, nga Vuthajt e krahinës së Plavë-Gucisë, dhe që kishte ardhur në Shkodër si pjesë e atyre shqiptarëve që u dëbuan nga serbët, ku pas pak kohe kishte humbur të dy prindërit duke mbetur jetim me dy motrat, me ç’rast ishte marrë në mbrojtjen e Kryqit të Kuq Amerikan, ku dhe kishte filluar shkollimin. Në grupin e fëmijëve refugjat, Rexha dallonte për aftësitë e tij për arsimin, e në veçanti për mësimin e gjuhës angleze. Për shkak të njohjes së mirë të gjuhës në fjalë, ai u bë shoqërues i shkrimtares amerikane Rouz Uillder Lane, në udhëtimin e saj të famshëm në zonën e Dukagjinit, konfirmohet në vazhdim të tekstit të artikullit të publicistes Luljeta Progni.
Thuhet se Rexha gjatë udhëtimit shpesh herë e kishte shpëtuar Rouzen nga rreziqe të ndryshme që vinin në ato zona aq të ashpra të Veriut të Shqipërisë. Një prej tyre ishte momenti mjaft delikat, kur Rouz kishte rrezikuar të binte në një greminë, por guximi i të riut Rexhë, e shpëton shkrimtaren nga vdekja e sigurt. Prej atij momenti, Rouz u ndje shumë borxhli ndaj të riut përkthyes që e shoqëronte. Ajo i ofroi një shumë parash si shpërblim për shpëtimin e jetës, por Rexha refuzoi menjëherë duke i thënë:“Ti vetëm shkruaj për Shqipërinë”. Ajo ishte e mahnitur nga sjellja e djalit të ri që pos tjerash ishte shumë i varfër, por e refuzoi shumën e parave nga shkrimtarja amerikane.
Pas pak kohe të kaluar, Rouz Uillder Lane vendosi ta adoptojë të riun fisnik. Menjëherë e filloi shkollimin e tij duke e regjistruar fillimisht në Shkollën Teknike “Harry Fultz” në Tiranë. Pas rezultateve të shkëlqyera në këtë shkollë, Rexha fillon studimet për financa në Universitetin e Kembrixhit në Angli. Në vitin 1937, Rexha përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera (“Honor student”), ku dhe mbron edhe tezën e doktoraturës dhe fiton gradën doktor i ekonomisë. Tërë ciklin e studimeve, Rexha e përfundon me medalje të artë dhe për këtë sukses emri i tij edhe sot gjendet në Librin e Artë të Universitetit të Kembrixhit, dhe me sa dihet ai është shqiptari i parë që ka kryer atë universitet me famë botërore.
Në kohën kur Rexha po përfundonte studimet në Kembrixh, nëna e tij që e kishte birësuar Rouz Uillder Lane, përfundimisht vendosi të jetojë në Shqipëri. Në Tiranë ndërtoi dy shtëpi, një për vete, dhe një për Rexhën dhe familjen e tij, në kohën kur Rexha po krijonte familjen, pasi ishte martuar me vajzën Përtefe Lekaj në vitin 1938, të cilëve u lindi vajza e parë e cila u pagëzua me emrin Bora Rouz dhe emrin ia vendosën prindërit e saj, me qëllim që të kujtonte gjithmonë gjyshen amerikane. Në këtë vit Rexha ishte kthyer në Shqipëri dhe fillon punën si drejtor i Drejtorisë së financave, por për një kohë edhe si këshilltar i kryeministrit të kohës.
Pikërisht, në vitin 1939, kur Rexha ishte sistemuar me familjen e bashkë me të ishte edhe e ëma Rouz WUillder Lane, mu në kohën e pushtimit fashist të vendit, në vitin 1940, Rexha internohet në Itali si antifashist me familje, ku qëndroi në kampin e përqendrimit deri në kapitullimin e Italisë më 1943.
Në verën e vitit 1943, Rexha kthehet në Shqipëri dhe në shtator të po këtij viti ai merr pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si delegat i maleve të Kosovës, siç quhej atëherë krahina e Plavë-Gucisë, respektivisht si një nga 45 përfaqësuesit e kësaj lidhjeje përkrah figurave të tilla si Isa Boletini, Xhafer Deva, Shaban Polluzha, Rexhep Mitrovica, Marie Kraja, e shumë patriotë të tjerë. Ai angazhohet në hartimin e statutit dhe programit të lidhjes në fjalë.
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Rexhë Meta arrestohet nga pushteti komunist në Shqipëri në krye me Enver Hoxhën, dhe dënohet me vdekje. E ëma Rouz Uillder Lane e mëson këtë lajm të zi dhe me autoritetin e vet ndërhyn deri te presidenti i SHBA-së, që atij t’i falej jeta. Enver Hoxha vë kushte. Lane për hir të jetës së Rexhë Metës, e pranoi kushtin dhe dënimi i tij shndërrohet në 27 vjet burg, të cilin e vuan në qelitë e Burgut të Burrelit.
Këtu dhe nisë kalvari i gjatë i vuajtjeve të Rexhë Metës, i cili nuk mund të shpëtohej më nga e ëma e tij Rouz Uillder Lane. Ai ishte në listën e atyre personaliteteve që regjimi komunist i kishte piketuar për t’i zhdukur. Në atë kohë, Rexha shquhej si intelektual dhe patriot i zëshëm për bashkimin e zonave shqiptare. Kjo është edhe një ndër arsyet pse ishte piketuar për t’u asgjësuar, si edhe për shkak të ndërhyrjes së serbëve që e donin atë të vdekur. Rouz vazhdoi përpjekjet për ta liruar nga burgu Rexhën plotësisht, por ishte e pamundur. Ajo i shkroi një letër Bes Truman, bashkëshortes së presidentit amerikan të asaj kohe, ku i kërkonte ndihmë për lirim nga burgu të birit të saj, Rexhë Meta. Rouz nuk pushoi përpjekjet e saj përmes institucioneve të larta shtetërore amerikane, por beteja ishte shumë e vështirë. Madje, erdhi një moment kur familja e Rexhës e këshilloi shkrimtaren të tërhiqet nga përpjekjet e saj për ta liruar Rexhën, sepse sa më shumë ajo përpiqej, aq më shumë komunistët e shtonin presionin dhe torturat ndaj tij dhe familjarëve të tij, gruas Përtefes, djalit Fitimit dhe vajzës Borës.
Përtefe Leka, ishte bashkëshortja e Rexhës, me të cilën Rouz mbante kontakte në mënyrë të fshehtë. Gjatë kësaj kohe, Përtefe Lekës i kishin pushkatuar si antikomunist të vëllanë e saj, Bardhosh Danin. Këto informata që Rouzes i vinin nga Përtefja, e tmerruan shkrimtaren amerikane dhe për këtë arsye ajo kërkoi ndihmën e miqve të saj, të Kryqit të Kuq Evropian, që mund të shpëtonin Rexhën dhe familjen e tij. Por, përpjekja e Rouzesë dhe miqve të saj nuk e mundësuan lirimin e Rexhës nga burgu, të cilin ai e vuajti 27 vjet në burgjet komuniste.
Në vitin 1968 kur Rouz Uillder Lane ishte e sëmurë dhe kishte kuptuar se ishte në ditët e fundit të jetës, një ndër amanetet që ajo ia la birit të saj të dytë të adoptuar në SHBA, Roxher Mak Brider, ishte porosia që ai të mos i ndalte kurrë përpjekjet për t’u lidhur me vëllain e tij në Shqipëri, Rexhë Metën. Rouz Uillder Lane ndërroi jetë në vitin 1968, në kohën kur Rexha vazhdonte vuajtjen e dënimit në qelitë e burgut komunist në Burrel.
Pasi përfundoi vitet e burgut, Rexha kthehet pranë familjes. Për disa kohë punoi si roje në një ndërmarrje në Shkodër. Ndërroi jetë në vitin 1985 dhe u varros në varrezat e Shkodrës.
Në vitin 1991, biri i dytë i birësuar i Rouz Uillder Lane, Roxher Mak Brider, ia doli të lidhet me vajzën e Rexhë Metës, Bora Rouz. Ajo kishte shkuar në Itali si refugjate në vitin 1991, ku dhe e gjeti Roxheri dhe e mori me vete bashkë me familjen e saj duke e vendosur në Florida, ku jeton edhe sot.
Në fund, theksojmë se fotoportreti i Prof. Dr. Rexhë Metë Ulajt, është i vendosur në ballinën e murit të Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj, në shenjë kujtimi për jetën dhe veprimtarinë e tij të bujshme në mesin e fotoportreteve të shumë personaliteteve të tjerë në zë dhe me famë në trevat e Plavë – Gucisë dhe më gjerë.
Qëllimi esencial i publikimit të këtij portreti është që vuthjanët, por edhe shqiptarët e tjerë nga treva e Plavë-Gucisë dhe trojet mbarë shqiptare, të mësojnë dhe ta njohin personalitetin e Prof. Dr. Rexhë Metë Ulajt, për të cilin shumë pak dihet.

Të fundit

më të lexuarat