
Malësia e Madhe shquhet për traditën e pasur të zejtarisë, me vlera jashtëzakonisht të mëdha, të cilat janë krijuar prej shekujsh nga artizanët popullorë, në çdo krahinë të saj, sipas specifikave dhe karakteristikave të zonave të ndryshme gjeografike. Kishte shumë gra malësore, pasioni i të cilave ishte punimi me dorë dhe me gjilpërë i veshjeve tradicionale shqiptare. Edhe gratë nga krahina e Hotit, si ato nga krahinat e tjera të Malësisë së Madhe, janë të njohura jo vetëm për përdorimin (veshjen) e kostumeve popullore shqiptare, por edhe për punime artizanale me gjilpërë dhe në vek.
Dilë Markja Camaj, e lindur në Vrithe të Shkrelit në vitin 1990, u martua me shkuesi, sipas ligjeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit, në moshën 18-vjeçare, me Kolë Pjetër Zekun Camajn, në fshatin Spi – Hot. Ishin kohë të vështira, varfëri… Ajo erdhi në një familje me disa dhjetëra anëtarë. Burri i saj, Kola, pas dy vitesh martesë (ia punoi një vek – vegël druri me krehër, shpata të ndërtuara për të endur pëlhura nga fije leshi ose liri etj.), ashtu siç kishte parë te nëna e gruas, e cila u shqua si një mjeshtre e rrallë, sidomos për punën me gjilpërë dhe në vek.
Djali i Dilë Markes, Gjergj Camaj, profesor dhe pedagog në pension, kujton se vegjët (veku) kishin formën e një katërkëndëshi, prej druri.
“Një pjesë e vegjëve përbëhej nga katër huj – shtylla vertikale të përforcuara me katër shtylla horizontale. Gjithashtu vegjët kishin dy shula – njëri që mbështillte perin, tjetri që bënte hali, qilima të bukur, mbulesa, jastëkë, duoq, strajca, breza (rripa) për çakçirë. Në vek ka qenë shpata me disa dhjetëra dhëmbë të gjatë afro10 cm, në formë të krehërit. Përveç këtyre, veku kishte edhe dy ose katër liq (pjesë e vegjëve që shërbejnë për të ngritur e ulur indin që të kalojnë fijet gjatë endjes, shënimi im: Tirk ën tre liq ose n’katërliq), prej perit të trashë të bardhë, kurse te këmbët ishin dy litarë, që shërbenin për të ndërruar pozicionet gjatë punës”, thekson Camaj.
Ai shton se, me sa dihej në atë kohë, në Hot kishte vetëm dy vekatore (gra që punonin në tezgjah), në Grudë dy, ndërsa në Triesh dhe Kojë nuk dihet asnjë.
Dilë Markja, një artizane dhe mjeshtre e dalluar, ishte një malësore fisnike, punëtore, e cila kishte pasion endjen dhe punimin me gjilpërë. Ajo shquhej si zejtarja më e njohur e kohës në Malësi duke krijuar “art” me një gjilpërë sikur piktori me laps, penel dhe furçë.
Ajo, përveç shumë punëve në familje dhe kujdesit për 7 (shtatë) fëmijë – tre djem: Prof. Dr. Tomën, i arratisur në Shqipëri; Gjergjin, profesor, pedagog; Luigjin, fermer (bujk), si dhe katër vajza: Kristinën, Pashkën, Lulën dhe Filen, ka gjetur kohë për thurjen e veshjeve kombëtare. Tri vajzat e saj u martuan me xhubleta e duvak që ajo i punoi me dorë. Në vek ajo ka punuar qilima, hali me çufra, batanije, mbulesa për oxhaqe dhe dysheme, strajca e duoq, breza për çakçirë e jastëkë. E kuqja dhe e zeza, që simbolizonin flamurin kombëtar, ishin më së shpeshti dominuese në punimet e saj, të cilat simbolizonin flamurin kombëtar.
Një nga temat e preferuara të kësaj qëndistareje (artizaneje) ishte shqiponja dykrenore ilire me lashtësinë, që nga shekulli VI para erës sonë e deri më sot, e njohur si simbol i lirisë dhe guximit, e parë në etnokulturën shqiptare ndër shekuj dhe një lule me motive bimore. Modelet e kryqit me lule zinin një vend të veçantë në punimet e saj të dorës dhe veçanërisht lulja zinte një vend të veçantë në simbolet e saj të qëndisjes. Në kujtesën popullore të artizanëve shqiptarë, disku i ndritshëm i lulediellit, i cili i ngjanë diellit, do të sjellë begati dhe paqe në shtëpi. Thuhet se nëse modeli kryq i lulediellit përfshin një shportë me fruta dhe manaferra, ai i premton qëndistarit pasuri dhe bollëk.
Në shtëpinë e Drane Camajt, deri në dekadën para vdekjes, ajo bënte lloje të ndryshme veshjesh popullore për burra dhe gra me gjilpëra. Ka punuar xhubleta, çakçirë, postava dhe çorapë nusesh e dasmës përpunoheshin me dashuri dhe respekt të veçantë. Këto veshje tradicionale shqiptare nuk i ka bërë për treg (shitje), por ua ka dhënë anëtarëve të familjes së saj të ngushtë. Punimet e saj, si me gjilpërë dhe në vek, gjenden edhe sot në Malësi, diasporë dhe Shqipëri.
“Në atë kohë çdo nuse duhej të kishte tri xhubleta: më të mirën, pas të mirën dhe të keqen. Xhubleta më e mirë ishte ajo që e vishte vajza kur ishte nuse, në dasma, ahengje, pritje, logje, pra duhej të ishte e veçantë, e dalluar për nga cilësia, stolitë dhe dekorimet, me një spik të veçantë, me iva zakonisht prej cofet të kuqe ose të kaltër (blu), e dekoruar me tertil, laxhuferre, rruaza e në shumë raste dhe sumulla, pulla e elemente prej sermi. Postava e zezë për nuse ishte punë e posaçme meqenëse duhej çdo gjilpërë të qëllonte me përpikëri figurën e vizatuar në letër. Në xhubletë dhe në postavë dominonte spiku, rruazat e tirku i zi. Po ashtu edhe çakçirët prej tirkut të vërtetë zbukuroheshin me shirita të spikut të zi”, thotë Camaj. Xhubleta pas së mirës ishte ajo që e vishnin gratë kur të afërmit i ftonin në dreka dhe darka, ndërsa të tjerat i kishin për t’i mbajtur përditë.
Ajo kishte dashuri dhe respekt për punimet e saj, veçanërisht për çakçirët e burrave dhe xhubletat e grave. Me perin e gjilpërës ka realizuar punime të ndryshme arti. Përpos faktit që këtë zanat e ka trashëguar me gjilpërë e në vek nga e ëma, ajo e ka përsosur edhe më shumë se e ka dashur koha. Ajo është shembulli më pozitiv i ruajtjes së traditës së punës artistike. E rritur nga puna e nënës, ajo nuk mundi t’i shmangej traditës familjare të punës artizanale, të trashëguar ndër vite.
Që nga lindja e deri në vdekjen e saj në moshën 87-vjeçare, prej kur e veshi në mëngjes e deri në mbrëmje kur e zuri gjumi, nuk e hoqi xhubletën. As në Shqipëri, as në Malësi të Madhe ajo nuk e hoqi kurrë xhubletën, duke u bërë kështu gruaja e fundit në Malësi që mbante gjithmonë xhubletën, një veshje që i jep gruas një personalitet të jashtëzakonshëm dhe e bën atë mbretëreshë.
Dila ishte shumë e zonja në punën e saj. Ajo nuk u lodh kurrë me këtë punë, por gjithmonë punonte me dashuri dhe pasion. Ajo kishte dëshirë që kjo trashëgimi nga nëna e saj të mos zhduket, por të kalohet brez pas brezi. Mirëpo dëshira e saj për t’ua kaluar fëmijëve të saj atë trashëgimi nuk u realizua dhe nuk ka asnjë familjar të saj që mund ta trashëgojë. Me ndarjen nga jeta të kësaj zejtareje, në familjen e saj u shua kjo traditë (mjeshtëria e thurjes së kostumeve tradicionale shqiptare), e cila promovoi kulturën tonë kombëtare për gati një shekull.