
Pasditja e vonë e një fundmarsi po binte butë mbi xhamat e ateliesë së Zake Prelvukajt në Prishtinë. Drita rrëshqiste ngadalë, sikur druhej ta prekte plotësisht gruan që rrinte pranë dritares. Ajo i kishte sytë e qetë. Por në atë qetësi fshihej një ngacmim i lehtë, që ndodh para se artistja të fillojë një koncept të ri.
Muri përballë Zakes është arkiv i gjallë kujtese, me postera ekspozitash nga tri dekada, dëshmi e një të kaluare që jeton ende në mendjen e saj dhe në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Aty dallohet një reproduksion i veprës “Trupi im brushë”, ku trupi i Zakes i lyer me një shtresë të trashë të së kaltrës, na përshëndet me një heshtje enigmatike. Është një ftesë për të hyrë në një botë, ku kuptimi qëndron përtej pamjes.
Koha gjatë bisedës me Zaken nuk rridhte zakonshëm, por në mënyrë të çuditshme e të çrregullt, si frymëmarrja e një pikture që ende s’ka nisur e as ka përfunduar. Ngjyrat në veprat e Zakes janë koncepte, trup, identitet i ndërtuar përmes ndjesisë më shumë se sa përkufizimit.
Zakja nuk ëndërroi të bëhej njëra ndër artistet më të njohura shqiptare. Kur flet për vizatimin, për ngjyrat, sytë i ndriçojnë me një emocion të brendshëm. Si fëmijë vizatonte pa ndonjë qëllim. Bota përreth për të ishte lodër për t’u ngjyrosur. Por në kufirin mes fëmijërisë dhe adoleshencës ndjeu një ndryshim. Duart që vizatonin për lojë, tani shprehnin ndjenja të pakuptueshme.
“Krejt fëmijët shkallavisin deri në një moshë të caktuar, por aty në moshën 12-13 vjeçare fillojnë me kuptu veten dhe ndalen me atë që bëjnë dhe fillojnë me një shprehje tjetër arti, ndoshta shkruajnë”, thotë ajo.
Disa çaste nga jeta, sipas saj, nuk i shlyen as koha, as harresa. Janë piktura të padukshme, të varura në galerinë e mendjes. Kujtime të fëmijërisë që për Zaken janë dritare ku nisi të jetojë artin.
Zakja flet me nostalgji për një mural të vjetër në shkollën fillore “Meto Bajraktari”, si një fotografi e zbehur. Për të, murali ishte hyrje në botën e ndjenjës dhe ngjyrës. E kujton veten të përkulur mbi asfalt, me duar të njollosura nga boja, duke i dhënë formë rrugës. Ishte një mënyrë për t’i folur botës.
“Në art mblidhen disa aktivitete që barten në një bosht, i cili të forcon për me kriju një ndjenjë që arti është edhe më shumë i dëshirueshëm”, rrëfen ajo.
Si fëmijë, Zakja e pyeste veten se ku do ta çonte rruga e artit. “Kur më thanë se arti do të më linte në rrugë, vendosa të gjej rrugën time vetë”. Kjo fjali e mësoi se rruga drejt artit është sfiduese dhe me gjemba.
“Ndjenja për artin ka qenë ma e fuqishme”, thotë ajo shkurt e shqip dhe shton se “ende e ruaj fletoren me vizatime, ilustrime dhe shkrime si nismë e asaj që e kam materializuar në art”.
Për të arti nuk është asnjëherë thjesht zbukurim, por klithmë pa zë, letër e gjatë dashurie në pëlhurë, rebelim i heshtur kundër rregullave që shoqëria përpiqet t’ia imponojë mendjes së lirë. “Arti është një formë rezistence”, thotë Zakja dhe shton se “arti është dashuri, është erotikë, është politikë, është luftë”
Për Zaken, thirrja jetësore e artit është një lidhje ndërmjet fatit dhe zgjedhjes së saj, si një bashkëdyzim që shpaloset ngadalë ku profesioni nuk ndahet nga jeta.
“Mendoj se njëra pa tjetrën nuk mund të jenë, aty ka edhe rebelim ndaj asaj thënies që arti të lë në rrugë dhe unë i kam thënë vetvetes se ia dal”, rrëfen ajo duke e vendosur në pah rebelizmin e saj në jetë dhe në art.
Në fillet e saj artistike Zakja ka qenë e frymëzuar nga vëllai i saj artist Musa Prelvukaj, dhe nga një komshi, piktori i mirënjohur Nysret Salihamixhiqi. Në botën e artit sipas saj 20 për qind është fat, kurse 80 për qind është punë. Për Zaken këto dy shtylla janë inspirimi i thellë për të krijuar, për demonstrim artistik dhe plotësim shpirtëror.
“Arti është porosi, është dashuri, është erotikë”, thotë Zakja me frymën që mbart pasionin e krijimit dhe shton se “unë nuk doja të isha si autorët e punimeve që i shikoja, dhe gjithmonë e kam pasur bindjen se duhet punuar ndryshe, me materiale, teknologji ndryshe, kam përdorur materiale të rrezikshme edhe për duart e mia, sepse gjithmonë kam pasur bindjen se duhet punuar ndryshe, se duhej t’i hapja dyert për diçka tjetër”.
Gjatë studimeve ajo u mësua të përdorte materiale si zifti, nitro substancë kjo e rrezikshme për shëndetin, gjë që bëri të binte në sy në fakultet. Brenda Zakes vlonte dëshira që nuk mund ta shprehte me fjalë, por përmes materialeve, ngjyrave dhe formave që dilnin përtej çdo rregulli në universitet.
Vitet e nëntëdhjeta në Kosovë sollën realitet të ri, që e ndau botën e vjetër nga e reja që po lindte. Në këtë kohë arti, kujton Zake Prelvukaj, u shndërrua në një formë rezistence të heshtur.
“Në krijimet e mia të viteve të nëntëdhjetë përdorja zift dhe nitro, jo vetëm për efektin artistik, por sepse ato përfaqësonin një lloj rebelimi, një revoltë të heshtur kundër rrethanave të kohës”, thotë Zakja.
Për të arti nuk është asnjëherë thjesht zbukurim, por klithmë pa zë, letër e gjatë dashurie në pëlhurë, rebelim i heshtur kundër rregullave që shoqëria përpiqet t’ia imponojë mendjes së lirë. “Arti është një formë rezistence”, thotë Zakja dhe shton se “arti është dashuri, është erotikë, është politikë, është luftë”.
Kur flet për krijimet e saj, Zakja pohon se asnjëherë artin nuk e ka parë si pronë të sajën dhe se nuk ka dashur ta mbajë për vete.
“Piktura ime është aq e imja sa e jotja dhe e secilit që ndalet për ta parë”, thotë ajo, derisa në sytë e saj shfaqet një dritë e qetë, që artin e shpërfaq si takim dhe jo pronësi. Kur dikush e pyet se çfarë kuptimi ka një vepër e saj, Zakja buzëqesh dhe ia kthen me pyetje: “Po ty, çfarë të thotë dhe pse u ndale pikërisht këtu?”.
Për një grua që zgjodhi të jetë artiste në një vend të vogël dhe në një kohë të ashpër, çdo vepër ishte një sfidë. Zake Prelvukaj i kujton ekspozitat që sollën debat, fjalë të ashpra, por edhe lëvdata.
Ndër veprat që më së miri e përfaqësojnë këtë udhëtim të Zake Prelvukajt është “Iksi si Instalacion”, një performancë që nuk kërkon të shpjegohet, por të ndjehet.
“Iksi nuk është thjesht një ekuacion matematikor, por një enigmë që të sfidon të gjesh vetveten në kaosin e kohës”, tregon Zakja duke e kthyer atë ‘x’ të panjohur në një rrugëtim të brendshëm që nuk ka përgjigje të thjeshtë. Është pikërisht aty ku kuptimi shkëputet nga logjika, që fillon arti i saj më i thellë.
Procesi krijues për Zake Prelvukajn nuk është një teknikë që përsëritet, por një ritual i brendshëm.
“Kur më thërret zëri i brendshëm për të shkuar në atelie, brenda meje shfaqet një emocion që nuk i rezistoj, e të cilin e quaj krijimi”, thotë ajo me një ton që më kujton zërin e një lexuesi të devotshëm. Arti për Zake Prelvukajn nuk është një detyrë, por një thirrje që kërkon të dëgjohet në heshtje.
Kritika nuk e lëkund Zake Prelvukajn, e dëgjon, por nuk i nënshtrohet.
“Piktura është si një stufë: ose tërheq tymin, ose nuk e tërheq fare”, thotë ajo dhe shton se jo çdo gjë që bëhet do të kuptohet, sepse disa gjëra nuk janë bërë për t’u kuptuar, por për t’u jetuar.
Për të, arti është dialog. Është takim. Është urë.
“Arti duhet të jetë urë mes njerëzimit”, më thotë Zakja, sepse nëse arti nuk është urë, atëherë mbetet i vetëm, një zë që bie në një hapësirë bosh.
Zakja është një artiste multidisiplinare, veprat e së cilës flasin përmes shprehjeve që i demonstron në mjedise të brendshme, të jashtme dhe në mendjen e njerëzve. Në botën e saj, arti nuk është përgjigje. Është pyetje. Dhe ajo pyetje është gjithmonë e hapur, si një dritare që nuk mbyllet kurrë plotësisht.
Zakja nuk krijon vetëm vepra arti, ajo ndërton ndjeshmëri kolektive. Arti i Zakes nuk kërkon të kuptohet, por të jetohet. Dhe kështu, ndërmjet ngjyrave, pëlhurës, formave, fjalëve dhe heshtjes, ajo ka zgjedhur të rrijë pranë dritares, aty ku bota hyn me dritë dhe largohet me ngjyrë, sepse arti i Zake Prelvukajt, si dritarja e ateliesë së saj në Prishtinë, nuk mbyllet kurrë plotësisht.