Arkitekti dhe piktori ulqinak nga Nju Jorku

Gani Karamanaga

Rrëfimi 1.
Valdanosi, pjesë magjike e Ulqinit. Me bashkëshorten ishim duke ecur rrugicës sipër plazhit me zhavor. Djathtas janë selviat e mbjellura dikur nga Kooperativa bujqësore, pak më larg ullishta e njohur e Bishtit – Valdanosit. Nga pishat doli Cano Duli: “Doktor sa mirë që po ju shoh..”, ishin fjalët e tij.

Rrëfimi 2.
Njohja ime më e mirë me Cano Dulin ishtë në vitin 2009 kur vizitova Nju Jorkun lidhur me bashkëpunimin me “Columbia University” dhe “Jacobi Hospital Center“, në Nju Roshel të Nju Jorkut.
Në qershor të vitit 2009, pas udhëtimit të gjatë mbërritëm në aeroportin e madh “Xhon Kenedi”. Aty na priti Cano Duli:
“Prof. Alan Ros më ka lajmërua se do të vini, unë do të ju shoqëroj këto ditë”.
Dhe me të vërtetë Cano Duli dhe i ndjeri Fatmir Resulbegu na kanë shetitur nëpër Nju Jork. Cano Duli kishte raporte të shkëlqyera me Prof. Alan Ros i cili ishte bartësi i Projektit për ndihmën e Emërgjencës së Shtëpisë së Shëndetit të Ulqinit, nga viti 2007-2010.
Cano Duli ishte i kyçur në Projektin e themelimit të spitalit “Ilyria”. Në këtë spital në kuadër të “Jacobi Hospital Center“, mjekohen shqiptarët prej të gjitha vendeve ku flitet gjuha shqipe: Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Ishim në mbrëmjen solemne lidhur me kremtimin e 10-vjetorit të Spitalit “Ilyria”. Aty u takuam me shumë vendas tonë të cilët jetojnë në Nju Jork. Kam patur privilegj të përshëndes të gjithë të pranishmit publikisht.
Një ditë ishim edhe për drekë në shtëpinë e Cano Dulit. Na pritën edhe bashkëshortja dhe vajza e tij. Djali ishte në punë.
Një darkë të paharrueshme kemi patur në një restaurant në Nju Roshel. Pronari ishte nga Gucia (Mali i Zi).

Rrëfimi 3.
E shoh të nevojshme të shkruaj diçka edhe për babain e Canit.
Musa (Cano) Duli u lind në Ulqin më 1924. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Për shkak të kushteve të vështira u detyrua të shkojë në Shqipëri për të gjetur punë. Në vitin 1942 shkoi në Tiranë te dajat. Atje mbaroi kursin për infermier. Më pas u punësua në spitalin italian, ku punoi dy vjet me mjekë të njohur siç ishin Dr. Anagnosti, Dr. Groti dhe Dr. Matroni.
Në vitin 1946 iu bashkëngjit Brigadës së 13 shqiptare në Ohër, ku edhe punoi një vit në spitalin e atjeshëm. Një vit më vonë u kthye në Ulqin. Filloi punën në ambulancën e atëhershme afër ish-hotelit “Galeb”. Ishte njeri human, i gatshëm për t’u ndihmuar të gjithë njerëzve pa dallim feje e kombi. Punën e infermierit e ushtronte me gjithë zemër e shpirt. Pa kurrfarë pritese shëronte pleq e plaka, të rinj e të reja, fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Me të gjithë ishte i afërt. Vdiq më 1996.
Kujt në Ulqin ose në rrethinë nuk i kujtohet Musa, që shumë njerëz e thirrnin doktor Musa? Njeriu që vraponte, i kryente punët me buzë në gaz, njeriu që dinte me fjalë të ta lehtësonte dhimbjen. Musa ishte infermier i dalluar.

Rrëfimi 4.
Biografia

Cano Duli u lind në Ulqin në vitin 1958. Shkollën fillore e përfundoi në Ulqin. Shkollën e mesme – Degën e arkitekturës e kreu në Pejë në vitin 1973/74. Fakultetin e Artiketurës në Sarajevë e përfundoi në vitin 1979. Fillimisht punësohet në Organizatën për rindërtimin e Ulqinit pas tërmetit të 15 prillit të vitit 1979.
Nga viti 1989 deri më 1992 udheqi biznesin privat. Po në atë vit emigron për në SHBA.
Fillon epoka e rilindjes së tij ku e ndjeu veten shumë të sigurt. Punësohet në profesion në zyren e Art.ca. Udhëtimi i tij në Hjuston – Teksas dhe rikthimi në Nju Jork. Në vitin 1997 e hap biznesin privat me emrin “Interopr-eksterior Fresca painting Gold Leaf technicue bluenprint”.
Punët më atraktive që ai i realizoi: Hotel Wasdorf Astoria New York, Manhattan Plaza Hotel-Taj Mahal, Public Library, Manchatab shtëpia private të standartit të lartë, apartamente, restaurante, reparim i arteve të vjetra, etj.
Pas pensionimit vazhdon me këto aktivitete në SHBA, Evropë, dhe në vendlindje në Ulqin.
Në fund po shtoj: Cano Musa Duli ishte arkitekt në Ulqin, por suksesi më i madh në arktekturë u manifestua në Nju Jork, ku u dëshmua edhe si piktor i dalluar. Kisha kënaqësi që të takohemi në Ulqin dhe në Nju Jork.
(Nga libri në dorëshkrim “Mërgimtar”)

1.Cano Duli: foto në ditët e sotme
2.Fotografi e vjetër: Musa Duli me një infermiere në përgatitjen e materialit – Stacioni i vjetër shëndetësor

Të fundit

më të lexuarat