Parulla se standardi ka dështuar është ndjellakeqe dhe dashakeqe

Zotërimi dhe përdorimi i standardit varet nga interesat kulturore të njeriut, nga dëshira e tij për të komunikuar në një formë më të ngritur gjuhësore sesa gjuha e shtëpisë a e vendbanimit të vet. Gjuha standarde është gjuha e veprimtarisë shtetërore e publike, ose siç thuhet, e “situatave formale”; në familje e në rrethin shoqëror, d.m.th. në “situata informale”, flitet gjuha bisedore, që është e ndryshme sipas krahinave, d.m.th. ndryshe në Ulqin, ndryshe në Shkodër, ndryshe në Prizren, në Shkup, në Tiranë, në Elbasan, në Vlorë etj. Ka disa që, për fat të keq, kujtojnë se duke ndërruar gjuhën bisedore dialektore me gjuhën letrare, humbasin dinjitetin dhe personalitetin! Ligjërimi letrar dhe ligjërimi bisedor dialektor kanë secili vendin e vet, nuk janë në armiqësi, por bashkëjetojnë dhe pasurojnë e ndikojnë njëri-tjetrin

Koha javore: Profesor Lafe, këto ditë shënohet 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Si njëri ndër 87 delegatët e tij, çfarë kujtoni nga ajo ngjarje (kohë)?
E. Lafe:
Vendimi se do të organizohej një kongres për të përmbyllur diskutimin pesëvjeçar të Projektit të drejtshkrimit na u njoftua nga Ministria e Arsimit. Kongresi do të mbahej një javë para festave të 28 e 29 Nëntorit. Kuptohet se Kongresi do të ishte veprimtaria më e lartë e më domethënëse për të festuar jubileun e 60-vjetorit të Pavarësisë. Për organizimin e Kongresit u krijua një komision prej 19 vetash, i kryesuar nga drejtori i Institutit, prof. Androkli Kostallari, njeri me energji të pashtershme dhe aftësi të shquara organizative. Prof. Mahir Domi ishte nënkryetar. Unë u caktova sekretar i komisionit dhe, siç dihet, gjithë detyrat kalojnë së pari nga sekretari. Kam qenë i mbingarkuar me punë atëherë. E ndieja se po përjetonim ditë me rëndësi dhe me vlerë historike. I gjithë Instituti ynë ishte i mobilizuar që Kongresi të zhvillohej me një nivel shkencor të lartë. Kongresi përveç anës shkencore pati edhe anën dekorative e propagandistike. Duhej një pllakat që të simbolizonte Kongresin, një medaljon, një distinktiv dhe formulimi grafik i dëshmisë së delegatit. Duke u përpjekur për të bërë më të mirën, kam njohur atëherë nga afër mjeshtër të talentuar të artit grafik.

Koha javore: Sa ka arritur gjuha standarde shqipe që të jetë e përdorshme nga folësit shqiptarë në trevat ku jetojnë shqiptarët? Sa jeni të kënaqur me nivelin e përdorimit të saj?
E. Lafe:
Rrezja e veprimit të shqipes standarde ka ardhur duke u shtrirë gjithnjë e më shumë si në pikëpamje territoriale, ashtu edhe në pikëpamje të shtresave shoqërore. Është naive të mendohet se menjëherë pas Kongresit të Drejtshkrimit shqiptarët do të flisnin kudo me gjuhën e njësuar! Gjuha përfaqëson një shprehi dhe shprehitë duan kohë për t’u fituar e për t’u ndryshuar. Ju e dini p.sh. se në Shqipëri ende llogaritë i bëjnë me “lekë të vjetra”, ndonëse leku i ri ka hyrë në përdorim që më 1965. Le të kemi parasysh se analfabetizmi ndër shqiptarët deri në mesin e shekullit të kaluar ka qenë rreth 90 për qind. Edhe në vende të tjera me tradita kulturore shumë të pasura, gjuha letrare është shtrirë pak nga pak në masat e popullit, duke u zgjeruar e përmirësuar arsimi i përgjithshëm, shtypi, botimet, radioja e televizioni dhe jeta qytetare. Është iluzion të mendohet se një standard tjetër, kinse më i përshtatshëm, do të kishte pasur më shumë sukses. Jeta shtetërore, shoqërore e kulturore në të gjitha kontekstet shqiptare zhvillohet me standardin e sotshëm. Kjo ka bërë që ai të njihet e të kuptohet kudo, edhe nga ata që nuk janë në gjendje ose nuk e kanë të nevojshme ta përdorin. Parulla se standardi ka dështuar, që përhapin disa herë nën zë e herë me zë, është ndjellakeqe dhe dashakeqe. Mjafton të vizitoni Panairin e përvitshëm të Librit që zhvillohet këtë muaj në Tiranë, të shihni bumin e botimeve dhe kujdesin e shtëpive botuese për t’u bindur se standardi gëzon shëndet të mirë.
Zotërimi dhe përdorimi i standardit varet nga interesat kulturore të njeriut, nga dëshira e tij për të komunikuar në një formë më të ngritur gjuhësore sesa gjuha e shtëpisë a e vendbanimit të vet. Gjuha standarde është gjuha e veprimtarisë shtetërore e publike, ose siç thuhet, e “situatave formale”; në familje e në rrethin shoqëror, d.m.th. në “situata informale”, flitet gjuha bisedore, që është e ndryshme sipas krahinave, d.m.th. ndryshe në Ulqin, ndryshe në Shkodër, ndryshe në Prizren, në Shkup, në Tiranë, në Elbasan, në Vlorë etj. Ka disa që, për fat të keq, kujtojnë se duke ndërruar gjuhën bisedore dialektore me gjuhën letrare, humbasin dinjitetin dhe personalitetin! Ligjërimi letrar dhe ligjërimi bisedor dialektor kanë secili vendin e vet, nuk janë në armiqësi, por bashkëjetojnë dhe pasurojnë e ndikojnë njëri-tjetrin.
Në Shqipëri e në Kosovë gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, gjuhë e veprimtarisë shtetërore; në Maqedoninë e Veriut statusi i gjuhës shqipe ka përparuar dhe ajo ka marrë edhe funksionet e gjuhës zyrtare në komunat shqiptare. Në Malin e Zi gjuha shqipe ka një status më të ulët. Siç ka vërejtur studiuesi Haxhi Shabani në një shkrim tani së fundi (“Gjurmime albanologjike”, 2020) në mjediset urbane e gjysmurbane me popullsi shqiptare në disa fusha të veprimtarisë publike përdoret gjuha malazeze, kurse në zonat fshatare nuk ka hapësirë për të realizuar disa nga përdorimet publike e institucionale (këtë dukuri e ka quajtur ruralizëm i gjuhës shqipe në Malin e Zi). Për fat të mirë ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë e Kosovës nuk ka kurrfarë pengesash për komunikim dhe kështu shqipja standarde potencialisht është e pranishme edhe atje me të gjithë diapazonin e përdorimeve të saj si gjuhë zyrtare e dy shteteve.
Si përfundim i kësaj do të them se gjuha merret me gjirin e nënës, kurse gjuha standarde mësohet në bankat e shkollës, me mësues të mirë, me libra të mirë, me vullnet të mirë dhe ky mësim vijon gjithë jetën. Shqipen standarde sot e kupton (ose e zotëron në mënyrë pasive) gati çdo shqiptar i shkolluar; numri i atyre që e zotërojnë standardin në mënyrë aktive (me ndërhyrje ku më pak e ku më shumë të së folmes vendore ose të traditave të vjetra) vjen duke u shtuar brez pas brezi.

Koha javore: Sa qëndron mendimi se mbizotëron toskërishtja dhe se dialekti gegë është diskriminuar?
E. Lafe:
Dëgjohet herë-herë një pikëpamje e tillë, që gegërishtes i është bërë padrejtësi. Dy janë burimet e këtij keqkuptimi. Së pari, drejtësia e padrejtësia janë koncepte që nuk kanë të bëjnë me ecurinë e zhvillimit të një gjuhe letrare. Gjuha letrare nuk është si një parlament, ku çdo krahinë, sipas numrit të popullsisë, dërgon deputetët e vet! Gjuhët letrare kudo nisen nga një bazë deri diku e ngushtë (në pikëpamje të fonetikës e të trajtave morfologjike të fjalëve), që bëhet pastaj e përgjithshme, mbizotëruese. Pra, njëri nga dialektet, siç e ka shpjeguar edhe F. de Saussure në citatin e përmendur nga prof. R. Qosja, do të mbizotërojë mbi tjetrin: ose toskërishtja mbi gegërishten, ose gegërishtja mbi toskërishten. Nuk mund të ketë baraspeshë që të mos i mbetet hatri askujt! Këtu vetvetiu del edhe kjo pyetje: sikur shqipja standarde të ishte mbi bazën e gegërishtes (p.sh. mbi dialektin e Elbasanit, siç qe vendimi i Komisisë së Shkodrës për gjuhën e administratës), si do të veprohej për të mos i bërë padrejtësi toskërishtes? Nuk besoj se ka zgjidhje tjetër përveçse: kush të dojë le të shkruajë edhe toskërisht! Atëherë, për ku u nisëm e ku vajtëm? Askund!
Ndonëse në vështrim fonetik e morfologjik shqipja standarde mbështetet kryesisht mbi toskërishten, në tërësinë e saj ajo është një madhësi mbidialektore, d.m.th. e tillë që ka përthithur elemente të shumta jashtë toskërishtes, veçanërisht në fjalëformim e në fjalor, p.sh. kush e di sot se fjalë të tilla aq të përgjithshme si: akullnajë, bishtajë, bjeshkë, fik (folje), pendohem, furrnaltë, rrafshnaltë, pjalm, pjalmim, synoj, shmang, shpinë, zanë etj. janë me burim nga gegërishtja? Vetëm ata që merren me studime gjuhësore!
Së dyti, duhet ditur se gjuhët letrare krijohen përmes një veprimi kolektiv, nuk janë projekte që skicohen mbi një tryezë pune dhe pastaj jepen për zbatim. Të gjitha orvatjet për të sajuar gjuhë letrare duke marrë ca elemente këtej e ca andej, siç e ka përmendur edhe akad. I. Ajeti në Konsultën e Prishtinës, kanë dështuar. Gjuha letrare është një zhvillim organik. Elementet e gegërishtes që ka shqipja standarde, nuk i kanë futur gjuhëtarët të mbledhur rreth një tryeze, por vetë zhvillimi i gjuhës, p.sh. fjalë si mësues, sulmues, vrapues, përkthyes etj. (në vend të formave toske mësonjës, sulmonjës, vraponjës, përkthenjës) nuk ia kanë imponuar gjuhëtarët gjuhës, po gjuha gjuhëtarëve. Paskajorja e gegërishtes nuk gjeti vend në strukturën e gjuhës standarde, nuk hyri në përdorim letrar. As që duhet menduar se e paskan ndaluar gjuhëtarët! Nuk e kanë atë fuqi.

Koha javore: 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit na gjen me fjalorë të gjuhës shqipe (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe) që nuk i përgjigjen realitetit të sotëm gjuhësor. Ndonëse me vonesë, akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës së bashku me institucionet e tjera shkencore dhe të arsimit të lartë planifikojnë të hartojnë Fjalorin e madh të gjuhës shqipe. Cili është qëllimi i këtij projekti?
E. Lafe:
Së pari, duhet thënë se pas Fjalorit të vitit 1980 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë ka botuar edhe katër fjalorë të tjerë (1984, 2002, 2006, 2020), që kanë sjellë disa mijë fjalë të reja dhe kanë përmirësuar e saktësuar shpjegimet e një numri të madh fjalësh të tjera. Tashmë është e njohur se Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës së bashku me institucionet e tjera shkencore dhe të arsimit të lartë kanë ndërmarrë hartimin e një fjalori të ri të madh me rreth 100.000 fjalë dhe, me sa di unë, puna po ecën mirë përpara. Unë kam qenë në grupin e hartuesve të Fjalorit të vitit 1980, por më pas u shkëputa nga puna leksikografike, sepse kam pasur detyra të tjera. Tani edhe për arsye të moshës nuk jam në gjendje të punoj si më parë në një ndërmarrje të tillë të madhe e me shumë përgjegjësi. Kam plot punë të tjera nëpër duar që nuk mund t’i shtyj.
Projekti i këtij fjalori të ri është mirëpritur kudo, e vlerësoi si vepër me rëndësi edhe kryeministri E. Rama në fjalën e tij në Kongresin Arsimor të 12 shtatorit. Leksiku i gjuhës shqipe ka një zhvillim të pakrahasueshëm me të kaluarën. Gjithë ato fjalë e kuptime të reja që kanë dalë, duhet të pasqyrohen në një vepër leksikografike. Fjalori i një gjuhe është pasqyra e qytetërimit të shprehur me atë gjuhë. Fjalorët e mëparshëm kanë pasqyruar qytetërimin tonë të kohëve përkatëse. Ky fjalor, nëpërmjet pasurisë së fjalëve që do të përfshijë, do të pasqyrojë qytetërimin tonë të kohës së sotme. Fjalorët janë gjithnjë të mirëpritur e të kërkuar nga një masë e madhe përdoruesish të interesuar. Kam bindjen se fjalori i ri do të jetë gjithashtu një vepër shumë e dobishme për gjuhën dhe për kulturën tonë. Gëzohem veçanërisht që kjo vepër po realizohet me një bashkëpunim të gjerë të forcave tona shkencore.

Bisedoi: Ismet Kallaba

Të fundit

më të lexuarat