Nuk ka media të lira, ato janë të kapura nga politika

Aida Shtino është gazetare dhe moderatore e njohur shqiptare e diplomuar në degët Gjuhë – Letërsi - Gazetari. Fillimisht ka punuar në Radio Tirana dhe RTSH, e më pas në median e shkruar të asaj kohe, për të vazhduar ndër vite në media të tjera audio-vizuale në vend si: Vizion Plus, Klan Tv, RTSH, etj. Shtino për dymbëdhjetë vjet rresht ka qenë drejtuese dhe autore e emisionit më të ndjekur investigativ në Shqipëri “Njerëz të humbur”. Prej dy vitesh është drejtuese dhe autore e emisionit “Identitet”

Koha Javore: Znj. Shtino, publiku shqiptar ju njohu dhe ju admiroi shumë vite më përpara si drejtuese e emisionit të njohur investigativ “Njerëz të humbur” i cili pati një shikueshmëri tejet të gjerë telespektatorësh. Por para se të flasim për emisionin në fjalë, a mund të na tregoni kur filloi rrugëtimi Juaj në fushën e medias dhe për eksperiencat Tuaja të para?
A. Shtino: Në fakt, unë kam filluar që kur kam qënë studente në Universitetin e Tiranës ku vazhdoja studimet për Gjuhë – Letërsi – Gazetari. Në fillim kam punuar në media tek Radio Tirana në RTSH, e më pas në median e shkruar të asaj kohe. Më tej unë u zhvendosa në shtetin grek, ku aty perforcova studimet e mia si gazetare investigative. Në Athinë kam punuar në median e shkruar si gazetare dhe më tej kam punuar në një Tv si gazetare e jashtme në një emision investigativ. Më pas jam kthyer në Shqipëri ku realizova emisionin “Njerëz të humbur” në Telenorba Shqiptare si fillim, Vizion Plus, Klan Tv e deri tek RTSH-ja . Gazetaria investigative më ka tërhequr gjithmonë. Kam marrë pjesë në shumë trajnime si nga BBC, përsa i përket trafikimit të qenieve njerëzore dhe kjo më ka bërë që unë të lidhem akoma më shumë me këtë lloj gazetarie edhe pse është më e vështira.

Koha Javore: Keni punuar si gazetare, moderatore dhe drejtuese e shumë emisioneve në media të njohura në Shqipëri. Në çfarë kushtesh dhe rethanash punonin mediat në ato vite krahasuar me sot?
A. Shtino: Ato vite kanë qënë shumë të vështira. Të bëje gazetari investigative dhe akoma më shumë kur ishe gazetare femër. Kushtet ishin deri diku të vështira, por ne bënim përpjekje maksimale, sepse puna që bënim na jepte kënaqësi dhe emocione të papërshkrueshme. Në fakt, sot kushtet janë më të mira, por fatkeqësisht nuk ka emisione të atij lloji, siç bënim ne dikur. Sot punohet me skenare të përpunuara dhe gjërat janë më të lehta për t’i manovruar. Ne atëherë çdo gjë e paraqisnim reale ashtu siç ndodhte në të vërtetë, prandaj edhe emisioni pati shumë sukses, sepse ishte i vërtetë.

Koha Javore: Emisioni investigativ “Njerëz të humbur”, përgjatë dymbëdhjetë vitesh sa zgjati, pati një jehonë të madhe mbarëshqiptare. Madje Ju si autore jeni shpërblyer dhe vlerësuar me çmime të rëndësishme për punën Tuaj në kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e njerëzve të humbur. Por, a mund të na tregoni çfarë arritët të nxirrni në dritë përmes emisionit në fjalë?
A. Shtino: Arritëm të kthejmë në familje, apo të gjejmë 1.600 persona të humbur, dhe kjo falë një pune sistematike dhe një stafi të përkushtuar, si dhe një publiku i cili na mbështeste në çdo hap.
Arritëm që ne të bëhemi njerëz më të mirë dhe të kuptojmë thelbin e jetës. Arritëm të krijojmë një databazë për njerëzit e humbur, gjë që nuk ekzistonte deri atëherë.
Arritëm të kultivojmë vullnetarizmin dhe kështu emisioni u bë masiv.
Krijuam një rrjet korrespondentësh në të gjithë botën, të cilët ndihmonin vullnetarisht dhe me shumë dëshirë.
Ka mjaft gjëra që ne arritëm, por mbi të gjitha fituam besimin tek publiku shqiptar i cili na i besonte historitë e tyre familjare për t’i zgjidhur, gjë që deri në atë kohë nuk e kishte bërë as shteti.
Sinqerisht, ndihem krenare për punën tonë dhe falënderoj Zotin që ma dha këtë mision në jetën time.

Koha Javore: Cilat janë shkaqet e ndërprerjes së këtij emisioni dhe a mendoni se në një të ardhme mund ta riktheni atë sërish tek publiku shqiptar?
A. Shtino: Edhe sot e kësaj dite nuk i di shkaqet. Isha në RTSH. Emisioni ishte mjaft i ndjekur dhe ne punonim pa pushim, pasi rastet ishin të shumta. Ishte viti 2014 kur drejtori i atëhershëm i RTSH-së më njoftoi se emisioni do ndërpritej dhe unë së bashku me stafin tim duhej të lironim zyrat. Ndjeva në atë çast sikur qielli po më binte mbi kokë. Shumë e vështirë…
Në fillim nuk e besova, mendoja se po talleshin, por jo ata e kishin gjithçka seriozisht, derisa prishën studion e çdo gjë…
Kështu u mbyll një punë 12 vjeçare e ndërtuar me shumë mund e djersë….
Kështu u mbyll dera për ata familjarë që kërkonin fëmijët e tyre të humbur…
Nëse do të dëshiroja ta hapja sërish… Nuk e di, por di se në arkivin tim tashmë kam 4.000 raste të denoncuara si të humbur në emisionin tim “Njerëz të humbur”. Për mua ai emision ishte si një fëmijë, që e rritëm me shumë përkushtim dhe dashuri dhe që sigurisht do të doja ta vazhdoja, nëse do të më lejonin.

Koha Javore: A mendoni se sot media në Shqipëri është e lirë, pra në funksion të përmbushjes së misionit të vet, dhe e distancuar nga politika ditore dhe censura?
A. Shtino: Media e lirë… Me duket si ëndërr. Nuk ka media të lira, janë të kapura nga politika, sepse përndryshe nuk ekzistojnë, ua mbyllin…
Këtu sigurisht që ka tek-tuk përpjekje, por ato janë si ata mullinjtë e erës së Don Kishotit dhe nuk qëndrojnë dot në këmbë pa mbështetje. Më vjen keq ta them këtë, por ky është realiteti dhe unë nuk mundem ta fsheh, sepse jam gazetare.

Koha Javore: Çfarë i mungon apo e mundon sot median në Shqipëri dhe gazetarinë shqiptare në tërësi, dhe çfarë duhet ndryshuar?
A. Shtino: Medias i mungon liria. I mungojnë gazetarët e përkushtuar, sigurisht që ka të tillë mos ta përgjithsojmë, por ata janë të paktë dhe i kanë lënë në hije vetëm për këtë arsye, sepse nuk manipulohen. Duhet një revolucion përsa i përket gazetarisë, që në universitete, në auditore, lektorët e tyre e deri në media të cilat kanë nevojë për një ndryshim rrënjësor, për t’i bërë gazetarët të kuptojnë se ata janë misionarë të publikut i cili nuk ka zë, janë misionarë për të përcjellë realitetin me vërtetësi pa e manipuluar, dhe ky mision për ta duhet të jetë i shenjtë, për gjithë jetën. Ndërsa, medias i mungojnë programet e vërteta që do të ushqejnë shpirtin e publikut, që do ta edukojnë atë, që do të përcjellin mesazhe pozitive duke ruajtur gjithmonë etikën dhe cilësinë e prodhimit. Medias i mungojnë programet, që do të ngrenë lart dashurinë për kombin, për familjen, për njëri-tjetrin… Ka shumë gjëra që mungojnë dhe shpresoj të rregullohen në të ardhmen.

Koha Javore: Një periudhë jeni shkëputur nga ekrani për t’u rikthyer para dy vitesh me emisionin Tuaj shumë të ndjekur “Identitet”, të cilin e drejtoni edhe aktualisht. Cili është synimi i jetësimit të këtij emisioni dhe sa po arrit ai të përmbush pritshmëritë Tuaja si autore dhe drejtuese e tij?
A. Shtino: “Identitet” është një dashuri e re për mua dhe e dua shumë si emision. E kam patur shumë vështirë ta realizoj dhe pothuajse e kam realizuar vullnetarisht vetë. Me ka mbështetur edhe Tv Fax News i cili është një Tv i vogël dhe kështu kemi mundur ta nxjerrim në trasmetim për publikun. Në fakt, për këtë emision më është dashur të studioj shumë. Të hyj në shumë arkiva për të zbuluar historinë tonë të vërtetë. Kemi mundur të sjellim për publikun fakte dhe histori të patreguara dhe të bazuara në dokumente zyrtare. Pra, në fakt jam në të njëtën lëmi, sepse jam sërish në kërkim. Këtë herë kërkoj historinë tonë të patreguar shqiptare. Ajo që më ka bërë përshtypje është, se megjithëse emisioni ka qënë mjaft i ndjekur, bizneset nuk e kanë parë të arsyeshme për të na mbështetur mediatikisht. Gjithsesi me shpresë në të ardhmen, puna vazhdon për të zbuluar historinë tonë të vërtetë, që faktikisht na e kanë fshehur për shumë arsye…

Koha Javore: Keni qenë dhe mbeteni njëra ndër moderatoret më të pëlqyera shqiptare. Cilët janë faktorët përcaktues për gjithë këtë sukses?
A. Shtino: Ju falënderoj !
Jam përpjekur të jem vetja ime, pa u shtirur si dikush tjetër. Të jem me këmbë në tokë dhe të bëj maksimumin tim, duke punuar sistematikisht çdo ditë. Suksesi barazohet me punë dhe përqëndrim 100 përqind në atë që bëj. Suksesi bazohet tek puna në grup, me gjithë stafin tim që unë kam punuar ndër vite. Janë shumë faktorë, por mbi të gjitha do veçoja pasionin e madh dhe të bërit gjithçka me zemër e shpirt.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat