Koha Jabore: Z. Sulejmani, prej një viti e gjysmë po bashkëjetojmë me virusin Sars Cov2, dhe nuk dihet se kur do të zhduket. Fatkeqësisht, dihen pasojat ndër individë që humbëm, por edhe ato akonomike e sociale. Në këndvështrimin tuaj prej mjeku, si ka ndikuar ky virus tek shëndeti psikologjik i gjithsecili nga ne?
A. Sulejmani: Jemi ende në turr e flakë dhe, përderisa vijon të jetë kështu, është shumë herët për të bërë bilance dhe nxjerrë përfundime. Bilancet, pa as më të voglin dyshim, do të ishin katastrofike, edhe sikur kjo histori të mbyllej sot, e lëre më që kësaj storjeje as për së largëti, vijon të mos i shihet fundi. Në mars të këtij viti, në një nga intervistat e rralla që kam dhënë me këtë rast, atëherë kur kurbat e të infektuarve dhe letaliteteve nisën disi rënjen e lirë, pata hedhë dyshimin nëse realisht po shihnim dritë në fund të tunelit apo drita ishte lokomotiva!? Koha e vërtetoi që ishte lokomotiva dhe tanimë boritë e saj oshëtimë shurdhueshëm anë e kënd globit. Dua të shfrytëzojë rastin të falënderoj çdo gazetarë dhe media që me seriozitet i është qasur kësaj brenge globale. Të tillë ka shumë pak dhe për këtë arsye më duhet t’i falënderoj fort për një arsye që me siguri do ta cekë diku më poshtë. Efekti nga secila epidemi apo pandemi është shumëdimensional, për të mos thënë pandimensional. Mjekët, në punën e tyre të përditshme e kanë të mirënjohur këtë. Ne themi gjithnjë që, shëndeti është bazë e të gjitha njësive të tjera, mirëpo gjithnjë duke pasur parasysh këto njësi. Nuk jam i bindur që profesionistët e të tjera lëmive e kanë këtë qasje ndaj njësisë “shëndet”. Ky, mbase edhe është një nga faktorët që secila pandemi shkon keq e më keq. Pastaj, edhe vetë shëndeti, nga pikëvështrimi profesional është një kompozicion përpjesash, ku sidomos në këso rastesh, vihet në pah pjesa psikologjike. Në fakt, me të gjithë ecurinë, pandemia ishte dhe është një dramë psikologjike me shumë akte. Ja një improvizim rasti. Akti 1: në pritje të rasteve të para, një suspancë dërrmuese psikologjike që i la stoqet pa vaj e miell. Akti 2: karantinimi, përveçimi, i cili vetëm në orët e para është fizik dhe më tej rëndueshëm dhe veçueshëm psikologjik. Akti 3: jetesa që kthehet në mbijetesë si shkëmb Sizifi. Akti 4: beteja me sëmundjen në një kohë kur je i dërrmuar nga ana psikologjike dhe jo vetëm. Akti 5: fundi sa vjen e largohet për t’u kthyer gjithnjë e më shumë në një skëterrë psikologjike… Me këtë rast, unë kam shkruar një poezi nga e cila kam titulluar gjithë këtë kohë si “kohë për të mos qenë”. Psikika, në këtë rast, e nxjerrë nudo metaforën poetike. Në këto akte nuk kam përfshirë njësinë tragjike të pandemisë, atë të humbjes të sa e sa familjarëve, miqve e kolegëve që, besoj unë, e kalojnë psikologjiken dhe e prekin psikotikën. Kjo pastaj është një temë më vete që kërkon specialistë të fushës që ne, normalisht, nuk i disponojmë. Sepse, ne, “normalisht” nuk kemi specialistë të shumë fushave mjekësore dhe pjesa “normalisht” që mund të takohet pavetëdijshëm në zhargonin e përditshëm dialogues tregon se si kriteret e të pamendëve na janë bërë norma. Normalisht që do të kemi përditë e më shumë shkarje psikologjike, normalisht që do të kemi përditë e më shumë kriza neurotike, normalisht që do të kemi gjithnjë e më shumë goditje psikotike dhe, normalja nga e nesërmja do të njohë jetë pikërisht në të bukurthënën abuzive “normalisht”. E shoh të dështuar këndvështrimin shkencor ndaj pandemisë, për këtë arsye po vë në pah perspektiven dramatike dhe narrative.
Koha Javore: Ne ende po jetojmë nën regjimin e masave të ashpra kufizuese, me maska, dikush i vaksinuar e dikush jo, por që të gjithë nën zbatimin e masave të autoriteteve të shëndetësisë. Cilat janë pasojat afatgjata që ky virus do të lërë tek njerëzit?
A. Sulejmani: Unë besoj që historia do ta shënojë me germa të mëdha pandeminë CoViD-19 dhe, pasojat do të zgjasin për aq kohë sa këto shkronja mos të minimizohen apo harrohen. Një proverb shqiptar thotë: “mos na raftë ta harrojmë” dhe nga kjo, pasojat do të zgjasin aq sa ne ta kujtojmë dhe për aq sa ne do të vetëdijesohemi për rëndësinë dhe rreziqet e jetës së përbashkët. Pandemia CoViD-19 tregoi që globi ynë nuk është gjë tjetër veçse një fshat markezian që përsëritë e përsëritë ato njëqind vjetët e mërzitshme të vetmisë apo thënë ballkançe marrëzisë. Unë druaj që, gjithnjë e më shumë, njeriu po lindë me prirje harrestare dhe kjo po i kushton hiç më pak se me jetë. Në anën tjetër, nuk dua të bëj mediokrin dhe të nisë analiza ekonomiko-financiare që doemos janë fusha me goditje të rënda, pavarësisht që gjatë gjithë pandemisë, ne mjekët dhe mantelbardhët në përgjithësi kemi qenë të dirigjuar nga profesionistë jo-mjekësorë që kanë vlerësuar se sa duhet të jetë buxheti për dezinfektantët, maskat apo mushamatë e punës sonë spitalore, se sa duhet të jetë buxheti për barnat, testet apo respiratorët e pacientëve tanë, etj. Sigurisht, kjo nuk është pandemia e parë dhe as e fundit që i është kanosur njerëzimit. Të tilla ka pasur dhe do ketë sa jetë të ketë. Por, secila prej tyre ka lënë dhe do lërë diçka origjinale nga lloji i vet, nga aktet e dramës së vet. Janë plot vepra artistike që merren me përshkrimin e përçudnimit njerëzor në kohë murtajash. Një nga këto, dhe besoj ndër më përfaqësueset është “Murtaja” e Albert Kamysë. Po cila ishte dhe vijon të jetë komponenta përçudnuese e kësaj pandemie!? Ajo më origjinalja, ajo fillikatja e vetëm kësaj!? Përçudnimi mediatik. Po, po, përçudnimi mediatik. Përçudnimet klasore, racore, politike, etj. janë ezauruar ku e ku më parë dhe tanimë vetëm përsëriten, sepse njeriu, në thelb, është qenie që turret drejt primitivizmave si faktorë mbrojtës. Në këtë mes, mjekët gati-gati janë ndjerë të kërcënuar, sepse mediat kanë pushtet njomëcak në Ballkan dhe me këtë rast ju lejohet triazhimi dhe trenimi. Shihni vetëm gëlimin e opinionistëve dhe konspiracionistëve mbi procesin e imunizimit përmes vaksinave dhe do ta keni të qartë. Dominohen nga mjekët apo nga të tillët studiot televizive apo portalet allashverishe!? Nuk e ceka pa qëllim komponentën mediatike të pandemisë, sepse pikërisht përmes saj do duhej të nisnim edhe rehabilitimin (post)pandemik. Dhe po, media ka nevojë imediate për një ripërkufizim, sepse çdo sy dhe tastierë teknologjike nuk mund të jetë doemos mediatike.
Koha Javore: Jo vetëm në fillim të pandemisë, por edhe sot, frika nga infektimi, qasja e kufizuar nëpër vende të ndryshme, humbja e të afërmve, etj, të gjitha këto s’do mend se do lënë pasoja tek gjithsecili nga ne, por, çfarë duhet të bëjmë që t’i zbusim këto pasoja dhe që këto situata të mos na gjunjëzojnë?
A. Sulejmani: Ne tashmë jemi të gjunjëzuar. Figurativisht, vetëm që nuk jemi të rënë përtokë me pjesën tonë më të madhe. Raportin me tokën le ta marrim si krucial, sepse ndoshta largimi nga kjo ide po na kushton gjithnjë e më shumë. Dora e zgjatur nga lart-poshtë apo nga poshtë-lart, varësisht prej pozitës së gjithsecilit që mund të ndërrohet sa hap e mbyllë sytë, është zgjidhja e vetme. Unë e di që, edhe pas kësaj pandemie, ekonomia do ta nënshtrojë shëndetësinë në Ballkan dhe gjetiu, por do merrja mundin të thoja që së paku pakot e reja financiare, mundësisht të kishin edhe komponentën shëndetësore, në kuptimin që ekspertë të lëmive mjekësore të japin vlerësimin mbi kategoritë që duhen të kenë prioritet të menjëhershëm. Rritja e buxhetit të secilës njësi shëndetësore tanimë është jetike. Riformatimi apo riformësimi i kujdesit shëndetësor është më shumë se kurrë i nevojshëm. Kujdesi ndaj shëndetit shpirtëror dhe mental tanimë bëhet i rëndësisë së sallave kardiokirurgjike apo neurokirurgjike. Prania e profesionistëve shëndetësor në secilin institucion dhe mbikëqyrja e zhvillimit psikologjik, duke filluar nga fëmijët, janë në kohën e tyre të limituar për të ndodhur. Është koha e fundit që mjekësia ta marrë vendin e vet meritor. Dhe këtë, më së paku e them për mjekët dhe më së shumti për shoqërinë. Mjekët e Ballkanit janë individë të kalitur që nuk kanë nevojë për lëmosha, ata lehtësisht adaptohen nëpër profesione, më së shumti në politikë, dhe, po kaq lehtësisht migrojnë gjetiu, më së shumti në perëndim. Si përfundim, për ta pasur sa më të lehtë ringritjen ose rivënjen psikologjike post-traumatike, na vyen njeriu ynë dhe mjeku. Nëse mjeku është edhe njeriu ynë, gjërat kanë prirje të bëhen më të lehta. Një orë e më parë, Ballkani ka nevojë që ta ndërprerje intelektocidin ku, duhet thënë, mjekët përbëjnë pjesën më të madhe dhe më të dhimbshme viteve të fundit.
Koha Javore: Cilat janë rekomandimet tuaja që situatat e frikës, të ankthit dhe të stresit që përjetuam nga ky virus vrastar, t’i përballojmë më lehtë dhe me më pak panik e frikë?
A. Sulejmani: Komunikimi, puna dhe leximi. E thashë kaq qartë meqë në “Koha Javore” ndjehem si në shtëpinë time dhe e di që në asnjë rast sinqeriteti nuk më merret për dobësi. Për të ardhur në një pohim të tillë nuk është që bazohem në ndonjë hulumtim apo gjetje shkencore, por thjeshtë nisur nga vitet e gjata të studimeve dhe nga puna e përditshme spitalore tash e një dekadë, kam kuptuar që këto janë ndër më të rëndësishmet për të mundur sëmundjen dhe mbytur vetminë ose veçimin. Mos harroni se cila ishte kryefjala e pandemisë në krye të herës: “izolimi” apo veçimi. Thënë edhe më lart, veçimi i kaloi shumë shpejt atributet e veta fizike dhe po kaq shpejt prodhoi veçimin si barrë psikologjike. Veçimi është bombë sociale dhe psikologjike me sahat që ju shkon përshtat vetëm shkrimtarëve apo krijuesve. Vetëm ata kanë kodin e mosshpërthimit, sepse në anën tjetër ata këtë e kanë ambient komunikimi dhe pune. Le të dalë nga këtu mesazhi përfundimtar, në njëfarë mënyre: ruajeni shëndetin përkitazi me masat mbrojtëse ndaj pandemisë, vaksinohuni sepse është e vetmja helmetë që kemi ndaj kësaj lemerie; komunikoni me familjarët, natyrën, miqtë tuaj dhe mjekun (qendrat sociale në një botë ideale) çmojeni si mikun e familjarin tuaj; punoni përditë qoftë dhe sa për t’i shënuar ditët që mund t’i përngjajnë njëra-tjetrës si dy pika loti dhe, lexoni, lexoni, lexoni, duke ia nisur apo vazhduar me “Murtajën”. Nga një këndvështrim apokaliptik, jeta në tokë do të mund të përshkruhej me një epitaf: nga një murtajë në tjetrën.
Intervistoi: Toni Ujkaj