Ne punojmë si partnerë, duke u mësuar gjuhën angleze nxënësve të shkollës fillore

Koha Javore: Çka është Korpusi i Paqes?
Korpusi i Paqes është një rrjet shërbimi ndërkombëtar i vullnetarëve, anëtarëve të komunitetit, partnerëve dhe stafit të vendit pritës, të cilët drejtohen nga misioni i agjencisë për paqen dhe miqësinë botërore. Me ftesë të qeverive anembanë botës, vullnetarët e Korpusit të Paqes punojnë së bashku me anëtarët e komunitetit në projekte me prioritet lokal në fushat e arsimit, shëndetësisë, mjedisit, bujqësisë, zhvillimit ekonomik të komunitetit dhe zhvillimit të të rinjve.
Korpusi i Paqes ka tri qëllime:

  • T’i ndihmojë vendet e interesuara për të plotësuar nevojat e tyre për njerëz të trajnuar;
  • Të ndihmojë në promovimin më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve të shërbyer;
  • Të ndihmojë promovimin më të mirë të popujve të tjerë nga ana e amerikanëve.

Koha Javore: Çfarë bëjnë vullnetarët e Korpusit të Paqes dhe çfarë lloj prejardhjesh kanë ata?
Korpusi i Paqes ka mbi 1400 vullnetarë që shërbejnë në 60 vende këtë vit. Vullnetarët jetojnë në komunitete të ndryshme me familjen mikpritëse dhe punojnë në mbështetje të qëllimeve të komunitetit për dy vite. Në Mal të Zi, të gjithë vullnetarët e Korpusit të Paqes japin mësim anglisht në shkolla, siç bëj unë këtu. Vullnetarë të tjerë në vende të ndryshme mund të punojnë në bujqësi, ekonomi, arsim dhe zhvillimin e të rinjve, por vullnetarët mund të jenë nga profesione të ndryshme si policë, biznesmenë, avokatë dhe pensionistë, por edhe studentë universiteti në shumë lëndë të ndryshme.

Koha Javore: Pse vendosët të bëheshit pjesë e Korpusit të Paqes dhe të vini në Mal të Zi?
Disa vite më parë u tërhoqa nga një karrierë në qeveri. Gjëja që më interesoi për një karrierë të re ishte mësimdhënia e anglishtes jashtë shtetit. Në fakt, unë kam lindur dhe jam rritur në Gjermani deri në moshën 18-vjeçare dhe pas shumë vitesh jetese në SHBA, kam pasur dëshirë të madhe të shkoj jashtë vendit dhe tani ka qenë momenti i shkëlqyer për ta bërë këtë gjë. Një mbrëmje në një darkë pune disa vite më parë, takova një zotëri që kishte punuar për Korpusin e Paqes dhe ai më tha se shumë vullnetarë të Korpusit të Paqes japin mësim anglisht. Mendova se kjo do të ishte një mënyrë e shkëlqyer për ta filluar jetën si pensionist dhe t’i realizoja qëllimet e mia për t’iu shërbyer të tjerëve. Nuk kisha kërkuar konkretisht të vija në Mal të Zi. Ndoshta për shkak se isha rritur në Evropën Perëndimore në vitet ‘70 dhe ’80 nuk mund të vizitoja vendet e Evropës Lindore dhe për këtë arsye vendosën që të shërbeja pikërisht në Ballkan si vullnetar. Korpusi i Paqes më caktoi përfundimisht të shërbeja në Mal të Zi dhe nuk mund të isha më i lumtur me këtë zgjedhje! Megjithatë, pak e dija se do të jetoja dhe do të punoja në një komunitet shqiptar në Mal të Zi.

Koha Javore: Çfarë bëni në Mal të Zi?
Unë do të jetoj dhe punoj dy vjet në Mal të Zi. Gjatë kohës që jam këtu, detyrat e mia kryesore janë të bashkëmësoj me mësuesit e anglishtes në shkollë. Ne punojmë si partnerë, duke u mësuar gjuhën angleze nxënësve të shkollës fillore. Një nga përfitimet e anglishtfolësve në shkollë është përmirësimi i aftësive të tyre të të folurit dhe të dëgjuarit teksa praktikojnë me mua, jo vetëm gjatë mësimeve në klasë, por edhe ndërmjet orëve, gjatë aktiviteteve shkollore dhe udhëtimeve, madje edhe ndërveprimit me ta nëpër fshat. Mësuesit dhe unë shpesh realizojmë aktivitete të ndryshme mësimore për t’i ndihmuar nxënësit dhe për ta bërë mësimin interesant.
Një pjesë shumë e rëndësishme e punës vullnetare është integrimi me komunitetin. Vullnetarët bëhen pjesë e komunitetit – komunitetit të punës dhe komunitetit ku jetojmë. Gjashtë muajt e parë që jetova këtu, jetova me një familje vendase, u ushqeva dhe kalova kohë me ta.

Koha Javore: Ku jetoni dhe flini?
Në një fshat të vogël rural, ku nuk ka ndërtesa banimi. U mbështeta te kolegët e mi për ndihmë, njëra prej tyre dinte për një shtëpi të vogël me një dhomë që ishte në dispozicion për të jetuar. Ishte perfektë! Kam krijuar një miqësi të këndshme me pronarin që jeton me kohë të pjesshme në shtëpinë fqinje. Na pëlqen të bisedojmë dhe të pimë çaj. Ai këmbëngul që unë të marr sa të dua fruta nga toka e tij!

Koha Javore: Si ndiheni duke jetuar në komunitetin e fshatit?
Pa dyshim, ky është vendi më i vogël që kam jetuar ndonjëherë! Mendoj se fshati ku jetoj nuk është aq i vogël. Edhe pse jetoj në skaj të fshatit, vazhdoj të ndërveproj çdo ditë me komunitetin. Disa herë në javë, bëj pazar në dyqane dhe në pazar. Shpesh shkoj në palestër, ku kam arritur të takoj disa njerëz të mrekullueshëm. Sigurisht, edhe unë bëj prerjen e flokëve dhe zbulova se shumë nga studentët e mi shkojnë te i njëjti berber. Rregullisht, shkoj në kafenetë dhe restorantet lokale dhe shoh gjithmonë kolegë mësues dhe studentë kur jam atje. Kur është moti i ngrohtë, më pëlqen të shkoj për shëtitje ose të bëj një shëtitje me biçikletë në natyrën e bukur. Më pëlqejnë veçanërisht ngjarjet speciale lokale në park ose në qendër të qytezës si Ditët e Diasporës ose Pranvera në Anë të Malit. Sa herë që shkoj në qendër të fshatit, madje edhe kur shkoj në qytet, shoh njerëz që njoh.

Koha Javore: Cila është një ditë e zakonshme apo javë e zakonshme për ju?
Gjatë javës, jap mësim me dy deri në katër mësues të anglishtes; çdo ditë kam orar të ndryshëm. Të paktën një ditë në javë, vizitoj një nga shkollat më të vogla të fshatit për t’i mësuar nxënësit atje. Disa ditë, pasdite shkoj në palestrën lokale dhe shpesh blej disa artikuj ushqimorë para se të kthehem në shtëpi për të ngrënë drekë. Në mbrëmje, ndihmoj në përpilimin e një program edukimi për të rinjtë, ose shkoj në restorant dhe punoj në kompjuterin tim gjersa shijoj ushqim dhe pije. Një herë në muaj, hipi në autobus për në qytet për të kryer punë në bankë dhe për të bërë pazar. Në fundjavë, pastroj shtëpinë, laj rrobat dhe merrem me punë private. Çdo të diel, i dërgoj një e-mail familjes dhe miqve të mi në SHBA dhe u tregoj për përvojat e mia gjatë javës.

Koha Javore: Cilat janë disa nga përvojat tuaja kulturore?
Më pelqen shumë blerja në pazar të enjteve. Ndihem mirë të blej produkte të freskëta nga fermerët e zonës. Kam parë edhe ish-nxënës dhe mësues aktualë që shesin atje. Tani, zakonisht blej nga të njëjtët shitës gjersa shijoj një bisedë të shkurtër me ta.
Disa nga përvojat e mia më të paharrueshme kanë qenë gjatë Ramazanit. Klasat shpesh hanë iftarin së bashku dhe disa më ftojnë të bashkohem me ta. Ishte shumë e veçantë për mua që ta ndaja atë përvojë me ta. Këtë vit, disa mësues dhe fqinjë më ftuan për iftar, dhe kjo gjithashtu ishte shumë domethënëse, veçanërisht pasi jam këtu pa familje.
Një përvojë tjetër kulturore që ndava me studentët këtë vit ishte nderimi i vdekjes së parakohshme të babait të një nxënësi. Unë u bashkova me mësuesit dhe shokët e klasës së djalit për të bërë nderime dhe vura re se si i gjithë komuniteti u bashkua në mbështetje morale për këtë ngjarje.

Koha Javore: A keni udhëtuar që nga koha që jeni këtu?
Po, dhe shpresoj të udhëtoj edhe më shumë përpara se të kthehem në Shtetet e Bashkuara! Për shkak se jam rritur në Evropën Perëndimore, me të vërtetë dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të vizituar më shumë Ballkanin dhe Evropën Lindore dhe Qendrore. Deri më tani, unë kam vizituar disa lokacione në Mal të Zi nga Kotorri në Kolashin, në Rozhaje, duke përfshirë kështu edhe një vizitë mahnitëse në malin Llovqen. Vjeshtën e kaluar, pata një përvojë të këndshme duke marrë trenin e natës nga Tivari në Beograd. Një udhëtim argëtues ishte me disa nga kolegët e mi mësimdhënës në Bosnje vitin e kaluar. Një nga udhëtimet më të veçanta ishte po ashtu vizita në disa pjesë të Shqipërisë me klasat e 8-ta vitin e kaluar. Ishte diçka emocionuese të dëshmoja pasionin e tyre për trashëgiminë e tyre shqiptare.

Cila është përvoja juaj me gjuhën vendase?
Shqipja nuk është e lehtë, kjo është e sigurt! Shqipja ime është ende shqipe mbijetese dhe jo aq e fortë sa të mund të merrja pjesë gjatë në biseda. Në fillim doja shumë të flisja rrjedhshëm dhe shpresoj që aftësitë e mia të vazhdojnë të përmirësohen. Pas pak kuptova se është më e rëndësishme për mua të përdor anglishten, edhe në qytet. Vendasit vlerësojnë përpjekjet e mia për të folur gjuhën e tyre, por ata gjithashtu duan të praktikojnë anglishten e tyre, dhe kështu unë kam mësuar të gjej një ekuilibër të përdorimit të të dy gjuhëve kur bëjmë biseda.

Koha Javore: Pse anglishtja është e rëndësishme për vendin/komunën tonë?
Komuniteti, sipas mendimit tim, mund të përfitojë nga anglishtja për shkak të turistëve të shumtë dhe udhëtarëve ndërkombëtarë , pasi turizmi është një nga industritë kryesore të rajonit. Udhëtarët e huaj rrallë e flasin gjuhen malazeze ose gjuhen shqipe, kështu që ata duhet të komunikojnë duke përdorur anglisht në vende siç janë pika e karburantit, hotelet, restorantet, për shembull, dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që vendasit të kenë të paktën njëfarë aftësie në anglisht. Studentët ka të ngjarë të rriten dhe të punojnë në këto industri dhe ndërtimi i aftësive të përdorimit të gjuhës anglisht tani do të jetë i dobishëm më vonë. Të qenit kompetent në anglisht gjithashtu hap më shumë dyer për të ardhmen e tyre, shumë prej tyre tashmë janë dygjuhësor, dhe ky është një aset i madh për studimet e ardhshme universitare dhe kur kërkojnë punë në biznese që duan të punësojnë punonjës që mund të flasin më shumë se një gjuhë.

Koha Javore: Çfarë ushqimi ju pëlqen këtu?
Më pëlqejnë qebapët dhe kur dua një shije të veçantë, zgjedh “pleskavicë” (qofte) të mbushur, çdo restorant ka mënyrën e vet të përgatitjes së “pleskavicës”. Siç e përmenda më herët, është kënaqësi të shijoj fruta dhe perime të freskëta vendase. Një nga vaktet e mia të preferuara për të gatuar në shtëpi është groshi, dhe zakonisht vendosi pak sallam vendas në të, shtoj një spec djegës për ta shijuar më shumë. Çmimi për petullën më të mirë shkon për nënën e ish-familjes mikpritëse. Mezi prisja fundjavën, duke e ditur se ajo do të bënte petulla. E mbushte tasin me petulla të shijshme… edhe një petull dhe pastaj me të vërtetë, do të mbaroj së ngrëni, të premtoj!

Si ju duket shkolla dhe nxënësit ?
Ndihem shumë me fat që jam në këtë shkollë. Nxënësit janë fëmijë normalë: thonë se nuk e pëlqejnë shkollën, por u pëlqen të jenë në shkollë me miqtë e tyre. Më pëlqen kur mbështesin shokët e tyre të klasës, brohorasin për sukseset e shokëve të tyre dhe ngushëllojnë njëri-tjetrin kur nuk ia dalin mirë në mësime. Ndihem shumë i dëshpëruar për nxënësit kur marrin rezultatet e testit dhe fitojnë notë të ulët, sepse dua që të gjithë të dalin me rezultat të mirë!
Aftësitë e tyre artistike nuk dështojnë kurrë. Jam krenar të ndaj lajmin që një nga vajzat tona të klasës së gjashtë fitoi një konkurs të Korpusit të Paqes këtë pranverë, duke fituar kundrejt 9 dizajneve të tjera nga studentë të tjerë në Mal të Zi dhe Shqipëria, për të ridizajnuar muralin e madh jashtë zyrave të Korpusit të Paqes në Tiranë. Ajo do të udhëtojë atje më vonë gjatë këtij viti shkollor për të pikturuar dizajnin e saj fitues!
Mjerisht, tendenca e përdorimit të tepërt të telefonit është e përhapur këtu, sikurse edhe në SHBA. Telefonat janë pjesë e domosdoshme e jetës në kohën dhe epokën tonë, por kërkimet kanë filluar të tregojnë se kur të rinjtë kalojnë më pak kohë ose aspak kohë në telefonat e tyre, ata përmirësojnë notat, kreativitetin dhe interesin e tyre për jetën. Do të doja t’i shihja studentët tanë të zhvillonin kreativitet dhe kuriozitet më origjinal, sepse këto janë vetëm disa nga gjërat që avancojnë një shoqëri.

Koha Javore: Do t’ju mungojë ndonjë gjë pasi të largoheni dhe të ktheheni në SHBA?
Një gjë që do të më mungojë me siguri kur të largohem nga Mali i Zi është t’i shoh këta studentë të rriten dhe të bëhen të rinj e të reja. Gjithmonë do të pyes veten se çfarë suksesesh do të arrijnë në jetë.
Jam mësuar me mënyrën e jetesës “ngadalë, ngadalë”. Jeta përherë do të ketë strese, por unë kam mësuar ta ngadalësoj shpejtësinë, duke shpresuar se situata do të përmirësohet dhe do të funksionojë siç duhet në kohën ballkanike. E di se ka gjithmonë kohë për të pirë çaj me një mik.

Intervistoi: Luljeta Avdiu-Cura

Të fundit

më të lexuarat