Koha Javore: I nderuar doktor, në vitin 2021 ju u diplomuat si mjek i përgjithshëm në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë. A mund të na tregoni pse zgjodhët këtë degë dhe cilat ishin sfidat me të cilat u përballët në fillim të studimeve?
K. Lulgjuraj: Biologjia si lëndë gjithmonë më ka zgjuar kureshtjen dhe më ka bërë që ta studioj me më shumë përkushtim dhe vullnet ndaj lëndëve tjera. Si rrjedhojë duke u bazuar tek njohuritë që kisha grumbulluar, vullnetin për ti thelluar ato akoma më tej si dhe hapësirën ku e shihja veten se mund t’i vija në punë më se miri, dola natyrshëm në përfundimin se mjekësia e përgjithshme ishte dega të cilën unë do e studioja. Meritë e veçantë për këtë fakt ju takon edhe mësuesve të lëndës në fjalë, si në shkollën fillore z. Nikollë Camaj ashtu edhe në gjimnaz z. Luigj Berishaj, të cilëve u jam mirënjohës për punën dhe angazhimin e treguar ndaj detyrës. Nga ana tjetër babai im është infermier, motra infermiere, daja fizioterapist kështu që mbase edhe faktori familjar do të ketë luajtur rolin e vet.
Sfida kryesore ishte volumi dhe puna e madhe që kërkonte mjekësia, për çka isha paraprakisht i vetëdijshëm deri diku, por prapëseprapë me punë dhe vullnet kapërcehet çdo pengesë dhe suksesi bëhet i pashmangshëm.
Koha Javore: Fusha e mjekësisë konsiderohet si një fushë mjaft e vështirë për t’u studiuar. A qëndron kjo dhe çfarë e bën mjekësinë, mbase më të ndërlikuar se degët e tjera?
K. Lulgjuraj: Asgjë nuk është mjaftueshëm e vështirë dhe cdo gjë është e arritshme kur njeriu është i gatshëm të bëjë punën e nevojshme që kërkon qëllimi që i ka vënë vetes. Për këtë duhet vullneti, por akoma shumë më shumë disiplina, pasi kjo e fundit na mban në punë kur e para jo rrallë mund të mungojë apo të devijojë duke na distancuar nga qëllimi. Tek mjekësia këto elemente si dhe të menduarit kritik kërkohen të jenë në nivel, kjo për shkak të volumit dhe kompleksitetit që ka lënda, si dhe nevojës për kanalizimin e një mori informacionesh teorike në praktikë kur përballemi me pacientin, ekzekutimi i të cilave shpeshherë është jetik për këtë të fundit.
Koha Javore: Z. Lulgjuraj, në vitin 2022 ju jeni licencuar si mjek i përgjithshëm, ndërsa nga viti 2023 jeni të punësuar në Shtëpinë e Shëndetit në Podgoricë, përkatësisht në njësinë e saj në Tuz, ku e ushtroni detyrën e mjekut të zgjedhur. Cili është roli i mjekut familjar në një komunitet, pasi dihet që mjeku i familjes është porta e parë që një pacient troket në rast të problemeve shëndetësore?
K. Lulgjuraj: Mjeku i familjes ka rol kyç në sistemin shëndetësor. Ai zakonisht përbën kontaktin e parë të cilin pacienti e bën me një mjek, dhe detyra e këtij të fundit është ta adresoje shqetësimin e pacientit, t’i ofrojë këshillat e duhura, ta diagnostikojë dhe ta trajtojë atë nëse është brenda kompetencave të tij, apo ta udhëzoje tek specialisti përkatës për hulumtime të mëtejshme. Tek pacientët me sëmundje kronike po ashtu ka rol të rëndësishëm në mirëmbajtjen e sëmundjes, qoftë nëpërmjet edukimit te pacientit, parandalimit apo trajtimit të akutizimeve. Rol tjetër të rëndësishëm ka në parandalimin e sëmundjeve përmes promovimit të stileve të shëndetshme të jetës, vaksinimeve, apo programeve të depistimit, qëllimi i të cilave është zbulimi i sëmundjes akoma pa shfaqur shenja apo simptoma, duke e rritur kështu dukshëm shansin për trajtimin e suksesshëm të tyre. Vlen të theksohet se programet e organizuara të depistimit të cilat zhvillohen në qendrën tonë shëndetësore, programi i mjekut të zgjedhur për të rriturit, janë ato për kancerin e gjirit që ka si popullatë të synuar femrat e moshës 50 deri ne 69 vjeç, si dhe për kancerin e zorrës së trashë, ku popullsia e synuar është nga mosha 50 deri në moshën 74 vjeç, pavarësisht gjinisë.
Koha Javore: Mjekët vlerësohen si humanistë të mëdhenj duke marrë parasysh veprimtarinë që kryejnë në shoqëri. Por, për të qenë në pajtim me Betimin e Hipokratit, si duhet të veprojë një mjek karshi pacientëve të tij, dhe a mendon se zbatohet në praktikë ky betim nga personeli mjekësor?
K. Lulgjuraj: Në tërësi Betimi i Hipokratit nuk zbatohet sot. Shumë ligje të kushtetutës shtetërore bien në kundërshtim me mjaft pika të betimit në fjalë. Vlera të cilat kanë mbetur, e që nuk bien ndesh me kushtetutën, konsistojnë kryesisht në kujdesin e sinqertë të mjekut ndaj pacijentit, qoftë përmes trajtimit me dinjitet apo ruajtjes së konfidencialitetit.
Sa i përket pyetjes se a zbatohet betimi në fjalë nga personeli mjekësorë, brenda kornizës kushtetuese, në përgjithësi mund të them se po. Duke qenë se asgjë nuk është ideale, as për rastin në fjalë nuk mund të them se nuk ka përjashtime, qofshin këto abuzime te nxitura nga ana e personelit mjekësor apo nga ana e pacientit, por e rëndësishme është se për probleme të tilla janë organet kompetente të cilat duhen shfrytëzuar sa më mirë në mënyre që sistemi shëndetësore të jetë gjithnjë e më efektiv dhe miqësor, si për pacientët ashtu edhe për personelin.
Koha Javore: Nga praktika Juaj e përditshme, sa i ndjekin pacientët Tuaj udhëzimet dhe rekomandimet që ju jepni, në mënyrë që ata të gëzojnë një shëndet më të mirë dhe me më pak brenga?
K. Lulgjuraj: Kujdesi për shëndetin kërkon disiplinë të lartë dhe sa më i disiplinuar të jetë pacienti në jetën e tij të përditshme, aq më shumë ka gjasa që ai të ndjekë udhëzimet apo rekomandimet e dhëna nga mjeku. Sfondi socio-ekonomik i pacientit luan një rol të rëndësishëm.
Koha Javore: I nderuar doktor, sa ndikon stili i të jetuarit për një shëndet më të mirë, dhe sa mendoni se grupmoshat e ndryshme i japin rëndësi të ushqyerit të shëndetshëm, edukimit dhe vetëdijesimit për t’u vizituar tek mjeku dhe për të bërë aktivitet fizik?
K. Lulgjuraj: Stili i shëndetshëm i jetesës është faktor kyç për mirëqenien e individit, produktivitetin e tij, parandalimin e sëmundjeve apo kur ato janë të pranishme për mirë menaxhimin e tyre.
Probleme të tilla shëndetësore si sëmundjet metabolike, mbipesha, sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni, problemet me artikulacionet dhe kockat, problemet e shëndetit mendor e kështu me radhë, në shumicën e rasteve faktor të përbashkët kanë stilet jo të shëndetshme të jetesës.
Aplikimi i stileve të shëndetshme rekomandohet padyshim për të gjitha grupmoshat, por ajo që vihet re është se moshat e reja priren të çalojnë më shumë sa i përket ushqimit të shëndetshëm, ndërsa mosha e mesme dhe e tretë janë pak të përkushtuara ndaj aktivitetit të rregullt fizik, duke i bërë më të predispozuar ndër tjera për probleme osteo-artikulare. Por nga ana tjetër dita-ditës vjen duke u rritur numri i rasteve kur moshat e reja na paraqitën me problemet në fjale, duke na e bërë akoma më të qartë se stilet e jetesës janë shpeshherë shumë më të rëndësishme se sa mosha në raport me sa cilësore e jetojmë jetën. Duhet pasur parasysh se sëmundjet fillojnë të vendosin bazamentin e tyre që në momentin kur ne devijojmë nga jeta e shëndetshme, prandaj kujdesi për shëndetin duhet treguar që në fëmijëri.
Vizitat e rregullta tek mjeku janë po ashtu të rëndësishme pasi grup mosha, profesioni, stili i jetesës, anamneza familjare e kështu me radhë janë disa nga faktorët që e bëjnë më të predispozuar pacientin për të zhvilluar sëmundje të caktuara, dhe zbulimi i hershëm përmes ekzaminimeve përkatëse është jetik për trajtimin e suksesshëm te tyre.
Koha Javore: z. Lulgjuraj si një mjek i ri me perspektivë dhe i domosdoshëm për vendin tonë, cila është porosia Juaj drejtuar të gjithë atyre që aspirojnë të jetojnë një jetë sa më të shëndetshme?
K. Lulgjuraj: Le t’i japim rëndësi stilit të jetesës, pra të ushqehemi shëndetshëm, të bëjmë gjumë të rregullt, t’i kushtojmë vëmendje aktivitetit të rregullt fizik, të qëndrojmë larg veseve që dëmtojnë shëndetin si duhanpirja, lëndët narkotike apo konsumimi i tepërt i alkoolit e në këtë mënyrë do të kemi një jetë të shëndetshme fizike dhe mendore, rrjedhimisht produktive për veten, shoqërinë, por edhe për brezat që do të lëmë pas, pasi mënyra se si jetojmë ka tendencë të ndikojë edhe në gjenet tona. Nëse aplikojmë stile jo të shëndetshme të jetesës i hapim rrugën modifikimeve gjenetike që do të na bëjnë të predispozuar për të zhvilluar sëmundje të caktuara, ndryshime që mund t’ua kalojmë edhe pasardhësve tanë.
Intervistoi: Toni Ujkaj