Koha Javore: Z. Eduart, me origjinë jeni nga Lazarati i Shqipërisë, por prej shumë vitesh e braktisët vendlindjen dhe emigruat në SHBA, përkatësisht në Miçigan. Cilat ishin shkaqet që u larguat nga Shqipëria?
E. Aliko: Përqëndrimi dhe fokusimi im kryesor ka qenë shkolla dhe edukimi. Kam përfunduar në fillim te viteve 80’ shkollën 8-vjeçare në Lazarat me rezultate maksimale. Familja ime ka patur një artivitet të gjatë në përkrahje të lëvizjeve nacionaliste dhe çlirimtare në Jug te Shqipërise. Gjyshi im, Javer Aliko, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka qenë një nga aktivistët dhe luftetarët idealistë të Ballit Kombëtar, të cilët aspironin një Shqipëri natyrale, bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, por edhe një Shqipëri të orientuar qartazi nga vendet perëndimore dhe SHBA-të. Pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e komunizmit, gjyshi im u largua nga Shqipëria drejt SHBA-së, dhe ka vazhduar përpjekjet e tij atdhetare në diasporë. Shumë individë dhe familje që nuk u pajtuan me komunizmin politik dhe socializmin ekonomik, ose që patën vizion dhe orientim properëndimor, gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri u kategorizuan politikisht si familje ose individë me biografi jo të mirë. Kjo ka qenë arsyeja që unë personalisht duhej të kisha rezultate të shkëlqyera në shkollë, në mënyrë që të me jepej e drejta për studime të mesme dhe universitare. Përfundova me rezultate të shkëlqyera dhe me medalje gjimnazin në qytetin e Delvinës, dhe mbarova studimet universitare në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega fizikë në fillim te viteve ‘90. Kam ardhur në Amerikë në vitin 1998 me të drejtë studimi si student ndërkombëtar.
Koha Javore: Z. Aliko, ju keni pasur një karrierë të suksesshme profesionale në Shqipëri, duke qenë edhe titullar në administratën shtetërore. Na flisni pak për funksionet që keni pasur në Shqipëri?
E. Aliko: Unë e fillova karrierën profesionale si profesor i Fizikës në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, dhe më pas punova si inspektor në Ministrinë e Financave në Tiranë.
Jam larguar nga Shqipëria në vitin 1998 për të vazhduar studimet në Amerikë, të cilat i kam përfunduar në vitin 2003.
Kam punuar si profesor Fizike në Miçigan në disa kolegje dhe universitete qysh prej vitit 2000 dhe deri në ditët e sotme.
Jam rikthyer në Shqipëri në periudhën 2006-2008, duke ushtruar detyrën e lartë të Drejtorit të përgjithshëm të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme. Pas vitit 2008 jam rikthyer në Miçigan duke ligjëruar në Kolegjin Henry Ford në Departamentin e Shkencave Natyrore në Degën e inxhinierisë. Prej vitit 2014 dhe deri në momentet aktuale gjithashtu jam i angazhuar me detyrën e drejtorit ekzekutiv të televizionit të shqiptarëve në Michigan ACTV.
Koha Javore: Në komunitetin shqiptar në Miçigan, njiheni si një aktivist i dallur i çështjes kombëtare. Cilat kanë qenë disa nga angazhimet Tuaja që i veçoni si arritje në komunitetin shqiptar në Miçigan?
E. Aliko: Kam qenë dhe vazhdoj të jem i angazhuar me çështjet shqiptare, si dhe me aktivitetet dhe përpjekjet e diasporës së Amerikës për të promovuar historinë, kulturën dhe traditat shqiptare. Nga ana tjetër kam qenë aktiv duke ngritur zërin pranë institucioneve amerikane për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Jam angazhuar dhe bërë përpjekje për të ndikuar në politikën shqiptare për të implementuar shumë nga parimet e demokracisë amerikane në jetën politike të Shqipërisë.
Një nga angazhimet e mia aktuale më të rëndësishme është ndërmjetësimi dhe avokatia që diaspora, mediat dhe shoqatat shqiptaro-amerikane po bëjnë për të realizuar votimin në distancë të të gjithë shqiptaro-amerikaneve që jetojnë në Amerikë. Kjo do të mundësonte pjesëmarrjen aktive të diasporës në proceset politike e demokratizuese të Shqipërisë.
Koha Javore: A mund të na flisni pak rreth eksperiencës tuaj si profesor në Departamentin e Fizikës në Kolegjin Henry Ford në Miçigan?
E. Aliko: Mësimdhenia është themeli profesional i ekperiencës sime të punës në Amerikë.
Momentalisht jap leksionet në laboratorët e fizikës në Degën e inxhinierisë, dhe jam krenar që kam akses, por edhe që kontribuoj në fushën akademike dhe shkencore në një institucion publik të arsimit të lartë, siç është Kolegji Henry Ford.
Koha Javore: Miçigani, ashtu sikurse shumë qytete të tjera në SHBA, është vendi i mundësive, i mirëqenies ekonomike, sociale, etj. Sa është zhvilluar komuniteti shqiptaro-amerikan në Miçigan në aspektin e integrimit në shoqërinë amerikane?
E. Aliko: Komuniteti shqiptaro-amerikan i Miçiganit është një nga komunitetet më të vjetra dhe më të organizuara të diasporës. Ky komunitet e ka të plotë mozaikun e trojeve shqiptare në Ballkan, duke përfshirë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, dhe Maqedonisë së Veriut.
Eshtë një komunitet aktiv dhe vibrant që mëshiron vlerat më të mira familjare dhe atdhetare. Ka një brez të ri profesionistësh të suksesshëm e të shkolluar në Amerikë, si dhe një numër të madh sipërmarrësish shqiptarë të suksesshëm.
Me pak fjalë, ky komunitet simbolizon vitalitetin dhe aftësitë e shqiptarëve të lirë dhe patriotë.
Koha Javore: Siç e pohuat edhe Ju, shumë të rinj e të reja shqiptar/e në Michigan janë shkolluar në universitete prestigjioze, dhe sot mbajnë poste të larta në administratën amerikane. Në ç’masë rinia atje ruan identitetin kombëtar: gjuhën, kulturën, traditat?
E. Aliko: Sfida më e madhe e çdo komuniteti emigrantësh, por edhe e çdo gjenerate në Amerikë është ruajtja e gjuhës, historisë, kulturës dhe identitetit të tyre të origjinës, përballë fuqisë dhe ritmit të integrimit në shoqërinë amerikane.
Mendoj se më të dalluar në ruajtjen e identitetit kombëtar këtu në Miçigan janë shqiptarët me origjinë nga Mali i Zi. Aktivitetet e tyre familjare, shoqërore, fetare si dhe ruajtja dhe trashëgimi i gjuhës shqipe, ka qenë dhe është një arritje e lavdërueshme e këtij komuniteti.
Koha Javore: Z. Aliko, cilat janë disa nga problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar në Miçigan?
E. Aliko: Problemet e shqiptarëve në Miçigan janë zakonisht po të njëjtat me të cilat përballen të gjithë emigrantët, sidomos në vitet e para të emigrimit. Do të permendja punësimin dhe përshtatjen me jetën e re në Amerikë nga njëra anë, dhe ruajtjen e vlerave familjare dhe të traditave shqiptare nga ana tjetër. Në fizikë ne themi se kur gjendesh mes forcave të kundërta, gjithmonë çliron energji që vjen nga potenciali i madh që ofron shoqëria Amerikane. Shumë shqiptarë shkëlqejne kur janë të lirë. Për këte jemi veçanërisht krenarë.
Koha Javore: Z. Aliko, përveçëse pedagog universitar, jeni edhe drejtor ekzekutiv në televizionin e komunitetit shqiptar në Miçigan, Albanian Community TV. Çfarë rëndësie ka kjo dritare informimi për shqiptarët në Miçigan dhe çfarë është prioritet në programacionin që transmetoni?
E. Aliko: Televizioni ACTV në Miçigan përveç informimit të audiencës shqiptare në diasporë, është edhe një dëshmi e qartë e përpjekjeve që bëjnë shqiptarët për ruajtjen e gjuhës, historisë dhe kulturës në emigrim. Ky kanal televiziv, është tashmë i konsoliduar dhe ka një reputacion të veçantë tek shqiptarët për historinë e gjatë 15-vjeçare, por edhe për modelin dhe kurajon e gazetarisë për të informuar dhe për të bërë transparencën e ngjarjeve dhe fenomeneve të natyrës sociale dhe politike. Jam krenar që prej 7 vitesh e drejtoj këtë televizion shqiptar, i cili evidenton dhe lartëson imazhin pozitiv të botës shqiptare në Amerikë.
Koha Javore: Z. Aliko, sa jeni të lidhur me Shqipërinë, dhe si e shikoni sot gjendjen politike, sociale e ekonomike në Shqipëri, krahasur me kohën kur Ju jetonit dhe vepronit atje?
E. Aliko: Qëndroj i lidhur me Shqipërinë dhe botën shqiptare në përgjithësi.
Mendoj se Shqipëria po kalon sfida të forta të natyrës politike. Fatkeqësisht, demokracia atje është hibride, ose një shartim i autokracisë në realitet, dhe demokracisë në letër. Korrupsioni në të gjitha nivelet dhe papërgjegjshmëria e liderëve politikë, e ka mbajtur Shqipërinë në një tranzicion të tejzgjatur. Mendoj se Shqipëria është zhvilluar dhe ka ecur përpara nga puna dhe djersa e popullit shqiptar në sektorin privat, por është përkeqësuar dhe rrënuar në mënyrën e administrimit publik, politik dhe shtetëror. Sfida më e madhe është lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Koha Javore: Z. Aliko, cila është porosia Juaj drejtuar lexuesve të gazetës “Koha Javore”?
E. Aliko: I përshëndes me shumë respekt dhe dashamirësi të gjithë lexuesit e gazetës “Koha Javore”. Ju uroj shëndet dhe prosperitet në cdo sipërmarrje tuajën. E quaj privilegj që m’u dha mundësia të komunikoj me ju nëpërmjet kësaj interviste.
Intervistoi: Toni Ujkaj