Intervistë me shkrimtarin, përkthyesin dhe profesorin Gjergj Jozef Kola

Koha Javore: Çfarë është letërsia për Gjergjin?
Gj.K:
Letërsia është oksigjeni i jetës pa të cilin nuk munde të marrim frymë. Letërsia është fjala e në fillim të universit ishte fjala, thotë shkrimi i shenjtë, e kjo për ne si shkrimtarë është diçka e mrekullueshme.

Koha Javore: Përveç se jeni shkrimtar , përkthyes, jeni edhe profesor i gjuhës gjermane në gjimnaz, cili nga tri profesionet është më i vështirë , kërkon kohë dhe përkushtim?
Gj.K:
Përkthimi është profesioni më i vështirë në botë. Unë më parë shkruaj tri romane se sa e përkthej një. Të përkthesh do të thotë ta marrësh shpirtin e tjetrit dhe ta mbushësh me mendjen tënde, ndërsa kur shkruaj letërsi, romane, unë shpirtin tim e kaloj te lexuesi.

Koha Javore : Cilat janë elementet e përbashkëta ose elementet dalluese që i bashkon apo largon tri profesionet?
Gj.K:
Tri elementet i bashkon gjuha, ku në rastin e gjuhës gjermane, kjo është një gjuhë letrare e konsoliduar e ngritur mbi kritere shkencore e letrare, ndryshe nga standardi shqiptar që u ngrit nga diktate politike të diktaturës komuniste, meqenëse diktatori ishte toskë e vendosi toskërishten. Kështu që në vend që të lejoheshin gegërishtja e toskërishtja të rriten në mënyrë të natyrshme, u krijua ajo që Fishta i madh, poeti i kombit kishte paralajmëruar: gjuha e mushkës.

Koha Javore: Cili nga këto profesione ju jep me shumë kënaqësi dhe pse?
Gj.K:
Natyrisht ai i shkrimtarit, sepse ti aty ke ndërtuar botën tënde, ishullin tënd, fshatin e qytetin tënd. Sa herë ëndërroj të kem një shtëpi diku në fshat në mes të luleve të diellit të Van Goghut e aty t’i përkushtohem historive që më lëvrijnë nëpër damarë. Të këndoj siç thoshte Migjeni “kangët e pakëndueme që vlejnë në mue…”

Koha Javore: Ju jeni shkrimtar i disa librave .Ku mund t’i gjejnë lexuesit veprat tuaja?
Gj.K:
Librat e mi, romanet, por edhe dramat, gjithsej rreth 80, mund të gjinden në Amazon, në platformën më të madhe të librit në botë. Disa prej tyre si romani “Historia e miqësisë e dashunisë se madhe” kanë qënë edhe bestseller në italisht, sepse siç e dimë gjuha shqipe nuk është e prezantuar në Amazon.

Koha Javore: Kur mund të presim veprën tjetër?
Gj.K:
Në gusht në Shkodër do ta prezantoj poemën lirike në tri gjuhë: “TI PO KALON MBI LUMIN DRIN”, e ju ftoj përzemërsisht edhe ju si ish-studente e Shkodrës, por edhe si poete e gazetare. Besoj se kjo është e vetmja poemë lirike e këtyre 30 viteve të fundit që unë kam ndeshë në botën shqipshkruese e në 5 shtetet ku ka shqipfolës me shkollat e tyre shqipe. Gjithashtu sapo kam përfunduar romanin “BAZILIKA E GJERGJ KASTRIOTIT-SKANDERBEG’’ e besoj se do ta promovoj në shtator, pse jo, ndoshta edhe në Panairin e Librit në Tuz, nëse komuna ka mirësinë të më ftojë.

Koha Javore: A e shihni shkrimin si një lloj praktike shpirtërore?
Gj.K:
Po, padyshim. Krijimi letrar është një botë magjike në vete, sepse ti krijon personazhe e ata bëhen të gjallë e jetojnë me ty deri në fund te historisë. Për mua si besimtar i krishterë, akti i krijimit letrar është një lloj meshe e shenjtë brenda vetes.

Koha Javore : Cilën nga veprat tuaja do ta veçonit më shumë?
Gj.K:
Të gjitha, por drama “DED GJON LULI” është një nga ato që e kam më për zemër, e uroj që Komuna e Tuzit të gjejë mundësinë ta vërë në skenë. Gjithashtu romani “LULJA E BRISHTË E GJUHADOLIT”…roman që kallëzon natyrën e vërtetë të demokracisë shqiptare.

Koha Javore: Çfarë ju frymëzon?
Gj.K:
Secili ka Muzën e vet, edhe Gjergji…Në psikologjinë e thellësisë, profesorët e Universitetit të Amsterdamit Jens Förster dhe Kai Epstude thonë: Dashuria shpërthen forcat krijuese ndër ne dhe na ndryshon mënyrën e të menduarit. Ne vendin tonë mbi 90 % e romaneve nuk flasin për dashurinë, kjo ose sepse ata ende nuk e kanë ndeshë muzën e tyre, ose autorët e kanë humbë rrugën e drejtë të letërsisë. Ne jemi me fat se romani i parë shqiptar është një “love story” plot patriotizëm, ku edhe qyteti i Tuzit ka një rol shumë të madh e lartësohet si qytet i lirisë. Unë e kam përkthyer në gjermanisht librin “SHKODRA E RRETHUEME” të NDOC NIKAJT, i botuar në Shkodër, ku 400 kopjet e para janë shitur menjëherë, sikur të ishin 400 kopjet e Harry Poterit të parë të autores Rowling.

Koha Javore: Vitin e kaluar ishit të ftuar edhe në Panairin e Librit në Tuz, si e pritët ftesën?
Gj.K:
Shumë mirë, e gjej rastin ta falënderoj Komunën e Tuzit, drejtuesen e Kulturës z. Marina, e poetët e shkrimtarët Markun e Nikollën. Në Tuz isha për herë të parë, e të mendosh se prej aty shihej liqeni i Shkodrës, në anën tjetër kam lindur e jam rritur unë…

Koha Javore : Prej disa vitesh jetoni dhe punoni në Vjenë, si i pret lexuesi gjerman veprat tuaja?
Gj.K:
Dramat e mia janë vendosur në skenat e teatrove austriake, kjo është një fatlumni e madhe për mua, për vetë konkurrencën e jashtëzakonshme këtu. Ta shohësh dramën tënde në skenat ku ka luajtur Aleksandër Moisiu i madh është një gëzim i papërshkrueshëm si dramaturg. Ndërsa romanet janë në Amazon edhe në gjermanisht, e unë gëzohem kur shoh se ata merren nga lexuesi gjerman.

Koha Javore: Cili lexues vlerëson më shumë letërsinë, ai gjerman apo shqiptar?
Gj.K:
Secili popull ka prirjet e veta, ne shqiptarët më shumë po shkruajmë aktualisht e ata popujt gjermanofolës, gjermanët, austriakët e zviceranët lexojnë më shumë. Kjo vjen ngaqë edhe vetë shteti, por edhe shtëpitë botuese përkujdesen për këtë. Në Shqipëri e Kosovë nuk kemi ende shtëpi botuese që botojnë letërsi për meritë, por vetëm letërsi tarafi e për pasojë nuk botohet letërsia që duhet. Ne botë shtëpitë botuese mbajnë vendin dhe autorin e në vendin tonë ende jemi shumë larg kësaj.

Bisedoi : Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat