Koha Javore: Teuta, përpara se të flasim mbi profesionin ku ju jeni kualifikuar, do të kthehemi pas në kohë. Qëkurse ishit në shkollë fillore u shquat për thurje vargjesh, veçanërisht në prozë, por edhe në poezi. Çfarë kujton nga ajo kohë?
T. Gjeçbritaj: E kujtoj si sot prozën time të parë që ia kisha kushtuar shoqes time e cila iku në Amerikë. Sapo i kisha mësuar shkronjat! Që në atë moshë kuptova se pothuajse çdo ndjenjë timen e kisha të nevojshme ta hidhja në letër, e kështu spontanisht lindnin edhe prozat e poezitë të cilat filluan edhe të botoheshin.
Koha Javore: Teuta, ishit vetëm 15 vjeçe kur ju, së bashku me tre shoqe të tjera botuat librin e parë “Valët e trazuara”. Na trego pak se si e realizuat këtë vepër dhe çfarë tematikash trajtonte?
T. Gjeçbritaj: Me kalimin e viteve dëshira për të shkruar sa vinte e rritej. Shkruaja vazhdimisht, por shumicën nga ato çfarë shkruaja i mbaja thjesht në një fletore dhe shpesh nuk doja t’i lexonte njeri. Por libri “Valët e trazuara” u botua nën iniciativën dhe përkushtimin e mësuesit tim të parë z. Ali Gjeçbritaj, i cili edhe insistoi që punimet tona letrare të mos mbesnin një ëndërr në sirtar. Libri trajtonte tema nga më të ndryshmet, por kryesisht janë trajtuar tema të lidhura me realitetin e ndjenjat e asaj moshe.
Koha Javore: Çfarë do të veçonit nga koha kur mësonit në Gjimnazin “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, ku edhe aty ishit nxënëse ekselente, e shpërblyer çdo vit me çmimin “Pishtar 1”?
T. Gjeçbritaj: Vitet e gjimnazit janë padyshim vitet më të bukura e që kujtohen gjithmonë, sepse dhe mosha është e atillë ku çdo gjë e sheh nga një prizëm tjetër. Nga ajo kohë do veçoja momentin kur u shpalla nxënësja më e mirë e gjeneratës. Isha në vitin e tretë.
Koha Javore: Talenti juaj për letërsi ishte evident, por edhe skenën dhe aktrimin e admironit. Por, prapëseprapë ëndrra juaj më e madhe ishte të bëheshit mjeke, ashtu siç edhe ndodhi. Pse zgjodhët ta studioni mjekësinë?
T. Gjeçbritaj: E doja artin e letërsinë, por megjithatë mjekësia ishte ajo ëndrra që më linte zgjuar. Të ndihmosh njerëzit e të shpëtosh jetë, ku ka ndjenjë më të bukur? Falë humanizmit të këtij profesioni, edhe unë vendosa ta zgjedhë si profesion të jetës. Më pëlqen shumë ajo buzëqeshja në sytë e njerëzve kur i ndihmon. Por nuk duhet harruar që përpara se të jesh mjek, duhet të jeshë njeri i mirë e me zemër të madhe. Kjo ishte edhe motoja ime që nga fillimi i studimeve.
Koha Javore: Studimet për mjekësi të përgjithshme i filluat në vitin 2013, ndërsa i përfunduat brenda afatit të paraparë programor të kësaj dege në vitin 2019. Cilat ishin sfidat me të cilat u ballafaquat gjatë kësaj periudhe gjashtëvjeçare të studimeve?
T. Gjeçbritaj: Në momentin që vendos të studiosh mjekësinë, duhet marrë parasysh edhe sfidat e vështirësitë që të presin gjatë atij rrugëtimi. Netë pa gjumë, punë e përkushtim, orë pafund mbi libër. Nuk është aspak e lehtë. Por nëse synimet e dëshirat e tua janë të qarta, do ia dalësh pavarësisht çdo sfide që të del përpara. “Fall and rise again” kjo ishte dhe shprehja që e kujtoja në çdo rast vështirësie.
Koha Javore: Teuta, menjëherë pas përfundimit të stazhit të praktikantit, në vitin 2020 ju vazhduat punën si mjeke në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, në një kohë kur si për koeçidencë të fatit kishte filluar një kohë e zymtë dhe fatkeqe për të gjithë, atëherë kur botën dhe ne e kaploi virusi Sars Cov-2. Si ishte për ju si mjeke që menjëherë pas studimeve të jepni kontributin tuaj në një situatë të jashtëzakonshme?
T. Gjeçbritaj: Pas përfundimit të studimeve kisha ëndrra e synime të tjera, pasi që për pandeminë as që na shkonte në mendje. Por, fati ashtu e deshi dhe na përballi me shumë të papritura. Sars-CoV-2 ishte sfida më e vështirë për të gjithë, e sidomos për ne mjekët që përveçse duhej të merrnim vendime për skemën e trajtimit, u desh të përballeshim edhe me momente shumë të vështira e të dhimbshme, sepse siç e dimë të gjithë ka pas shumë humbje jete, e kjo edhe për shkakun se vetë varianti i virusit ishte i atillë-vdekjeprurës. Kemi dhënë kontributin tonë me zemër dhe për këtë ndihem krenare.
Personalisht mund të them se pandemia e Covid-19 ndikoi shumë në jetën time, si për të mirë ashtu edhe për të keq. E mira është se nga ajo periudhë e trishtë mora një përvojë të mirë sa i përket anës profesionale, kurse e keqja ishte ngarkesa emocionale. Në fund të fundit edhe ne jemi njerëz. Uroj të mos përseritet më ajo kohë.
Koha Javore: Në këndvështrimin tuaj si profesioniste e fushës së mjekësisë, sa mendoni se punonjësit shëndetësor sot e zbatojnë Betimin e Hipokratit?
T: Gjeçbritaj: Betimi i Hipokratit për secilin mjek duhet të jetë siç thotë dhe ajo fjala popullore “vath në vesh”. “Premtoj se jetën do ta vë në shërbim të humanitetit”, kurrë s’duhen harruar këto fjalë. Duhet të përpiqemi që pavarësisht cdo vështirësie profesionin tonë ta ushtrojmë me dinjitet e ndërgjegje. Mendoj se deri sot kjo po zbatohet nga ne punonjësit e shëndetësisë. Uroj e shpresoj që ky premtim moral yni të mos thyhet kurrë.
Koha Javore: Aktualisht vazhdoni punën si mjeke familjare në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin. A mund të na thoni me çfarë problematikash përballet sot sistemi shëndetësor në vend, dhe çfarë do të duhej ndryshuar?
T. Gjeçbritaj: Gjithmonë ka vend për ndryshime, po flas për të mirë. Aktualisht punoj si mjeke familjare. Puna e përditshme me pacientë dhe përballja me problematika të ndryshme shëndetësore më bën të kuptoj se kemi shumë mangësi, por që prapëseprapë me aq mundësi sa kemi mundohemi të japim maksimumin tonë, dhe secili pacient të marrë më të mirën. Hapja e spitalit në qytetin e Ulqinit do të ishte besoj arritja më e madhe për të gjithë ne. Uroj që së shpejti të ndodhë dhe kjo.
Koha Javore: Ju falënderoj për këtë intervistë!
T. Gjeçbritaj: Faleminderit dhe juve!
Intervistoi: Toni Ujkaj