Mali i Zi në të kaluarën ka qenë shumë më i korruptuar se Kosova, por mendoj që vendi po shkon në drejtim të duhur. Edhe kur flas me njerëzit për politikanët shqiptarë në Mal të Zi, për shembull më shumë më intereson si po menaxhohet komuna e vetme prej shqiptarit në Mal të Zi dhe qytetarët më raportojnë që kjo komunë, nuk njihet për korrupsion, gjë që më gëzon. Me ndërrimin e qeverisë së Gjukanoviqit, po bëhen hetime që atëherë nuk kanë qenë të munduara të bëhen. Në këtë aspekt, Mali i Zi sot, ashtu si më duket mua nga larg, po shkon në drejtim të duhur
Koha Javore: Znj. Xharra, figura Juaj njihet nga opinioni mbarëshqiptar, si gazetare dhe publiciste e spikatur, me përvojë të gjatë dhe me influencë në shoqëri, e veçanërisht në gazetarinë investigative, ku nga viti 2004, jeni bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e Rrjetit Ballkanik për Gazetarinë Hulumtuese, (BIRN), për degën e Kosovës. A mund të na tregoni mbi rezultatet e punës, pothuajse njëzetvjeçare të këtij rrjeti?
J. Xharra: Me rëndësi është që kemi arritur më shumë dhe për këtë ia vlen të flasim më shumë, sesa për atë që kemi sakrifikuar. Sot organizata jonë arrin të burgosë njerëz, pas ekspozimit të krimeve të ndryshme. Ja një shembull: nëse një ngjarje e kemi transmetuar para gjashtë vjetësh, kur kallëzuesi ka ardhur që të tregojë se është para vetëvrasjes për shkak të fajdeve më të cilat e kanë ngarkuar fajdexhinjtë, e kemi bindur kallëzuesin që të bashkëpunojë me ne, e kemi xhiruar marrjen e fajdeve, duke krijuar fakte të cilat pastaj i kemi dërguar në prokurori. Pas disa vitesh të procesit gjyqësor, është marrë vendimi përfundimtar i gjykatës, duke i burgosur të akuzuarit, aq sa e meritojnë. Ky është vetëm një nga rastet e shumta, kurse ne çdo vit, pas hulumtimeve që kryejmë, i dërgojmë afërsisht treqind raste në prokurori, komuna dhe institucione të tjera, ku iniciojmë procese nga padrejtësitë që raportohen në kallxo.com dhe në fund kemi diku rreth njëqind impakte, pra në 100 raste prej gjithë atyre që i dërgojmë në institucione, diçka ndërron. Pra, ose suspendohen gjyqtarë, prokurorë, ose nxiten veprime disiplinore ndaj zyrtarëve të caktuar, etj.. Ka edhe raste kur dikush edhe punësohet nëse i është bërë e padrejtë. Pra, qëllimi ynë që nga fillimi ka qenë që të bëjmë gazetari që ndërron diçka. Kur e kemi formuar BIRN-in, ideja ka qenë që të bëjmë gazetari e cila e ndërron, e përmirëson situatën e qytetarëve. Dhe kjo është arsyeja se pse duhet të ekzistojë një gazetari e thelluar në shoqërinë civile dhe jo vetëm të bëhet gazetari komerciale.
Koha Javore: Misioni i gazetarisë, e sidomos i asaj hulumtuese është raportimi përtej të dukshmes, gërmimi dhe nxjerrja në dritë e dukurive të panjohura për opinionin. Është një betejë e vërtetë dhe e vazhdueshme me institucionet shtetërore dhe organizatat joqeveritare, me synim që ato të zbatojnë ligjin në kryerjen e detyrës së tyre. Cili ka qenë impakti Juaj si rrjet investigativ në këtë drejtim?
J. Xharra: Disa nga impaktet janë, se shumë njerëz i kemi futur në burg, si dhe në rastet e tjera, i kemi shpëtuar disa miliona pa u vjedhur nga shteti, si në rastin e hulumtimit për monopolin e energjisë solare, i cili buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 15 milionë euro. Një hulumtim tjetër për ATK-në që e kemi ekspozuar, pra një skemë të vjedhjes së organizuar tatimore, ku janë ekspozuar fatura fiktive me vlerë afër 300 milionë euro, pra ka pasur një tendencë të dëmtimit të shtetit me miliona euro, sikur të mos e ekspozonim ne këtë skemën e mashtrimit. Rasti tjetër është ekspozimi i krimit të organizuar të ndërtimeve ilegale që kanë ndodhur në Parkun Kombëtar në Brezovicë para dy vjetëve. Kallëzuesi erdhi në kallxo.com dhe ne punuam në atë drejtim me kallëzues, që rezultoi me arrestime, si dhe shumë raste të tjera të dhunës dhe të natyrave të tjera me të cilat merremi në përditshmëri gjatë punës tonë, që kanë rezultuar me efekt të mobilizimit të organeve të drejtësisë.
Koha Javore: Raportimi i ngjarjeve të panjohura dhe të pazbardhura, të cilat i ka si objektiv gazetaria hulumtuese, kërkon vetiniciativë, durim, mund, mjete financiare, por mbi të gjitha guxim. Keni qenë ndonjëherë të kërcënuar gjatë punës tuaj, pasi që nuk janë të rralla rastet kur falë angazhimit tuaj janë kryer edhe arrestime të zyrtarëve në Kosovë?
J. Xharra: Gazetari i BBC-së me të cilin pata punuar në vitin 1998 kur e fillova punën në gazetari, u qëllua me plumb nga serbët, gjatë xhirimit të masakrës së Jasharëve kur ishim bashkë në terren, atë ditë, me 5 mars 1998. Pra, unë zanatin e kam mësuar nga njerëz që punojnë në front të luftës dhe për këtë arsye, unë do të ndjehesha e turpëruar që të thosha se duhet ndonjë guxim i madh sot për të hulumtuar, sepse unë kam parë gazetarë dhe punonjës të medias që kanë ardhur nga vende të huaja, që kanë rrezikuar jetën e tyre duke ardhur nga Anglia, për të nxjerrë në pah se si forcat serbe i sulmojnë shqiptarët. Kjo pra është ajo që pritet prej gazetarit, gjë për të cilën kërkohet guxim dhe këtë po e bëjnë në baza ditore ata që raportojnë sot nga Gaza dhe Ukraina, ku gazetarët po e humbin jetën për të raportuar. Atëherë, çfarë kemi ne që nuk rrezikojnë pak për të bërë shtetin tonë më të mirë?! Edhe ne sot, nëse duam ta shohim vendin tonë të përparojë, s’bëhet nami nëse rrezikojmë pak në këtë kohë paqeje! Pra nuk kisha dashur ta bëj të madhe fort që kërcënohemi, sepse është pjesë e punës por ja po ju tregoj që kolegu im Kreshnik Gashi i cili ka raportuar mbi kontrabandën në veri të Kosovës, ka pasur kërcënime dhe burimet tona shpesh kanë edhe sot pasoja fizike e psikike nëse vendosin që ta ekspozojmë krimin e organizuar.
Koha Javore: Nga përvoja Juaj shumëvjeçare në monitorimin e punës së administratës publike qendrore dhe lokale, a mund të na tregoni se sa keni arritur ju si rrjet investigativ të rrisni nivelin e llogaridhënies së pushtetarëve ndaj publikut?
J. Xharra: Niveli i llogaridhënies është rritur shumë, sidomos nga kryetarët e komunave dhe ndoshta aty ne jemi më të suksesshëm se kudo tjetër. Zyrtarët në fillim kanë gënjyer shumë, pasi kanë menduar se nuk do t’i mbikëqyrim. Ne, nga viti 2007, në Kosovë jemi kthyer nëpër komuna vazhdimisht, ku para çdo fushate zgjedhore dhe pas tyre, kemi evidentuar, raportuar dhe nxitur që të kryhen premtimet parazgjedhore. Për shembull ne me ekipin tonë kemi kërkuar nga kryetarët e komunave që të ketë barazi gjinore mes drejtorëve, sepse 60 për qind të kryetarëve të komunave në Kosovë i kemi burra, gjë që unë kam avokuar ta ndërrojmë dhe tani kemi arritur që kryetarët e komunave t’i bëjnë 30-50% gra, drejtoreshat e drejtorive në komuna të tyre të udhëhiqen nga gratë. Pra, zyrtarët institucionalë janë të prirë të japin llogari vetëm nëse e shohin se ekziston vërtetë një seriozitet nga shoqëria civile, mediat dhe qytetarët dhe atëherë kur vërejnë se vërtetë ke mundësi që ta mobilizosh popullatën, atëherë edhe ata mprihen dhe kryesisht duan të bëjnë punë të mirë.
Koha Javore: Znj. Xharra, për disa vite keni qenë autore dhe drejtuese e emisionit investigativ “Jeta në Kosovë”, një emision me shumë ndikim në shoqërinë kosovare, ndërsa sot drejtoni emisionin “Kallxo përnime”, në Radio-Televizionin “Dukagjini”. Çfarë synimi ka ky emision dhe cilat janë tematikat që trajton?
J. Xharra: Ne përmes këtij emisioni sigurohemi që do të bëjmë gazetari hulumtuese e cila do të ekspozojë diçka dhe që do të hedhë dritë deri në atë masë sa të ndërrojë situatën për të mirë. Pra, që nga fillimi, synimi jo vetëm i këtij emisioni por i krejt gazetarisë sonë ka qenë, përmirësimi dhe ndërrimi i jetës së qytetarëve. Këtë emision “Kallxo Përnime” unë e realizoj me një skuadër kolegësh prej 70 personash që i ka Kosova dhe BIRN-I dhe transmetohet në TV “Dukagjini”. Ndërsa ‘Jetën në Kosovë’ si dhe ‘Drejtësinë në Kosovë’ e kemi realizuar në RTK, nga ku na kanë përzënë nga presioni që e kanë pasur nga krimi i organizuar dhe politika, pas 15 vjetësh transmetim në televizionin publik. Fryma e ngjashme po vazhdon në RTK, që e mban larg gazetarinë hulumtuese, me qëllim që t’ua bëjë qejfin pikërisht grupeve të interesit, e ndoshta edhe politikës.
Koha Javore: Raportimi Juaj ndër vite në gazetarinë hulumtuese është shpërblyer edhe me çmime të rëndësishme. Mund të flisni pak rreth tyre dhe çfarë tregojnë këto çmime për punën tuaj?
J. Xharra: Po, pesë nga këta 70 persona vetëm gjatë vitit 2023, janë fitues të çmimeve të ndryshme për gazetarinë, kurse viteve të tjera kemi me qindra shpërblime. Secila prej këtyre storjeve që kanë fituar kanë zbardhur diçka që publiku nuk e ka ditur më përpara. Më saktësisht, tri vitet e fundit me radhë, Kallxo.com e fiton Çmimin e Komisionit Evropian për Gazetari Investigative, për hulumtimin më të mirë investigativ. Këto çmime tregojnë se ne jemi liderë në Kosovë për gazetarinë investigative dhe se ne luajmë një rol të rëndësishëm për të mbushur një vakum të një lodhjeje totale të sistemit arsimor në Kosovë dhe të mos efikasitetit të sistemit të drejtësisë.
Koha Javore: Ju drejtoni edhe portalin e njohur, “Kallxo.com”, në fokus të raportimit të së cilit keni, raportimin e korrupsionit. Sa mendoni se keni arritur ta zbehni këtë dukuri në Kosovë, falë punës Tuaj në gazetarinë e angazhuar?
J. Xharra: Kemi arritur ta zbehim, sidomos te kryetarët e komunave, ku kemi mundur t’i bindim ata se nuk mund të korruptohesh e të rizgjidhesh. Në dy zgjedhjet e fundit të kryetarëve të komunave në Kosovë, u ndërruan 50 për qind të kryetarëve. Dhe kjo tregon se në Kosovë mund edhe t’i fitosh zgjedhjet, por nëse raportohet që s’e ke bërë punën siç duhet, po aq lehtë sa i ke fituar zgjedhjet, mund t’i humbasësh. Pra, ne kemi ndikuar që t’ua marrim fytyrën atyre, duke nxjerr në dritë zyrtarët e korruptuar.
Koha Javore: Nga shkëmbimi i përvojave që keni me rrjetin e BIRN-it në shtetet e tjera të Ballkanit, siç është edhe Mali i Zi, në ç’ nivel mendoni se është sot i përhapur korrupsioni në Mal të Zi, dhe sa ka avancuar ky vend në luftimin e kësaj dukurie?
J. Xharra: Edhe pse BIRN është themeluar në 2004, ne BIRN-in në Malin e Zi e themeluam tek në 2023-shin. Do të thotë që BIRN- Mali i Zi, është zyra jonë më e re. Kjo nënkupton që ka njëfarë energjie shumë më të hapur që të merresh me këto tema në Mal të Zi. Mali i Zi në të kaluarën ka qenë shumë më i korruptuar se Kosova, por mendoj qe vendi po shkon në drejtim të duhur. Edhe kur flas me njerëzit për politikanët shqiptar në Mal të Zi, për shembull më shumë më intereson si po menaxhohet komuna e vetme prej shqiptarit në Mal të Zi, dhe qytetarët më raportojnë që kjo komunë, nuk njihet për korrupsion, gjë që më gëzon. Me ndërrimin e qeverisë së Gjukanoviqit, po bëhen hetime që atëherë nuk kanë qenë të munduara të bëhen. Në këtë aspekt, Mali i Zi sot, ashtu si më duket mua nga larg, po shkon në drejtim të duhur. Ndoshta unë s’i di krejt, andaj po e lë mundësinë për njerëzit që jetojnë atje, që të vlerësojnë këtë punë më mirë.
Koha Javore: Si e shikojnë sot qytetarët në Kosovë pozitën e mediave të shkruara dhe audio-vizuale. A mendojnë ata se është bërë progres në fuqizimin medias, që ajo të jetë pushtet i katërt, ashtu siç konsiderohet, apo e shikojnë si të varur nga politika dhe nga grupe të tjera të interesit?
J. Xharra: Shumica e qytetarëve në përgjithësi, për shkak të krijimit të shumë mediave dhe të themelimit të shumë portaleve, të krijuara prej grupeve të interesit, kanë shumë pak besim tek mediat. Nëse i pyet qytetarët, shumica prej tyre mendojnë që gazetarët janë të korruptuar, ashtu sikurse mendojnë që është i korruptuar sistemi i drejtësisë. Dhe kjo vjen për shkak të disa “deleve të zeza” (gazetarë që marrin ryshfet) për t’i rënë dikujt apo që i shërbejnë grupeve të caktuara të interesit, që paguhen dhe kanë varësi financiare nga këto grupe, dhe për këtë, njerëzit, kam përshtypjen që nuk ju besojnë shumicës së gazetarëve. Një aspekt tjetër është- bota e rrjeteve sociale, që shumë njerëz nuk po informohen nga burime të sakta dhe nga media serioze, por po keqinformohen nga portale të ndryshme. Ka një nivel të lartë të dezinformimit në media për ç’ gjë ne kemi shkruar një raportin, “Vorbulla e Rrenave” prej 100 faqesh, se si keqinformohet populli në një botë që paguhet për të shitur propagandën dhe dezinformimin.
Koha Javore: Sot përdorimi i rrjeteve sociale në shoqëri, është dominues. Angazhimi Juaj hulumtues ka nxjerrë në pah se rrjetet sociale po keqpërdoren në masë të gjerë, edhe nga politika në Kosovë, sidomos në prag fushatash zgjedhore dhe për këtë keni krijuar një platformë të quajtur “Krypometri” i cili e matë nivelin e gënjeshtrës. Cili ka qenë roli i tij në ndryshimin e qasjes së pushtetarëve ndaj të vërtetës?
J. Xharra: Ne, duke parë se sa po abuzohet me deklaratat dhe me të vërtetën në rrjetet sociale, themeluam “Krypometrin” i cili ka qenë një përgjigje ndaj gënjeshtrave që jepen në publik. Ne kemi caktuar edhe stafin që merret me këtë punë. Kemi kaluar në një proces redaktorialë shumë rigoroz që të pranohemi në IFCN (Intenational Fact- Checking Network) dhe të akreditohemi. Ne çdo vit auditohemi nga IFCN dhe kjo është një formë e akreditimit që mbikëqyr procesin tonë redaktorial, dhe disa kushte që duhet të përmbushësh, për t’u bërë media që mat të vërtetën me vulën e IFCN-it. Ne jemi të parët të akredituar në Kosovë dhe kemi adoptuar një metodologji të caktuar në matjen e të vërtetës në këtë proces, dhe vazhdojmë me përkujdesje që të sigurohemi se jemi të balancuar dhe të saktë në vlerësimin e deklaratave publike.
Koha Javore: Znj. Xharra, cili është angazhimi Juaj aktual dhe planet më të afërta?
J. Xharra: Jemi të interesuar që t’i korrim shumë prej frutave që kemi mbjellë me hulumtime, pra raste që kemi hulumtuar. Do të vazhdojmë të ndjekim raste në të ardhmen, dhe të sigurohemi se nuk do t’i lemë të qetë gjyqtarët, prokurorët, politikanët etj., sepse rastet e abuzimit duhet të trajtohen dhe ta marrin epilogun e merituar. Ne do të vazhdojmë të kryejmë punë të vyer investigative.
Koha Javore: Znj. Xharra, Ju falënderoj për kohën që ndatë për lexuesit e gazetës, “Koha Javore”!
J. Xharra: Ju falënderoj edhe juve për këtë intervistë!
Intervistoi: Toni Ujkaj