“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”, vepra më madhore e leksikografisë shqiptare

“Fjalori …” po realizohet si një nga projektet e mëdha të Akademisë së Shkencave dhe përfshin shtresën më aktive të leksikut të shqipes dhe një pjesë të madhe të shtresës pasive, struktura më të gjera kuptimore të fjalëve, do të japë karakteristikat kryesore gramatikore, stilistike, shprehëse-emocionuese e të përdorimit. Ai do të shënojë regjistrimin e parë në një vepër leksikografike të pasurisë më të madhe e më kryesore të fjalëve, të frazeologjisë e të kuptimeve leksikore të gjuhës sonë, pasurinë e gjallë të gjuhës shqipe

Koha javore: Akademik Shkurtaj, me rastin e shënimit të Ditës së Alfabetit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka prezantuar projektin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. Si gjuhëtar që i keni kushtuar tërë jetën gjuhës shqipe, por edhe si anëtar i redaksisë së kësaj vepre, si e vlerësoni hartimin e këtij fjalori?
Gj. Shkurtaj: Mbas një pune katërvjeçare ka mbaruar së hartuari në dorë të parë “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe“, një nga projektet e mëdha të Akademisë sonë të Shkencave. Ky fjalor, sikundër u kumtua në tubimin e datës 22 nëntor “do të përmbajë rreth 120 mijë njësi, gati trefishi i fjalorit aktual”.
Si gjuhëtar dhe si një prej anëtarëve të Redaksisë e si drejtues i një prej grupeve të punës për hartimin e këtij Fjalori, dëshiroj të shpreh harenë dhe gëzimin që kjo vepër po përfundon me sukses dhe vjen si fryt i një bashkërendimi të shumë forcave shkencore nga të gjitha trojet shqiptare e nga diaspora.
Ky Fjalor duhet përshëndetur e mirëpritur, duke e vlerësuar si një thesar të madh dhe shumë të rëndësishëm të pasurisë leksikore, kuptimore, frazeologjike dhe termave të degëve të ndryshme të dijes e të jetës së përditshme të popullit shqiptar. Fjalori sjell prurjet nga dy kahet kryesore të përdorimit të shqipes së sotme: nga gjuha letrare e shkruar dhe e folur, po edhe nga gjuha e folur popullore e nga dialektet e të folmet e shqipes. Me këtë rast, po ritheksojmë edhe disa detyra që mendoj se mbeten me rëndësi të dorës së parë edhe mbas publikimit të Fjalorit e kur do të hidhet për konsultim të gjerë publik.
Fjalët, frazeologjizmat dhe togfjalëshat e qëndrueshëm të çdo gjuhe, të paraqitur në fjalorë, janë si magazinat e mëdha të prodhimeve mbas korrjes e shirjes së drithit; aty grumbullohet gjithë çfarë vjen nga dy burimet kryesore: nga gjuha e folur dhe nga gjuha e shkruar. Gjuha e folur, natyrisht, mund të jetë edhe dialektore e krahinore, sikundër edhe formë e folur (a e lexuar) e gjuhës së shkruar, kurse prej gjuhës së shkrimit d.m.th. prej librave të shkruar, qofshin ata diturorë, enciklopedikë, historikë, fetarë si Bibla, Kurani etj., apo nga letërsia artistike dhe stilet e tjera të saj vijnë fjalë, frazeologjizma dhe mënyra të thëni, të përdorura nga autorët përkatës, sipas njohjes që ata kanë për pasurinë leksikore e frazeologjike të gjuhës së tyre amtare, po edhe duke sjellë prirje e përdorime të reja, natyrisht edhe duke krijuar vetë ata fjalë e terma që mungonin në shqipen. Në fakt, edhe ideja e hershme e hartimit të fjalorëve si libra themelorë për fiksimin e fjalëve e shprehjeve të gjuhëve të ndryshme, ka qenë ajo e inventarizimit, d.m.th. të regjistrohen fjalët dhe kuptimet e tyre. Dhe, mbi atë bazë, do të përudhej edhe leksikografia si degë e gjuhësisë.
Në të vërtetë, mund të thuhet (dhe është pohuar me të drejtë) se vetë historia e gjuhësisë shqipe nis me një fjalor. Po të lëmë mënjanë “fjalorët” e Arnold von Harfit (1497) dhe të Pjetër Mazrekut (1633), që në fakt janë lista me disa dhjetëra fjalë shqipe, mund të themi se vepra e parë leksikografike shqipe është “Fjalori latinisht-shqip” (Dictionarum latno-epiroticum, 1635) nga Frang Bardhi. Ajo, me të drejtë, është vlerësuar si “vepër leksikografike e mirëfilltë, pavarësisht nga numri i vogël i fjalëve shqipe (rreth 2500) qysh në shekullin e 19-të, prandaj ai Fjalor vlerësohet si “puna e parë e plotë në leksikografinë shqipe”. (J. Thomai, Leksikologjia e gjuhës shqipe, Tiranë, 2021, f. 174)
Pra, duke iu përmbajtur pyetjes suaj, së pari e kryekreje, duhet të themi se leksikografia shqipe (më thjesht: hartimi i fjalorëve) është fusha më e hershme e më e pasur e gjuhësisë shqiptare…
Në vijim të leksikografisë pararendëse, kur u krijua Instituti i Gjuhësisë i Akademisë së Shkencave, është bërë një punë shumë e madhe për mbledhjen e leksikut nga gjuha e folur krahinore dhe për vjeljen e leksikut nga veprat e shkruara, qysh nga librat e autorëve të vjetër (Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi etj.) dhe të Rilindjes e të autorëve të letërsisë shqipe bashkëkohore. Rol të madh ka luajtur sidomos krijimi i Kartotekës kombëtare të leksikologjisë dhe dialektologjisë dhe i sektorit të leksikografisë e terminologjisë.
Hartimi e botimi i “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (Tiranë, 1980) me rreth dyzet e një mijë fjalë, me rreth shtatë mijë njësi frazeologjike dhe me mbi 180 mijë kuptime leksikore), vepër kolektive e një grupi leksikografësh të IGJL-së të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: Androkli Kostallari (kryeredaktor), Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Miço Samara, Josif Kole, Palok Daka, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Ferdinand Leka, Emil Lafe, Kornelia Sima, Thanas Feka, Beatriçe Keta e Agim Hidi. Ky ishte i pari fjalor shpjegues kombëtar i tipit të mesëm.
Synimet e tij ishin: a) të japë shpjegimet dhe normat e përdorimit të fjalëve e të shprehjeve që kanë zënë tashmë një vend të qëndrueshëm në gjuhën e sotme letrare shqipe; b) të hedhë në përdorim fjalë, shprehje pak të njohura ose të panjohura, sidomos të gurrës popullore, që deri më sot nuk janë pasqyruar në fjalorë e në botime të tjera, por që i kanë të gjitha vlerat e mundësitë për të qenë pjesë e pandarë e fondit leksikor e frazeologjik të gjuhës letrare kombëtare.
Hartimi i një fjalori të tillë ishte përmbushje e një kërkese të ngutshme të kulturës kombëtare, të shkollës, të jetës dhe të praktikës shkrimore në Shqipëri e në hapësirat e shqipes në Ballkan e në diasporën arbëreshe.
Por, sikundër dihet, në rrjedhë të kohës, kërkesat për fjalorë të tipave të ndryshme nuk shterojnë dhe, ashtu si edhe për gjuhë të tjera, do të dilte nevoja edhe për një fjalor të madh të gjuhës shqipe. Në mos tjetër për një fjalor të përditësuar e të pasuruar me prurje nga letërsia e përdorimi i shqipes në stilet e ndryshme. Natyrisht, krahas fjalorëve terminologjikë, tashmë aq të shumtë e të realizuar nga Sektori i Terminologjisë pranë Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave.

Koha javore: Pse quhet Fjalori “i Madh” i Gjuhës Shqipe?
Gj. Shkurtaj:
“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”, së pari, është jo vetëm më i madh në vëllim e në shpjegimet e shtjellimet e zërave që përmbahen në të, por është edhe një vepër e atillë që, duke u nisur nga “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe nga fjalorë të tjerë që kishin dalë në rrjedhë të viteve (Fjalor i shqipes së sotme, Tiranë, 1984 dhe varianti i ripunuar, i botuar më 2002). Me gjithë vlerat e këtyre fjalorëve shpjegues kombëtarë, gjithnjë është ndier mungesa e një fjalori më të vogël, më të përmbledhur e në përputhje me kërkesat e një përdorimi praktik. Atë synim e përmbushi “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) me rreth 48 mijë fjalë, i cili është vlerësuar si ”fjalori më i mirë shpjegues i botuar mbas fjalorëve të lartpërmendur”. (Shih. J. Thomai, vep. cit, f. 396). Më 2010 “Fjalori…” u botua dhe në variantin elektronik, me përpunim e tregues të brendshëm dhe me shqiptim të fjalëve e të njësive frazeologjike sipas standardit gjuhësor. Më 2020 u botua “Fjalor i gjuhës shqipe” me rreth 32 mijë fjalë e njësi frazeologjike, me autorë: Jani Thomai, Miço Samara, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Thanas Feka e Valter Memisha. Ky fjalor ishte i përshtatshëm për studentët e shkollave pasuniversitare, për nxënësit e shkollave të mesme dhe të klasave të larta të shkollës nëntëvjeçare. Po ashtu, në rrjedhë të viteve janë hartuar e botuar edhe fjalorë të veçantë a specialë, kryesisht shpjegues, kombëtarë e normativë, si fjalorë frazeologjikë, antonimikë, sinonimikë, terminologjikë (shpjegues e shumëgjuhësh), krahinorë etj. E gjithë lënda e fjalorëve pararendës është shqyrtuar dhe ka shërbyer si mbështetje gjatë punës për hartimin dhe redaktimin e “Fjalorit …”
Por, natyrisht, për realizimin e projektit të Akademisë për një Fjalor të Madh (apo të përditësuar) u desh të formohej një Redaksi e re, në të cilën janë disa prej autorëve të botimeve të mëparshme, po edhe një yjësi autorësh të tjerë e që përfaqësojnë më gjerë gjeografinë e leksikologëve e leksikografëve të shqipes.
Pra, sikundër mund të shihet edhe nga përbërja e ekpit realizues, “Fjalori…” mbështetet në përvojën, si dhe në fjalorët e mëparshëm dhe në Kartotekën Kombëtare të Leksikut e të frazeologjisë së shqipes, por edhe duke u përditësuar, shtuar e pasuruar e përtërirë si në brendinë e vet, ashtu edhe në ekipin realizues shkencor e teknik. Redaktorët, hartuesit janë nga mbarë hapësirat truallësore të shqipes, së pari, janë gjuhëtarë specialistë të leksikologjisë e të dialektologjisë nga radhët e punonjësve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë dhe të Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe pedagogë nga universitetet e Tiranës, Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Prishtinës, Maqedonisë së Veriut dhe nga diaspora arbëreshe e Italisë. Një pjesë e redaktorëve dhe hartuesve janë të njohur si autorë fjalorësh, si Petrit Zeneli, autor i dy fjalorëve me lëndë nga Malësia e Gjakovës, Ali Jashari për krahinën e Devollit, Qemal Murati për të folmet e Kosovës e të Maqedonisë së Veriut, Gjovalin Shkurtaj për të folmet e Malësisë së Madhe, Idriz Metani për të folmet e Skraparit.
“Fjalori …” po realizohet si një nga projektet e mëdha të Akademisë së Shkencave dhe përfshin shtresën më aktive të leksikut të shqipes dhe një pjesë të madhe të shtresës pasive, struktura më të gjera kuptimore të fjalëve, do të japë karakteristikat kryesore gramatikore, stilistike, shprehëse-emocionuese e të përdorimit. Ai do të shënojë regjistrimin e parë në një vepër leksikografike të pasurisë më të madhe e më kryesore të fjalëve, të frazeologjisë e të kuptimeve leksikore të gjuhës sonë, pasurinë e gjallë të gjuhës shqipe.

Koha javore: Duke pasur parasysh se fjalori ekzistues në përdorim i përket vitit 1980, pra kanë kaluar plot 45 vjet, a jemi pak të vonuar?
Gj. Shkurtaj:
Së pari, dëshiroj të ritheksoj se gjuha është pjesë themelore dhe shprehësja më e dukshme e identitetit të shqiptarëve, është “palca” dhe shprehësja e shqiptarisë, është tipari dallues më kryesor i mbijetesës sonë si komb. Shoqëria e sotme shqiptare, në radhë të parë shkolla dhe institucionet zyrtare e publike (shtetërore dhe private), duke mos u shkëputur nga tradita e mirë që e kemi pasur dhe e kemi, duhet të punojmë më shumë për formimin e një koncepti të drejtë për detyrimet dhe pengun qytetar dhe atdhetar që ka secili shqiptar ndaj gjuhës së vet amtare.
Së dyti, “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” është vepra më madhore e leksikografisë shqiptare e ideuar dhe e sendërtuar (mishëruar) nga gjuhëtarët shqiptarë, një ekip me përvojë shumë të gjatë si leksikologë e leksikografë të mirëfilltë (J. Thomai, M. Samara etj.) si dhe nga një yjësi studiuesish, gati të gjithë ish-studentë e kolegë të të lartpërmendurve, të përudhur e tashmë edhe të atillë që të përballonin detyrat e tyre (përkatësisht si redaktorë apo hartues) të Fjalorit.
Së treti, realizimi me sukses i “Fjalorit…”, përtej atyre që thamë, do të jetë edhe një përvojë e vyer dhe bazë e sigurt për punën e mëtejshme të leksikografisë shqipe.

Koha javore: Cilat janë kriteret dhe parimet themelore që ka ndjekur redaksia gjatë punës për hartimin e Fjalorit?
Gj. Shkurtaj:
“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” do të ketë dy funksione themelore: funksion normëzues (apo normativ), sepse do të japë në mënyrë të plotë e sistemore normën leksiore të gjuhës së sotme standarde shqipe. Po ka dhe funksion informues, sepse do të japë edhe fjalë që nuk janë në normë ose që kanë qenë dikur, por nuk janë më normative. Kjo, për arsye që ato t’i shërbejnë njohjes së gjerë të fjalëve shqipe në të gjitha stilet. Dhe, duhet theksuar se, funksioni informues i “Fjalorit të madh të shqipes” do të jetë më i gjerë se në fjalorët e mëparshëm. Kështu, “Fjalori …” do të jetë pasqyrues sa më i plotë i leksikut të përgjithshëm të shqipes së sotme, do të jetë një vepër me rrezatim të gjerë dhe do të ketë edhe rreth shumë të hapur e të gjerë përdoruesish. Ai do t’u shërbejë shkrimtarëve e përkthyesve, publicistëve e specialistëve të llojeve të ndryshme të shkrimtarisë, njerëzve të artit e të kulturës, studiuesve e leksikografëve, pedagogëve e studentëve të shkollave të larta. Me një fjalë do t’i shërbejë kujtdo që merret me përdorimin e lëvrimin e gjuhës amtare. Vepra do të jetë një ndihmesë e rëndësishme edhe për të kuptuar letërsinë e shkruar qysh nga Rilindja jonë Kombëtare e deri sot, si dhe do të këshillojë normat e përdorimit të fjalëve e të njësive frazeologjike.

Bisedoi: I. Kallaba


Redaksia dhe hartuesit e Fjalorit

Redaksia: Akad. Prof. dr. Jani Thomai (kryeredaktor), Akad. Prof. dr. Valter Memisha (zëvendëskryeredaktor e sekretar shkencor), Prof. dr. Shezai Rrokaj (zëvendëskryeredaktor), Prof. dr. Dhimitër (Miço) Samara, Prof. dr. Shefkije Islamaj, Akad. Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Prof. dr. Ali Jashari, Prof. dr. Anila Omari, Prof. as. Dr. Anila Kananaj (redaktorë).
Hartues: Akad. Prof. dr. Jani Thomai, Akad. Prof. dr. Valter Memisha, Prof. dr. Shezai Rrokaj, Prof. dr. Dhimitër (Miço) Samara, Prof. dr. Shefkije Islamaj, Akad. Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Prof. dr. Ali Jashari, Prof. dr. Anila Omari, Prof. as. Dr. Anila Kananaj, Prof. as. Dr. Olger Brame, Prof. dr. Artur Lame, Prof. as. Dr. Idriz Metani, Prof. as. Dr. Juliana Kume, Prof. dr. Qemal Murati, Prof. as. Dr. Naim Berisha, Prof. dr. Mimoza Priku, Prof. as. Dr. Rrezarta Draçini, Ma. Petrit Zeneli, Ma. Viktor Bakillari, Prof. as. Dr. Abdurrahim Maxhuni, Dr. Sejdi Gashi, Prof. as. Dr. Teuta Toska, Dr. Manjola Zaçellari, Dr. Engjëllushe Karaj, Prof. as. Dr. Rozana Rushiti, Dr. Behar Hoxhaj, Dr. Resul Telhaj. Për leksikun arbëresh: Akad. Prof. dr. Francesco Altimari (kryeredaktor), Akad. Prof. dr. Matteo Mandala, Prof. as. Dr. Gëzim Gurga.
Koordinatore: Prof. as. Dr. Anila Kananaj. Grupi tekniko-shkencor: Prof. as. Dr. Anila Kananaj, Dr. Brikena Liko, Dr. Engjëllushe Karaj, Ma. Erjena Kamaj.

Të fundit

më të lexuarat