Ekzistojnë ende paragjykimet dhe stigmatizimet sa i përket kërkimit të ndihmës së psikologut

Tereze Sinishtaj u lind në Klinë të Kosovës. Shkollën fillore e kreu në Zllakuqan të Klinës në “At Shtjefën Gjeçovi”, kurse atë të mesme tek Shkolla Profesionale e Mjekesisë “Dr Ali Sokoli” në Prishtinë. Shkollimin e lartë për psikologji, përkatësisht shkallën baçelor të kualifikimit e mbaroi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa specializimin në Universitetin Evropian të Tiranës ku mori titullin psikologe shkollore. Si studente e dalluar me notën mesatare të lartë, ajo punoi në Prishtinë dy vite si infermiere, ndërsa në vitin e fundit të studimeve punoi në administratën e Universitetit Privat “Amerikos”. Pas përfundimit të studimeve ajo punoi në “Caritas Kosova” si menaxhere e një projekti më fëmijët me nevoja të veçanta. Në vitin 2010, Tereza martohet në Malësi ku vazhdoi të veprojë për shtatë vite si edukatore në Kopshtin “Nana Tereze” në Sukruq. Aktualisht ajo punon me fëmijë me nevoja të veçanta në Institucionin Publik Parashkollor “Nënë Tereza” në Tuz dhe në Organizatën Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi”

Koha Javore: Znj. Sinishtaj, si një psikologe me përvojë mjaft të gjatë në disa institucione private dhe shtetërore, a mund të na thoni se cili është roli i psikologut në shoqëri?
T. Sinishtaj:
Nëse flasim për rolin e psikologut në shoqëri tonë, dua të them se kanë ndodhur ndryshime pozitive në ndërgjegjësimin e popullatës në lidhje me rolin e psikologut. Me këtë dua të them se tani jemi shumë më mirë krahasuar me njëzetë vjet më parë, kur vetëm kishte filluar drejtimi i psikologjisë si degë në Univerzitet të Prishtinës dhe njerëzit nuk dinin saktë se cili ishte me të vërtetë roli i psikologut. Nisem nga ky fakt, sepse më heret njerëzit si adresim të parë në lidhje me problemet emocionale dhe shpirtërore kanë pasur klerikët, siç janë priftërinjtë ose hoxhallarët, për të rrëfyer një çështje shpirtërore e cila i ka munduar. Duke e krahasuar situatën tani dhe ateherë, mund të konkludojmë se pozicionimi i psikologut në shoqëri ka berë një progres shumë më të madh nga vetë fakti se tani ka shumë tema të cilat trajtohen nepër media në lidhje me shëndetin mendor në përgjithësi. Ka profilizime të ndryshme në lidhje me psikologjinë, që do të thotë se nuk kemi vetëm psikolog klinik, por kemi edhe psikolog specialist të fushave të ndryshme për t’u ardhur në ndihmë personave të cilët kanë nevoja të ndryshme.

Koha Javore: Cilat janë disa nga vështirësitë me të cilat jeni përballur ndër vite në punën tuaj si psikologe?
T. Sinishataj:
Si fillim, ngase jam me prejardhje nga Kosova dhe gjenerata ime atje nuk ka arritur ta zotërojë plotësisht gjuhën malazeze, kjo ka qenë veshtirësia ime e parë që fillimisht të depërtoj dhe afirmohem si psikologe, sidomos në institucionet shtetërore këtu në Mal të Zi. Dua të theksoj se sa i përket nivelit institucional ende nuk e kemi të përcaktuar mirë rolin e psikologut duke qenë se nepër kopshte dhe në disa shkolla nuk ka psikolog që do të ofronte shërbimet e veta profesionale. Pastaj, duke qenë se jemi një vend relativisht i vogël, është ndier mungesa e hapsirës nepër institucione të cilat merren me shëndetin mendor si fushë ku do mund të qasesha si psikologe. Sa i përket ushtrimit të profesionit në praktikë, duke e parë nevojën fillimisht nisa të punoj privatisht. Si vështirësi e parë që kam hasur ka qenë se individët përkundër vështirësive që kishim, nuk dinin se ku të adresoheshin. Me kohë kjo u ndryshua, opinioni u njoftua se dikush nga kjo trevë që flet gjuhën shqipe merret me shërbime psikologjike dhe kjo veshtirësi ngadalë u zbeh. Pra, ishte e nevojshme që të bëhet një fushatë sensibilizuese, të thyhen tabutë e ndryshme, gjë që duhet vazhduar edhe më shumë me qëllim të ruajtjes së shëndetit mendor në përgjithësi.

Koha Javore: Një kohë të gjatë punoni me fëmijë me nevoja të veçanta. Sa sfidues është ky mision dhe sa i gëzojnë këta fëmijë kushtet adekuate për asistencën që iu nevojitet?
T. Sinishtaj:
Sa i përket punës time me fëmijët me nevoja të veçanta, fillimisht dua të them se nuk është një punë e lehtë, nuk është një fushë me lule. Në rend të parë as për mua si profesioniste, por as për fëmijët dhe prindërit e tyre. Puna me fëmijët me nevoja të veçanta është një punë piramidale e cila duhet të koordinohet në mes të psikologut, fëmijës dhe prindit. Në qoftë se kjo funksionon mirë atëherë rezultatet janë të arritshme. Sa i përket ndihmës apo shërbimit institucional që është i domosdoshëm, do të thoja se ka shumë femijë që ende janë të padiagnostikuar dhe se puna diagnostikuese është një proces i gjatë. Dhe përderisa fëmijëve u mungon një diagnozë e saktë, shpeshëherë ndodhë të anashkalohen nga ana institucionale, duke mos e marrur ndihmën adekuate. Ky problem është sidomos i theksuar tek fëmijët shqiptarë, ku shpesh ka ndodhur që diagnostikimin dhe kategorizimin e kanë bërë ata që nuk e kanë njohur gjuhën shqipe. Vlen të theksohet se çdo ndihmë që i jepet fëmijës që në momentet e para – në moshë shumë të hershme, është shumë më mirë e kalkulueshme sesa ajo në moshë të vonshme. Një identifikim i hershëm, si nga ana e prindërve e po ashtu edhe nga ana profesionale, është shumëfish më efektiv. Me të gjitha sfidat të cilat i kalojmë së bashku, mund të them se shumë fëmijë kanë pasur sukses dhe përparim në trajtimet që marrin.

Koha Javore: Në cilat institucione do të ishte e nevojshme prania e psikologut dhe sa zbatohet kjo nevojë tek ne?
T. Sinishtaj:
Prania e psikologut prek shumë fusha të cilat janë të rëndësishme për shoqërin tonë. Institucionet komunale, institucionet shkollore e sidomos ato parashkollore, institucionet shëndetësore, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e posaçërisht fëmijëve, organizatat për punë me fëmijë me nevoja të veçanta, klubet sportive, qendrat për punë sociale, etj. Duhet thënë se mungon përkrahja institucionale, siç është hapja e qendrës ditore, hapësira dhe organizimi i aktiviteteve të lira për të rinj dhe hapja e shtepisë së pleqëve, të cilat janë shumë të nevojshme për një shoqëri bashkëkohore me shërbimet e duhura për çdo kategori të qytetarëve.

Koha Javore: Si qenie njerëzore përballemi me probleme nga më të ndryshmet si në jetën private ashtu edhe në atë profesionale, probleme që nganjëherë mund të kërkojnë zgjidhje nga një ekspert, përkatësisht psikolog. Kur duhet ta kuptojë një individ nevojën e konsultimit me një psikolog?
T. Sinishtaj:
Çdo individ ka momentet e veta që përballet me vështirësi të ndryshme, me luhatje emocionale mund t’i mungojë vetëbesimimi dhe shpresa për gjëra të mira e pozitive. Kjo do të thotë se secili nga ne mund të ketë nevojë për ndihmë profesionale për të tejkaluar një periudhë të caktuar. Ndodhë që njerëzit kanë tendencën që këto probleme t’i tejkalojnë vetë, kur nuk janë aq madhore, apo me përkrahjen e familjes, ose edhe me konsultimin e ndonjë shoku ose shoqeje të ngushtë. Por, shpesh mund të ndodhë edhe e kundërta, këto probleme nuk mund t’i tejkalojnë pa ndihmën profesionale. Shpeshherë problemet janë shumë më të thella se çfarë mendohet, duke qenë se nganjëherë nuk merren parasysh faktorët siç janë fëmijëria e hershme dhe pjesa e pavetëdijshme e cila vazhdimisht na shkakton probleme. Shumë probleme shëndetësore janë edhe si pasojë e problemeve psikologjike e që ne i quajmë probleme psiko-somatike, ku njerëzit adresohen te doktorët dhe as që e dinë se vuajnë nga stresi, depresioni kronik, ankthi, etj. Pra, kur personat që vuajnë nga ndonjë ndryshim emocional apo çrregullim i vazhdueshëm i disponimit, gjendje të luhatshme psikologjike, hapat e parë që duhen ndërmarrë janë ndihma dhe konsultimi profesional. Në këto raste sa më parë të merret ndihma e psikologut, aq më shpejtë mund të tejkalohen këto shqetësime dhe probleme.

Koha Javore: A mendoni se si shoqëri ende ngurrojmë t’i drejtohemi psikologut, nëse po, si mund ta zgjidhim këtë kompleks?
T. Sinishataj:
Në shoqërinë ku jetojmë, duke qenë se jemi edhe një vend i vogël, duhet theksuar se ekzistojnë ende paragjykimet dhe stigmatizimet sa i përket kërkimit të ndihmës së psikologut. Në këtë kontekst do të theksoja një dallim diferencues e ai është se të rriturit ndihen shumë më të paragjykuar nëse i adresohen psikologut sesa në rastin kur kemi të bëjmë me fëmijët. Shpesh ndodh që të rriturit drejtohen jashtë shtetit për seanca psikologjike, në mënyrë që të sigurohen të mos e marr vesh ndokush për veshtirësitë, duke u arsyetuar me ikjen nga paragjykimet e ndryshme të rrethit. Duke e parë ketë, mund të konstatojmë se neve si shoqëri na mungojnë fushatat e ndryshme ndërgjegjësuese në lidhje me shëndetin mendor. Një gjë duhet kuptuar, sikurse mund të kemi nevojë të sherohemi në aspektin fizik, e njëjta duhet të vlejë edhe për aspektin emocional e shpirtëror. Pra “mendja e shëndetshme në trup të shëndetshëm”.

Koha Javore: Virusi Sars Cov-2 ishte një sfidë në vete edhe për mjekësinë, e sigurisht për krejtë njerëzimin. Cilat janë disa nga pasojat që la ky regjim i kufizuar i të jetuarit në shëndetin mendor, dhe nëse bëhet fjalë për pasoja afatëgjata, si mund të rikuperohen ato?
T. Sinishtaj:
Përveç efekteve shëndetësore, sociale, ekonomike, pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19 ka rezultuar edhe në shumë probleme të drejtpërdrejta në aspektin psikologjik. Problemet më të shpeshta të cilat janë hasur janë ato të rritjes së nivelit të stresit, ankthit, çrregullimeve obsesivo-kompulsive, vetmia kronike, humbja e kuptimit të jetës, izolimet sociale, braktisja e vendeve të punës, frika, paniku, numri i vetëvrasjeve, etj.
Studimet psikologjike kanë treguar se ky virus do të ketë pasoja afatgjata në shoqëri, sidomos sa i përket shëndetit mendor. Se sa i rëndësishëm është roli i psikologut në këtë drejtim e kemi kuptuar më së miri në kohën e pandemisë, ku nevoja për të ka qenë e padiskutueshme. Pra, shëndeti mendor nuk mund të ndahet nga shëndeti fizik. Sa i perket Covid-19 dhe trajtimit të pasojave që la ky virus në shëndetin mendor, dua të them se paraqitja e personave tek profesionistët, është mënyra më e mirë dhe më e sigurt që të ballafaqohemi me pasojat e tij.

Koha Javore: Cili është rekomandimi Juaj si psikologe për të gjithë lexuesit e kësaj interviste?
T. Sinishataj:
Rekomandimi im për të gjithë lexuesit e kësaj interviste është se duhet t’i kushtohet rëndësi më e madhe ruajtjes së shëndetit mendor, sepse një kujdes i tillë është thelbësor për një shoqëri të shëndetshme. Mos prisni që gjendja të përkeqësohet dhe kurdoherë që ta ndjeni të nevojshme drejtohuni për ndihmë të nevojshme profesionale.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat