E ardhmja është teknologji

Dikur njerëzit bënin një jetë shumë më të thjeshtë dhe imagjinata e tyre nuk e konceptonte dot se do të vinte një ditë ku çdo gjë rreth tyre do të ishte teknologji. Këtë ndikim të teknologjisë e kemi vënë re akoma më shumë në vitet e fundit, sidomos me varësinë që njerëzit janë duke pasur ndaj internetit. Për të sjellë më shumë informacione në lidhje me rritjen e ndikimit të teknologjisë ndër vite, kemi përzgjedhur të bisedojmë me dr. Zhilbert Tafën, i cili është profesor në Universitetin për Biznesin dhe Teknologjinë në Kosovë

Ju i keni përfunduar studimet në Podgoricë vite më parë. Për të nisur bisedën, si fillim na intereson të dimë cila ka qenë shtysa që ju ka nxitur për të studiuar shkencat kompjuterike, duke qenë se në atë kohë zhvillimi i teknologjisë ka qenë dukshëm më i ulët?
ZH. Tafa: Vërtet, asokohe, tek ne, pak kishte informacione në lidhje me teknologjitë informatike. Në fillim të shkollës së mesme, për kompjuterin, robotët dhe teknologjitë e tjera kam dëgjuar vetëm nga mediat. Kuptova që këto janë lëmi ku aplikohet matematika dhe inxhinieria elektronike. Unč isha i interesuar në fushën e matematikës, ndërsa në lidhje me inxhinierinë kompjuterike nuk kisha kë të pyesja. Asokohe, një kushëriri im, profesor i matematikës, punonte në një bankë në Kosovë në zhvillimin e sistemit informatik të bankës. Në tavolinën e tij për të parën herë pashë kompjuterin. Dhe, ndoshta këtu filloi çdo gjë. Shpejt fillova të blija revista që mbërrinin nga Sllovenia. Disa vite më vonë, në shkollë kishim edhe lëndën e informatikës. U pajisa edhe me kompjuterin e parë në shtëpi, zhvillova programet e para etj. Pastaj regjistrova Fakultetin Elektroteknik, magjistrova dhe doktorova në fushën e Inxhinierisë Kompjuterike dhe Teorisë së Informacionit.

A keni pasur në atë kohë dijeni dhe a e keni pritur se avancimi teknologjik do të jetë kaq i shpejtë?
ZH. Tafa: Në atë kohë askush nuk ka mundur të paramendonte se ku do të mbërrinte sot zhvillimi teknologjik, siç është edhe sot vështirë të parashikojmë se ku do të mbërrijë nesër ky zhvillim. Në lidhje me këtë, studentëve të mi, gjithmonë ua jap një shembull: më 1981, Bill Gejtsi i Mikrosoftit, në një konferencë për teknologjinë ka parashikuar që në të ardhmen asnjë kompjuter nuk do të ketë nevojë për më shumë se 640 KB RAM memorie. Për kompjuterët e sotëm ky numër është qesharak pasi ata kanë dhjetëra mijëra herë më tepër RAM memorie.

Meqë sot fëmijët rriten në një epokë digjitale, vërejmë se nuk kanë më interes për mësimin formal. Si mendoni ju se duhet të funksionojë mësimi nëpër shkollat tona në raport me përdorimin e teknologjisë gjatë procesit mësimor?
ZH. Tafa: Mendoj që procesi mësimor në masë të madhe duhet të jetë i asistuar nga teknologjitë informatike, por që prania fizike nuk mund të zëvendësohet në tërësi me mësimin online. Pra, mendoj se duhet të zhvillohen forma të kombinuara të procesit mësimor. Teknologjia duhet të përdoret për qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në informacion, por nuk mund ta zëvendësojë praninë e njeriut.

Për fund, çfarë parashikimesh mund të bëni në lidhje me rëndësinë e teknologjisë dhe inovacionit për jetën tonë në të ardhmen dhe a e quani rrezik mbizotërimin kaq të fuqishëm të teknologjisë?
ZH. Tafa: Teknologjia, që nga paraqitja e internetit, vazhdimisht është duke ndryshuar jetën e njeriut. Njerëzit sot jetojnë dhe veprojnë shumë më ndryshe se para 30 apo 40 vitesh. Ngjashëm do të jetë edhe pas 30 apo 40 viteve të tjera. Do të jetohet në një botë tjetër, të cilën ne ende nuk e njohim. Pa dyshim, këto ndryshime do të rrisin në masë të madhe kualitetin e jetës së njeriut, por do ta kenë edhe tehun tjetër. Shumë procese jetësore do të jenë të vendosura, të kushtëzuara, refuzuara apo aprovuara, pra të varura, nga teknologjitë informatike dhe nga algoritmet përkatëse. P.sh. jeta e njeriut në trafik mund të jetë e varur nga softueri i automjetit autonom. Po ashtu, tendenca për ruajtjen e privatësisë personale është luftë e humbur për njeriun. Në kushtet ku teknologjia mund të përcjellë çdo veprim të njeriut (interesimet e tij, të dhënat personale, lëvizjet, komunikimet me njerëzit e tjerë etj.), për privatësi gjithnjë e më pak mund të diskutohet.

Bisedoi: Reina Fici

Kjo intervistë publikohet në kuadër te trajnimit për të rinj „Sapere aude – guxo të jesh i mençur“, të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.

Të fundit

më të lexuarat