Dua të tregoj kulturën dhe historinë e Shqiptarëve nga Mali i Zi

Koha Javore: Pas përfundimit të Shkollës së Mesme të Përzier 25 “Maji” në Tuz, Ju u përcaktuat për regji televizioni dhe filmi në Akademinë e Arteve në Tiranë, dhe më pas masterin e vijuat në Akademinë e Arteve Dramaturgjike në Cetinë. Çfarë ishte shtysë që të përgjedhni ta studioni këtë fushë?
G: Camaj:
Si adoleshent gjithmonë kam qenë i interesuar për shumë gjëra. Gjithnjë doja të dija gjithçka, për çdo gjë. Pasi mbarova shkollën e mesme, fillova të mendoja se cila fushë e artit mund të më japë më shumë hapësirë për të zhvilluar idetë e mia, e që kanë të bëjnë me tematika të ndryshme. Dhe pikërisht këtu më lindi ideja për të ndjekur studimet për regji filmi dhe televizioni.

Koha Javore: Na rrëfeni disa nga eksperiencat më të bukura përgjatë viteve të studimit?
G. Camaj:
Kam disa eksperienca të bukur gjatë studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë. Njëra prej të veçantava ishte njohja me profesorin tim të preferuar, të ndjerin Gjergj Xhuvani. Një eksperiencë tjetër ka qenë në Festivalin e Filmit “Manaki Brothers” në Manastir, kur takova kinematografin e njohur Roxher Dekins, por momenti që do ta veçoja është kur para një muaji bashkëpunova me aktorin e madh Enver Petrovci.

Koha Javore: Regjia si disiplinë përkufizohet si mjeshtëria dhe puna e regjisorit, por për të gjithë ata që nuk e njohin nga afër, çfarë është konkretisht roli dhe veprimtaria e një regjisori?
G. Camaj:
Mendoj se këtë pergjigje e ka dhënë më së miri regjisori i famshëm Kuentin Tarantino kur shprehet se: “regjisori duhet të di se çfarë do, se cila është ideja e tij dhe pastaj të arrijë ta komunikojë këtë ide me bashkëpunëtorët e vet siç janë drejtori i fotografisë, kinematografi, producenti, aktorët dhe shumë të tjerë që marin pjesë në realizimin e një filmi.

Koha Javore: Tashmë si profesionist i kësaj fushe, me titull kualifimi master në regjinë e televizionit dhe filmit, si e shikoni sot kinematografinë shqiptare, sa po avancon ajo në raport me vendet e zhvilluara?
G. Camaj:
Kinematografia shqiptare për momentin nuk është në një nivel mjaft të lartë. Shumica e filmave që po dalin nga Shqipëria janë sipërfaqësor, në nivel shumë të ulët dhe kjo lind nga nevoja për të krijuar filma komercial, për të prodhuar sa më shumë të ardhura, por komerciale. Nuk do të thotë se filmi mepatjetër është i nivelit të ulët, por mungon indentiteti artistik, mungon dashuria dhe pasioni për këtë formë të artit. Filmi shqiptar sot është kthyer në kontent për t’u konsumuar dhe jo për t’u analizuar ose për të përcjellur një mesazh tek audienca e vet. Kjo ka impakt te shikuesi shqiptar, që një numër mjaft i madh (për faktin se prodhohen filma pa vlerë) nuk e ka të zhvilluar paletin artistik që të dijë kur në ekranin e madh tregohet një produkt që është pa vlerë dhe vetëm për shitje.
Kjo assesi nuk do të thotë se kinematografia shqiptare nuk ka regjisorë të mirë. Shembull mund të marrim regjisorin Gentian Koci, i cili me filmin e vet “Një filxhan kafe dhe kepucë të reja veshur” është nominuar per Çmimin “Oscar”.

Koha Javore: A keni Ju ndonjë idhull nga regjisorët e njohur shqiptarë, apo nga ata botëror, që ju frymëzon të arrini në këtë profesion?
G. Camaj:
Më lart tregova se një nga eskperiencat e mia me të bukura ka qenë fakti se kam pas profesorin, tani të ndjerin Gjergj Xhuvani që, për mendimin tim, filmi “Parullat” është filmi më i mirë shqiptarë që është prodhuar ndonjëherë. Po ashtu, më inspiron edhe regjisori Emir Kustorica. Filmi i tij “Underground” paraqet një kaos të vërtetë, të cilin vetëm ai mund ta kontrollonte dhe të prodhonte një eksperiencë kinematografike në nivel aq të lartë.

Koha Javore: Ende pa përfundur fakultetin, Ju si student e shpalosët kreativitetin Tuaj artistik me prodhimin e dy filmave me metrazh të shkurtër të quajtur “Paqja” dhe “Fija e fundit”, ku njëherësh ishit shqiptari i parë nga Malësia që sollët këta filma në Kinotekën e Podgoricës. Në pika të shkurtra na tregoni çfarë pasqyrojnë filmat në fjalë dhe si u pritën nga audienca?
G. Camaj:
Përveçëse pasqyrojnë udhëtimin dhe pjekurinë time si regjisor, ata dy filma flasin edhe per një çështje personale që ka të bëjë me pjesën e çdo individi; humbja e një dashurie të kaluar, ose humbja e një gjëje që ne e kemi dashur. Dhe mendoj se mu për këtë arsye audienca arriti të komunikojë me këta dy filma.

Koha Javore: Sa impanjative ishte për Ju jetësimi i këtij projekti duke qenë se ishte “sprova” e parë për Ju?
G. Camaj:
Unë jam shumë kompetitiv me veten kur bëhet fjalë për realizimin e projekteve të mia. Çdo film që unë drejtoj është një pjesë personale e imja, pra unë jap diçka nga jeta ime në mënyrë që ky film të ketë “frymën” e vet dhe normalisht duke qenë së është kaq personale për mua, kam qenë absolutisht impenjativ.

Koha Javore: Pas publikimit dy filmave në fjalë, Ju e intensifikuat punën Tuaj me angazhimin për filmin e radhës i cili është në realizim e sipër. Për çfarë filmi bëhet fjalë, ku zhvillohet ngjarja dhe kush janë protagonistët e filmit?
G. Camaj:
Filmi i radhës quhet “Palma” në të cilën zhvilloj një familje tipike ballkanike ku prindërit, gjeneratë e vjetër, gjeneratë e rritur në kohën e komunizmit, mundohen të kontrollojnë jetën e femijëve të vet ashtu siç mendojnë ata se është më së miri. Normalisht përtej kësaj, filmi do të zhvillojë një konflikt më të thellë dhe më personal për personazhet e tjerë: babai, që e ka mishëruar i madhi Enver Petrovci dhe e bija Ana, sjellur në jetë nga e talentuara, Flaka Latifi.

Koha Javore: Cilat janë planet tuaja në fushën e kinematografisë?
G. Camaj:
Planet e mia janë të qarta: dua të tregoj kulturën dhe historinë e Shqiptarëve nga Mali i Zi.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat