Besimtari duhet ta mbajë fjalën e dhënë, duhet të jetë i drejtë…

Koha Javore: Z. Kanaqi, para disa vitesh keni mbrojtur disertacionin e doktoraturës ku arritët kualifikimin Doktor i shkencave islame, titull të cilin e mbani aktualisht vetëm Ju në Mal të Zi. A mund të na tregoni  se si filloi rrugëtimi Juaj drejt teologjisë, sfidat gjatë studimeve, deri në mbrojtjen e titullit?
B. Kanaqi: Po, rrugëtimi im ka filluar që nga shkolla e mesme medreseja, të cilën e kam kryer në Shkodër. Kjo ka lidhje me traditën familjare por edhe me vetë dëshirën. Ndarja nga familja që në moshën 14 vjeçare nuk ishte e lehtë, mirëpo teksa isha në Shkodër, qëndrimi im te familja e Qemuran Muratej, djalit të axhës së nënës sime për mua ka qenë një lehtësim i madh. Një familje e mrekullueshme që është kujdesur për mua si të isha djali i tyre. Gjëja e vetme që duhej të bëja ishte të mësoja. Sfida tjetër ishte ajo e Turqisë si vend krejtësisht i panjohur për mua. Pengesa e parë ishte gjuha turke, pastaj edhe ambientimi në një vend të madh si Turqia. Mirëpo falë disa studentëve nga Ballkani, gjegjësisht Kosova dhe Maqedonia e Veriut, arrita që dalëngadalë të mësohesha me ambientin e ri. Kushtet i kemi pasur të mira, sidomos ato në kursin e turqishtesh ishin tejet të mira, kursi zhvillohej me mjetet më moderne të kohës. Pas një viti kurs në Ankara, Fakultetin e Teologjisë e kam ndjekur në qytetin e Samsunit, qytet në bregun e Detit të Zi. Po aty kam kryer edhe magjistraturën ku kam qëndruar deri në vitin 2005. Vetë fakti që kam qëndruar një kohë relativisht të gjatë në Turqi, rreth 11 vite së bashku me vitet e Bursës, mendoj se është një sfidë më vete. Në shtëpi vija në pushimet verore dhe ato dimërore sipas mundësive. Pasi kam regjistruar doktoraturën kam qëndruar edhe tri vite në Bursa derisa kam kryer provimet përkatëse dhe kam zgjedhur temën. Pastaj jam kthyer në Mal të Zi nga ku kam vazhduar kërkimet dhe punimin e temës, ndërkohë që isha punësuar në Bashkësinë Islame. Më duhej të shkoja shpesh në Bursa në mënyrë që të mbesja i kyçur në doktoraturë. Tema e doktoraturës ishte shumë kërkuese. Përveç bibliotekës së shkollës duhej të lëvizja që të merrja informacione shtesë, qoftë në biblioteka të ndryshme në qytete dhe shtete të ndryshme, qoftë të takoja persona që mund të më ndihmonin për temën po ashtu në qytete dhe shtete të ndryshme, në Ankara, Izmir, Stamboll, Prishtinë, Sarajevë dhe Graçanicë.

Koha Javore: Studimet e magjistraturës dhe të doktoraturës i keni vazhduar në Turqi në qytetet Samsun dhe Bursa. Na tregoni mbi eksperiencën Tuaj atje. Si është të studiosh në Turqi, çfarë perspektive ofron studimi në fakultete të huaja?
B. Kanaqi:
Në Fakultetin e Shkencave Islame, por edhe në fakultete të tjera ka pasur shumë nxënës nga vende të ndryshme të botës. Konkretisht, në Fakultetin e Teologjisë si në Samsun ashtu edhe në Bursa, ka pasur dhe ka ende sot nxënës nga shtete të huaja. Nxënësit nga shtetet e huaja ndajnë të njëjtin ambient me nxënësit turq, si në fakultet ashtu edhe në konvikt për ata që banojnë aty. Një tjetër gjë shumë pozitive është se nxënësit vendas shoqërohen me nxënësit e huaj, pra nuk ka një vijë ndarëse dhe kjo në një farë mënyre të bën të ndihesh si pjesë e asaj shoqërie. Shembull: në Fakultetin e Teologjisë gjersa isha në Bursa ka pasur nxënës nga Ballkani (Kroacia, Bosnja, Shqipëria, Greqia, Bullgaria Rumania, Serbia, Kosova), ndërsa në fakultetet tjera ka pasur nxënës edhe nga shtete të tjera si dhe të përkatësive të tjera fetare dhe kombëtare nga Rusia dhe ish-republikat Ruse, Kina, Iraku dhe vendet e tjera Arabe dhe Afrika. Vinin studentë edhe nga shtete të Evropës përmes programeve “Erasmus” e të ngjashme. Kjo të jep mundësi të njihesh me kultura dhe botëkuptime të tjera, gjë që ta hap horizontin dhe mendjen duke mos e parë botën vetëm nga një kënd por edhe më gjërë. Edhe stafi i mësimdhënësve ishte i larmishëm. Në përgjithësi profesorët ishin nga Turqia, një pjesë e tyre i kishin kryer mësimet pasuniversitare dhe specializimet në Angli, Gjermani, SHBA, Irak, Siri etj, kuptohet flas për kohën time. Të dëgjosh ligjërata nga profesorë të tillë besoj se do të thotë diçka. Turqia dallohet në botën islame për lirinë akademike në fushën e teologjisë.

Koha Javore: A mund të na specifikoni se çfarë ka qenë objekt i studimit dhe hulumtimit Tuaj teksa keni mbrojtur tezën e diplomës për magjistraturë dhe atë të disertacionit për doktoraturë?
B. Kanaqi:
Tema e magjistraturës ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë me fushën e Hadithit/Traditës Islame. Ka pasur të bëjë me fjalët e profetit Muhammed s.a.s. dhe mundësinë e studiuesve dhe kritikëve për t’i dalluar fjalët apo ndarë thëniet të cilat i ka artikuluar ai nga thëniet apo fjalët e njerëzve të tjerë, si dhe metodën që mund të na ndihmojë të bëjmë dallim mes këtyre thënieve. Ndërsa tema e doktoraturës ka qenë për Muhammed Tajjib Okiqin nga Bosnja dhe Hercegovina dhe vendin e tij në shkencën e Hadithit. Në këtë temë kam studiuar jetën e këtij përsoni si dhe punimet e tij në fushën e Traditës Islame pra Hadithit, si dhe këndvështrimin e tij për çështje të ndryshme të kësaj fushe. Tajib Okiqi ka qenë profesori i parë i lëndëve fetare në Fakultetin e Teologjisë në Universitetin e Ankarasë. Fakulteti Teologjik është hapur në vitin 1950.

Koha Javore: Cili do të jetë kontributi Juaj që do të jepni për Bashkësinë Islame në Mal të Zi si doktor i parë i kësaj shkence në vend?
B. Kanaqi:
Tani për tani më shumë jam i koncentrar në mësimdhënie në Medresenë në Tuz ku jap lëndën e Hadithit/Traditës Islame, kuptohet përveç detyrave që kam si zv/Reis. Të gjithë ekperiencën dhe dijen që kam marrë gjatë viteve të studimeve, mundohem ta ndaj me nxënësit, kuptohet brenda kufirit pedagogjik. Me këtë kam për qëllim që sadopak të kontribuoj së bashku me kolegët e mi në rritjen e kualitetit të mësimit. Si mësimdhënës besoj se ky është investimi më i mirë që mund të bëhet sot për sot. Përveç kësaj, kam marrë pjesë dhe jam duke marrë pjesë nëpër konferenca dhe seminare të ndryshme në Mal të Zi dhe jashtë.

Koha Javore: Prej disa vitesh jeni zv/Reis i Bashkësisë Islame në Mal të Zi. Na tregoni mbi kompetencat Tuaja dhe mbi aktivitetet që keni organizuar qëkur jeni në këtë post?
B. Kanaqi:
Si zëvendës/Reis jam në sektorin e marrëdhënieve me Turqinë se dhe sektorin e ndihmave humanitare. Përsa i përket ndihmave humanitare kemi dy organizata: “Horizontin” dhe “Zekatin”. “Zekati” merret ekskluzivisht me ndihma humanitare. Ndërsa “Horizonti” spektrin e aktiviteteve e ka më të gjërë, mirëpo ndihmat humanitare zënë një vend të rëndësishëm në aktivitetet e kësaj organizate.

Koha Javore: Prej më shumë se dhjetë vitesh jeni mësimdhënës në Medresenë “Mehmed Fatih” në Milesh (Tuz). Na flisni mbi punën Tuaj aty, kushtet e punës dhe numrin e nxënësve që ndjekin mësimin aktualisht në këtë shkollë?
B. Kanaqi:
Në rrethana të cilat jetojmë dhe ku jetojmë kushtet e punës janë të mira, kuptohet gjithmonë ka vend për përmirësime. Kemi literaturë si në shqip ashtu edhe në boshnjakisht/malazezisht. Nxënësit kanë të disponueshme bibliotekën, klasën e informatikës të pajisur me kompjuterë, sallën e sportit po ashtu të pajisur me të gjitha mjetet e duhura. Kanë fusha sportive në ambientet e jashtme. Për ata që dëshirojnë të qëndrojnë në konvikt kanë të siguruar ushqimin tri herë në ditë. Medresenë e kemi në dy gjuhë, atë shqipe dhe boshnjake/malazeze. Kështu që çdo prind shqiptar mysliman i cili ka dëshirë që fëmija i tij të marrë edhe edukatë fetaro-morale në shkollën e mesme e shkolla të jetë në gjuhën shqipe, e ka mundësinë që ta bëjë këtë duke e dërguar fëmijën e tij në Medresenë Mehmed Fatih në Tuz. Tani Medreseja ka mbi 350 nxënës.

Koha Javore: Medreseja në Milesh, nga viti në vit nxjerrë të rinj/të reja të suksesshëm/me që pastaj studimet i vazhdojnë edhe në Turqi. Çfarë njohurish përfitojnë të gjithë të interesuarit që shkollimin e mesëm synojnë ta vazhdojnë në këtë medrese, duke ditur që përveç lëndëve teologjike, planprogrami shkollor përfshinë edhe lëndë shkencore dhe sociale?
B. Kanaqi:
Në fakt, pjesa më e madhe e nxënësve vazhdojnë studimet në fakultetet në Mal të Zi, disa në Kosovë, Bosnje dhe Shqipëri. Një numër shumë i vogël shkon në Turqi. Po ashtu duhet ta theksoj se megjithëse medrese, shumica e nxënësve studimet i vazhdojnë në fusha të tjera sociale a shkencore, një numër i vogël vazhdon për shkencat islame. Nxënësit kanë mundësi të zgjedhin në cilën gjuhë dëshirojnë të mësojnë, në shqip apo boshnjakisht/malazezisht. Përveç mësimit të rregullt nxënësit kanë aktivitete vullnetare dhe mundësi të marrin pjesë në gara të ndryshme brenda Malit të Zi dhe jashtë, si në aktivitete mësimore ashtu edhe sportive. Kemi marrëdhënie shumë të mira me shkolla të ndryshme të shtetit brenda Malit të Ti dhe jashtë.

Koha Javore: Si Doktor i shkencave islame, si e shikoni sot përkushtimin e besimtarëve ndaj fesë, sa i përmbushin ata obligimet dhe ritet fetare?
B. Kanaqi:
Personalisht mendoj se tek obligimet dhe ritet fetare nuk jemi keq. Mirëpo shpeshherë më krijohet përshtypja se fenë e kemi mbyllur në faltore. Besoj se duhet të reflektojmë më shumë si besimtarë në punët e përditshme gjatë jetës sonë. Në marrëdhënie me njerëzit, me mjedisin ku jetojmë e pse jo edhe në sjelljet ndaj kafshëve. Besimtari duhet ta mbajë fjalën e dhënë, duhet të jetë i drejtë, duhet ta respektojë tjetrin, duhet ta ruajë mjedisin ku jeton. Besimtarit nuk i ka hije nëse e hedh një send apo plehra kudo duke ndotur ambientin e krijuar papastërti vizuale dhe biologjike. Jam i mendimit se ne si besimtarë duhet të bëjmë më shumë në këtë aspekt të botëkuptimit dhe praktikimit të fesë.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat