Koha Javore: Shkolla shqipe “Mëso shqip” në Stejten Island, Njujork me sukses po vazhdon rrugëtimin e vet në mësimin, ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqipe. A mund të na thoni diçka lidhur me fillët e organizimit të shkollës “Mëso shqip” në Nju Jork?
Arlinda Suka: Shkolla shqipe “Mëso shqip” ka hapur dyert e saj në fillim të muajit prill të vitit 2022, si një iniciativë e përbashkët e tri shoqatave: ‘Kraja”,“Ana e Malit” dhe “ Ulqini”. Unë isha e privilegjuar kur mora ftesën nga këto tri shoqata që të jem pjesë e kësaj shkolle në rolin e mësuesës së gjuhës shqipe dhe pa hezitim pranova të ushtroj detyrën e mësueses në mënyrë vullnetare më shumë kënaqësi e dëshirë.
Organizimi ka shkuar për mrekulli që në fillimet e shkollës dhe ashtu po vazhdon, më një harmoni të paparë si me organizatat ashtu dhe me të gjithë stafin e shkollës. Edhe pse ka filluar si diçka eksperimentale dhe pa ditur se sa do jetë numri i nxenësve, pa ndonjë plan afatgjatë e nisëm këtë rrugëtim më dëshirë të madhe, më qëllim për ruajtjën dhe kultivimin e gjuhës shqipe, për ruajtjen e traditës, kulturës përmës mësimit të gjuhës amëtare në shkollë dhe permës këngës dhe vallës shqipe.
Koha Javore: Sa është numri i nxënsëve në këtë semestër? Sa mësuese e zhvilloni mësimin e gjuhës?
Arlinda Suka: Në semestrin e parë në periudhën prill-qershor kemi pasur 130 nxënës, ndërsa kur hapëm dyert përsëri në tetor në semestrin e dytë shkolla jonë numëron afro 230 nxënës. Në janar të vitit 2023 do kemi dhe regjistrime të reja, kemi nxënës në listën e pritjes të cilët presin me padurim të jenë pjesë e shkollës sonë. Kjo pa asnjë dyshim do të realizohet shumë shpejt dhe numri i nxënsëve do të shtohet dukshëm.
Për momentin jemi dy mësuese të gjuhës shqipe unë Arlinda Suka dhe Merita Gjokaj, të dyja jemi mësuese të çertifikuara, të diplomuara në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, mësuese me përvojë të cilat para ardhjes në Amerikë kemi punuar mësuese në vendlindje. Të njëjtin profesion po e ushtrojmë edhe këtu në Amerikë. Për dallim nga atje, këtu profesionin tonë konsideroj se e kemi edhe mision të veçantë. Nëse gjithkund misioni i mësuesit është i shenjtë, këtu në Amerikë konsideroj se ai është më shumë.
Koha Javore: Sa janë të interesuar prindërit që fëmijët t’i çojnë në shkollën shqipe?
Arlinda Suka: Prindërit janë shtytësit kryesor që nxisin nxënësit të ndjekin shkollën shqipe dhe duke i falenderuar ata, ne sot kemi numër të konsiderueshëm të nxënësve të cilët çdo ditë po shfaqin interesim të madh për të mësuar e vallëzuar shqip. Ne duam t’i falënderojmë ata që janë përkrahësit tonë numër një dhe që po na besojnë fëmijët e tyre, më të shtrenjtit e tyre dhe po i dërgojnë të mësojnë, ta flasin dhe ta shkruajnë gjuhën shqipe. Kjo gjë është për çdo lëvdatë.
Koha Javore: Pasi që Ju jeni mësuse që këni mbajtur mësim për shumë vjet në Ulqin para se të emigroni në SHBA, jeni edhe autore e dy librave shkollor. Na thoni diçka si e keni organizuar mësimin në shkollën “Mëso shqip”, dhe a paraqet vështirësi realizimi i synimeve të programit mësimor që i këni vënë vetës në punën me nxënësit?
Arlinda Suka: Po unë kam punuar rreth 11 vjet mësuese në Ulqin dhe tani fatmirësisht po e vazhdoj misionin tim si mësuese edhe këtu në Amerikë. Po ashtu jam autore e dy librave të cilët janë botuar në vitin 2014 dhe në vitin 2021, të cilët janë të lidhur ngusht me procesin mësimor dhe në fokus kanë mësimdhënien dhe mësimxënien. Pra shkollën dhe nxënësin. Padyshim eksperienca ime disa vjeçare si mësuese ma ka lehtësuar punën, dhe kur fillova këtu në Amerikë në shkollën shqipe ishte e lehtë për mua t’i përshtatem ambientit të këtushëm, këtyre fëmijëve dhe nuk pata vështirësi bashkë më mësuese Meritën të organizojmë mësimin dhe të realizojmë synimet e programit mësimor të cilin e kishim planifikuar të arrijmë.
Koha Javore: Si është organizimi i mësimit të gjuhës shqipe në shkollë? A keni tekste të nevojshme për realizimin e programit mësimor?
Arlinda Suka: Organizimi i mësimit është pak i vështirë sepse nuk kemi një plan-program, kurkulum, duhet të planifikojmë çdo gjë vet, por duke falënderuar Konsulatën e Kosovës këtu në Nju Jork kemi siguruar disa libra dhe materiale më të cilat kemi vijuar mësimet në semestrin e parë, ndërsa tani shoqatat kanë siguruar edhe abetaret per moshat 4-10 vjecare (abetaret mbarëkombëtare). Secili fillim i ka vështirsitë e veta. Në këtë semestër jemi të lokalizuar në një shkollë publike dhe kushtet janë më të mira se në fillimet e para të shkollës, kemi të gjitha mjetet bashkohore të nevojshme për mësim dhe bëjmë përpjekje që të japim maksimumin gjatë punës sonë më fëmijët/nxënësit. Besoj se çdo ditë e më shumë po përmirsohemi dhe jemi në drejtimin e duhur sa i përket organizimit të mësimit.
Koha Javore: Krahas mësimit të gjuhës, në shkollë organizohen edhe orë vallëzimi shqip. Kush e mbanë mësimin e vallëzimit?
Arlinda Suka: Po, përveç mësimit të gjuhës shqipe kjo shkollë për nxënës ofron edhe vallëzim dhe këndim në gjuhën shqipe ku mësueset e përkushtuara Nadia Hoxha dhe Hanah Demiri japin maksimumin e tyre çdo javë duke përgatitur valle e koreografi të mrekullushme me motive patriotike e shoqërore nga të gjitha trevat shqiptare.
Ato punojnë fort dhe fëmijët e prindërit janë të kënaqur më përformansat që këto mësuese po realizojnë. Nxënësit tonë kanë marrë pjesë në disa evenimente këtu në Nju Jork me valle të përgatitura me mjeshtëri nga këto mësuese entuziaste të cilat çdo ditë e më shumë po dëshmohen se janë profesioniste të vërteta.
Koha Javore: Sa ndikon mësimi i gjuhës, vallëzimi dhe folklori shqip në ruajtjen e identitetit kombëtar në mjedisin ku vepron shkolla shqipe? Jepni mendimin Tuaj.
Arlinda Suka: Mendoj se ndikon pozitivisht, sepse nxënësit duke ndjekur mësimet dhe vallëzimet në këtë shkollë nuk do të harrojnë kurrë nga vijnë dhe nga i kanë rrënjët e në këtë mënyrë do ta mbajnë të gjallë kulturën, gjuhën, traditen dhe do ta bartin brez pas brezi. Kjo na flet shumë.
Qëllimi tjetër ynë si shkollë është që këta mes këtyre nxënësve të krijohet socializimi i fëmijëve shqiptarë brenda komunitetit, pse jo të krijohen edhe miqësi të reja që nesër ndoshta do të përfundojnë me ndonjë fejesë dhe martesë.
Është bukur kur i shikon korridorët e shkollës përplot më këta filiza shqiptarë të cilët çdo ditë shihen me buzëqeshje në fytyrë dhe më dëshirë të madhe për të ardhur çdo të diele në këtë shkollë. Besoj se ky është rrezultati më i mirë për ne si mësuese.
Koha Javore: U përgëzoj për punën që bëni në komunitet në ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës duke përcjellë tek brezi i ri trashëgiminë gjuhësore e kulturore kombëtare. Ju falënderoj për intervistën!
Arlida Suka: Faleminderit shumë! Ishte kënaqësi për mua që mu dha rasti të jap këtë intervistë për të vetmen medie të shkruar shqipe në Mal të Zi. Përzemërsisht e falënderoj redaksinë e Kohës Javore që ndjek nga afër aktivitetin e shkollës sonë. Mirënjohje dhe falënderime pafund per ju!
Intervistoi: Ali Gjeçbritaj