Shuarja e një pishtari të arsimit në Anën e Malit

Ka njerëz që largohen nga kjo botë pa zhurmë, por lënë pas një jehonë që nuk shuhet kurrë. Të tillë janë pishtarët – ata që kanë ndriçuar jetën e të tjerëve me dije, përkushtim dhe zemër të madhe. Një i tillë ishte Halit Avdiu, mësuesi i urtë i Anës së Malit, që u nda nga jeta më 21 prill 2025, në moshën 97-vjeçare.
I lindur më 10 mars 1928 në Sukubinë, Haliti i përkiste një brezi të përkushtuar që luftoi për dijen në kushte shumë të vështira. Në një kohë kur shkollimi në gjuhën amtare ishte pothuajse i ndaluar, ai e filloi shkollën në gjuhën serbokroate – një gjuhë që as ai e as fëmijët e zonës nuk e njihnin.
“Na u kërkua jo vetëm ta mësonim, por edhe ta flisnim në shtëpi”, kujtonte ai me dhembje. Megjithatë, kjo sfidë nuk e theu, por e kaliti karakterin e tij. Në vitin 1943, me mbështetjen e të atit – një njeri i përkushtuar ndaj fesë dhe dijes – u nis drejt Medresesë në Shkodër, por ëndrra u ndërpre nga mbyllja e kufirit. Kështu, u rikthye për të ndihmuar familjen dhe për të vazhduar përpjekjen për dije në vendin e tij.
Në vitin 1946 nisi të jepte mësim në kurset e analfabetizmit për gratë – një thirrje që e përjetoi si kthesën më të madhe të jetës. Kur ishte vetëm 19 vjeç, u bë mësues i emëruar në Dragoviq më 1947, ku nisi rrugëtimin në arsim. Më 1951, falë përpjekjes së Faik Avdiqit, u transferua në shkollën e Shtodrit, ku punoi për 12 vite, në dy turne, me dashuri e durim të pashoq.
Shërbimin ushtarak e kreu mes viteve 1948-1950 në Titovo Uzhicë dhe mori pjesë vullnetarisht në ndërtimin e hekurudhës Doboj – Banja Llukë. Më 1990 doli në pension, duke lënë pas një kontribut prej 44 vitesh në edukimin e brezave.
Në jetën e tij, Haliti gjithashtu ka pasur një lidhje të ngushtë me traditat e familjes dhe me angazhimin për arsimimin e brezave. Ai gjithmonë ka vlerësuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave, respektit dhe miqësisë, duke krijuar raporte të forta me shoqërinë e tij dhe duke qenë një shembull i mençurisë dhe urtësisë për të tjerët.
Ai dhe bashkëshortja e tij, Hasija, rritën tre djem – Jakupin, Muharremin dhe Selatinin – dhe u bënë gjyshër e stërgjyshër krenarë të një familjeje të madhe. Me natyrë të qetë, i urtë dhe me memorie të mahnitshme deri në fund, Haliti ishte një thesar njerëzor dhe kujtim i gjallë i një epoke që nuk duhet harruar.
Në një bisedë për emisionin “Portreti”, ndau me mua shumë nga këto kujtime. Shprehjet e tij mbeten gjurmë të paharrueshme të një njeriu që jetoi me dinjitet dhe përkushtim. Ai kritikonte hapur mangësitë e arsimit të sotëm dhe kujtonte me mall kohën kur “nuk kalohej klasa pa dije, s’kishte nota për hatër”.
Halit Avdiu nuk ishte thjesht mësues – ai ishte vetë fryma e shkollës. Ai ishte kujtesa, ndërgjegjja dhe zëri i butë i një kohe të vështirë, por të ndershme.
Pas largimit të tij, Ana e Malit dhe Ulqini ndien zbrazëti, por edhe krenari. Sepse rrallë lindin njerëz si ai – që nuk flasin shumë, por lënë pas një histori që flet përjetësisht.
Lavdi jetës dhe veprës së Halit Avdiut. Kujtimi i tij nuk do të shuhet kurrë – do të mbetet pishtar që do t’i ndriçojë brezave rrugën drejt dijes, dinjitetit dhe mirësisë.

Hatixhe Nelaj

Të fundit

më të lexuarat