Qamil Maraj (1950–2017)

Të hënën, më 17 korrik 2017, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 67-vjeçare u nda nga jeta profesori i gjuhës dhe i letërsisë shqipe nga Ulqini, Qamil Maraj. Lajmi për vdekjen e Qamilit u përhap me shpejtësi gjithandej kah frymojnë shqiptarët dhe jo vetëm.
Qamili ka lindur në Ftjan, më 3 tetor 1950. Shkollën fillore katërklasëshe e kreu në vendlindje, shkollë kjo e cila filloi punën dy vite më parë, saktësisht më 1958. Ciklin e lartë të tetëvjeçares e kreu në Ostros, më 1965, ndërsa shkollën e mesme-gjimnazin në Ulqin në vitin 1969. I takon gjeneratës së parë të kësaj shkolle të mesme në Ulqin me mësim në gjuhën shqipe.
Pas kryerjes së gjimnazit, në tetor të vitit 1969 regjistrohet në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë. Ka qenë student i shkëlqyeshëm, kështu që në tetor të vitit 1974 diplomon dhe merr titullin “profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe”.
Punën më nxënës e nisi në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Ostros, në shtator të vitit 1973 dhe pandërprerë dha mësimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë në këtë shkollë plot pesë vjet, deri në vitin 1978. Këtu ai afirmohet si mësimdhënës i zellshëm në procesin mësimor dhe shumë aktiv në aktivitetet jashtëshkollore.
Në tetor të vitit 1978 kalon në Shkollën Fillore “Marshall Tito” në Ulqin, ku punon derisa doli në pension më 2016. Edhe këtu Qamili afirmohet si mësimdhënës i shkëlqyeshëm në procesin mësimor dhe në aktivitete të lira të shkollës. Për më shumë se dhjetë vjetë ishte redaktor i revistës “Fjala jonë” të Shkollës Fillore “Marshall Tito”, që botohet një herë në vit.
Profesorin Maraj e hasim edhe në shumë recensura të teksteve shkollore, që janë në përdorim në shkollat shqipe në Malin e Zi e që botohen nga Enti për Shkolla i Malit të Zi. Po ashtu ka qenë i angazhuar në komisione të shumta për hartimin e planprogrameve mësimore për shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
Qamili është autor dhe koautor i teksteve shkollore për mësimin e gjuhës shqipe, duke filluar nga viti 1990 e deri në ditët e sotme. Teksti letrar – Libri i leximit për klasën e pestë dhe lektyra shtëpiake e të njëjtës klasë, të cilët janë në përdorim në shkollat shqipe në Mal të Zi, Qamili është bashkautor me mr. Haxhi Shabanin.
Vdekja e parakohshme e profesorit Qamil Maraj është pa dyshim humbje e madhe për shkollën shqipe në Mal të Zi, gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare. S’ka dyshim se humbjen më të madhe me ikjen nga kjo botë e ka familja e tij, e cila mbeti pa njeriun e dashur dhe zotin e shtëpisë.
Varrimi i Qamilit u bë të hënën në fshatin e lindjes në Ftjan. Ne ceremoninë mortore morën pjesë numër i madh qytetarësh nga Ulqini, Tivari, Shkodra, Kosova, Kraja, Ana e Malit etj.
Qamili edhe pse fizikisht më nuk është në mesin tonë, ai la kujtime të pashlyeshme tek nxënësit e tij, kolegët e punës, tek të afërmit dhe tek të gjithë ata që e njohën. Vepra jetësore e profesorit Qamil Maraj do të mbetet e pashlyeshme gjithandej kah jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.
Kolegu dhe miku im, të qoftë i lehtë dheu i tokës që të rriti. Ajo tokë që kombit i dha intelektualë të mëdhenj. Një ndër ta edhe ti shoku ynë, Qamil Maraj. U prehsh në paqë. Ali Gjeçbritaj

Të fundit

më të lexuarat