Të nderuar familjarë, miq, shokë e bashkëveprimtarë të Ibrahimit, ju nga Kraja, Ana e Malit, Ulqini, Shkodra e Kosova,
Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni që me këtë rast plot dhimbje e pikëllim, me rastin e vdekjes së Ibrahimit, kur po i japim përcjelljen e fundit për në jetën e përtejme, t’i them disa fjalë lamtumirëse e falënderuese.
Ibrahim Berjashi lindi më 23 prill 1948 në katundin Berjashaj – Ostros të Krajës, në një familje të ndershme e punëtore, në kohë të vështira, menjëherë pas luftës, në ato kohë që jetuan si gjithë krajanët, me atë bujqësi e blegtori që Kraja ofronte në ato kohë, me prodhimin e duhanit, gështenjave e të tjera, që mundësuan shkollimin në ato rrethana të vështira ekonomike, besa edhe politike. I ati, Meha Nila, ishte për shumë vjet me radhë muezin në xhaminë e katundit.
Ibrahimin e pata koleg, bashkudhëtar gjatë klasave të larta në Shkollën Fillore në Ostros, për tri vjet, mandej edhe në shkollën normale “Zenel Hajdini” në Ferizaj, për katër vjet rresht, si edhe në internat, ku banuam gjatë viteve të 60-ta, pastaj si kolegë punuam bashkë edhe mësues në Shkollën Fillore në Ostros dhe tash 20 vitet e fundit, e kisha komshi të parë.
Menjëherë pas shkollës fillore që e kreu në Ostros, Ibrahimi bashkë me disa nxënës nga Kraja dhe Ana e Malit erdhi dhe u regjistrua në Shkollën Normale në Ferizaj, ku unë me 6, 7 nxënës të tjerë, një vjet më përpara, e kishim “zbulua” Ferizajin, ishim regjistruar të parët në këtë shkollë të mesme për mësues.
Kështu, pothuajse jetuam, u rritëm dhe u plakëm në shumë udhëtime të jetës, që nga Kraja, Kosova, e cila na dha shkolla, së cilës duhet t’i falënderohemi shumë, se pa Kosovën, nuk di si do të shkonte puna e shqiptarëve të këtyre trevave etnike, kur Qeveria, regjimi i atëhershëm i Malit të Zi na i mbylli shkollat në gjuhën shqipe dhe na përndoqi, kur kufijtë e Shqipërisë ishin mbyllur hermetikisht e shpëtimin e gjetëm atje, në Kosovë, që frytet po i gëzojnë e i gëzojmë sot, deri, pastaj në Ulqin.
Kur studentët nga Kraja, të cilët studionim në Universitetin e Prishtinës dhe në shkolla të tjera të larta në qytetet e tjera të Kosovës, themeluam shoqatën studentore atdhetare, Klubin e Studentëve nga Kraja “Shqiponjat”, Ibrahimi të nesërmen e botoi si lajm në gazetën e përditshme “Rilindja”. Ai, që atëherë u përcaktua se do të bëhej gazetar. Ashtu edhe ndodhi. Ibrahimi nga viti 1975 deri në vitin 2002 ka qenë gazetar, korrespodent i rregullt i “Rilindjes”, pastaj te “Bota sot”, te “Bujku” etj.
Me letërsi ka nisur të merret që në bankat e shkollës së mesme.
Ka bashkëpunuar me të gjitha gazetat e revistat në gjuhën shqipe në: Titograd (Podgoricë), Prishtinë, Shkup, Ulqin: “Jeta e Re”, “Fjala”, “Jehona”, “Pionieri”,“Fatosi”, “Fati”, “Zana” etj.
Ishte iniciator dhe kryetar i parë i SHAI “Art Club”, me seli në Ulqin, si dhe bashkërendues i takimeve ndërkombëtare letrare “Kalimera Poetike” që mbahen në Ulqin tradicionalisht në fillim të gushtit, duke e pagëzuar këtë vend “Qyteti i Poezisë”.
Ishte anëtar i redaksisë së revistës “Koha”, e cila u botua në Titograd (Podgoricë), nga viti 1978-1988. Po ashtu, ishte kryeredaktor i revistës “Fati”. Në vitet e luftës 1998 dhe 1999 botoi gazetën “Shpresa”, gazetë për të përndjekurit kosovarë që gjetën strehim në Mal të Zi.
Ibrahimi ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar “Shkodra ndër shekuj”, ndërsa me SHAI “Art Club” në vitin 1995 ka organizuar Simpoziumin Mbarëshqiptar për 440-vjetorin e botimit të Mesharit të don Gjon Buzukut, që është vlerësuar si konferencë e parë gjithëshqiptare.
Në gazetën “Rilindja” punoi deri në vitin 2002, kur ajo përfundimisht u mbyll. Në vitin 2004 u punësua dhe deri në pensionim punoi gazetar dhe redaktor në Televizionin “Teuta” në Ulqin. Me punën dhe angazhimin e tij në këtë televizion, la pas vetes një arkiv të pasur me emisione nga lëmi të ndryshme të jetës shoqërore, kulturore, arsimore e politike të këtyre trevave dhe më gjerë. Ibrahimi, vlen të përmendet për punën e tij, për gjithë këto vite si gazetar me përvojë, në Televizionin Teuta, po edhe më parë, edhe për kontributin shumë të rëndësishëm në informimin e diasporës sonë, për ngjarjet më të rëndësishme nga vendlindja dhe anasjelltas. Këtu realizoi disa dokumentarë televizivë etnografikë, si atë për Arbneshët e Zarës, “Dita e Tratkës në Krajë”, “Mullinjtë e Millës”, “Nuk tëhuajësohet Valdanosi” etj.
Ibrahim Berjashi është shkrimtar i njohur dhe i dalluar për fëmijë. Përmbledhjet e tij janë pjesë e lektyrave shkollore. Gjatë gjithë jetës punoi me përkushtim për kultivimin, ruajtjen, afirmimin e begatimin e kulturës e letërsisë kombëtare shqipe, me porosi të qartë – ruajtjen e identitetit kombëtar. Me shkrimet e tij gazetareske, ai informoi publikun e gjerë shqiptar e jo vetëm, për shqiptarët në trojet e veta etnike, sot në Malin e Zi dhe integrimin e tyre në trungun mbarëshqiptar.
Në fillimet e shumëpartiaksisë, ishte ndër të parët që me shkrimet e tij në gazeta dhe në emisione televizive, me artikuj, intervista etj. informoi opinionin e gjerë për aktivitetet shoqërore, kulturore e politike të partisë së parë politike shqiptare – LD në MZ, e më vonë edhe për subjektet e tjera. Kështu bëri që të njihet aktiviteti i gjerë shoqëror-politik e atdhetar i partive politike shqiptare në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar.
Ibrahimi, siç e përmenda, ishte për shumë vite një figurë e rëndësishme në Televizionin ”Teuta”. Me punën dhe angazhimin e tij lë pas vetes një arkiv të pasur të emisioneve nga lëmi të ndryshme. Informoi diasporën për ngjarjet më të rëndësishme nga vendlindja etj.
Të nderuar të pranishëm, familjarë të Ibrahimit, farefis dhe të afërm, shokë, miq, kolegë, bashkëveprimtarë dhe të gjithë ju që e njohët Ibrahimin, këtu e në diasporë (mërgim), por që nuk patët mundësi të jeni sot të pranishëm, më lejoni që në emrin tim, të bashkëveprimtarëve atdhetarë dhe të krijuesve letrarë, t’ju shprehi ngushëllime të sinqerta.
Faleminderit të gjithë ju që sot jeni këtu. Nderuat Ibrahimin, familjen, të gjithë ne, por edhe veten dhe familjet tuaja.
Ibrahimi pastë rahmet dhe ju të tjerët paçi shëndet e i paçi me jetë!
I qoftë i lehtë dheu i tokës ku u lind e u rrit!
Mehmet Bardhi
(Fjala lamtumirëse mbajtur me rastin e vdekjes së shkrimtarit e publicistit Ibrahim Berjashi, në Ulqin, më 16 mars 2025)
Punoi me përkushtim për ruajtjen e identitetit kombëtar
Gjatë gjithë jetës punoi me përkushtim për kultivimin, ruajtjen, afirmimin e begatimin e kulturës e letërsisë kombëtare shqipe, me porosi të qartë – ruajtjen e identitetit kombëtar. Me shkrimet e tij gazetareske, ai informoi publikun e gjerë shqiptar e jo vetëm, për shqiptarët në trojet e veta etnike, sot në Malin e Zi, dhe integrimin e tyre në trungun mbarëshqiptar