Nga Prishtina, më 28 prill të këtij viti, u kumtua dhe si vetëtima u përhap lajmi i hidhur që në moshën 69 vjeçare ndërroi jetë Ali Dervish Lajçi, politikan, veprimtar universal dhe i burgosur politik.
Ka lindur në fshatin Malaj të Rugovës së Pejës më 3 janar të vitit 1955, nga prindërit Rushë dhe Dervish Lajçi, në familje tipike tradicionale shqiptare malësore, me veti dhe tipare atdhedashëse, patriotike, mikpritëse e bujare.
Ali Dervish Lajçi shkollimin fillor katërklasësh (I-IV) e ka kryer në fshatin e lindjes Malaj, ndërsa katër klasat e ciklit te lartë (V-VIII), i ka kryer në shkollën fillore tetëvjeçare në fshatin Drelaj të Rugovës. Shkollimin e mesëm e ka vijuar dhe përfunduar në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë. Studimet i ka ndjekur në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe, të cilat i ka përfunduar në afat të rregullt me sukses të lartë.
Që nga rinia e hershme Aliu ishte veprimtar i denjë dhe i paepur i çështjes kombëtare shqiptare. Është ish i dënuar politik nga regjimi i Serbisë. Në vitin 1981 të shekullit të kaluar, ka qenë organizator i demonstratave studentore, për çka edhe ishte i dënuar me 15 vjet burg. Pas lirimit më 1991, sërish burgoset në vitin 1993 për organizimin e rezistencës së armatosur (UÇK).
Që nga viti 2001 deri në vitin 2007 ka qenë kryetari i parë i zgjedhur i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 e deri në vitin 2010, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në kohën e shpalljes së pavarësisë së vendit ishte deputet nga Grupi Parlamentar i LDK-së. Ka qenë edhe ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës. Ka kryer detyra dhe funksione të ndryshme të rëndësishme shtetërore.
Në nderim të jetës, veprës dhe kontributit për Shtetin e Kosovës, më 30 prill, në ditën e varrimit, u mbajt Orë Përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallati të Rinisë në Prishtinë për veprimtarin dhe ish deputetin e Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçin. Në këtë ngjarje ishte i pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca. Në përkujtim të veprimtarisë mbi 45 vjeçare të Ali Dervish Lajçit, ndër të tjera Kryeparlamentari i Kosovës Glauk Konjufca tha se veprimtari i denjë i çështjes kombëtare Ali Lajçi do të kujtohet për kontributin e tij shumëdimensional për popullin, për shtetin e në veçanti për dashurinë e pakushtëzuar për popullatën e Kosovës, për kombin shqiptar.
Për jetën dhe veprimtarinë e bujshme të Ali Lajçit foli edhe bashkëveprimtari, bashkëvendësi, miku dhe shoku, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, i cili u shpreh: “Ai e filloi jetën në Alpet Shqiptare dhe u zotua se do t’i gjasojë asaj madhështie të bjeshkëve të Rugovës; u rrit me famën e Kelmendit, fis i kryengritjeve disashekullore kundër osmanëve, që nga Mbishkodra e deri në Pejë; u burrërua me namin e të parëve dhe në Prishtinë e bëri namin më 1981. Për kryeveprën gjeneratës së Ali Lajçit, e njohur në histori me emrin Demonstratat e vitit 1981, jemi krenarë dhe do të krenohen edhe të tjerët pas nesh, madje djalë pas djali. Ajo ishte kurorë e Lëvizjes Kombëtare dhe paraprijëse e luftës së tri ushtrive tona çlirimtare, 1997-2001.”
Në Akademin Përkujtimore në emër të familjes foli edhe djali i të ndjerit Lajçi, Ngadhnjim Lajçi, i cili fjalën memoriale e filloi duke falënderuar të pranishmit që morën pjesë në këtë ngjarje në nderim të babait të tij. Ai u shpreh se babai i tij ishte një person, veprat e të cilit do ta mbajnë gjallë me krenari në zemra dhe mendjet tona, frymëzim jo vetëm për familje.
Krerë dhe personalitete të shquara të institucioneve dhe partive, bënë homazhe duke kujtuar figurën e Aliut me fjalë të mëdha, disa prej të cilave i shkruajtën edhe në librin e zisë. Homazhet u bënë para arkivolit, i cili ishte i vendosur në korridorin e Kuvendit të Kosovës.
Në fjalimet memoriale ndër të tjera u tha se Ali Dervish Lajçi ishte një figurë e shquar në rrugën për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij. Ai ishte një zë i fortë dhe i vendosur për të mbrojtur interesat e Kosovës. Angazhimi i tij për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit prej demarkacionit të Murat Mehës, ishte i shquar dhe i pamohueshëm. Kontributi i tij si kryetar i Komunës së Pejës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës do të kujtohet gjithmonë.
Ngushëllime për familjen e tij dhe të gjithë ata që e njohën dhe e respektuan.
Ali Dervish Lajçi, u varros më 30 prill 2024 në Varrezat e Dëshmorëve dhe Kolosëve Shqiptar në Velani të Prishtinës, me nderimet më të larta. Pjesëmarrja masovike e të pranishmëve në ambientet ku ishte i vendosur arkivoli i tij dhe lamtumira e tij e fundit për në shtëpi të përmotshme në varrezat madhështore, ka dëshmuar për figurën dhe personalitetin e tij njerëzor, intelektual e profesional. Prania e tyre tregoi respektin që ai ka pasur kudo. Aliu pas vetes la bashkëshorten Fiqjen, djemtë Ngadhnjimin e Gencin dhe vajzën Arbëreshën.
Ali i nderuar, pusho i qetë në varrezat madhështore të kryeqendrës së Kosovës, për të cilën pa u kursyer punove dhe veprove afro një gjysmë shekulli. Të qoftë i lehtë dheu mbi banesën tënde të përmotshme. Lavdi, nderim dhe respekt jetës dhe veprimtarisë sate të bujshme.