Muharrem (Elez)Hardolli

(1951-2023)

Të premten, më 3 nëntor 2023 pas një sëmundje të rëndë në Nju Jork në moshën 72 vjeçare ndërroi jetë profesori i historisë nga Kraja, Muharrem Hardolli. Lajmi për vdekjen e tij më trishtoi pa masë, jo vetëm mua që e kam pasur shok, koleg në punë, bashkëveprimtar, por edhe gjithë Krajën dhe trojet shqiptare në Mal të Zi dhe jo vetëm.
Muharremi u lind në Hardoj, Ostros i Vogël, me 11.10.1951. Është i biri i Elezit dhe i Minës. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren i kreu në Ostros, gjimnazin në Ulqin, ndërsa fakultetin në Prishtinë.
I etur për shkollim, edhe pse kushtet ekonomike nuk i pati të volitshme, me vullnet të çeliktë, ashtu siç edhe ishte natyra e tij, menjëherë pas kryerjes së gjimnazit regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, Dega e Historisë, ku u diplomua më 1.07.1977 dhe mori titullin profesor i Historisë. Ishte profesori i parë i kësaj lënde që dha mësim në shkollën e Ostrosit. Para ardhjes së tij, lëndën e Historisë në shkollë e jepnin kuadro të pakualifikuara. Me profesorin e ri të historisë shkolla u pasurua me një kuadër të mirëfilltë profesional. Hardolli punën me nxënës e filloi në Kosovë, në Artanë (Novo Brdo) ku punoi pak vite dhe e vazhdoi në vendlindje, në shkollën e Ostrosit ku nisi punën më 24 shkurt 1975, si student i vitit të katërt, absolvent. Gjatë punës së tij më nxënës është dalluar si profesor i zoti. Puna më nxënës, siç thoshte shumë herë i jepte kënaqësi të veçantë. U gëzohej pa masë sukseseve të nxënësve. Hardolli nxënësin e konsideronte si shok dhe gjatë komunikimit me ta ai këtë raport me ta e aplikonte gjithmonë. Zaten, kjo formë e punës i dha rezultate të lakmueshme në procesin edukativo-arsimor. Pothuaj gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë kujdestar klase. Është fort mirë e ditur se kujdestar klase duhet të jenë ata mësimdhënës që dallohen në punën edukativo-arsimore me nxënës. Të prekshme janë edhe rezultatet që ka arritur përmes aktiviteteve të lira, sidomos ata të seksionit të historianëve të rinj. Nuk janë të pakta dekoratat e shpërblimet që kanë marrë nxënësit e tij në garat e historianëve të rinj. Kabineti i profesorit të historisë është dalluar për mjetet demonstruese që Hardolli i ka punuar vetë dhe në bashkëveprim me grupin e historianëve të rinj të shkollës.
Nisur nga edukimi patriotik familjar, Muharrem Hardolli me daljen në skenën politike të pluralizmit në Malin e Zi, pas formimit të subjektit të parë kombëtar, LD në MZ, u zgjodh kryetari Degës së LD në MZ në Krajë. Këtë funksion e ushtroi nga viti 1990-1998. Nga viti 1998 deri në nëntor të vitit 2001 ushtron vullnetarisht detyrën e kryetarit të Bashkësisë Vendore Ostros kur emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hardolli ishte në krye të Këshillit Organizator për ngritjen e bustit të Skënderbeut, i cili u vendos në oborrin e shkollës me të njëjtin emër në Ostros e që u përurua më 15.08.2001.
Aktiviteti i tij jetësor nuk ndaloi me kaq. Ai ka botuar shtatë libra: “Vëllezërit martirë, Abdyl e Xhelal Hardolli”, “Fisi Hradolli ndër Shekuj”, “Mori Kraja nën Rumi”, “Kranjanët në Amerikë”, Shkolla Shqipe në Krajë” dhe “Historianët që kanë shkruar për shqiptarët në Mal të Zi “, “Një jetë e trazuar”. Profesori i historisë, Muharrem Hardolli e ka dëshmuar me punë e veprimtari, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe jashtë saj. Ka punuar e vepruar në vendlindje, Krajë por edhe në mërgim, Amerikë ku jetoi e veproi më shumë se njëzet vjet. S’besoj se ka ndonjë që mund t’ia mohojë punën dhe veprën humane, shoqërore dhe kombëtare të tij, (strehimi i familjeve të ikura nga lufta në Kosovë, vendosja e pllakës, Varri i Kurtit në Ostros, realizimi i Dasmës së Krajës me SHKA “Kraja”, i vetmi incizim filmik i bërë ndonjëherë për dasmën e Krajës, profesor shumëvjeçar i lëndës së Historisë në shkollën “Gj. K. – Skënderbeu”, kryetari i parë i Degës së LD në MZ në Krajë, kryetar i BV Ostros, këshilltar në KK të Tivarit etj. themelues i SHKA “Liria” më 1981 më vonë “Kraja” etj.
Kraja sot ka humbur një intelektual, veprimtar të pashoq i cili me punën dhe veprën e vet ishte shembull më i mirë se si duhet ruajtur trashëgimia kulturore, gjuha, kombi.
Arsimi shqip në Mal të Zi mbeti pa një veteran të arsimit, i cili u dëshmua me punë për shumë vjet në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri. Ish-kolegët e punës mbetën pa një shok të mirë e bashkëpunëtor, ndërsa ish-nxënësit e tij pa profesorin e tyre të historisë.
Kraja, e jo vetëm ajo, sot mbeti pa një veprimtar të devotshëm, pa një aktivist të pashoq të çështjes kombëtare.
Humbjen më të madhe padyshim se e ka familja bashkëshortja, djali, vajza, vëllai dhe motra. Familje e cila prej sot i duhet të përballet me mungesën e tij fizike. Dhashtë Zoti u çon durimin dhe besimin në më të madhin e kësaj bote.
Ne sinqerisht ndajmë dhimbjen e thellë me ta dhe më të gjithë familjarët e tjerë.
Muharremin, të cilin po e përcjellim në botën e amshueshme, në këtë jetë e karakterizuan virtytet më të larta njerëzore: morali i lartë, sinqeriteti, besa, korrektësia, parimet etj.
Të gjitha këto si dhe shumë të tjera sot Muharremi i mori me vete. Neve na mbetët që ta kujtojmë Muharremin shokun, kolegun, mikun e dashur, mësimdhënësin, fqinjin tonë dhe të lutemi që shpirti tij të pushojë i qetë në parajsë.
Lamtumirë shok i dashur Muharrem Hardolli!
I lehtë të qoftë dheu i tokës së vendlindjes!
Pusho në paqe!
Përjetësisht mirënjohës punës dhe veprimtarisë tënde!

Ali Gjeçbritaj

Të fundit

më të lexuarat