Më 1 shkurt 2025 ndërroi jetë mjeku epidemiolog Prof. dr. Isuf Dedushaj. Në maj të vitit 2003, në Prishtinë, prof. Isuf Dedushaj ishte panelist në përurimin e librit tim “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”. Në prill 2024, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi organizuan në Ulqin përurimin e enciklopedisë së tij për mjekët shqiptarë dhe të librit tim.
Pas dy javësh, në Qendrën Rinore “Arka” në Shkodër, nën udhëheqjen e Dr. Astrit Becit u mbajt përurimi i dy librave të lartpërmendura. Në një ceremoni të posaçme, dy autorët u dekoruan me mirënjohje nga kryetari i Qarkut Shkodër. Ndërsa në emër të KKSH-së, kryetari Faik Nika ia dorëzoi mirënjohjen Dr. Astrit Becit.
Në vazhdim biografia profesionale dhe shkencore e dr. Isuf Dedushajt.
Mjek, epidemiolog, doktor i shkencave, profesor universitar. Lindi në Vuthaj – Guci, më 10.10.1951, në një familje me tradita të larta atdhetare. Shkollimin e kreu në Vuthaj dhe Guci, gjimnazin në Pejë (1970), Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në mars 1976. U punësua në EKMSH, sot Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (mars 1976). Punoi mjek në SH.SH. Drenas (prill-nëntor 1976), mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Mjekësisë – Prishtinë (1975-1985), asistent i mjekësisë sociale FMP (1976-1978). Specializoi epidemiologjinë (1980) dhe është epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës. Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë (1983). Tezën e disertacionit e përgatiti në Zagreb dhe e mbrojti në FMP, më 1986. Titujt universitarë: asistent i lëndës së epidemiologjisë (1980), ligjërues (1983), docent (1987), profesor inordinar (1993), profesor ordinar (1998) dhe Profesor ordinar i epidemiologjisë, shëndetit publik dhe etikës (2001). Ka punuar profesor i menaxhmentit shëndetësor në Fakultetin Ekonomik dhe të Mjekësisë (2001-2006), profesor i menaxhmentit shëndetësor FMP dhe “VUS” Austria (2010-2012).
Ka qenë shef i sektorit për imunizim për Kosovën dhe kryepidemiolog i Kosovës (1980-1990), kryetar i Komitetit për HIV/AIDS në Kosovë dhe anëtar i Komitetit për HIV/AIDS dhe sëmundje ngjitëse të ish-Jugosllavisë (1986-1990), anëtar i grupit punues për preparate imunologjike në ASHAJ – Kroaci (1984-1990), kryeshef i Institutit të Epidemiologjisë (1986-1990), kryeredaktor i Revistës “Shëndeti” (1981-1990). Në vitin 1990 u përjashtua nga puna nga pushteti serb për shkaqe etnike dhe politike. Pas vitit 1990 ishte: anëtar i kryesisë së Shoqatës së Mjekëve të Kosovës (1990–1999), redaktor përgjegjës për Librin Universitar (Mjekësi) në UP (1992-1997), anëtar i redaksisë së revistës shkencore “Praxis Medica” (1992-2002), anëtar i Forumit të Intelektualëve të Kosovës (1992-1995), kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës (1992-2001), prodekan në FMP (1991-1997).
Nga qershori 1999 kthehet në IKSHP të Kosovës – drejtor i Departamentit të Epidemiologjisë në IKSHP të Kosovës (1999-2001), drejtor i IKSHP të Kosovës (2001-2006), dekan i FMP (2006-2007), kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Mjekësisë Publike të Kosovës (2000-2017), kryetar i Komitetit Nacional dhe PZI për Kosovë (2004-2018), drejtues i Komitetit për hulumtime shkencore në IKSHPK (2006-2018), kryetar i Komisionit për shkencë i FMP në tri mandate, kryeshef i Katedrës Preventive (1987-1999, 2000-2004) dhe shef i Katedrës për Epidemiologji (2007-2017), kryetar i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (2014), anëtar i bordit mbikëqyrës të Komisionit Evropian për Ethe Hemorragjike Krime Kongo për Evropë me seli në Paris (2011-2018), anëtar i Komitetit Evropian profesionalo-shkencor për zbulimin e Vaksinës kundër EHKK deri në vitin 2021.
Prof. dr. Isuf Dedushaj ka botuar këto tekste dhe monografi:
- Vaksinimet kundër sëmundjeve ngjitëse, Prishtinë (1994);
- EPIDEMIOLOGJIA – Parimet dhe praktika, UP, Prishtinë (1997);
- AIDS – SIDA – Sëmundje që vret (1998). Ribotuar (2000) nga IFRC, Gjenevë.
- Imunoprofilaksia, FMP, Prishtinë (2002).
- Epidemiologjia speciale e sëmundjeve ngjitëse – UP, Prishtinë (2005).
Monografitë: - Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (1925-2005), Prishtinë, 2005.
- ASHSH, FESH, Zërat për mjekësinë e Kosovës, Tiranë (2008, 2009).
- Grup i autorëve, “KOSOVA”, ASHA e Kosovës (2011). Redaktor dhe shkrimet për zhvillimin e mjekësisë së Kosovës.
- Pjesë nga Historia e Mjekësisë botërore dhe shqiptare e Kosovës nga antika deri sot (2019), 1500 faqe.
- Enciklopedia e doktorëve të shkencave të mjekësisë shqiptare 1445-2018 gjithandej globit, Prishtinë, 2019.
- Peja (Monografi, bashkautor: kapitulli “Zhvillimi historik i mjekësisë në Pejë”), Pejë, 2017.
- Historia e farmacisë shqiptare (dorëshkrim).
- ASHAK, FEK (Fjalori Enciklopedik i Kosovës), redaktor dhe shkrues i zërave të mjekësisë, Prishtinë, 2018.
- 50-vjetori i FMP – Gjenerata e parë (Monografi), Prishtinë, 2019.
Punime profesionale dhe shkencore (1976-2017):
Prof. Dedushaj ka botuar në vend dhe gjithandej globit mbi 320 punime shkencore dhe profesionale (autor dhe koautor), citohet në literaturën botërore mbi 1 000 herë.
Është bashkautor i zbulimit të genomit të virusit të EHKK, i emërtuar “Kosova Hoti”.
Ka drejtuar si mentor – kryetar dhe anëtar 25 doktorata (3 jashtë Kosovës), mbi 110 magjistratura dhe tema master.
Recensent i mbi 10 teksteve dhe monografive, dhe drejtues i rreth 150 specializimeve.
Qëndroi për perfeksionim apo vizita shkencore në universitetet e SHBA dhe Evropës.
Trajner dhe ligjërues në vend dhe jashtë, si dhe prof. vizitor në disa universitete evropiane dhe amerikane.
Është bartës i shumë mirënjohjeve prej të cilave: Pllakati i Artë i Kryqit të Kuq të Kosovës (1985); Medalja e Argjendtë nga Partia Demokristiane e Kosovës (1993); Diploma e OBSH – Kopenhagë “Meritat në çrrënjosjen e poliomielitit në Evropë”; Pllakati i Artë në 80-vjetorin e ekzistencës së IKSHPK (2005); Medalja e Argjendtë e Bibliotekës së Aleksandrisë (2006); Pllakati i KFOR-it për të arriturat në mjekësinë publike; Pllakati i Artë për Merita të Punë nga Presidentja e Kosovës (2016); Mirënjohja e OBSH-së për vepër jetësore (2016); Globi i Kristaltë nga Mbretëria e Bashkuar etj.
Prim. Dr. Gani Karamanaga