
Fshati Vuthaj i Komunës së Gucisë dikur ishte njëri ndër vendbanimet më të mëdha të Komunës së Plavës, me mbi 200 familje dhe më se 1 200 banorë, të gjithë shqiptarë. Është fshat piktoresk përballë Alpeve Shqiptare e rrëzë bjeshkëve të larta me pyje e vreshta. Por, gjithsesi, fshati Vuthaj më tepër veçohet, njihet e përmendet si vatër e shumë ngjarjeve dhe ndodhive historike. Mirëpo, ajo që më së shumti e karakterizon dhe e bën të zëshëm atë është e dhëna se fshati Vuthaj është truall burimi i një plejade intelektualësh shqiptarë të profileve të ndryshme profesionale. Njëri ndër ta është edhe tani i ndjeri, epidemiologu Prof. Dr. Isuf Dedushaj, i cili si pasojë e sëmundjes së rëndë ndërroi jetë më 1 shkurt 2025, në moshën 73-vjeçare.
Ai u lind në Vuthaj, më 10 tetor 1951, katër muaj pas vdekjes mizore të babait të tij Isufit, të cilin bashkë me xhaxhain e vet, Cung Tahirin, i vranë (pushkatuan) policët e pushtetit të atëhershëm malazez, ashtu që pas lindjes atij iu dha emri i babait të vet – Isufit dhe njihej si Isuf Isufi Dedushaj. Në familjen tipike tradicionale shqiptare, me veti dhe tipare atdhedashëse patriotike, mirëpritëse e bujare, mbeti jetim me vëllanë e vet Smajlin, dy vjet më të madh, nën përkujdesjen e nënës Zojë, bijë e vëllazërisë Shkreli të Rugovës së Pejës, por edhe të anëtarëve tjerë të familjes së gjerë.
Shkollën fillore tetëvjeçare e vijoi dhe e kreu në Vuthaj (katër klasët e ciklit të ulët) dhe në Guci, në shkollën fillore “Xhafer Nikoçeviq” (katër klasët e ciklit të lartë).
Edhe pse në kushte të vështira ekonomiko-sociale, jetim pa njërin prind, ia doli që ta regjistrojë dhe në afat të rregullt me sukses të shkëlqyer në vitin 1970 ta kryejë Gjimnazin “11 Maji” të Pejës. Në vitin vijues shkollor arrin që të regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, të cilin me sukses të lartë e përfundoi në vitin 1976.
Si mjek fillestar i praktikës së përgjithshme, menjëherë pas përfundimit të fakultetit, punësohet në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas të Drenicës në Kosovë, ku me përkushtim të plotë, “me mish e shpirt” siç thotë populli, jep kontributin e vet maksimal në ofrimin e ndihmave mjekësore duke punuar ditë e natë, thuajse pa orar të caktuar pune. Pas tetë muajve (prill-nëntor 1976) punë në Shtëpinë e sipërpërmendur shëndetësore, nevoja e ka kërkuar që të kalojë me punë në Entin Krahinor për Mbrojtje Shëndetësore, ku zgjidhet bashkëpunëtor për lëndën Mjekësi sociale.
Në ndërkohë, me rastin e zgjedhjes së degës së specializimit, mjeku i diplomuar Isuf Dedushaj, si ish-student i dalluar i mjekësisë, nga stafi drejtues i institucionit ku punonte, kishte oferta, por edhe sugjerime, që specializimin ta bënte në degën e pediatrisë apo të gjinekologjisë, por ai prej kohës kur punonte në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas, ku pati rast të ballafaqohet me shumë raste infektive e virusale të popullatës së atij vendi, vendosi që për specializim ta marrë degën e epidemiologjisë, me qëllim që popullatës t’i sjellë ndihmë profesionale në luftimin e viruseve të ndryshme me të cilat përballeshin. Specializimin për epidemiologji e përfundoi më 20 maj 1980, kur edhe bëhet epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës.
Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë, ku dhe magjistroi në nëntor 1983. Në këtë vit zgjidhet ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Tri vite më vonë, më 27 nëntor 1986, epidemiologu Dr. Isuf Dedushaj, në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë mbron tezën e disertacionit të doktoratës dhe fiton gradën Doktor i shkencave të mjekësisë – Epidemiolog.
Në periudhën kohore 1986-1987, pranë Universitetit të Zagrebit, në Kroaci, përfundon subspecializimin nga imunologjia.
Si mësimdhënës në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, prej vitit 1976 fiton titullin Profesor ordinar i Epidemiologjisë.
Epidemiologu Prof. Dr. Isuf Dedushaj punoi në Entin për Mbrojtjen Shëndetësore të Kosovës në periudhën kohore 1976-1990, kur për shkaqe etnike dhe politike, largohet me dhunë nga puna. Përveç detyrës së ligjëruesit, epidemiologu Prof. Dr. Isuf Dedushaj në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë ka ushtruar edhe detyrën e prodekanit në dy mandate, në periudhën kohore 1992-1996.
Prof. Dr. Isuf Dedushaj ka ushtruar dhe kryer funksione dhe detyra të rëndësishme edhe në institucione të tjera sociale-shëndetësore. Në periudhën kohore 1992-2001 ka qenë kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës. Ka qenë anëtar i kryesisë së Forumit të Intelektualëve të Kosovës, në detyrën e përgjegjësit për sektorin e shëndetësisë, si dhe anëtar i redaksisë së Revistës shkencore “Praxis Medika” të Kosovës.
Aktivitetin e punës së vet profesionale, Prof. Dr. Isuf Dedushaj e ka demonstruar në rolin e mentorit, respektivisht të komisionerit për mbrojtjen e temave të disertacioneve të doktoratës të 38 kandidatëve, prej të cilëve dy jashtë Kosovës, pastaj të 45 magjistraturave shkencore dhe 100 mjekë i ka udhëhequr në specializime të lëndëve të preventivës (Epidemiologji, Higjienë, Mjekësi sociale, Mjekësi e punës dhe Mjekësi e përgjithshme).
Aktivitetin e vet profesional, epidemiologu Prof. Dr. Isuf Dedushaj e ka shprehur edhe përmes publikimeve shkencore. Ka publikuar 112 punime shkencore në gazeta dhe revista të Kosovës dhe jashtë saj. Ka qenë redaktor përgjegjës i revistës “Shëndeti” për dhjetë vjet me radhë. Ka kryer detyrën e drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, si dhe ka qenë dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.
Epidemiologu Prof. Dr. Isuf Dedushaj është edhe autor i gjashtë teksteve universitare: 1. “Vaksinimi kundër sëmundjeve ngjitëse” (1994); 2. “Epidemiologjia, parimet dhe praktika” (1997); 3. “AIDS-SIDA, sëmundje që vret” (1998); 4. “Imunoprofilaksia” (2002); 5. “Epidemiologjia sociale e sëmundjeve ngjitëse” (2005); dhe 6. “Enciklopedia e doktorëve të shkencës së mjekësisë shqiptare gjithandej globit 1445-2018” (2019). Ai ka përgatitur dhe publikuar si autor dhe bashkautor edhe ca monografi me peshë dhe vlerë të madhe.
Për veprimtarinë e punës universale dhe shumëdimensionale profesionale në lëmin e shkencës së mjekësisë dhe më gjerë, Prof. Dr. Isuf Dedushaj është nderuar dhe shpërblyer me shumë mirënjohje, ndër të cilat: Plaketa e Artë e Kryqit të Kuq të Kosovës (1985), Medalja e Argjendtë nga Partia Demokratike e Kosovës (1993), Diploma e OBSH – Kopenhagë për “Meritat në çrrënjosjen e poliomielitit në Evropë”, Plaketa e Artë në 80-vjetorin e ekzistencës së IKSHPK (2005), Medalja e Argjendtë e Bibliotekës së Aleksandrisë (2006), Plaketa e KFOR-it për të arriturat në mjekësinë publike, Plaketa e Artë për Merita në Punë nga Presidentja e Kosovës (2016), Mirënjohja e OBSH-së për vepër jetësore (2016), Globi i Kristaltë nga Mbretëria e Bashkuar etj.
Pa mëdyshje mund të konstatohet se epidemiologu Prof. Dr. Isuf Dedushaj ka qenë vërtet profesionist me vizion, ndjenja dhe përmasa të gjera shkencore, i cili edhe pse në pension, ka dhënë kontribut të dukshëm në luftën e pa kompromis kundër armikut të padukshëm shëndetësor – Pandemisë COVID-19. Drejtpërdrejt apo në distancë, falë përvojës së vet më se dyzetvjeçare ka ndihmuar, mbështetur dhe përkrahur ish-kolegët e vet në ballafaqimin, parandalimin e përhapjes së virusit vdekjeprurës, si dhe në zbutjen e pasojave të tij.
Gjatë kohës kur ishte në marrëdhënie pune, por edhe si pensionist, epidemiologu i famshëm Prof. Dr. Isuf Dedushaj, me kënaqësi e ka vizituar edhe vendlindjen e vet – fshatin Vuthaj, të cilin e ka dashur shumë, duke i përkujtuar ditët e kamotshme të fëmijërisë e rinisë së hershme, të përcjellura me batica dhe zbatica të ndryshme.
Lajmi i hidhur për vdekjen e tij, më 1 shkurt, tronditi dhe brengosi të gjithë ata që e njihnin, me të cilët punonte e vepronte, ndante të mirën dhe të keqen.
Me rastin e vdekjes së Prof. Dr. Isuf Dedushajt, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, më 4 shkurt është mbajtur mbledhja komemorative, në të cilën ishin të pranishëm familjarët e të ndjerit, miqtë e tij, si dhe personalitete të rëndësishme, përfshirë ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtorin e Shëndetësisë në Prishtinë, Isak Sadiku, dekanin e Fakultetit të Mjekësisë dhe myftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava. Me këtë rast u mbajt edhe një minutë heshtje për nder të veprës së tij.
Në fjalimin mortor të rastit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me mallëngjim tha se “kushdo që e njihte tani të ndjerin Isuf Dedushaj, e njihte si shembull i përkushtimit dhe nderit. Ishte një njeri që nuk e lëshonte zërin, por kur fliste e dëgjonin të gjithë. Ai mësoi brezat e rinj të mjekëve, jo vetëm si t’i trajnonin të sëmurët, por edhe se si ta kuptonin përgjegjësinë e profesionit të tyre. Për të mjekësia nuk ishte thjesht vetëm shkencë, por mision. Ai nuk do të jetë kurrë një kujtim i largët, sepse do të mbetet i freskët në auditoret ku ligjëroi, në spitalet e klinikat ku ai punoi, në sistemin e shëndetit publik që vetë e ndërtoi me mund e përkushtim”.
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Sefedin Muçaj, tha se profesor Dedushaj ishte frymëzim i brezave të tërë studentësh dhe profesionistëve shëndetësorë.
“Ai ishte një pishtar i mjekësisë kosovare, por edhe një vizionar që fokusin e vet shkencor dhe profesional e përvetësoi në librin Enciklopedia. Ai ishte vetë enciklopedi. Ishte dhe do të mbetet një figurë emblematike e shëndetësisë publike, një akademik i përkushtuar, një studiues i jashtëzakonshëm, një shkencëtar, një udhëheqës dhe një njeri me vlera të larta”.
Ndërsa drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku, me mallëngjim foli për jetën dhe veprën e Dedushajt.
“Dedushaj ishte epidemiologu i parë shqiptar në Kosovë dhe shkencat e epidemiologjisë i zbatoi me shumë dashuri. Ashtu siç thoshte edhe ai ‘nuk ka bjeshkë e fshat në të cilin nuk kam shkuar dhe nuk kam vaksinuar’. Me këtë tregon se sa shumë e ka dashur punën. Ka shkruar disa libra, me të cilat ne vazhdojmë që të punojmë dhe t’i zhvillojmë njohuritë tona në Kosovë”.
Vdekja e epidemiologut Prof. Dr. Isuf Dedushaj shkaktoi dhembje, pikëllim dhe vrragë të rënda, ndër gjithë ata që e kanë njohur, kanë punuar dhe janë shoqëruar me të. Familja e ngushtë ka humbur kryefamiljarin, ajo e gjerë vëllanë, xhaxhain, kushëririn, vëllazëria Dedushaj vëllanë, mbështetësin dhe këshillëdhënësin e denjë, vuthjanët bashkëvendësin e respektuar dhe çmuar, popullata e Plavë-Gucisë, Prishtinës, Kosovës dhe më gjerë – shokun, mikun, kolegun, bashkëvendësin, bashkëkombësin e çmuar, të respektuar dhe shumë të vlerësuar.
Prof. Dr. Isuf Dedushaj u varros më 5 shkurt 2025 në varrezat e qytetit të Prishtinës, në lagjen Arbëria (ish-Dragodan) me nderimet më larta. Pjesëmarrja masive e të pranishmëve në ambientet e shtëpisë së tij familjare, prej momentit të vdekjes, dhe lamtumira e tij e fundit për në shtëpinë e përmotshme në varrezat e qytetit, dëshmon për figurën dhe personalitetin e tij njerëzor, intelektual e profesional. Prania e tyre tregoi respektin që ai ka pasur kudo.
Në fjalimin mortor pranë varrit të tij, të pranishmit në ceremoninë e varrimit i falënderoi bashkëvendësi i të ndjerit Isuf, vuthjani Prof. Binak Ulaj.
Isuf i nderuar, pusho i qetë në gjirin e kryeqendrës së Kosovës në Prishtinë, ku e kalove pjesën më të madhe të jetës dhe veprimtarisë së punës, ku profesionalisht u ngrite dhe ku krijove familjen e ngushtë!
Të qoftë i lehtë dheu mbi shtëpinë tënde të përmotshme!
Lavdi dhe respekt jetës dhe veprimtarisë sate të begatë me peshë dhe vlerë!