Ikja e një shëmbëlltyre, krijimi i një modeli

Argëzon Sulejmani

Një popull e bën kujtesa kolektive ose mbështetja e tij te njerëzit që i vihen asaj në dispozicion. Pa këtë atribut, popujt bëhen grumbuj e grumbujt më e shumta mund të bëhen grupe militantësh. Kujtesa, për civilizimet humaniste nënkupton përjetësinë, pavdekësinë, motivimin dhe bazamentin. Por, kujtesa në baza masive jo gjithnjë di dhe mund ta bëjë shoshitjen e duhur. Një gjë të tillë e vë në pah dhe Milan Kundera në rastin e Bethovenit. Po shkëpus këtë pasazh nga romani i të njëjtit me titull “Pavdekësia”.
Njerëzit nuk janë të barabartë përballë pavdekësisë. Duhet ta dallojmë pavdekësinë e vogël, kujtimin e një njeriu në mendjen e atyre që e kanë njohur nga pavdekësia e madhe, kujtimi i një njeriu në mendjet e atyre që s’e kanë njohur. Ka karriera që përnjëherësh, e ballafaqojnë një njeri me pavdekësinë e madhe, e pasigurt patjetër, e pagjasë madje, por pa diskutim e mundshme: janë karrierat e artistëve dhe burrështetasve. (…) edhe nëse është e mundur ta ujdisim pavdekësinë, ta modelojmë më parë, ta manipulojmë, ajo nuk realizohet kurrë ashtu si e kemi planifikuar. Kapelja e Bethovenit është bërë e pavdekshme. Në këtë kuptim, plani është realizuar. Por askush s’mund ta parashikonte kuptimin që do të merrte kapelja e pavdekshme.

*
“O Zoti im, në Ty besoj, për Ty agjërova dhe me të mirat e Tua hâ iftar. Të lutem, na e praño!”
Duaja e iftarit, nën zërin e imam Rexhep Likës s’ka dyshim që është monumentale. Kam dëgjuar dhe lexuar forma të ndryshme të kësaj duaje, por kjo lutje është e pakapërcyeshme në llojin e vet. Në radhë të parë, hetohet menjëherë përshtatja e saj në të folmen e zonës dhe në të njëjtën kohë energjia shpirtërore dhe poetike që përçon. Në anën tjetër deklamimi i saj, në modalitetin dhe komunikimin ditor të lokalitetit e bën atë të afërt dhe të akceptueshme secilën herë, bile çdoherë e më shumë. Po të vihet re, tonaliteti i zërit vie e zbret dalëngadalë, çka i jep kësaj duaje cilësi maturie e mistike. Përveç imam Likës, mendoj që duhet falënderuar dhe ideatorin e kësaj audio-pjese sepse e ka përjetësuar në mënyrën më të mirë një prijës që të gjithë jetën e vet e ka vënë në shërbim të besimit fetar dhe mirëqenies së popullit të vet.
Jeta dhe vepra e këtij prijësi fetar e atdhetar mund të zërë minuta të tëra me dokumentarë, por ndikimi i kësaj lutjeje të shqipëruar dhe interpretuar mjeshtërisht do mbetet pika simbolike e një biografie vënë në shërbim të vendit dhe njeriut. Kësisoj, “plani është realizuar”, thënë sipas Kunderës dhe, gjithsesi kemi të bëjmë me një “karrierë të pavdekshme” me të cilën kanë për tu njohur edhe ata që nuk kanë pasur rastin ta njohin personalitetin në fjalë. Është pikërisht ky qëllimi bazë që i ka motivuar paragrafët më sipër e më poshtë – përkujtesa në funksion të një memorieje kolektive që na e dëshmon qenësinë.
Vdekja përmbyllë një cikël definitiv njerëzor dhe pas saj pa frikë mund të vihet deri tek përfundimet e paluajtshme për personalitetin gjegjës. Tanimë përfundimisht mund të themi që modeli i Rexhep ef. Likës është shëmbëlltyra e një prijësi popullor dhe fetar, një modeli që duhet analizuar dhe jashtë sferës profesionale, në këtë rast teologjike. Modele të tilla vyejnë të promovohen sepse kaosi i sotëm ndonjëherë na e bën të pamundshëm qasjen në kohë dhe shoshitjen e mirëfilltë. Pikërisht, z. Lika, në një Ulqin paralel, do të mund të kishte qenë anëtarë i një elite intelektuale e cila ka bagazhin dhe merr tagrin të udhëheqë një shoqëri drejt mirëqenies shpirtërore dhe sociale. Meqenëse dhe ai, sikurse ne, nuk ia arriti dot të jetonte në paralelen ideale, atëherë ne e kemi për obligim tu tregojmë fëmijëve dhe nipërve tanë që, po, ky vend dhe kjo kohë ka pasur emra të dalluar, emra që e tejkalojnë vetë urbanen dhe hijen e qytetit që i përkasin.
Nga fëmijëria ime mbaj mend disa episode me imam Likën. Ishin vitet e nëntëdhjeta kur një grup goxha i madh fëmijësh ndiqnim mësimbesimin në Xhaminë e Millës. Mund të ishim, madje, deri dyzetë nxënës në një zonë që asokohe mund të numëronte më pak se njëmijë banorë. Me analizën e sotme mund të them që shumica absolute ishin tejet të përgatitur dhe pasionantë ndaj kësaj sfere të veçantë njerëzore. Mësimet i merrnim nga imam Ali Mehani, një figurë markante e prijësisë, teologjisë dhe mësuesisë. Orët në xhami nuk dallonin shumë nga orët në shkollë, përveçse aty ishim më të relaksuar sepse gjithnjë hoxha ynë mundohej me mish e me shpirt të na bënte më të mirë, d.m.th. jo detyrimisht më të nxënë, çka ishte një modalitet i veçantë i mësimit nga i cili mbase sot duhet marrë shënim. Kishim vënë re që hera herës në xhami, sidomos në organizime të veçanta, vinte një figurë që i ngjante shumë hoxhës tonë: në qëndrim, në hije dhe në ligjërime. Me kohë dhe në ndërkohë e patëm kuptuar që ai ishte “kryeimami”. Kështu e thërrisnin. Ne si fëmijë ishim mësuar me krye-lloj të ndryshëm që as vëmendjen nuk ua tërhiqnin fëmijët, kryekoka të tipit kryetarë e drejtorë dhe, na vinte shumë e jashtëzakonshme afërsia dhe përzemërsia e këtij titulli me krye. Mbaj mend njëherë, patëm qëlluar pas orëve të mejtepit dhe njerëzia kishin mbërritur në xhami për namazin e mesditës. Pritej ardhja e kryeimamit. Ishte verë. Stina në këtë rast ka rëndësi jo vetëm për refleksionet diellore por pikë së pari për zhvillimin dhe esencën e rrëfimit. Disa prej nesh, fëmijëve, kishim veshur pantallona të shkurtër dhe nuk e di se kush mund të na kishte thënë që diçka e tillë nuk lejohet në faljen e namazit. S’kishte vonuar shumë dhe kishte mbërritur kryeimami. Na kishte përshëndetur neve me selamet e përzemërta dhe na kishte pyetur se përse po rrinim në “prag të xhamisë”. Kur i kishim treguar për arsyen, ai kishte buzëqeshur me admirim. E pat hapur derën pa hezitim dhe të gjithë ne si saçma kishim brofur bashkë me të në xhaminë e fshatit. Na pat bekuar me fjalët më të ëmbla siç dinin të uronin vetëm gjyshërit tanë. Aty, përafërsisht aty dhe me sytë e një fëmije, e pata kuptuar që feja, mirëfilli, nuk ka si të qëndrojë mbi njeriun por nevojitet të rrijë krah njeriut dhe se, ndryshe nuk ka si të jetë.
Një rast tjetër ishte në kohën kur organizoheshin gara të ndryshme mbi bazën e arritshmërive në mësim-besim. Një herë, në një nga këto organizime, pat ndodhur të ketë qenë i pranishëm dhe kryeimami. Unë këtë herë isha pak më i madh në moshë dhe nuk kisha të drejtë pjesëmarrjeje direkte në garë. Tek po përcillja ecurinë e testimit, po vëreja që disa nga nxënësit nuk po ia dilnin siç duhet. Në një rast kryeimami na dha me shenjë që t’i ndihmonim ata që kishin nevojë dhe disa prej nesh morën t’i ndihmonin. Në fund, siç ndodhë përherë, dikush gjeti ta kritikojë këtë qasje gjatë procesit me idenë e “haramit”. Përgjigja e kryeimamit ndaj kolegëve të tij ishte se, ndihma e sotme ndaj disa nxënësve do duhej të jetë vath në vesh për ta, kurse nxënësit gjithnjë duhen përkrahur e jo tëhuajsuar nga besimi e mësimi. Ishte një tjetër rast kur unë pata kuptuar që fenë e bëjnë njerëzit dhe organizimi ynë fetar nuk e kishte asnjëherë në qendër përjashtimin por përfshirjen, zhvillimin dhe emancipimin.
Ndoshta asnjëherë s’e kam menduar që do shkruaj për këtë pjesë por tek po shkruaj ndiej se po bëj gjënë e duhur. Koha e mejtepit ishte një kohë e bukur sepse aty mësuam të luteshim në një kohë që granatat e projektilët loznin valle qiejve të Ballkanit. Mbaj mend se si një herë, hoxha na pat thënë të luteshim dhe për këtë pjesë. Të luteshim para gjumi. Në heshtje, ashtu që ta dinte vetëm Zoti dhe ne. Ne, sigurisht u patëm lutur dhe vendi ynë, edhe falë kësaj, nuk u pat rrezikuar. Kësisoj ne kishim nisur të besojmë. Tanimë patëm nisur të luteshim dhe për të tjerët. Më tutje, u mësonim dhe të tjerëve të luteshin. Të luteshin pa zë por me zemër. Biles, ne mendonim që pikërisht zhurmëria mund ta dëmtonte përçimin e lutjeve. U luteshim njerëzve që këtë ta bënin pazëshëm dhe me besim të plotë. Kështu na kishin mësuar prijësit tanë që model e kishin kryeimamin. Heshturazi. Intimisht.
Ajo që do vinte me “paqen” e mëtejme në Ballkan ishte thuajse e kundërta e gjithçkaje që na patën mësuar mësuesit tanë të mësimbesimit. Njerëzit dinin të klithnin pro ose kundër Zotit dhe njerëzit bënin publike gjithçka mund të kryenin në emër të Tij. Në këtë mes, ne, nxënësve të asaj kohe nuk na dëgjohej zëri sepse ne patëm vazhduar të besonim siç na kishin mësuar prijësit tanë dinjitoz: shpirtërisht dhe intimisht. Kjo pjesë do donte analizë më të thellë por megjithatë ajo që kam kuptuar prej frymës dhe botëkuptimit të atëhershëm është përpjekja për ta bërë fenë kompatibile me njeriun dhe vendin. Sepse, feja është një organizim në të cilin duhet lejuar mendimet dhe arsyetimet, kurse besimi është esencë që duhet të jetë tejet personale, për të mos thënë intime.
Kompatibiliteti i një feje me njeriun dhe ambientin është i një rëndësie të veçantë. Prijësit tanë të lartpërmendur, falë bagazhit të tyre – pra, falë bagazhit të tyre – përsëritëm, sepse kjo nuk është kaq e thjeshtë për tu përvetësuar, kanë arritur që fenë ta qasin te njeriu si një aureolë që ndriçon por nuk ngarkon. Njëjtë në raport me vendin ose ambientin ku kanë bashkëvepruar, ia kanë dalë që fenë ta hapërdajnë si një parfum erëmirë që nuk zë vend e as nuk pengon duke qenë vazhdimisht prezent. Kjo është një arritje mbresëlënëse e një brezi që iu desh të rimëkëmbte nga fillet e saj një filozofi njerëzore të nëpërkëmbur, atë të raportit të njeriut me qiejt.
Duke reflektuar mbi ditët e fëmijërisë sime e, të cilat ditë kanë bërë njeriun që jam sot, gjej tek figurat e lartshënuara idenë intelektuale për ta pasuruar kulturën e një vendi me besim fetar dhe jo të kundërtën, për të bërë aneksime vendesh në baza të kulturave të tjera që mund të jenë kompatibile për vendet e caktuara por sigurisht jo për të gjitha vendet. Në anën tjetër, moderniteti ose bashkëkohësia e një organizimi fetar nuk duhet vënë në dyshim nga prijës me karakter të sofistikuar profesional e intelektual. Filozofia fetare është një opus që ta jep mundësinë e përshtatjes së saj në shekuj e shekuj me radhë, kurse evidenca e inkompatibilitetit te saj nuk ka te bëjë me fenë por me përfaqësuesit e saj. Imamët e mejtepeve tona, frymëzuar nga qasja e kryeimam Likës, na e patën bërë jo vetëm bashkëkohore por edhe perspektive përpjekjen tonë fëmijërore në një kohë e hapësirë geto. Nëse nuk gabohem, një poet sirian që po e parafrazoj pat thënë se, njerëzit asnjëherë nuk e kanë me të keq me Zotin, por ndonjëherë mund të mërziten me ata që thirren në emër të Tij. Ne kishim fatin që të marrim mësime të vyera dhe cilësore nga personalitete që të bënin ta adhuroje Zotin, nisur nga shembulli dhe rrezatimi që përçonin. Mënyra e pabujshme e veprimit dhe pasioni hyjnor mbi mësimin ishin cilësitë që i dallonin ata nga të tjerët.
Mbi të gjitha, veçantia e imam Likës ishte që ai misionin e bënte popullor duke i prirë popullit të vet jo vetëm nëpër objekte fetare, por edhe në organizime me karaktere të tjera sociale e atdhetare. Kjo është tejet e rëndësishme për të sotmen, ku të qenit popullor njëjtësohet me populizmin; imam Lika ishte popullor duke qëndruar përkrah popullit dhe jo populist duke u ndier përmbi popullin në asnjë aspekt apo rast. Them se, të sotmes duhet t’ia përkujtojmë më shpesh modelet e tilla të mira dhe shëmbëlltyrat e rralla të kohëve, në mënyrë që e nesërmja të shënohet si e ardhme dhe jo vetëm një datë tjetër në kalendar. Mesazhi i atyre që na mësonin neve ishte i qartë dhe parafrazuar si më lart: besimi fetar është një aureolë që ndriçon dhe nuk ngarkon, sikurse është një parfum erëmirë që nuk zë vend duke qenë përherë në dhe rreth nesh. Në çdo rast të dytë, si në rastet e çirrjeve të lutjeve, rrymojnë erëra të tjera që e rëndojnë dhe çorientojnë hapësirën. Në atë mënyrë, me mendjen e padjallëzisë fëmijërore, lutjet mund të rrezikohen, andaj lutuni, lexoni dhe veproni në paqe e pa trazime, ashtu siç na mësonin mësuesit tanë të zgjedhur, të prirë nga tanimë modeli Rexhep Lika.

Të fundit

më të lexuarat