(1956-2023)
Të enjten, më 26 tetor 2023, në moshën 67 vjeçare ndërroi jetë mësuesi në pension Hajdar Mujeziqi. Lajmi i trashtë më zgjoi sot në këtë mëngjes tetori jo vetëm mua, por të gjithë Krajën dhe jo vetëm të pikëlluar. Këtë lajm trishtues nuk e priste askush. Vdekja e shokut, kolegut tim më pikëlloi pa masë. Nuk dua ta besoj se Hajdari nuk është në mesin tonë. Po kush ishte Hajdari?
Hajdar Mujeziqi, i biri i Hysejnit dhe i Hazizës ka lindur më 20.02.1956 në Qyrjan, Martiq ku edhe jetoi pjesën më të madhe të jetës. Ai shkollën fillore e ka kryer në Ostros më 1971 ndërsa Shkollën Normale në Gjakovë më 1976. Ka filluar punën në shtator të vitit 1976 në shkollën fillore “Bratstvo jedinstvo” në Gjuraç, në Paralelen e ndarë në Muriq Posht (Vërri). Në vitin 1999 transferohet në shkollën fillore “Gj. K. – Skënderbeu” në Ostros dhe punon në Paralelen e ndarë në Ftjan e më vonë në Bobosht. Në një bisedë për monografinë “Shkolla në Krajë 1929-2009” ai shprehej:
“Në moshën njëzet vjeçare e kam kryer shkollën normale ’Hysni Zajmi’ në Gjakovë. Pas përfundimit të normales, menjëherë jam punësuar në shkollën fillore ’Bratstvo jedinstvo’ në Gjyraç, në Paralelen e ndarë në Muriq Posht, ku mësimi zhvillohej atëbotë në gjuhën amtare shqipe. Procesi mësimor në shkollën qendrore në Gjuraç zhvillohej në gjuhën serbokroate. Sapo unë, isha në moshën hiç më shumë se njëzet vjeçare, e deshi fati, mësimi në Paralelen e ndarë në Muriq Posht u kthye në gjuhën amtare shqipe, pikërisht më 1976 kur unë u punësova. Në Muriq kam punuar me sukses trembëdhjetë vjet të plota. Pas trembëdhjetë vjetësh shkolla në këtë lokalitet, pra paralelja në gjuhën shqipe, u kthye në gjuhën serbokroate dhe unë mbeta i papunë, gjegjësisht u shpalla tepricë teknologjike. Një vit shkollor mbeta pa punë. Në vitin 1992, për shkaqe ekonomike dhe politike u detyrova me familjen time të emigroj në shtetet Skandinave, në Suedi, Norvegji e Danimarkë. Atje kam qëndruar dy vjet.
Kërkova azil politik por nuk arrita ta fitoj atë me pretekst se në Malin e Zi nuk zhvilloheshin atëbotë konflikte të armatosura dhe nuk kishte luftë. Me familjen u detyrova të kthehem në vendlindje, në gjendje aspak të lakmueshme ekonomike.
Në vitin 1995 u punësova në Ljare. U detyrova që mësimin ta mbajë në gjuhën serbokroate, ngase në Ljare mësimin nuk zhvillohej në gjuhën amtare shqipe. Kam punuar atje katër vjet. Pas gjithë peripecive, që m’i kurdisi jeta në shtator të vitit 1999, transferohem në shkollën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros dhe caktohem që të punoj në Paralelen e ndarë në Ftjan. Shqetësues është fakti se numri i nxënësve në këtë paralele ka ardhur duke rënë për çdo vit, kështu që në këtë vit shkollor në klasë kam vetëm një nxënës”.
Pasi që paralelja e ndarë në Ftjan mbyllet, Hajdari transferohet në paralelen e ndarë në Bobosht, ku punon deri me daljen në pension më vitin 2020. Deri në vitin 2021 ditët e pensionimit i kalon në vendlindje e pas kësaj emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u bashkuar me familjen e ngushtë (fëmijët) të cilët kanë emigruar më herët. Dy vjet të fundit të jetës i kalon atje, i përmalluar për vendlindjen, Krajën e tij të dashur.
Me ikjen nga kjo botë, familja mbeti pa më të dashurin, kolegët pa shokun e tyre të dikurshëm të punës, ish-nxënësit pa mësimdhënësin e dashur. Hajdari iku nga kjo botë fizikisht, por në kujtesën e nxënësve, miqve, shokëve, kolegëve, fqinjëve ai do mbetet gjithmonë i dashur dhe i respektuar, ngase puna dhe vepra e tij jetësore kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Bujaria, dashuria për njerëzit, morali i lartë, karakteri i fortë, besa dhe burrëria, kanë qenë dhe e kanë përcjellë gjatë gjithë jetës.
Lamtumirë shoku dhe kolegu im. Vepra dhe puna jote do të mbetet udhërrëfyes për ata që të patën rast të të njohin. Këtë e ke dëshmuar me punën dhe veprën tënde.
Pusho i qetë Hajdar i dashur!! Lavdi veprës dhe punës tënde jetësore!!
Hajdari u varros në Njujork të premten, më 27.10. 2023
Ali Gjeçbritaj