Zgjedhje pa zgjidhje

Qytetarët i përjetojnë zgjedhjet me ankth pasi që fushatat zgjedhore dhe në përgjithësi i gjithë procesi zgjedhor shndërrohen në një betejë të vërtetë, ku nuk zgjidhen mjete për të goditur dhe sulmuar “armikun”. Ndërsa vetë qytetarët, dashur padashur bëhen pjesë e kësaj loje të pistë

Ismet Kallaba

Zgjedhjet janë një instrument për të matur mbështetjen e qytetarëve për politikën që përfaqëson një forcë politike. Ato janë një proces i rregullt, që zhvillohen sipas një kalendari të përcaktuar në bazë të ligjit dhe shërbejnë edhe si tregues i shkallës së demokracisë së një vendi. Por në vende me demokraci të pakonsoliduar, siç është Mali i Zi dhe disa vende të tjera të rajonit, zgjedhjet e kanë humbur kuptimin e shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarëve për shkak të përpjekjeve për manipulim zgjedhor. Pjesa më e madhe e forcave politike pjesëmarrëse në zgjedhje përdorin të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato joligjore, për arritjen e qëllimit të tyre, domethënë arritjes së një rezultati maksimal dhe fitores së zgjedhjeve. Ato përdorin forma e mekanizma të ndryshme për blerjen e votës, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë përmes favoreve, punësimeve partiake etj. Në këtë mënyrë, konkurrenca e pabarabartë dhe e pandershme ndikon në devijimin e vullnetit të lirë të qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë një sprovë e radhës për demokracinë e brishtë dhe mund të konsiderohen si një referendum i dytë për pavarësinë e Malit të Zi. Në situata të veçanta, zgjedhjet i kontribuojnë zgjidhjes së krizës politike. Por në rastin e Malit të Zi, një gjë është e sigurt – zgjedhjet (presidenciale dhe parlamentare) nuk do të ofrojnë ndonjë zgjidhje për këtë


Mali i Zi ka hyrë në vitin 2023 me krizën më të madhe politike në historinë e tij të re, që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2006. Ky është një vit zgjedhor, ku përpos zgjedhjeve presidenciale që tashmë dihet se do të zhvillohen më 19 mars, pritet të mbahen edhe ato parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Tuz. Qytetarët i përjetojnë zgjedhjet me ankth pasi që fushatat zgjedhore dhe në përgjithësi i gjithë procesi zgjedhor shndërrohen në një betejë të vërtetë, ku nuk zgjidhen mjete për të goditur dhe sulmuar “armikun”. Ndërsa vetë qytetarët, dashur padashur bëhen pjesë e kësaj loje të pistë.
Deri tani, proceset zgjedhore në Mal të Zi kanë qenë në përgjithësi të qeta dhe për këtë janë vlerësuar nga ndërkombëtarët, pavarësisht kritikave për manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve nga partitë humbëse apo organizatat e ndryshme që merren me monitorimin e tyre. Por zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kanë treguar anën e errët të procesit zgjedhor në Mal të Zi. Tragjikomedia me zgjedhjet lokale në Shavnik, ku zgjedhjet dhe përsëritja e tyre në dy vendvotime ka dështuar plot nëntë herë, mund të hyjë në Librin Gines të Rekordeve. Për këtë arsye, në situatën e tanishme të tensioneve politike ekziston frika reale se sindromi i zgjedhjeve lokale në Shavnik mund të ndodhë në tërë Malin e Zi.

Zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kanë treguar anën e errët të procesit zgjedhor në Mal të Zi. Tragjikomedia me zgjedhjet lokale në Shavnik, ku zgjedhjet dhe përsëritja e tyre në dy vendvotime ka dështuar plot nëntë herë, mund të hyjë në Librin Gines të Rekordeve. Për këtë arsye, në situatën e tanishme të tensioneve politike ekziston frika reale se sindromi i zgjedhjeve lokale në Shavnik mund të ndodhë në tërë Malin e Zi


Zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë një sprovë e radhës për demokracinë e brishtë dhe mund të konsiderohen si një referendum i dytë për pavarësinë e Malit të Zi. Shoqëria malazeze vazhdon të jetë e përçarë, ndërkohë që ndikimet dhe ndërhyrjet nga jashtë janë të mëdha dhe vendimtare në politikën e brendshme dhe të jashtme. Për momentin është herët të flitet për rreshtimin e forcave politike dhe numrin e kandidatëve për president, por ajo që dihet është se do të ketë dy rryma kryesore (dy kandidatë kryesorë për president) – njëra pro pavarësisë së Malit të Zi dhe tjetra që përbëhet nga forcat proserbe. Në situata të veçanta, zgjedhjet i kontribuojnë zgjidhjes së krizës politike. Por në rastin e Malit të Zi, një gjë është e sigurt – zgjedhjet (presidenciale dhe parlamentare) nuk do të ofrojnë ndonjë zgjidhje për këtë.

Të fundit

më të lexuarat