Vit shkollor jo shumë efektiv

Mësimi online nuk ka treguar ndonjë efikasitet, sepse kjo metodë është vështirë e realizueshme duke e ditur gjendjen ekonomike të vendit, pasi që kërkon shumë investim, shumë përkushtim institucional e mbi të gjitha vetëdijësim të komunitetit të mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve, por edhe përgatitje profesionale të mësimdhënësve për realizim

Arlinda Sukaliqi

Më 31 dhjetor ka përfunduar gjysmëvjetori i parë për vitin shkollor 2020-2021. Por, si ka vijuar ky vit i cili për shkak të pandemisë ka filluar një muaj me vonesë?
Pandemia ka bërë që të anashkalohet shumëçka në atë që përbën një mësimdhënie cilësore.
Vendimet nga ana e Ministrisë së Arsimit kanë bërë që të kalohet nga një skenar në tjetrin, duke filluar nga shkurtimi i orëve në 30 minuta, numri i orëve ditore në ciklin fillor vetëm katër, pastaj ndarja në grupe ku maksimumi në një klasë mund të qëndrojnë 15 nxënës, nxënësit nga klasa e parë deri në të gjashtën ndjekin mësimin e rregullt në shkollë, ndërsa të tjerët online etj. Të gjitha këto ndryshime kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësi të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Edhe pse viti shkollor filloi me një muaj vonesë, gjegjësisht më 1 tetor, dhe gjysmëvjetori i parë përfundoi më 31 dhjetor, nuk është treguar si diçka me vend, pasi gjatë gjithë këtyre muajve është dëshmuar se shkollat nuk janë burim i infeksionit dhe si e tillë hapja e shkollës me një muaj vonesë nuk ishte e nevojshme dhe ndikoi keq në mosrealizimin e tërësishëm të planprogramit mësimor.

Vendosja e masave të reja në institucionet shkollore ka shkaktuar një stërlodhje të mësimdhënësve, të cilët duhet të punojnë dy ndërrime dhe në dy mënyra të ndryshme: atë të rregullt, duke shkuar në shkollë, dhe përmes platformës online

Vendosja e masave të reja në institucionet shkollore ka shkaktuar një stërlodhje të mësimdhënësve, që duhet të punojnë me dy ndërrime dhe në dy mënyra të ndryshme: atë të rregullt (duke shkuar në shkollë) dhe përmes platformës online.
Pajisja me mjete elektronike si dhe përdorimi i duhur i tyre ka qenë një sfidë tjetër me të cilën janë detyruar të ndeshen mësimdhënësit në këtë periudhë pandemie. Nga ana tjetër duhet theksuar se siguria brenda shkollave ishte në nivelin më të lartë sa i përket përhapjes së virusit. Masat ishin rigoroze dhe u respektuan në maksimum, si nga mësimdhënësit ashtu dhe nga nxënësit dhe punonjësit e tjerë të shkollës, d.m.th. protokolli u zbatua në tërësi.
Sa i përket mësimit online, ky vit shkollor vlerësohet jo shumë efektiv, sepse shumë nxënës kanë ngecur në mësimnxënie. Edhe pse mund të theksojmë se deri-diku ky gjysmëvjetor mund të cilësohet si i mbarë për klasat që vijuan rregullisht mësimin në shkolla, pra procesin mësimor, por për ata që vijuan online nuk mund të thuhet e njëjta gjë.
Procesi mësimor ka ecur mirë edhe pse ka pasur raste të infeksioneve, më së shumti të mësimdhënësve sesa nxënësve.

Është vërtetuar se përmes mësimit online nuk mund ta dimë se a e ka marrë informacionin nxënësi, ose nuk mund të merret me aktivitete siç kërkon mësimdhënësi, ose siç ka nevojë t’i bëjë mësimdhënësi

Mësimi online nuk ka treguar ndonjë efikasitet, sepse kjo metodë është vështirë e realizueshme duke e ditur gjendjen ekonomike të vendit, pasi që kërkon shumë investim, shumë përkushtim institucional e mbi të gjitha vetëdijësim të komunitetit të mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve, por edhe përgatitje profesionale të mësimdhënësve për realizim.
Mësimi online nuk ka pasur efektin e duhur pasi shpeshherë nxënësit kanë qenë të shpërqendruar nga kjo metodë e mbajtjes së mësimit.
Bazuar në shumë statistika, si prindërit ashtu edhe nxënësit dëshirojnë ose preferojnë mësimin me prani sesa çfarëdo formati tjetër jashtë bankave të shkollës. Për prindër nuk ka qenë aspak e lehtë gjatë kësaj kohe pasi janë detyruar të bëhen mësues të fëmijëve të tyre.
Është vërtetuar se përmes mësimit online nuk mund ta dimë se a e ka marrë informacionin nxënësi, ose nuk mund të merret me aktivitete siç kërkon mësimdhënësi, ose siç ka nevojë t’i bëjë mësimdhënësi.
Nxënësit kanë pasur shpeshherë probleme të kyçen online për shkak të problemeve teknike.
Ka pasur nxënës të cilët angazhohen në mësimin online njëjtë si në klasë, domethënë të cilët mund të arrijnë atë çka synohet prej mësimdhënësit, por ka nxënës të cilët nuk mund ta përballojnë këtë. Mungesa e përqendrimit, për shembull, ku ata fokusohen në gjëra të tjera, sepse u duket interesante pse mësuesen po e sheh përmes kamerave etj.
Orët e humbura mësimore dhe ngecja në mësimnxënie duhet të kompensohen dhe ashtu ka ndodhur. Është punuar gjatë të shtunave dhe pushimi dimëror është shkurtuar. Kompensimi i orëve do të vazhdojë edhe gjatë periudhës së gjysmëvjetorit të dytë, ku pushimi veror do të fillojë pak më vonë sesa viteve të tjera.
Urojmë që gjysmëvjetori dytë, i cili fillon më 18 janar, t’i gjejë të gjithë nxënësit në bankat shkollore, t’i kthehemi jetës normale dhe t’i kompensojmë disi ato që nxënësit s’i kanë arritur, e kjo e gjitha shpresojmë të ndodhë në shkollë e jo online.

Të fundit

më të lexuarat