Ulqin – Edicioni jubilar i 20-të i Panairit të Librit në Ulqin është mbajtur në shëtitoren në Ranë nga data 29 korrik deri më 2 gusht.
Ai është organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit – Tiranë, Organizata Turistike e Ulqinit dhe Qendra për Kulturë – Ulqin, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit.
Në ceremoninë e hapjes së Panairit, të enjten mbrëma, kanë marrë pjesë krerët e akademive të shkencave të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve vendore etj.
Drejtori i Organizatës Turstike të Ulqinit, Gzim Hajdinaga, ka thënë se ky panair ka bërë të mundur që në qytetin e Ulqinit të vijnë emra të nderuar të letrave, qeveritarë të ndryshëm dhe burrështetas, por edhe të tjerë që e kanë nderuar këtë skenë të bukur.
Duke iu drejtuar botuesve pjesëmarrës në Panairin e Librit, ai ka thënë se “krenaria jeni ju botuesit nga rajoni, që e bëni Ulqinin jo vetëm qendër të turizmit, por edhe qendër të librarisë më të madhe në shëtitoren më të bukur të bregdetit, e që është shëtitorja e Plazhit të Vogël”.
Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, ka shprehur kënaqësi që pas vitit të kaluar, të cilin ajo e ka quajtur “vit i zymtë”, kur për shkak të pandemisë së Covid-19 nuk është mbajtur Panairi i Librit në Ulqin, kanë arritur që këtë vit të sigurojnë vazhdimësinë e këtij panairi të librit.
“Nuk është gjë e lehtë kjo në ditët moderne. Të kesh mundësi që të kesh në një panair të tillë 50 botues nga rajoni, të gjithë vullnetplotë e besimplotë, e me ndërgjegje të lartë profesionale që na bashkohen çdo vit për të ardhur në qytetin e bukur të Ulqinit për të takuar me qindra e qindra lexues, të cilët ne nuk kemi mundësi t’i takojmë ndryshe gjatë punës sonë të një viti”, ka thënë ajo.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, ka thënë se libri është kulturë dhe se edhe sot në kohët e digjitalizimit libri ishte dhe do të mbetet dritë e cila nuk shuhet.
“Mysafirët të cilët po pushojnë këto ditë në qytetin tonë kanë rast të mirë që përveç mbresave nga Ulqini të sigurojnë edhe ndonjë titull libri, i cili do t’i kujtojë në verën e Ulqinit”, ka thënë ai.
Shkrimtari Rudolf Marku, i ftuar nderi i edicionit të sivjetshëm të Panairit të Librit, ka thënë se “letërsia duket se asnjëherë tjetër nuk ka qenë më e çmuar se në kohën e sotme, në mënyrë paradoksale kur profetët e rremë duan të na thonë se librave u ka ikur koha, se elektronika e zhvleftëson çdo ditë e më tepër librin, se facebooku na qenka më i rëndësishëm sesa poezia”.
Nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, Gjorgje Borozan, ka thënë se Panairi i Librit në Ulqin është një model i veçantë i bashkëpunimit ndërkombëtar, ku libri është treguar si rruga më e mirë.
“Ai ka qenë gjithnjë urë përmes të cilit në mënyrën më të mirë ndërthuren të arriturat e popujve dhe shteteve në këtë hapësirë”, ka theksuar Borozan, duke shtuar se AShAMZ-ja e çmon lart rolin dhe rëndësinë e këtij panairi ndërkombëtar për vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka vlerësuar punën e organizatorëve të Panairit të Librit në Ulqin, të cilët, siç ka thënë ai, “kanë meritë që për kaq vite arrijnë të mbajnë gjallë këtë manifestim pak të veçantë, për shkak të rrethanave në të cilat sot jetojmë, që nuk janë shumë të favorshme për librin”.
Kraja ka thënë se vetëm ata që e kanë mbajtur, e dinë se çfarë sakrifice është për të organizuar Panairin e Librit në Ulqin, të cilin ai e ka quajtur si njërin nga më të rëndësishmit në hapësirën shqiptare.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka thënë se mesazhi kryesor që vjen nga Panairi i Librit është që kontakti me librin mbetet gjithmonë i pazëvendësueshëm dhe ai ka rolin e vet.
“Ashtu siç komunikimi midis njerëzve, marrëdhëniet midis njerëzve, marrëdhëniet virtuale, marrëdhëniet ndërmjet mjeteve të informacionit nuk i zëvendësojnë dot marrëdhëniet fizike, ashtu ndodh edhe në marrëdhëniet midis librit dhe botuesit, librit dhe krijuesit. Kjo është edhe rëndësia kryesore e këtij panairi”, ka thënë ai.
Në natën e parë të Panairit është shfaqur dokumentari i përgatitur nga gazetari Engjëll Ndocaj, i cili flet për rrugëtimin 20-vjeçar të Panairit të Librit në Ulqin.
Mbrëmje letrare kushtuar Radovan Zogoviqit dhe
Rudolf Markut
Në ditën e dytë të Panairit, në mjediset e Hotelit “Albatros” është mbajtur mbrëmje letrare kushtuar shkrimtarit të ndjerë malazias Radovan Zogoviq dhe shkrimtarit shqiptar Rudolf Marku.
Për Zogoviqin dhe krijimtarinë e tij kanë folur poeti, studiuesi i letërsisë dhe profesori universitar Agim Vinca, shkrimtari Mirash Martinoviq dhe profesoresha e gjuhës dhe letërsisë malazeze, mr. Aleksandra Vukoviq.
Duke folur për “Këngët e Ali Binakut”, si njërën prej veprave më përfaqësuese të Zogoviqit, Vinca ka thënë se ajo u shkrua në vitet ’30 të shekullit të 20-të si reagim poetik ndaj situatës së rëndë në të cilën gjendeshin shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme, e cila zhvilloi ndaj tyre një politikë shfarosëse.
“I ardhur si fëmijë në Kosovë nga një familje kolonësh malazezë, Zogoviqi e pa me sytë e tij këtë tragjedi… I brumosur me idetë e mëdha letrare, politike të së majtës, e cila në atë kohë kishte përfshirë jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por tërë kontinentin evropian, poeti i ri malazias nuk mund të heshtte para kësaj padrejtësie që iu bëhej njerëzve me të cilët ishte rritur dhe i kishte njohur nga afër”, është shprehur ai.
Shkrimtari Mirash Martinoviq ka thënë se “që shkrimtarët e mëdhenj nuk vdesin, dëshmi është edhe Radovan Zogoviqi dhe vepra e tij, e cila edhe pas më shumë se 100 vitesh është këtu me ne dhe në mesin tonë”.
Ai ka nënvizuar se Zogoviqi është një figurë e madhe e shekullit të njëzetë, i cili e përjetoi censurën qysh si poet i ri.
Në kuadër të mbrëmjes kushtuar Zogoviqit u bë edhe përurimi i përmbledhjes poetike “Artikulisana riječ”.
Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, ka treguar arsyen e përzgjedhjes së poetit Rudolf Marku si i ftuar i posaçëm i edicionit të Panairit të këtij viti.
“Ajo që ne dëshironim duke sjellë Rudolf Markun në qendër të këtij Panairi ishte të kthenim vëmendjen përsëri te poezia dhe te roli i saj në jetën tonë. Në jetën tonë që po bëhet gjithnjë e më tepër prozaike, ka nevojë për poezi dhe poetët janë shumë të çmuar”, ka thënë ajo.
Shkrimtari Besnik Mustafaj ka thënë se Rudolf Marku është një poet që ka, pa asnjë diskutim, një vend të nderuar në poezinë shqipe, një vend në vijën e parë të krijuesve në letërsinë shqipe.
“Rudolf Marku është pjesë e një grupi që erdhi në letërsinë shqipe fill pas brezit të artë të poetëve, që janë Arapi, Agolli dhe Kadareja… Ishte shumë e vështirë të vish në poezinë shqipe pas atyre dhe të bëje një emër”, ka thënë Mustafaj, duke e cilësuar Markun si “një lloj avantgarde e këtij brezi të poetëve që erdhën në vitet ’70”.
Poeti Rudolf Marku ka thënë se Ballkani është gadishulli i poezisë dhe në të do të flitet gjithmonë për poezinë.
“Poezia, mendoj unë, ka aftësinë, është arti i bashkimit, i komunikimit, i bashkësisë dhe i paqes.
Dhe mendoj që kjo veti e poezisë është më e dobishme se asnjëherë tjetër”, ka thënë ai.
Mirënjohje për kontribuesit e Panairit të Librit
Me rastin e edicionit jubilar të 20-të të Panairit të Librit në Ulqin, në natën e dytë, organizatorët kanë ndarë mirënjohje për individë dhe organizata të cilët kanë kontribuar ndër vite për organizimin e këtij panairi.
Kështu Instituti i Librit dhe i Promocionit ka ndarë “Mirënjohje të Veçantë” për Fuad Nimanin (pas vdekjes), ish-kryetar i Komunës së Ulqinit dhe ish-ministër për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave; Gzim Hajdinagën, drejtor i Organizatës Turistike të Ulqinit, ish-ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe ish-kryetar i Komunës së Ulqinit, si dhe për Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Ndërkaq Komuna e Ulqinit dhe Organizata Turistike e Ulqinit ka ndarë mirënjohje për Institutin e Librit dhe Promocionit dhe për drejtuesen e tij, Irena Toçi.
Në Panairin e Librit në Ulqin, sipas organizatorit, kanë marrë pjesë rreth 50 shtëpi botuese nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
i. k.
Çmimet letrare për Besnik Mustafajn, Bujar Hudhrin dhe Diana Çulin
Për të dytën herë, këtë edicion janë ndarë çmimet letrare për veprën më të mirë në prozë, veprën më të mirë për fëmijë dhe për të parën herë për veprën më të mirë të përkthyer në shqip, që janë botuar në vitet 2020-2021 dhe janë ekspozuar në Panairin e Librit në Ulqin.
Juria me kryetare kritiken e letërsisë dhe gazetaren Arta Marku, dhe me anëtarë profesor Agim Vinca, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit – Tiranë, Alda Bardhyli, studiuesi i letërsisë Behar Gjoka dhe gazetari Ismet Kallaba kanë vlerësuar me Çmimin “Liburnia” shkrimtarin Besnik Mustafaj për romanin “Historia si një mushkë”, me motivacionin “për hulumtimin e thelbit të njeriut të sotëm duke përdorur historinë”. Çmimi “Servantes” i është ndarë Bujar Hudhrit për përkthimin në shqip të veprës “Lumturia martesore” e Lev Tolstoit, me motivacionin “për elegancën në zgjedhje dhe në përkthim”. Çmimin “Dega e ullirit” e ka fituar shkrimtarja Diana Çuli për librin “Aventurat e Zozos dhe Zhuzhusë” me motivacionin “për gërshetimin e përvojës së shkrimtares me zbulimin e botës së sotme fëmijërore”.
Kryetarja e jurisë për ndarjen e çmimeve letrare, Arta Marku, ka thënë se sot shkruhet letërsi shumë e mirë shqipe, e krahasueshme me letërsinë që shkruhet kudo në botë.
“Këtë gjë e vërteton edhe prurja e sivjetshme në Panair. Kemi pasur autorë shumë të rëndësishëm, shumë të mirë, dhe juria nuk e ka pasur të lehtë të zgjidhte librin më të mirë midis librave shumë të mirë”, ka thënë ajo.