
Bazuar në gërmimet e deritanishme arkeologjike, apo të gjetjeve të rastit, është e sigurt se bashkësitë e para njerëzore, pra banorët e parë të trevës së Ulqinit që kanë jetuar këtu dhe kanë krijuar të mira materiale e kulturore, padyshim se janë parailirët e që gjurmët e tyre i hasim këtu që nga epoka e gurit dhe më herët. Lidhur me parahistorinë të kujtojmë pak lexuesin se: paleoliti (epoka e gurit të vjetër) fillon që nga paraqitja e njeriut. Pasohet nga mezoliti (epoka e mesme e gurit) dhe kap harkun kohor prej 10.000-7.000 vjet p.e.r. dhe vazhdon me neolitin (epoka e gurit të ri), epokë kjo që përthakon harkun kohor prej 7.000-3.000 vjet p.e.r. Kjo periudhë sipas studiuesve njihet edhe si periudha e kalimit prej jetesës nomade në atë sedentare. Me fjalë tjera kalim nga periudha ekonomike e gjuetisë dhe vjeljes së fruteve të gatshme në ekonomi të kultivimit të kulturave bujqësore dhe zbutjen e kafshëve.
Kur flasim për fillet e jetës në Ulqin atë duhet lidhur në kontekstin hapësinor mes detit dhe kontinentit. Ulqini historikisht njihet si vend me rëndësi të veçantë, pasi që përveç se ishte port detar, ai ishte edhe vend nëpër të cilin kalonin rrugë të rëndësishme që lidhnin qytetet në brendinë e kontinentit me detin e përmes detit me të gjitha qytetet kryesore të Mesdheut. Pra, Ulqini duke qenë pjesë e kësaj hapësire gjeografike, gjurmë të jetës së organizuar në të i hasim që në parahistori. Në Ulqin, konkretisht në Kalanë e Ulqinit pran murit ciklopik, gjatë gërmimeve arkeologjike nga shekulli i kaluar janë zbuluar edhe gjurmë të neolitit (periudhë kohore që zgjati nga 6000-2600 p.e.r ), e që i takojnë një nëngrupi të ashtuquajtur neoliti i Adriatikut. Pra, harta e gjetjeve nga terreni që dëshmojnë periudhën e neolitit të Adriatikut përfshijnë zbulimet nga: Odmuti (Plluzhinë, Vrbica, brigjet e Pivës), Guri i kuq (Nikshiq), Spila (përmbi Perast), Lipci (vizatmet në shkëmb) dhe zbulimet nga Ulqini. Ky territor, që përkon me një trajektore prej afro 200 km, i vogël në dukje të parë, por është shumë i rëndësishëm, sepse na jep dëshmi të shumta lidhur me jetën dhe aktivitetet ditore të banorëve të kësaj treve në periudhën e neolitit e çka është më kryesorja përkon me territorin e sotëm të Malit të Zi.
Të rralla janë vendet sikurse Ulqini i cili në një hapësirë territoriale relativisht të vogël, njeriu të ketë lënë gjurmë të shumta të kulturës materiale dhe shpirtërore. Vëmendjen tonë, kur flasim për Ulqinin, na e rrëmbejnë disa zbulime arkeologjike që i takojnë periudhës së neolitit. Hulumtime serioze arkeologjike brenda Kalasë së Ulqinit, por as në rrethinën e ngushtë e të gjërë nuk janë zhvilluar, mirëpo sipas disa sondazheve të shumë viteve më parë në dritë kanë dalë disa materiale arkeologjike që flasin shumë dhe se datën e Ulqinit si vendbanim e zhvendosin shumë heret, që në parahistori. Para-ardhësit tanë para-ilirë të Ulqinit, në periudhën e diferencimit të grupimeve të mëdha shoqërore-etnike të asaj kohe, arrijnë në një pikë zhvillimi ku përgatitën idole antropomorfe prej balte të pjekur të tipit magna mater, gjë që është një dëshmi për një organizim të jetës shpirtërore të bazuar në ideologjinë e origjinës dhe bashkësisë.
Në krijimtarinë materiale dhe shpirtërore gjatë gjithë Neolitit të hershëm si në Kalanë e Ulqinit, ashtu edhe në rrethinën e ngushtë të saj ka mbizotëruar kulti i Hyjneshës së tokës.
Nga pjesa veriore e Kalasë së Ulqinit kemi figurën antropomorfe të Nënës së madhe (Magna mater), e cila gjendet në Muzeun Arkeologjik të Ulqinit dhe flet për një kulturë shpirtërore të hershme të para-ulqinakëve apo para-ilirëve ulqinakë. Kjo figurë antropomorfe e femrës e gjetur brenda pjesës veriore të Kalasë së Ulqinit është unike dhe ndër të rrallat e këtij lloji dhe e kësaj periudhe kohore që është gjetur brenda territorit të sotëm të Malit të Zi. Kjo flet qartë për një nivel zhvillimi të lartë kulturor të këtyre banorëve dhe se muri ciklopik që daton nga shekulli i pestë p.e.r, nuk ishte rastësi në ndërtim, por një vazhdimësi e ndërtimeve të një vendbanimi më të hershëm që ka ekzistuar aty. Gjithashtu gjetja e rastësishme e çekiçit të gurit të periudhës së Neolitit në fshatin Krythë të Ulqinit vetëm vërteton se kjo zonë falë klimës së butë mesdhetare, tokave pjellore, ujit të bollshëm ka qenë shumë heret e banuar dhe ka zhvilluar një lloj kulture të neolitit të Adriatikut. Aleksandër Stipçeviqi, sëpatën e shpjegon si simbol të plleshmërisë te ilirët dhe bën lidhjen direkte me nënën e madhe. Andaj mund të themi se që nga koha e gurit të ri ajo ka patur vend të rëndësishëm në veprimet e kulteve magjike të njeriut. Gjithashtu në territorin e Ulqinit janë gjetur disa sëpata. Këto janë sëpatat e llojit shkodrano-dalmat të gjetura në Kalanë e Ulqinit dhe në Katërkollë. Ato janë të veçanta dhe gjasojnë me lloje të ngjashme të sëpatave apo çekiçëve të hapësirës territoriale të Kolkidës e që të shtyn të mendosh se lidhjet tregtare mes Ulqinit dhe Kolkidës kanë qenë të vendosura shumë herët, që në kohën e bronzit. Andaj kjo ishte edhe një nga shtyset që disa studiues lidhjen e emrit të Ulqinit e bëjnë me Kolkidën duke thënë se Ulqinin e themeluan kolkidasit, prej nga merr spjegim edhe emri i Ulqinit. Nëse kjo do të mund të dëshmohej, atëherë edhe legjenda për Kadmin i cili kur ikën nga qyteti i tij dhe vjen e vendoset te fisi i Enkelejve, që para dyndjeve kanë jetuar në arealin te Gjiri i Kotorit, duhet të jetë e vërtetë se ka themeluar njërin nga tri qytetet e hershme ilire: Ulqinin, Budvën ose Risanin, por nuk duhet anashkaluar as mendimin se ai duhet t’i ketë themeluar që të tri këto qytete.
Kulti i Nënës së madhe është përcjellë deri në antikitetin e vonshëm. Ajo më pastaj personifikohet përmes Artemidës, e që po ashtu në Kalanë e Ulqinit prej gjetjeve më të vlefshme të antikitetit të hershëm i përket edhe Altari i Artemidës.