
Se familja Beci ka qenë pronare e shumë anijeve të tonazheve të ndryshme padyshim se këtë e vërtetojnë edhe të dhënat dokumentuese jo vetëm të familjes por edhe të studiuesve të ndryshëm të cilët na përcjellin informacione e dëshmi përmes botimeve të tyre. Anijet e familjes Beci përveç dëmeve që kanë pësuar gjatë lundrimeve ato kanë pësuar edhe nga luftrat e sekuestrimet e ndryshme.
P.sh. sipas Hamdi Bushatit, anija “Urshaja e detit” me kapidan Ismail Becin është mbytur gjatë luftës për mbrojtjen e Ulqinit së bashku me shtatë anije tjera të cilat ishin pronë ose bashkëpronësi e familjes Beci. Në Luftën e Parë Botërore pësojnë anijet ulqinake në limanin e Shëngjinit konkretisht më 15 dhjetor 1915 ku për një ditë fundosen 16 anije.
Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore gjithashtu konfiskohen anijet ulqinake e mes tyre edhe ato të familjes Beci. Si kuriozitet Safet Rasim Beci , tregon: anijen “Lulja e Shkodrës” e bleu në Shkodër gjyshi i im Emin Beci. Me këtë anije ka punuar dhe ka transportuar mall të ndryshëm nga Shkodra në Ulqin, Tivar madje edhe përmes Liqenit të Shkodrës deri në Pllavnicë. Sipas asaj që i ka treguar babai, Rasimi, di se gjysh Emini me këtë anijen ka transportuar mallëra të ndryshme jo vetëm për tregëti civile por edhe për gjermanët në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Ishte i detyruar që këtë shërbim ta bënte vetë ose t’i sekuestrohej anija. Por, që si kuriozitet tregon se ata ishin jashtëzakonisht korrekt dhe për çdo “vijagjo” ka marrë shpërblimin e duhur në të holla. Në këtë anije si timonier ka punuar një afro-ulqinak emrin e të cilit nuk e mban në mend si dhe një ulqinak me mbiemrin Pufja. “Lulja e Shkodrës” ka bartë po gjermanët edhe gjatë tërheqjes së tyre nga Greqia e Shqipëria për në Gjermani.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore nuk përfundojnë hallet lidhur me anijet. Me urdhër të shtetit bëhet sekuestrimi i të gjitha anijeve e mes tyre edhe “Lulja e Shkodrës” së bashku me 35 anije tjera ulqinake. Si kuriozitet Ibrahim Iljaz Beci tregon se sipas asaj që ka dëgjuar familja, atë ditë të kobshme partizanët kishin shkuar në port dhe në formë ultimatumi u kishin dhënë pesë minuta kohë pronarëve të anijeve që ato t’i lëshojnë përndryshe do të shpalleshin armiq të popullit dhe pastaj përfundimi vetëm mund të supozohej.
Në bisedë me Safet Becin ai me këtë rast më tregon disa dokumente dhe një kukë të anijes e cila ka shërbyer si ndihmesë gjatë gastimit. Me siguri i përket anijes Lulja e Shkodrës.
Dokumenti nr.1: – Akt shitje – ky dokument është i formatit 34x21cm i ndarë në dy pjesë. Pjesa lartë majtas përmban pullat e taksave të paguara në Bashkinë Shkodër. Dokumenti fillon me aktin e veprimit pra shitjen e anijes (motorbarkë) me emrin ”Lulia e Shkodrës” nga ana e Januz Mustafës nga Shkodra dhe blerja nga ana e Emin Brahim Becit nga Ulqini. Sipas kontratës shitëse del se motoranija është e regjistruar në Zyren e Kapedanis në Shkodër dhe mban numrin 2. Në pikën e dytë sqarohet çmimi i cili është 8000 Franga Shqiptare. Dokumenti mban datën 29 janar 1943. Nënshkrimet e shitësit dhe blerësit
Pjesa e dytë mban të dhënat verifikuese nga ana e noterit Eduard Suma. Më poshtë ai sqaron se dëshmitarë të pranishëm ishin: Daut Idriz Beci, le e banues në Shkodër me profesion rrobaqepës dhe Rrustem Jaho Jahja, le e banues në Shkodër, duhanshitës. Të dhënat e kontraktuesve janë: Blerësi Emin Beci i biri Brahimit le e banues në Ulqin. Detrar. Shitësi, Januz Mustafa i biri Mustafa Jakupit lindur në Ulqin e banues në Shkodër, detar. Dokumenti mbyllet me numrat protokolar, informatat e pagesës së taksave administrative dhe nënshkrimet.
Dokumneti nr.2: – Në anën e majtë lartë protokolli: Mbretëria Shqyptare, Gjykata paqtuese Ulqin, nr.i repertorit 221, nr.i koleksionit 37. Në anën e djathtë mbishkrimi mbreti Emanuel III, mbret i Italisë e Shqipërisë, Perandor i Etiopisë.
Kontratë shit-blerje ullishte. – formati i dokumentit 34x21cm i mbyllur (1 faqe) kurse kur e hapim 34x42cm. Ky dokument, nga 4 faqet sa ka, dy janë të mbushura me tekstin përmbajtjen e të cilit e ka përgatit noteri i autorizuar nga Shkodra, Dr. Sabri Quku më 3 mars 1943. Dokumenti përmban të dhënat e shitblerjes së ullishtës e cila gjendet në Bashbylyk në Ulqin me 40 rranxë ullinj. Dëshmitarë janë Riza Sulë Dervishaga dhe Enver Reshit Nimanbegaj nga Ulqini. Vlera e ullishtës së shitur për 40 rrënjë ullinj siç thuhet në dokument së bashku me tokën është 17000 franga Shqyptare.
Dokumneti nr.3 – Çertifikatë mjekimi – formati i dokumentit 20x29cm, në fund i grisur për një centimetër.
Ky dokument është i shkruar në gjuhën shqipe dhe përmban dëshmin e mjekut Gojko Gvozdenoviq i cili ka vizitu në shtëpinë e saj zonjën Ruki Adem Lani, e ve nga Ulqin e moshës 70 vjeç. Me këtë rast mjeku konstaton gjendje të mirë shëndetësore të zonjës dhe me këtë rasti i lëshon çertifikatën mjekësore siç deklarohet sipas kërkesës së saj. Në mes përmban vulën Qendra shëndetësore Ulqin data 30.05.1942 e nënshkruar dhe vulosur nga Dr. Gojko Gvozdenoviq, mjek rural
Dokumenti nr. 4 – Letërautorizim – Ovlašćenje
Ky dokument i shkruar në dy gjuhë ka formatin 34x21cm. Në fillim të dokumentit duke i krijuar dy kolona në anën e majtë në gjuhën shqipe kurse në të djathtë gjuhën malazeze. Ka të bëjë me Emin Becin nga Ulqini me punë në Shkodër i cili autorizon babain e tij Bim Becin me banim në Ulqin që të bëjë kërkesën për kompensimin e rrënimit të shtëpisë familjare me rastin e bombardimit të Ulqinit nga ana e anglezve. Me këtë rast në praninë e Noterit të autorizuar dëshmitarë paraqiten Muharrem Ahmet Gjyli dhe Palokë Lulash Daka banues në Shkodër. Dokumenti mban datën 20 gusht 1945, Shkodër.
Dokumenti nr. 5 – Ky dokument është i shkruar në gjuhën malazeze. IZJAVA – formati A4, 21×29,7cm mban datën 15 dhjetor 1958 lëshuar në Ulqin.
Ky dokument ka të bëjë me deklaratën rreth dëshmisë së provimit të dhënë për motorist anijesh nga ana e Emin Becit nga Ulqini. Kjo dëshmi përmban deklaratat e Smail Malohoxhës dhe Mustafa Karaminxhos të cilët deklarojnë se Emin Beci e ka pasë të dhënë provimin për motorist në periudhën e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (Ish Jugosllavi) dhe se të njejtën dëshmi është dashtë ta tregojë në portin e Pireut, gjatë futjes në marrëdhënie pune në jahtën ”Nimet Allah” të mbretit të Egjiptit Abas Hilmi. Këtë dëshmi ai e ka treguar autoriteteve të jahtit me rastin e fillimit të punës në janar të vitit 1938 në Pirej (Greqi). Me këtë rast dëshmitarët vërtetojnë se Emin Beci ka punuar në këtë jahtë për 4 vite, 2 muaj e 9 ditë dhe këtë e dijnë se së bashku e kanë filluar dhe përfunduar punën në këtë jahtë.
Dëshmia është dhënë në Gjyqin e Qarkut dega Ulqin, më 15 dhjetor 1958
Falendërojmë pasardhësit e familjes Beci dega Ulqini për dokumentet e dhëna në shqyrtim.