
Gjuha është mjeti kryesor dhe më i domosdoshëm i të komunikuarit ndërmjet njëri-tjetrit. Gjuhën e folur dhe të shkruar fillojmë ta mësojmë qëkur shkojmë për herë të parë në bankat e shkollës. Gjuha është e shenjtë- e shtrenjtë. Gjuha duhet admiruar e adhuruar. Ajo duhet ruajtur e kultivuar për t’ia transmetuar ashtu të bukur dhe të pastër, edhe brezave pasardhës. Gjuha amtare është thesari më i çmuar i një kombi. Gjuha duhet të vlerësohet kurdoherë, në çdo moment e rrethanë, është një pasuri e pazëvendësueshme.
Ne shqiptarët kemi një gjuhë amtare sa të bukur e të vjetër, dhe shumë të pasur, madje me një leksik aq të pasur sa edhe gjuhët e tjera mund ta kishin lakmi.
Sigurisht se për të ruajtur dhe mbajtur gjallë gjuhën amtare, duhet që fillimisht të jemi koshient mbi identitetin tonë të cilit i përkasim. Nëse objektivi ynë primar është që të mbetemi të tillë, me një identitet të palëkundur e të pa tjetërsuar, sigurisht se nga ne kërkohet që të veprojmë pa reshtur në këtë drejtim, që të mos humbasim busullën tonë të orientimit, por të dimë të vlerësojmë pasuritë dhe vlerat e atij identiteti të cilit i përkasim. Pra, ne duhet të dimë se kush jemi, nga kemi ardhur dhe ku duam të shkojmë. E nëse do të veprojmë në këtë mënyrë, pa mëdyshje se do ta ruajmë e kultivojmë gjuhën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Dihet se gjuha amtare mund të ruhet përmes disa formave, si shkollimi në gjuhën amtare, informimi në gjuhën amtare, jetësimi i institucioneve të kulturës, artit, shkencës, përmes krijimtarisë në fusha të ndryshme në gjuhën amtare, etj.
Në këtë këndvështrim, për fatin tonë të mirë, ne kemi shumë krijues, shkrimtarë, gjuhëtarë, gazetarë, publicistë, organizata, por edhe personalitete të fushave të tjera jetësore të cilët veprojnë pareshtur me një punë të vyer kur bëhet fjalë çështja e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në këto treva.
Por a mjafton vetëm veprimtaria e palodhshme dhe e çmuar e këtyre individëve dhe shoqatave për të arritur objektivin dhe misionin tonë të përbashkët, pa iniciativën e secilit nga ne si individ?
Qe ne t’i bashkëngjitemi atyre që ndihmojnë në ruajtën dhe kultivimin e gjuhës amtare, më e pakta që do të mund të bënim është që së paku të komunikojmë në gjuhën amtare, sepse shpeshherë dëgjojmë kur gjuha tjetër flitet edhe atëherë kur nuk është fare e nevojshme, nga ata të cilët gjuhë amtare e kanë, shqipen. Gjithashtu, një kontribut në këtë drejtim do të ishte që ne të arsimohemi në gjuhën amtare dhe të lexojmë në gjuhën amtare.
Për fat të keq, në përditshmëri jemi dëshmitarë të shumë rasteve të komunikimit nëpër rrjete sociale, por jo vetëm, kur shohim se njohja e gjuhës shqipe është e mangët, me një komunikim I cili më tepër e dëmton gjuhën, dhe kjo sigurisht se është për të ardhur keq, sepse në fund të fundit, e kemi obligim moral që të mos e dëmtojmë dhe bastardojmë gjuhën tone amtare.
Dhe ajo që duket më shqetësuese është fakti kur këto mangësi në të folur dhe në të shkruar janë evidente edhe nga ata që janë avangardë në shoqërinë tonë, nga figura publike e politike që kanë peshë vendimmarrëse, pa përjashtuar as të tillë që kanë studiuar nëpër universitete shqiptare, (jo të gjithë). Pra, edhe nga kjo shtresë e shoqërisë nuk janë të rralla rastet kur nëpër paraqitjet e tyre publike shohim dhe dëgjojmë një mosnjohje të gjuhës amtare, për të mos thënë një shtrembërim të saj.
Mendoj se gjuha amtare është një tregues shumë i mirë i nivelit tonë të formimit. Njohja në thelb e saj sigurisht se do të ishte absurde që të kërkohej nga njerëzit e rëndomtë, por nga ata të cilët na përfaqësojnë nëpër funksione të ndryshme, njohjen e gjuhës duhet ta kenë si prioritet të veprimtarisë së tyre në shoqëri, sepse ata duhet të shërbejnë si model për të gjithë.
Në këtë këndvështrim, mendoj se për të ruajtur gjuhën tonë amtare në nivelin e merituar, duhet që të angazhohemi në mënyrë të përbashkët, gjithnjë e pa hezitim; individë, institucione, shoqata joqeveritare, media, shkolla, etj, që nëpërmjet aktiviteteve të nivelit të duhur në fusha të ndryshme të shoqërisë, të kontribuohet edhe më shumë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare.