Theron J. Damon
(vijon nga numri i kaluar)
Shkollat vetëm do i lehtësojnë
E ardhmja e Shqipërisë varet jo vetëm nga vullneti i Austrisë, Italisë, Malit të Zi që mbështetet nga Rusia, i Greqisë dhe i vetë Turqisë, ku secili prej këtyre është i vendosur që të ketë pjesën e vet shqiptare të tortës. E ardhmja e Shqipërisë varet shumë nga sasia e arsimit që mund të vihet në zbatim përpara se të përcaktohet përfundimisht fati i dy milionë banorëve. Me përjashtim të znj. Edit Durham, gruaja angleze që i ka shkelur vetë zonat më të egra dhe të rrezikshme të Shqipërisë, askush nuk e njeh më mirë këtë vend se sa z. Xhejms D. Bourshier, që për një brez të tërë ka qenë korrespondent special i “London Times” në Ballkan. Artikulli i tij i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në edicionin e ri të “Encyclopedia Britanica”, pasi flet për betejat e grupeve të izoluara të shqiptarëve konkludon: “Rritja e një ndjenje më të fortë patriotike duhet të varet nga përhapja e arsimit në popull”.
Nëse arsimi përhapet pa pengesa në Shqipëri, edhe shqiptarët do të fillojnë të kujdesen për vetveten. Shumë prej shqiptarëve të krishterë në qytetin e Shkodrës janë arsimuar dhe kanë siguruar begati, falë italianëve dhe austriakëve. Ata i druhen sidomos fanatizmit të vëllezërve të tyre myslimanë, ndonëse në malet disa kilometra larg, mes familjeve të malësorëve injorantë, si feja e krishterë ashtu edhe ajo myslimane mund të zënë vend nën të njëjtën çati, dhe ritet e krishtera e myslimane mund të kryhen edhe në një ndërtesë të vetme.
Disa herë autori i këtij artikulli ka pyetur shqiptarët myslimanë të arsimuar, të interesuar për kauzën e racës së tyre, përse nuk u kanë predikuar myslimanëve të Shkodrës dhe gjetkë vëllazërinë mes krishterëve dhe myslimanëve. Pa ngurrim, por me turp dhe me buzët shtrënguar, përgjigjja ka qenë çdo herë e njëjta: “Është e pamundur. Myslimanët janë injorantë. Në fillim duhet të arsimohen, pastaj do të kuptojnë”.
Pak përpara shpërndarjes së Parlamentit, në janar 1912, një deputet shqiptar, njëri prej kryezëdhënësve të racës së tij dhe për momentin lider i rebelëve, deklaroi: “Nëse turqit vazhdojnë të përbuzin joturqit, ata do e rrënojnë vendin e tyre. E them këtë sepse i dua turqit, ekzistenca e të cilëve është e nevojshme për ne”. Deputeti shqiptar fliste për popullin e tij.
Shqiptari ka frikë nga e ardhmja
Shqiptari ka frikë se mos, në vend që të sigurojë lirinë për të cilën është lutur dhe ka luftuar, malet e tij të shtrenjta dhe luginat pjellore do të ndahen mes shteteve ndërluftuese, dhe se mos ai absorbohet nga një racë e huaj. Austria kërcënon të vijë nga veriu. Italia kanos nga përtej brigjeve të Adriatikut. Këta janë dy armiq që shqiptarët i urrejnë më keq sesa turqit, pavarësisht shkollave, spitaleve dhe kishave që përfaqësuesit e tyre kanë ndërtuar në veriperëndim të Shqipërisë. Shqiptarët i tremben Austrisë dhe Italisë tamam si një polak profetik mund t’i jetë trembur tre grabitësve të tokës mëmë. Shqiptarët i druhen po kështu një konference evropiane për këtë qëllim, se mos Mali i Zi dhe Greqia lejohen që të zgjerohen në kurriz të shqiptarëve. Alternativa ideale që ai do të dëshironte është një Turqi e mirëqeverisur, për të cilën ai do të jetë një prej “ledheve mbrojtes”.
Megjithatë, breza të tërë sundimi turk i kanë mësuar se nuk duhet të presë drejtësi nga turqit. Revolucioni i korrikut 1908 ofroi një rreze të përkohshme shprese, por errësira e dëshpërimit u rikthye menjëherë, më e zezë se më parë. Ndëshkimi me thupra, plumbi dhe qelia e burgut kanë qenë shpërblimi i vetëm pas kërkimit për “diçka më të mirë”. Është e vërtetë që, shqiptarët që kishin qenë mospërfillur për shekuj të tërë nuk ishin të gatshëm që të pranonin me mirësi disa prej kushteve të “konstitucionalizmit”. Fshatari injorant, që nuk ka paguar asnjëherë taksa dhe nuk është regjistruar asnjëherë për shërbimin ushtarak, nuk e vlerësonte “barazinë” e re, që iu manifestua atij përmes pagesës së taksave ashtu sikurse të gjithë banorët e tjerë të Turqisë, si dhe për kontributin e kuotave të tij për martirët në tokat e largëta të Jemenit.
Shqiptarët kanë shumë gjëra për të mësuar. Arsimi mund të kishte ardhur tashmë përmes udhëheqësve të tyre të iluminuar. Por turku budalla bëri të vetmen gjë që dinte të bënte – ai marshoi me ushtri drejt Shqipërisë. Si pasojë, në vend që të shfrytëzonte shanset e një besnikërie entuziaste, ai rrënjosi edhe më tej ndjenjat e kahershme të mosbesimit dhe urrejtjes.
Spekulimet për të ardhmen e Shqipërisë të çojnë vetëm në labirinte të padepërtueshëm, pasi problemi i Shqipërisë është i lidhur ngusht me çështjen e Lindjes, ajo që ka munduar Evropën për breza të tërë. Lufta e Krimesë u bë për ta zgjidhur atë, por në një formë më të komplikuar ajo u rikthye në luftën ruso-turke (1877-1878). Të dërguarit e Evropës në Berlin në vitin 1878 djallosën Traktatin e Berlinit. A mos është shumë të shpresojmë që ka ardhur koha për daljen e një brezi më dashamirës diplomatësh? Megjithatë, Lindja e Afërt shpreson gjithmonë për një zgjidhje dhe për t’u dhënë fund kushteve që, me turqit e vjetër dhe tanimë të rinjtë, po e bëjnë Perandorinë Otomane thjesht një legjendë.
Sot shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur prej dekadash, nga plaga e sundimit turk. Nga këta popuj të pafat, shqiptarët janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste. (Fund)