Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini” organizuan të enjten në Ulqin takimin përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së Faik Konicës, njërit prej figurave më të shquara të kulturës shqiptare.
Prof. dr. Isak Shema, autor i veprës “Veprimtaria e Faik Konicës: Bruxelles 1896-1902”, botuar në vitin 2019, ka paraqitur për publikun punën e tij hulumtuese për këtë kolos të kulturës shqiptare në këtë përvjetor.
Ai ka thënë se Konica është njëri ndër krijuesit më të shquar të epokës së Rilindjes Kombëtare shqiptare, të kulturës, letërsisë, publicistikës së viteve të fundit të shekullit XIX dhe të gjysmës së parë të shekullit XX.
Shema ka thënë se Konica është njeriu që ka zbuluar flamurin e Skënderbeut, të panjohur më përpara, “të cilin e ka publikuar në kohën kur shqiptarët nuk e kishin ende idenë se cili ishte saktësisht flamuri i Skënderbeut”.
Sipas tij, në qendër të vëmendjes së këtij dijetari të madh, i cili me të drejtë është quajtur “princi i gjuhës dhe i letërsisë shqipe” janë shumë fusha të dijes, ndërsa portretet letrare, prozat e shkruara, shkrimet kritike etj. të botuara në periodikun e kohës përbëjnë një vepër enciklopedike të paimagjinueshme para tij.
“Objektivisht veprimtaria e Faik Konicës është një institucion i jashtëzakonshëm, i njohur deri më sot por edhe i panjohur përfundimisht, sepse rrezatimi i mendimit të tij kulturor, kulturës së tij, veprës së tij, është i jashtëzakonshëm dhe i pranishëm në jetën tonë”, ka thënë Shema.
Sociologu Qani Osmani ka thënë se për Faik Konicën mund të thuhet lirisht se “është njëri prej shqiptarëve më mendjendritur i të gjitha kohërave, biri më eminent i Shqipërisë, pionieri i Pavarësisë, mbrojtësi i indipendencës kombëtare dhe drejtuesi i revistës ‘Albania’, kësaj enciklopedie, monument e akademi e kohës”.
Ai ka theksuar se duke qenë i formuar në qendrat më të njohura të kohës, Faik Konica pati guximin të shkruajë për temat e nxehta të kohës së tij.
Osmani ka thënë se guximi dhe stili i të shprehurit të gjërave, ironitë e holla dhe sarkazmat therëse e bënë Konicën për një kategori njerëzish shumë të dashur, kurse për disa të tjerë të urryer.
“Mjeti që zgjodhi Konica ta thotë çiltazi atë që kishte në mendje e në shpirt ishte shkrimi, ishte vepra e veçantë që i përket llojeve të ndryshme letrare, tharmin e të cilave e përbën eseja, zhanri që ia mundësoi të mbetet përjetësisht jo vetëm në historinë e kulturës dhe letërsisë shqipe e ballkanike”, është shprehur ai.
Sipas Osmanit, po të marrim parasysh veprimtarinë e Konicës, ai si në fusha të tjera dhe në të kuptuarit e drejtë të lojërave politike ishte një shekull para bashkatdhetarëve të tij.
“I vetmi faj i Faik Konicës, për mendimin tim, është fakti se erdhi shumë para kohe në letërsinë dhe kulturën shqiptare”, ka përfunduar ai.
Dr. Nail Draga ka folur për librin “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, që sipas tij përbën veprën kryesore të Konicës. Ky libër për të parën herë është botuar në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Gjon Buzuku” në Prishtinë, në vitin 1991, duke u dhuruar lexuesve, sipas Dragës, “një vepër madhore të kulturës sonë, me ç’rast mori fund një padrejtësi e madhe si ndaj shkrimtarit, dhe një padrejtësi edhe ndaj kulturës shqiptare në përgjithësi”.
Ai ka thënë se “nga lënda e shtjelluar në këtë botim lirisht mund të themi se nuk mund të supozohet që ndonjë libër si shkrim të synojë t’i thotë të gjitha ato që e bëjnë të veçantë historinë e popullit tonë, veçoritë nacionale, traditën si dhe natyrën e tij, por një ideal të tillë e themi pa ngurrim e ka arritur Faik Konica në këtë libër, i cili është një projekt i mirëfilltë i enciklopedisë shqiptare”.
Draga ka thënë se në esetë që janë pjesë e këtij libri Konica është përpjekur të jetë sa më objektiv dhe i paanshëm në trajtimin e lëndës përkatëse.
“Në përgjithësi esetë janë shkruar në mënyrë sintetike, ku trajtohen disa çështje të veçanta nga disa këndvështrime”, ka theksuar ai.
Udhëheqësja e takimit, Luljeta Avdiu – Cura, ka thënë se me shënimin e këtij përvjetori në Ulqin dëshmojmë se ky personalitet i veçantë i kulturës kombëtare përbashkon shqiptarët kudo që janë duke dëshmuar se kultura është identiteti dhe uniteti kombëtar i shqiptarëve, pavarësisht se ku ata gjenden – në hapësirën etnogjeografike apo në diasporë.
Faik Konica u lind në Konicë, më 15 mars 1875, ndërsa vdiq në Uashington (ShBA), më 15 dhjetor 1942. Ka qenë figurë qendrore e lëvizjes kombëtare, studiues i historisë dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist, drejtues i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe diplomat shqiptar. E përkohshmja e tij “Albania” ka qenë ndër tribunat e publicistikës shqiptare për trembëdhjetë vjet. Konica është i njohur për erudicionin, publicistikën, stilin dhe ndikimin që pati në kulturën dhe politikën shqiptare.
i. k.