
Në këtë aspekt çështje të veçantë paraqesin toponimet, përkatësisht shënimi dhe shkrimi i tyre si në administratë apo në komunikimin publik. Një dukuri e tillë është specifike sidomos në vendet shumëkombëshe, ku në përdorim janë disa gjuhë dhe shkrimet e tyre. Në vendet me traditë demokratike siç janë Zvicra, Belgjika etj., çështjet e tilla janë zgjidhur konform standarteve ndërkombëtare në favor të barazisë gjuhësore të popujve përkatës, të cilat duhet të jenë model edhe për vendet e ish-kampit socialist.
Mali i Zi bashkësi e popujve
Mali i Zi paraqet mjedis specifik, sepse është bashkësi e popujve të ndryshëm, të cilët dallohen me gjuhën dhe shkrimin e tyre. Pasi në këtë mjedis shqiptarët janë të vetmit si popullsi autoktone jo sllave, ata kanë të veçantë gjuhën dhe shkrimin e tyre.
Kushtetuta e Malit të Zi (2007) i ka kushtuar kujdes barazisë së gjuhëve, ndërsa në përdorim zyrtar janë edhe gjuha shqipe (Neni 13), që për të parën herë ka një definitim të tillë. Fjala është për ato mjedise ku popullata shqiptare është në shumicë apo me pjesëmarrje të konsiderueshme, që si minimum është përcaktuar 5% e popullsisë së përgjithshme. Në këtë aspekt, çëshje të veçantë paraqet realizimi në praktikë i të drejtës së garantuar sipas Kushtetutës dhe ligjit, sepse nga shumë individë apo subjekte qeveritare e joqeveritare nënçmohet një mundësi e tillë, e cila ka të bëjë me identitetin dhe barazinë kombëtare. Por, për të ndaluar abuzimet e tilla, duhet të ekzistojë mekanizmi mbrojtës i gjuhës shqipe në nivel lokal dhe shtetëror. Vetëm me një mekanizëm të tillë do të eliminoheshin deformimet dhe abuzimet me barazinë gjuhësore, në të kundërtën mundësitë e keqpërdorimit do të vazhdojnë si deri më tash, që nuk është në favor të barazisë qytetare e kombëtare.
Vendkalimi i ri kufitar Cemi i Trieshit-Grabom
Ndonëse nga viti 2017 ishin përfunduar punimet për hapjen e vendkalimit të përbashkët kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, në saje të sjelljeve byrokratike të palës malazeze, më së fundi ky vendkalim kufitar u hap më 3 gusht 2021. Kemi të bëjmë me vendkalimin kufitar Cemi i Trieshit- Grabom, i cili është vendkalimi i katërt midis dy vendëve, që është në favor të integrimit të zonës kufitare.
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me zonën e Kelmendit (Shqipëri) që ka qenë e izoluar nga pjesa tjetër e Malësisë së Madhe, përmes hapjës së këtij vendkalimi komunikimi do të zhvillohet pa pengesa në favor të popullatës vendase, por edhe të tjerëve që do të kalojnë tranzit sidomos nga Plava e Gucia për në Podgoricë.
Mbishkrimi në shqip me gabime gjuhësore
Ndonëse ceremonia zyrtare e hapjes së vendkalimit kufitar ka kaluar sipas protokollit, ku kanë marrë pjesë kryeministrat e të dyja vendeve, ka rënë në sy mbishkrimi i tabelës në gjuhën shqipe që ka irituar opinionin shqiptar. Fjala është për shënimin e vendkalimit kufitar jo në formën e gjuhës shqipe, Cemi i Trieshit por vetëm në atë sllave, përkatësisht malazeze, e që shkruan Zatrijebaçka Cijevna për të dyja gjuhët shqipe e maleze, që është në kundërshtim me normën elementare të shënimit të toponimeve sipas standardeve ndërkombëtare. Madje toponimi Cemi i Trieshit në formën sllave është shkruar edhe në gjuhën angleze(!), që është paradoks i llojit të vet.
Jo vetëm kaq, por edhe toponimi Grabom, është i deformuar i shkruar si Grabon, që nuk përkon me formën tradicionale të popullsisë vendore. Gabimi i tillë nuk mund të arsyetohet me asgjë por me injorancë nga ata të cilët kanë marrë obligim të shënojnë mbishkrimin në tabelën publike në këtë vendkalim të përbashkët kufitar. Pasi te shqiptarët ky toponim njihet si Cemi i Trieshit, si i tillë është dashur të shkruhet në shqip, e jo të shënohet në formën sllave, andaj defektet e tilla duhet të eliminohen sa më parë.
Ruajtja dhe shënimi i toponimeve në formën tradicionale, dëshmohet edhe angazhimi i OKB-së e cila në vitin 1967, në Gjenevë ka mbajtur Konferencën në lidhje me standardizimin e toponimeve gjeografike, ku janë aprovuar gjthsej 20 rezoluta, ku në rezolutën numër 4, në mes tjerash shkruan: “Për çdo emërtim është e nevojshme forma e shkruar dhe e folur e emërtimit dhe kuptimi i tij në gjuhën e popullatës vendëse”.
Çdo devijim në këtë drejtim është mosrespektim i akteve ndërkombëtare në lidhje me standardizimin e toponimeve gjeografike, që është obligim për të gjitha shtetet e OKB-së, ku as Shqipëria dhe Mali i Zi nuk mund të bëjnë përjashtim.
Irritim i opinionit jo vetëm në Malësi
Në lidhje me çështjen që ka irrituar opinion shqiptar në Malësi ka reaguar Lidhja Demokratike Shqiptare (LDSH) përmes një kumtese ku thuhet : “LDSH, si subjekt i përgjegjshëm politik dhe mbrojtës e promovues i të drejtave kombëtare, reagon ashpër, lidhur me mbishkrimin në tabelën e pikës së përbashkët kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, “Cemi i Trieshit-Grabom”.
Së pari, ky është një deformim i gjuhës shqipe, përkthim skandaloz i kuptimit, e sidomos i toponimisë, të mos themi edhe tendencioz, nga pala malazeze. Çudisin me këtë rast insitucionet kompetente të Republikës së Shqipërisë të pranojnë, dhe të legjitimojnë një diskriminim të tillë të gjuhës shqipe, përmes përdorimit të të njëjtit mbishkrim diskriminues, në anën shqiptare, me ç’rast paraqiten tejet inferiorë ndaj emërtimit sllav të këtyre trojeve etnike shqiptare”.
Dhe në fund cekin se “kërkojmë nga institucionet e Shqipërisë, e pastaj edhe të Malit të Zi, që të reagojë, dhe ky “gabim” të ndreqet urgjentisht. Nëse nuk e dini, toponimi i saktë në gjuhën shqipe është Cemi i Trieshit, e jo Cijevna Zatrijebaçka!”.
Gjuha, mision kombëtar
Duke marrë parasysh faktin se dukuri të tilla ka pasur edhe më herët në vendbanimet apo viset ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, ato janë të dëmshme dhe irrituese për opinion shqiptar. Duhet eliminuar gabimet, qofshin ato me apo pa qëllim, duke respektuar formën tradicionale të toponimeve në gjuhën shqipe sipas popullsisë vendore. Një veprim i tillë praktik është në favor të barazisë qytetare e kombëtare në çdo mjedis e sidomos në vendet shumëkombëshe sikurse është Mali i Zi.
Pa marrë parasysh përgatitjen shkollore dhe arsimore shkrimi i drejtë i toponimeve në hapësirën etnogjeografike shqiptare është obligim qytetar për çdo shqiptar, çështje e cila nuk mund të trajtohet personale por si ndjenjë e identitetit kombëtar.
Respektimi i toponimeve tradicionale paraqet pasuri në leksikun gjuhësor, por edhe në aspektin gjeografik e historik, duke qenë pjesë e indit të traditës popullore në mjedisin përkatës.
Në mungesë të ekzistimit të një mekanizmi mbrojtës është obligim qytetar dhe intelektual reagimi ndaj deformimeve të tilla, duke qenë se mbrojtja e gjuhës shqipe dhe e shkrimit të saj është obligim moral e kombëtar, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.