Miratimi i marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila megjithëse nuk e përmend shprehimisht por në mënyrë të tërthortë vlerësohet se do të prekte Ulqinin, më saktësisht Plazhin e Madh, ka ngritur dilemën nëse partitë shqiptare duhet të vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë apo të dalin prej saj.
Për pjesën më të madhe të njohësve të rrethanave politike në vend dhe të analistëve shqiptarë, nuk ka asnjë dilemë se partitë shqiptare nuk kanë çfarë kërkojnë në një qeveri të tillë, e cila shkel hapur të drejtat e shqiptarëve.
Për gazetarin dhe analistin Ali Salaj, në momentin kur një komunitet i tërë, shoqëria civile dhe zyrtarët vendorë kundërshtojnë marrëveshjen e Qeverisë malazeze me Emiratet e Bashkuara Arabe për bashkëpunim në fushën e turizmit, ku në bazë janë shkelur ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare, pa dyshim që i detyron partitë shqiptare të dorëhiqen nga Qeveria.
“Ky veprim është i domosdoshëm edhe nga fakti se ata janë përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe me këtë rast vendimet e Qeverisë cenojnë liritë dhe të drejtat e elektoratit të tyre”, vlerëson ai.
“Në momentin kur një komunitet i tërë, shoqëria civile dhe zyrtarët vendorë kundërshtojnë marrëveshjen e Qeverisë malazeze me Emiratet e Bashkuara Arabe për bashkëpunim në fushën e turizmit, ku në bazë janë shkelur ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare, pa dyshim që i detyron partitë shqiptare të dorëhiqen nga Qeveria”, thotë gazetari dhe analisti Ali Salaj.
Gazetari i Radio Televizionit të Malit të Zi, Dr. Haxhi Shabani, nënvizon tri arsye kryesore pse partitë shqiptare nuk duhet të qëndrojnë në Qeverinë e Malit të Zi.
Sipas tij, Plazhi i Madh nuk është thjesht territori më i vlefshëm në aspektin financiar, por edhe pjesë e identitetit shqiptar të Ulqinit, shqiptarëve në Malin e Zi dhe gjithë shqiptarëve, pasi ai i kalon kufijtë shtetërorë, shtrihet edhe në Shqipëri.
“Mos të harrojmë se Ulqini, pra edhe Plazhi i Madh është vendi kryesor i pushimeve në aspektin historik e tradicional të së paku gjysmës së shqiptarëve, atyre të Kosovës në veçanti. Prandaj duhet të reagojnë edhe Shqipëria dhe Kosova zyrtare për ‘Problemin e Plazhit të Madh’”, shprehet ai.
Në vijim të këtij argumenti, analisti Shabani thekson se Plazhi i Madh për Ulqinin dhe banorët e tij është shumë më shumë se fabrikë parash.
“Për ta është histori, identitet, autoktoni; e ardhme. T’ua marrësh banorëve të Ulqinit Plazhin e Madh është njëlloj si t’ua marrësh gjithë shqiptarëve Lidhjen e Prizrenit, apo Vlorën e Ditës së Pavarësisë”, thekson ai.
Përpos kësaj, për Shabanin kjo marrëveshje mund të rrezikojë anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
“Nëse shumica në Malin e Zi do të lejojë që në këtë mënyrë të bëhen investimet ndërkombëtare në Plazh të Madh, ku shkelen Kushtetuta, ligjet e rregullat vendore dhe evropiane, atëherë Mali i Zi do t’ia vështirësojë vetes rrugën e hyrjes në Bashkimin Evropian dhe do të hyjë përfundimisht në fazën e pakthyeshme të neokolonializmit”, pohon ai.
“Plazhi i Madh për Ulqinin dhe banorët e tij është shumë më shumë se fabrikë parash.
Për ta është histori, identitet, autoktoni; e ardhme. T’ua marrësh banorëve të Ulqinit Plazhin e Madh është njëlloj si t’ua marrësh gjithë shqiptarëve Lidhjen e Prizrenit, apo Vlorën e Ditës së Pavarësisë”, thekson Dr. Haxhi Shabani
Megjithëse është kritik ndaj qëndrimit të partive shqiptare, analisti Robert Camaj nuk është i sigurt se dalja në opozitë e partive shqiptare është zgjidhja më e mirë.
“Kjo marrëveshje ka treguar se kur ka të bëjë me ne, partitë shqiptare, ato jane të pafuqishme, deputetët shqiptarë manekinë për kostume dhe asgjë me shumë. Ministria për Pakica, e cila do duhej të ishte kontrolluesi i situatës është pa zë, kurse Këshilli Kombëtar nuk e ka as autoritetin e një OJQ-je”, thotë ai.
Sipas Camajt, largimi i partive shqiptare nga Qeveria e Malit të Zi mund të jetë zgjidhje, por jo edhe akti vendimtar për pengimin e zbatimit të këtij projekti.
“Prandaj nuk mendoj se zbehja e zërit tonë, duke kaluar në opozitë është zgjidhja më e mirë. Ne duhet të jemi akterë të politikës dhe zë i fuqishëm e alarmues”, vlerëson ai.
Pavarësisht kësaj, Camaj është i vetëdijshëm për rrezikun që iu kanoset shqiptarëve në Malin e Zi në rast të humbjes së “betejës për Ulqinin”.
“E kam thënë edhe diku tjetër, se nëse bie Ulqini, bie edhe Malësia e kësisoji rrezikohet e ardhmja jonë si pakicë kombëtare deri në asimilimin tonë”, thotë ai.
Analistët shqiptarë në Mal të Zi vlerësojnë se miratimi i marrëveshjes ndërqeveritare në mënyrë jotransparente dhe beteja për Plazhin e Madh përbën një vijë të kuqe për partitë shqiptare në pushtet.
Shabani e shikon këtë në një kontekst edhe më të gjerë, pasi sipas tij, “Plazhi i Madh është çështje jo vetëm e Ulqinit, e shqiptarëve, por edhe e Malit të Zi, por edhe më tej problem ndërkombëtar”.
Ai thotë se faktet flasin se deri më tash partitë shqiptare nuk kanë arritur t’i mbrojnë si duhet interesat kombëtare dhe publike të popullatës që përfaqësojnë.
“Do të doja që këtë herë së paku të jenë bashkë, jo me fjalë, po me vepra, sepse unë jam pak idealist dhe ende dëshiroj të shpresoj”, thekson Shabani.
Për Salajn nuk ka asnjë dyshim se nëse marrëveshja nuk është transparente dhe përjashton komunitetin nga procesi vendimmarrës, atëherë miratimi i saj duhet të jetë vijë e kuqe për shqiptarët në Malin e Zi.
“Largimi i partive shqiptare nga Qeveria e Malit të Zi mund të jetë zgjidhje, por jo edhe akti vendimtar për pengimin e zbatimit të këtij projekti. Prandaj nuk mendoj se zbehja e zërit tonë, duke kaluar në opozitë është zgjidhja më e mirë. Ne duhet të jemi akterë të politikës dhe zë i fuqishëm e alarmues”, vlerëson analisti Robert Camaj
“Kur të kemi parasysh se në marrëveshje parashihet që përveç hoteleve të ndërtohen edhe komplekse banesore, ky është një alarm për të ardhmen e një komuniteti në trojet e veta. Kjo mund të ndryshojë strukturën kombëtare të një komuniteti autokton, i cili viteve të fundit me ndërtimet kaotike në Shtoj dhe në Bulevard (Teuta) po përjeton një rrudhje kombëtare”, shprehet ai.
Më herët, përfaqësuesit e partive shqiptare në pushtet disa herë kanë deklaruar se ata do të shqyrtojnë pjesëmarrjen e tyre në Qeverinë e Malit të Zi në rast se politika e saj bie ndesh me interesat e shqiptarëve.
Megjithatë, pas miratimit të Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe të pasurive të paluajtshme ndërmjet Malit të Zi dhe EBA-s në Kuvendin e Malit të Zi, partitë shqiptare nuk kanë dhënë asnjë sinjal se do ta braktisin Qeverinë e Malit të Zi dhe nuk do të jenë pjesë e shumicës qeverisëse.
Siç dihet, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nuk e ka dekretuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Pas kthimit nga Presidenti i Malit të Zi, ky ligj pritet të rivotohet në Kuvendin e Malit të Zi.
i. k.