
Edhe sivjet më 9 maj, në Shtoj të Komunës së Ulqinit, u kremtua festa e Shën Kollit (Shën Nikollit/ës). Atë ditë në Kishën e Shën Kollit, në fshatin Shënkollë në brigjet e lumit Buna, u mbajt mesha shenjtë në kujtim të Shën Nikollit, ipeshkëv i Mirës në Azi të Vogël (Turqia e sotme), në shekullin IV, njërit ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë si dhe ata shqiptarë, të të gjitha krahinave. Meshës së shenjtë, të cilën e celebroi Argjipeshkvi i Argjipeshkvisë së Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj, sipas traditës, i parapriu procesioni me truporen e shenjtit Nikollë, i shoqëruar me flamuj (bajraqe) në dorë të fiseve vendase nga rinia e kësaj famulli, të cilët u sollën rreth e rrotull kishës.
Në Kishën e Shën Kollit janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen disa tradita dhe ceremoni që kanë të bëjnë me kremtimin e kësaj feste në trevat shqiptare. Këtu për çdo vit mbahet një pelegrinazh i mbarë popullatës vendore dhe jashtë Komunës së Ulqinit, ku vijnë për të vizituar dhe përkushtuar shenjtorin Nikollë. Kështu ishte edhe këtë vit, me ç ’rast kisha u frekuentua nga një numër i konsiderueshëm i besimtarëve të krishterë, por nuk munguan as anëtarë të feve e kombësive tjera. Sipas rrëfimit të besimtarëve vendas në kohën kur ka filluar turizmi në Mal të Zi, në këtë kishë kanë ardhur për 9 maj vizitorë në mënyrë të organizuar me autobus që nga Dubrovniku , Kotorri, Tivati, e qytete të tjera bregdetare malazeze.
Shën Nikolli/a është për të gjithë besimtarët e krishterë një shembull i bamirësisë ndaj të varfërve, mbrojtës i të vërtetave të fesë së krishterë dhe i dinjitetit të çdo njeriu, dëshmitar i guximshëm i fesë në Zotin. Edhe ndër shqiptarë, shumë njerëz thirren me emrin Nikollë, emër që duke iu përshtatur gjuhës shqipe, njihet me trajtat: Kolë, Koli, Kole dhe Lec.
Kisha e Shën Kollit në dokumente historike dhe kishtare
Kulti i nderimit të Shën Nikollit ndër shqiptarë është i lashtë, qysh përpara pushtimit turk, siç dëshmojnë një sërë dokumentesh dhe vërtetojnë edhe gërmadha të kishave të shumta kushtuar Shenjtit në tokat shqiptare.
Sipas dokumentacionit historik e kishtar që disponojmë nuk mund të themi me saktësi se kur daton ndërtimi i Kishës së Shën Kollit. Kjo kishë, e cila shërben si kishë varrezash, përmendet që nga viti 16o1, por për vërtetimin e kësaj date nuk kemi të dhëna të mjaftueshme historike të dokumentuara.
Në dokumentet e Farlatit, në shekullin XVIII, shkruan: “Andej lumit Bunë, në lagjen që quhej “Te Buen”, pak më larg nga Kisha e famshme e Shën Sergjit e Bahut, ka qenë një tjetër Kishë kushtuar Shën Nikollit, muret e së cilës ishin të mbuluara me afreske që përkujtonin mrekullitë e shenjtit…..”. “Duke ndjekur rrjedhën e lumit Buene, te gryka e detit, ka qenë ndërtuar një Kishë e mrekullueshme e Shën Nikollit të Barit, me gurë të skalitur”, shkruhet në dokumentet e Farlatit. Ndonëse autoritetet pushtuese turke e kishin ndaluar rreptësishtë– në kremtimin liturgjik të Shenjtit merrte pjesë edhe një shumicë besimtarësh myslimanë. Devocioni për Shën Nikollin ishte aq i madh, sa famullitari i vendit jetonte vetëm me lëmoshat që mblidheshin ditën e festës. Emrin e kësaj kishe, më vonë e mori fshati, duke u quajtur “Shën N’koll”. Kështu Shën Nikolli hyri edhe në toponomastikën shqiptare.
Kisha e Shën Nikollit në Bunë ka pësuar dëmtime të mëdha prej tërmetit të vitit 1968 dhe 1979. Ky i fundit aq e ka dëmtuar këtë kishë dhe shkatërruar krejtësisht edhe qelën saqë për një periudhë kohore nuk ka qenë e mundur të kryhen shërbesat fetare në të. Për fat të mirë ajo është riparuar në vazhdimësi dhe tani është në gjendje të mirë dhe funksionale. Pas riparimit të saj këtë kishë e shuguroi Imzot Pjetër Perkoliqi, në vitin 1988 , në prani të të gjithë klerit të kryedioqezit të Tivarit.
Tradita të bukura e prekëse që lidhen me kremtimin e festës së Shën Nikollit
në Bunë
Besimtarët e vjetër të Shtojit mbajnë mend kohën kur për kremtimin e festës së Shën Nikollit, për të shprehur mirënjohjen ndaj shenjtorit Shën Nikolla, të moshuarit vendas dhe shumë besimtarë të tjerë të krishterë nga Ulqini me rrethinë dhe jashtë tij në mungesë transportit vinin në këmbë, madje edhe zbathur në këtë “ peligrinazh të vogël”, duke ecur disa kilometra. Një pjesë e besimtarëve të devotshëm në këtë kishë kalonin tërë natën me familje për të plotësuar nevojat e tyre shpirtërore, duke u lutur para trupores së Shën Kollit për më shumë shëndet e mbarësi.
Një traditë tjetër të cilën e mësuam nga vendasit është e dhëna se pranë kësaj kishe janë mbajtur edhe garat e nuseve të martuara të atij viti të veshura me veshje kombëtare malësore me xhubletë dhe me veshjen e bregasoreve, të cilat janë vlerësuar për bukurinë dhe hijeshinë e tyre.
Përveç kësaj, pohojnë shtojakët, këtu janë organizuar edhe lojëra popullore të cilat, pas viteve 70 -të të shekullit të kaluar, kur edhe filloi vala e emigrimit të popullatës së këtushme shqiptare, janë zbehur nga viti në vit. Përmendin kalërimin (vrapimin me kuaj), lojën me kapuça, kërcimin së largu, kërcimin me shtiza, ecjen me kamaleca e lojëra të tjera popullore, që përcilleshin me këngë, kryesisht nga të rinjtë dhe të rejat, si: “Moj zoge, moj zoge”, “Ku po shkon more Çun Mulja”, “Oj Rumi, o bjeshkë e Naltë”, “Karjfili çel me nji e me dy”, “ Moj e mira n’ato thana”…
Dikur banorët e Shtojit për festën e 9 Majit i kanë dhënë kishës lëmoshë edhe bagëti të imta e të trasha. Sot kjo traditë nuk ruhet më.