
Mali i Zi mori ditëve të fundit një “shuplakë” nga deklarata e diplomatit të lartë amerikan, zëvëndësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili ka theksuar se në samitin e fundit të NATO-s nuk u fsheh frika se është e rrezikshme të ndahen informacione me qeverinë e re në Podgoricë. Kjo deklaratë e tij, duke e akuzuar hapur qeverinë e Malit të Zi për rrjedhje të informacionit, tregon mosbesim ndaj partnerit më të ri të Aleancës Veriatlantike. Ajo duhet kuptuar edhe si një paralajmërim për Malin e Zi dhe qeverinë e tij.
Për vite të tëra, Mali i Zi është konsideruar si prijës në procesin e integrimeve euroatlantike në rajon, falë besimit të krijuar te partnerët ndërkombëtarë dhe politikës së fqinjësisë së mirë që ka ndjekur me vendet fqinje. Megjithatë, të gjithë e kanë ditur se Mali i Zi ka shumë probleme të brendshme të pazgjidhura dhe se opinioni i brendshëm është tejet i polarizuar, sidomos sa i përket NATO-s. Para formimit të saj, qeveria e re u ka premtuar ndërkombëtarëve se nuk do të ndryshojë kursin e politikës së jashtme dhe prioritetet në planin gjeopolitik e gjeostrategjik, por besimi fillestar i ndërkombëtarëve duket se ka qenë joreal.
Pavarësisht se qeveria aktuale e Malit të Zi është munduar t’i bindë partnerët ndërkombëtarë për mosndryshimin e politikës së saj properëndimore, duke pranuar mbase që të vendosë në krye të dikastereve kyçe të politikës së jashtme, mbrojtjes dhe sigurisë kuadro të pranueshëm për Perëndimin, pjesa kryesore dhe shumicë e koalicionit qeverisës nuk i ka fshehur asnjëherë bindjet dhe politikën e tyre antiperëndimore. Dihet qartë se orientimi i tyre është Serbia dhe Rusia, se janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe se në rast të mundësisë, do të tërhiqnin njohjen e pavarësisë së saj.
Politika e jashtme e Malit të Zi, orientimi i tij properëndimor dhe integrimet euroatlantike, përfshirë raportin e mirë me fqinjët, në radhë të parë me Shqipërinë dhe Kosovën, kanë qenë ndër arsyet kryesore pse partitë politike shqiptare dhe në përgjithësi shqiptarët në Malin e Zi e kanë mbështetur qeverinë e mëparshme të Malit të Zi
Ndryshimi i kursit të politikës së jashtme do të ishte një rrezik i ri për Malin e Zi dhe do t’i hidhte poshtë të gjitha përpjekjet e bëra që pas ndarjes së politikës shtetërore të Malit të Zi nga ajo e Serbisë dhe e udhëheqësit të saj të kohës, Sllobodan Millosheviq, që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006.
Ngjarjet e fundit në Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë dëshmojnë se Ballkani po zien sërish. Një tërheqje, qoftë edhe e përkohshme e amerikanëve nga Ballkani, u lë shteg forcave regresive të prira nga Serbia dhe popullsia serbe në vendet e ndryshme të rajonit, si dhe të mbështetura fuqishëm nga Rusia, për krijimin e situatave të tensionuara që mund të çojnë në përshkallëzimin e konflikteve. Këtë duket se e ka të qartë politika e jashtme amerikane, e cila përmes disa lëvizjeve të fundit po përpiqet të (ri)vendosë autoritetin e saj në Ballkanin e trazuar. Propozimi i Presidentit amerikan Joseph Biden për emërimin e dy diplomatëve me përvojë, diplomatit në pension Christopher Hill, një veteran i përfshirjes amerikane në Ballkan gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, si ambasador i ri i SHBA-së në Beograd, dhe diplomatit Michael Murphy për ambasador të ri në Bosnjë e Hercegovinë, ka domethënie të madhe dhe tregon për rikthimin e vëmendjes së këtij vendi në Ballkan.
Ngjarjet e fundit në Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë dëshmojnë se Ballkani po zien sërish. Një tërheqje, qoftë edhe e përkohshme e amerikanëve nga Ballkani, u lë shteg forcave regresive të prira nga Serbia dhe popullsia serbe në vendet e ndryshme të rajonit, si dhe të mbështetura fuqishëm nga Rusia, për krijimin e situatave të tensionuara që mund të çojnë në përshkallëzimin e konflikteve. Këtë duket se e ka të qartë politika e jashtme amerikane, e cila përmes disa lëvizjeve të fundit po përpiqet të (ri)vendosë autoritetin e saj në Ballkanin e trazuar
Sa i përket shqiptarëve, politika e jashtme e Malit të Zi, orientimi i tij properëndimor dhe integrimet euroatlantike, përfshirë raportin e mirë me fqinjët, në radhë të parë me Shqipërinë dhe Kosovën, kanë qenë ndër arsyet kryesore pse partitë politike shqiptare dhe në përgjithësi shqiptarët në Malin e Zi e kanë mbështetur qeverinë e mëparshme të Malit të Zi.
Prandaj ndryshimi i kursit të politikës së jashtme të Malit të Zi do të ishte fatal për këtë vend dhe qytetarët e tij. Kjo do të ndikonte edhe në marrëdhëniet ndëretnike brenda shtetit, rritjen e mëtejshme të shkallës së distancës etnike edhe ashtu të përkeqësuar.