Reflektime të një atmosfere intime

Një nga pikëpamjet veçanërisht interesante për pikturën e Hasës është edhe mënyra në të cilën ky artist zgjidh bashkëjetesën e dy botëve të kundërta - të ëndrrës dhe realitetit, të dukshmes dhe të padukshmes, reales dhe imagjinares, të së kaluarës dhe të tashmes. Duke studiuar opusin e tij vërejmë se këtë problem e zgjidh duke krijuar një sferë bipolare të kuptimit, në një hapësirë të ndjeshme ndërmjet planit të parë dhe planit të dytë në pikturë, sidomos te veprat gjysmë abstrakte

Qazim Muja

Ashtu si vetë personaliteti i tij, krijimtaria e Naser Hasës kundërshton klasifikimin stilistik që në një mënyrë do të kufizonte lirinë e pakufishme të shprehjes për të cilën në të njëjtën kohë sublimon si realen ashtu dhe jorealen, si objektiven ashtu dhe abstrakten, impresionisten dhe ekspresionisten, si fiziken ashtu dhe metafiziken, mikrokozmiken dhe makrokozmiken, vijën dhe ngjyrën, sepse në krijimtarinë e tij vija bëhet ngjyrë dhe ngjyra bëhet vijë midis zgjimit dhe ëndërrimit, një kufi midis përmbajtjeve të temave të përgjithshme, të mbështetura në sedimentet dhe frymën e një kohe dhe vendi të papërcaktuar universal. Kjo frymë e pashtershme e krijuesit – vizionar, e shtyn atë vazhdimisht drejt kërkimit të mundësive të panumërta për të zbuluar diçka të fshehtë, të fshehur prej kohësh, diçka të re dhe universale, arketipale që shkëlqen me origjinalitetin e vet.

Si një burim i një fryme rebele, siç ndodh me artistët në përgjithësi, dhe në kërkim të vazhdueshëm, vepra e Naser Hasës ka pësuar vazhdimisht transformime përtej ngjarjeve të përgjithshme që domosdo ndodhin në historinë e artit, duke formuar dhe ruajtur kursin e vet të pavarur dhe zhvillimin artistik autentik

Një nga pikëpamjet veçanërisht interesante për pikturën e Hasës është edhe mënyra në të cilën ky artist zgjidh bashkëjetesën e dy botëve të kundërta – të ëndrrës dhe realitetit, të dukshmes dhe të padukshmes, reales dhe imagjinares, të së kaluarës dhe të tashmes. Duke studiuar opusin e tij vërejmë se këtë problem e zgjidh duke krijuar një sferë bipolare të kuptimit, në një hapësirë të ndjeshme ndërmjet planit të parë dhe planit të dytë në pikturë, sidomos te veprat gjysmë abstrakte. Shpeshherë në plan të parë gjejmë një figurë të caktuar, e cila më pastaj përsëritet si vegim në sfond, e rëndësishme kjo për të kuptuar dridhjet ekzistenciale “poetike” të piktorit, si rrafsh semantik i shprehjes vizuale. Kjo, sepse në format semantike të Hasës na dalin skena të mrekullueshme, një dramaturgji e antinomive, të themi, të kaosit dhe rendit, apo të vendosjes së një rendi ndaj kaosit, një gjendje intimiteti me energji të përjetshme, mbase ironike e shkaktuar nga një jetë e tmerrshme e përditshme (mjafton të shohim skenat e eksodit, dhunës etj.). Pra, do të vërejmë lehtësisht se në pikturën e Hasës shfaqet një moment karakteristik, spiritual, i pazakontë dhe sikur e ndjen thellë këtë mundësi të pikturës. Hasim ndjenjën e levitimit si moment dukurie qiellore duke e shpërfaqur këtë veçanërisht në raportin e formës dhe hapësirës në të cilën ai e përhumb po atë formë që noton në atë hapësirë pothuaj të padukshme, si një fanitje apo diçka që shfaqet, sikur të vinte nga një ëndërr, që rrjedh dhe ndalet në shtresat e sedimenteve të tablosë. Kjo dëshmon për universalitetin e logjikës artistike të tij.
Hasa kërkon harmoninë e ritmeve. Megjithatë, fokusi i kuriozitetit të tij ndryshon sipas ndjeshmërisë së tij, ai mbetet pothuajse gjithmonë brenda atyre ekstremeve intime. Në procesin e punës, Hasa modifikon përshtypjet që merr nga mjedisi duke i kthyer ato në reflektime të një atmosfere intime të veçantë lirike dhe të rafinuar. Punimet që ekspozon me këtë rast tregojnë bukurinë e formës, bukurinë e lëndës së pikturuar, bindjen e shprehjes, marrëdhëniet harmonike, ndonjëherë të theksuara dhe që herë kthehen në gjeste, në një shtresë prapavije të menduar dhe të realizuar artistikisht në mënyrë sugjeruese koloristike, por dhe monokromë, kryesisht të një game blu të theksuar apo okeri të artë mesdhetar që e bën pikturën nostalgjike dhe psikologjike, të theksuar sidomos te portreti. Ndryshe nga shfaqjet disi dramatike, siç i gjejmë akoma në ndërthurjen e pareshtur të linjave të vizatimeve të Hasës, pikturat e tij me portrete ose figura femërore rrezatojnë qetësi dhe soditje. Të vendosura kryesisht në hapësira të padefinuara kozmike, personazhet e këtyre pikturave, ndonjëherë duken të vetmuara, ata janë të ndarë nga realiteti i përditshëm që kufizohet me metafizikën. Kështu, shikuar nga këndi artistik, Hasa arrin të zotërojë dorëshkrimin e tij origjinal, të ndërtojë poetikën e tij të pikturës, që nënkupton njohjen e shkëlqyer stilistike, gjë që e bën atë një fenomen të dukshëm në pikturën bashkëkohore shqiptare.

Fryma e pashtershme e krijuesit – vizionar, e shtyn atë vazhdimisht drejt kërkimit të mundësive të panumërta për të zbuluar diçka të fshehtë, të fshehur prej kohësh, diçka të re dhe universale, arketipale që shkëlqen me origjinalitetin e vet

Struktura formale-semantike e shprehjes artistike të Hasës bazohet në përsosjen e vizatimit virtuoz, në zgjidhjen koloristike intuitive që tregon gjendjen aktuale të mendjes, gjithherë në një komplot tematik real-surreal-abstrakt-simbolik. Shumica e veprave të tij karakterizohen nga një sinergji në relacionin e përmendur. Një numër punimesh sugjerojnë stilistikisht një abstraksion pa formë, ku përpara diktatit racional, krijohet një lidhje e ekuilibruar midis formave të lira, ngjyrës dhe pulsimit ritmik të vijës. Më shpesh realizon opusin e tij të pasur artistik në teknikën e vajit dhe të vizatimit. Vija dhe ngjyrat bëhen një pasqyrim simultan i vizioneve dhe mendimeve të brendshme të artistit, të përqendruar në dorën krijuese që materien artistike e shndërron në një organizëm të gjallë që pulson dhe emanon impulse të fuqishme energjie.
Hasa, ndërsa pikturon ose vizaton një figurë, portret apo ndonjë përmbajtje, plotësisht drejtpërdrejt, pastër, dhe pothuajse në ekstazë, i dorëzohet temës që e pushton. Derisa tema dhe realizimi i saj përshkojnë qenien e tij, fuqia e pashtershme e shpirtit krijues përshkon çdo detaj të imazhit të tij: vijën, formën, lëvizjen, ngjyrën, hapësirën, atmosferën…, duke kërkuar lidhjet e fshehura, mistike të universit që ndonjëherë duken të parëndësishme, të zakonshme, të pranishme çdo ditë në jetën tonë, rreth nesh, por të cilat ai i shndërron në simbole të ndryshme me fuqi të jashtëzakonshme energjie të brendshme që pulson në tërë krijimtarinë e tij.
Dhe në fund, duke rrumbullakosur opusin e vet artistik, Hasa punon me këmbëngulje për të mbetur në segmente të së vërtetës që predikon arti i pikturës, në kodet e tij dhe në lartësitë e konceptit të komunikimit me veten dhe qenien e reales. Duke vëzhguar botën përreth tij dhe duke depërtuar në atmosferën e saj të tjetërsimit melankolik, por edhe filozofik, Hasa duket se arrin të bindë veten dhe shikuesin se realiteti është vetëm një iluzion i bazuar në nevojën e bashkimit të imagjinatës dhe të idesë në një përshtypje unike të stimuluar, në të njëjtën kohë, nga impulse të ndjesive receptuese dhe atyre krijuese. Andaj, si një burim i një fryme rebele, siç ndodh me artistët në përgjithësi, dhe në kërkim të vazhdueshëm, vepra e Naser Hasës ka pësuar vazhdimisht transformime përtej ngjarjeve të përgjithshme që domosdo ndodhin në historinë e artit, duke formuar dhe ruajtur kursin e vet të pavarur dhe zhvillimin artistik autentik.

(Vështrimi është lexuar në hapjen e ekspozitës së piktorit Naser Hasa, në kuadër të edicionit të 28-të të manifestimit “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, më 25 qershor 2021)

Të fundit

më të lexuarat