Radio Ulqini kremton 36-vjetorin e themelimit

Para 36 vitesh, Radio Ulqini ishte radio e vetme lokale në këtë mjedis. Gjatë kësaj kohe kanë ndryshuar shumë gjëra, kështu që edhe përkundër disa çalimeve, ne sot krenohemi me atë që është arritur. Andaj, në këtë përvjetor, këtë shkrim e nisi me një falënderim të veçantë për Ju dëgjues të nderuar, sepse Ju e meritoni, sepse gjatë gjithë kësaj periudhe na qëndruat besnikë

Esat Mehmeti

Fillimet e Radio Ulqinit
Historiku i Radio Ulqinit fillon më 13 korrik 1987. Pikërisht kjo datë shënon përurimin dhe transmetimin e parë radiofonik në Ulqin. Korriku i atij viti shënoi një ngjarje të madhe jo vetëm për Radio Ulqinin, por në përgjithësi për jetën artistike të këtij mjedisi. Themelues i këtij institucioni informativ është pushteti vendor. Asokohe, Radio Ulqini punën e vet e nisi me 6 orë program në ditë. Sot, Radio Ulqini emeton 16 orë program në ditë në dy gjuhë (shqip dhe serbo-malazezisht), kuptohet, relativisht në proporcion me popullsinë e këtij mjedisi. Dëgjohemi në dy frekuenca, në Mozhur në 102.6 MHz dhe në Pinjesh në 91.3 MHz FM stereo.

Viti ‘90-të ishte koha e ndryshimeve të mëdha
Vitet ’90-ta sollën ndryshime jo vetëm në skenën politike, por edhe në Radio Ulqin. Era e ndryshimeve, solli më shumë liri për gazetarët, por edhe më shumë hapësirë dhe vërtetësi për dëgjuesit, të cilët e shihnin Radio Ulqinin si të vetmin mjet informimi për ngjarjet e vrullshme që shoqëronin vendin. Në këtë mjedis, një tjetër forcë demokratike padyshim ishte edhe Radio Ulqini.
Gjatë atyre viteve në Radio Ulqin nisën të punonin gazetarë të rinj, një mendë të paktë në numër, por ishin të parët që dinin me dashuri të përcillnin vlera në të gjitha ndryshimet demokratike që ndodhën në këtë mjedis të asaj kohe, duke synuar të jemi mbi të gjitha profesionistë. U munduam t’i japim një frymë të dukshme probleme politike, ekonomike e sociale në redaksinë e informimit.
Kjo gjeneratë kolegësh të ndodhur në kapërcyell mes dy epokave, duke pranuar e moderuar mendimin ndryshe, vijuam me vlerat e traditës të përshtatura ndaj modernitetit.
Çdo reformë e bërë në Mal të Zi dhe më gjërë, çdo moment historik, çdo konflikt social apo ngjarje artistike, është përcjellë nga Radio Ulqini. Radio Ulqini nga themelimi e këndej ka qenë dhe është faktor i rëndësishëm i shoqërisë.
Radio Ulqini është dëshmitare, por edhe protagoniste e rrjedhave të kohës. Ishin punonjësit e saj që e bënë Radio Ulqinin tempullin e kulturës dhe të emancipimit njerëzor në këtë mjedis.
Ndryshimet në programin e Radio Ulqinit arriten një hap të dukshëm cilësor. Nga një kolektivi i vogël bëheshin përpjekje për pasurimin e programeve me rubrika të reja. Në strukturën programore të Radios nisën transmetimet e drejtperdrejta të emisioneve të ndryshme radiofonike. Programet e para të Radio Ulqinit kanë qenë të shkurtra, por të larmishme. Programet muzikore zinin vend kryesor.
Në mikrofonin e kësaj radioje kanë kaluar zëra të njohur të artit, kulturës, politikës dhe të gjitha shtresave të këtij mjedisi dhe më gjerë. Radio Ulqini në dy dekadat e para ka qenë “Akademia” e parë e gjuhës letrare shqipe, duke ruajtur dhe kultivuar vlerat kombëtare. Përmes emisioneve të saj informative njohëse, edukative dhe kulturore, ajo ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në përçimin e vlerave kulturore të popullit të këtij mjedisi dhe me gjerë. Veç vlerave të saj artistike dhe kulturore, kjo radio përmban në vete një vlerë të shtuar kombëtare.

Për dëgjuesit, Radio Ulqini ka mbetur i pashlyer
Radio Ulqini përcjellë ngjarjet me rëndësi, si një nevojë e domosdoshme për t’i dhënë më shumë hapësirë dëgjuesit. Qëllimi i veprimtarisë së këtij institucioni ishte të sigurojë dhe të mbulojë sa më mirë ngjarjet e ndodhura, duke bërë të mundur realizimin e shumë aktiviteteve shoqëroro-politike, arsimore, kulturo- artistike, sportive, etj.
Gjatë kësaj periudhe, Radio Ulqini kishte marrë pamjen e një radioje moderne në kuptimin e plotë të fjalës. Në përgjithësi emisionet e Radios të kësaj periudhe moren rrugën e mbarë, në mënyrë që sa më natyrshëm e bukur të tingëllojë fjala e gjallë, fjala e lirë shqipe.
Radio Ulqini sot është një kompleks i organizuar që trasmeton programe në dy gjuhë (gjuhën shqipe dhe gjuhën serbo-malazeze). Radio Ulqini vijon në një pjesë të madhe të emisioneve të saj ta shohë dëgjuesin si protagonist, çka do të thotë jo vetëm të jetë pranë gjithçkaje, por ta bëjë atë pjesë aktive, duke kërkuar nga ai bashkëpunimin në studio të hapura, bashkebisedim, si dhe në hapësirat e komunikimit për të plotësuar preferencat e mbërritura direkt për shoqërinë.

E tashmja dhe e ardhmja e Radio Ulqinit
Radio Ulqini me një përvojë 36-vjeçare, nga themelimi e këndej, falë zhvillimit teknologjik, ka qenë dhe është urëlidhëse mes radiove, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe atë ndërkombëtar. Me zhvillimet teknologjike, radio edhe tek ne ka pësuar ndryshime. Zhvillimi i teknologjisë dhe platformave të reja për shpërndarjen e përmbajtjes nuk e zbehin rëndësinë e radios, përkundrazi i ndihmojnë asaj të arrijë me lehtësi audiencat.
Falë zhvillimit të teknologjisë, me vëmendje të posaçme përcillen aktivitetet e pushtetit vendor, ato qeveritare dhe më gjerë, si nga lëmi i ekonomisë, politikës, kulturës, arsimit, shëndetësisë dhe aktivitete të tjera. Radio në përgjithësi ka evoluar në mënyrë të vazhdueshme. Radio gjendet jo vetëm në shtëpitë tona, por ato nuk mungojnë as në automjetet tona.
Por në anën tjetër, Radio Ulqini ka vite që përballet me problemet e trashëguara finaciare, çka dukshëm vështirëson punën dhe ekzistimin normal?!!!
Mirëpo, edhe përkundër premtimeve nga ana e themeluesit – pushtetit aktual, Radio Ulqini po përballet me probleme të mëdha si kadrovike, teknike dhe financiare dhe punët po shkojnë gjithnjë me avazin e vjetër. Çuditërisht, ilaçi për shërimin e kësaj plage të vjetër ende s’po gjindet dhe secila “garniturë“ e pushtetit vendor këtë agoni po e kalon symbyllur.
Struktura e të punësuarve në këtë medie është jo e kënaqshme. Por edhe përkundër vështirësive, kjo medie është e hapur për të gjithë.
Edhe përkundër gjithë këtyre vështirësive, falë vullnetit të mirë dhe angazhimit të vetë të punësuarve, Radio Ulqini sërish ka arritur të mbijetojë. Procesi i punës zhvillohet pothuaj normalisht, me përjashtim të disa emisioneve të reduktuara.
Sot Radio Ulqini ka nevojë më shumë se kurrë. Andaj, nëse themeluesi e sheh nevojën e duhur dhe me një përbashkëpunim më të mirë dhe me një qasje tjetër ndaj këtij institucioni informativ, Radio Ulqini mund të jetojë. Përndryshe, vaj halli!

Të fundit

më të lexuarat