
Ulqini është ndër komunat me potencialet më të mëdha zhvillimore në Malin e Zi. Përkundër kësaj, ai që prej disa vitesh vazhdon të renditet ndër komunat më të varfra në nivel shtetëror. Përpos diskriminimit ekonomik nga pushteti qendror, kësaj gjendjeje i ka kontribuar më së shumti keqqeverisja e pushtetit lokal. Komuna e Ulqinit mban namin e keq dhe është shndërruar në sinonim të keqqeverisjes dhe simbol të papërgjegjësisë, jotransparencës, korrupsionit dhe veprimeve të tjera joligjore.
Kuvendi i Komunës së Ulqinit është shndërruar në një organ joserioz dhe pa kredibilitet. Për më tepër, Kuvendi nuk përcillet nga qytetarët për shkak të interesit për vendimet që do të merren aty, por për “bëmën” e radhës, sepse ai është shndërruar në një shfaqje cirku. Kulmi sigurisht ishte seanca(t) konstitutive e përbërjes së re të Kuvendit, ku u desh të ndërhynte edhe Qeveria e Malit të Zi për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar ndërmjet shumicës së re qeverisëse dhe opozitës
Kuptohet që ka shumë faktorë që kanë ndikuar në gjendjen e mjerueshme të kësaj komune, e cila dita-ditës po degradon para syve tanë, ndërsa qytetarët ndjehen të pafuqishëm për ta parandaluar këtë të keqe, por pa dyshim që politika është faktori kryesor. Të gjithë ata (parti dhe politikanë) që kanë qenë pjesë e qeverisjes ndër vite janë bashkëfajtorë të kësaj gjendjeje, së cilës i kanë kontribuar me veprimin ose mosveprimin e tyre. Komuna e Ulqinit dhe institucionet publike në varësi të saj janë shndërruar në strofull dhe qendër sociale të punësimit të militantëve partiakë, ku nuk ka vend për profesionistë të vërtetë. Në asnjë vend nuk ndodh që të shpërblehesh për diçka që nuk e ke kryer. Por, në Komunën e Ulqinit dhe ndërmarrjet publike qëllimi i punësimit është që të mos punosh, sepse nuk i jep llogari akujt. Kjo nuk do të thotë se në Komunën e Ulqinit dhe ndërmarrjet publike të saj nuk ka nëpunës të mirë, të përgjegjshëm dhe profesionistë, por ata janë nën hijen e personave vendimmarrës.
Komuna e Ulqinit, kështu siç është, nuk është në shërbim të qytetarëve, sepse e gjithë lufta bëhet për të siguruar pagat për punonjësit. Ajo, faktikisht, nuk qeveriset nga pushteti lokal, por thjesht “lundron” nga ta çojë era, mu sikur ajo barka pa kapiten. Keqmenaxhimi i Komunës së Ulqinit ka bërë që borxhet e saj dhe të ndërmarrjeve publike të rrezikojnë falimentimin e tyre, për shkak të pamundësisë për të shlyer detyrimet financiare ndaj punonjësve dhe të tjerëve. Qytetarët jo vetëm që vuajnë pasojat e keqqeverisjes, por edhe paguajnë dëmet e krijuara nga kjo lloj qeverisjeje. Papërgjegjësia ka bërë që të rriten ambiciet e militantëve partiakë, të cilët përpiqen të përfitojnë ndonjë pozitë nëse u jepet rasti, pavarësisht përgatitjes profesionale të mangët dhe mosplotësimit të kushteve ligjore.
Ndërsa Kuvendi i Komunës së Ulqinit, si organ përfaqësues ku sipas ligjit merren vendimet më të rëndësishme në nivel lokal, vuan nga niveli i ulët i përfaqësimit, jokompetenca dhe papërgjegjësia e të zgjedhurve partiakë, vendimet jo rrallë herë joligjore për shkak të interesave partiake etj. Në këtë mënyrë, ai është shndërruar në një organ joserioz dhe pa kredibilitet. Për më tepër, Kuvendi nuk përcillet nga qytetarët për shkak të interesit për vendimet që do të merren aty, por për “bëmën” e radhës, sepse ai është shndërruar në një shfaqje cirku. Kulmi sigurisht ishte seanca konstitutive e përbërjes së re të Kuvendit, ku u desh të ndërhynte edhe Qeveria e Malit të Zi për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar ndërmjet shumicës së re qeverisëse dhe opozitës.
Komuna e Ulqinit, kështu siç është, nuk është në shërbim të qytetarëve, sepse e gjithë lufta bëhet vetëm për të siguruar pagat për punonjësit. Ajo, faktikisht, nuk qeveriset nga pushteti lokal, por thjesht “lundron” nga ta çojë era, mu sikur ajo barka pa kapiten
Deri tani kemi pasur një pushtet pa identitet. Prandaj nevojitet ndryshimi i imazhit të keq të krijuar nga qeverisjet e mëparshme. Në këtë përpjekje, gjëja më e rëndësishme (vështirë) është ndryshimi i mendësisë, sepse për të qenë realistë, çrrënjosja e këtij mentaliteti të krijuar ndër vite është shumë i vështirë dhe don kohë. Kam frikë se edhe pushteti i ri (vjetër) vuan nga euforia dhe ambiciet e sëmura të disa individëve. Për momentin shohim një luftë për pozita brenda vetë partive të shumicës së re qeverisëse, gjë që tregon se personat e tillë nuk luftojnë për të mirën e përgjithshme publike, por për interesa personale. Ulqini e pret sezonin turistik mbase më i papërgatitur se kurrë, me rrugë dhe infrastrukturë të amortizuar dhe të rrënuar nga ndërhyrjet e ndryshme. Atmosfera pozitive dhe euforia ekzistuese te koalicioni qeverisës mund të zbehet shumë shpejt, sepse qytetarët kanë nevojë për ndryshime konkrete dhe të dukshme.