Preokupimi më i madh i ulqinakëve

Kryetarët e komunës dhe pushteti vendor i Ulqinit janë shndërruar në ent për punësim ose ent social. Dhe kjo sa për interesa partiake, aq edhe për interesa personale, së paku për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Për këtë arsye janë punësuar militantë partiakë, janë stërmbushur zyrat e punës, me kuadro të kualifikuar ose jo, parësore është grumbullimi i votave për partinë e kryetarit

Hajrullah Hajdari

Për prapambeturinë ekonomike të Komunës së Ulqinit kemi shkruar shumë herë dhe në shumicën e rasteve për një gjendje të tillë kemi fajësuar kryesisht politikën shtetërore ndaj shqiptarëve, pra shtetin e Malit të Zi. Por, asnjëherë nuk jemi bërë kritikë ndaj atyre inividëve përgjegjës për zhvillimin e komunës në të gjitha sferat e jetës, madje as zgjedhësit, votuesit e tyre nuk kanë kërkuar asnjëherë përgjegjësi për mosrealizimin e premtimeve zgjedhore!
Po çka edhe po të kishin kërkuar, a do të përmirësohej gjë?!
Ata janë të mbrojtur nga partitë politike, sepse çdo kryetar komune, deri tani, ka ardhur në krye të saj nëpërmjet një fushate zgjedhore të organizuar nga partitë politike që e përkrahin kandidaturën e tij, do të thoshte tjetri!
Po për shkeljet ligjore, për mosplotësimin e premtimeve, për ngecjen në zhvillim, kush i mbron?! Apo fajtor është përsëri shteti?!
Po ashtu kemi shkruar edhe për resurset e mjaftueshme natyrore që Zoti ia ka dhënë Ulqinit. Ato janë aq të mjaftueshme saqë Ulqinit do t’i mjaftonin të renditet në radhën e komunave të zhvilluara, e janë aq të mëdha saqë me shfrytëzimin racional, me plan e pa politikë, do të ndihmonin edhe zhvillimin ekonomik të komunave tjera në kuadër të shtetit malazez.
Sa më kujtohet, për tridhjetë vitet e fundit në karrigen e kryetarit të Komunës së Ulqinit janë ulur dhe kanë udhëhequr me këtë komunë 9 persona, nga partitë e ndryshme politike, madje dhe nga partia joshqiptare PDS, por të gjithë kanë qenë shqiptarë. Ata dhe partitë e tyre u kanë premtuar qytetarëve çmos. Nga ajo çka u kanë premtuar është realizuar pak, për të mos thënë shumë pak, madje njerëzit nihilistë thonë se është më keq se dikur. Problemet me të cilat ballafaqoheshin qytetarët para shumë viteve janë të pranishme sot e kësaj dite!
Problemet e qytetarëve të Ulqinit janë të shumta, paçka se shumica prej tyre janë tatimpagues të rregullt nga veprimtaria e tyre ekonomike. Paçka se komuna përveç tatimeve të qytetarëve thith mjete financiare dhe nga burime të tjera, siç janë të ardhurat nga mbitaksat, taksat e ndryshme komunale, tatimi në patundshmëri, nga regjistrimi i automjeteve, nga koncesionet, donacionet, taksa turistike e shumë të ardhura të tjera, por investime të mirëfillta nuk ka dhe kështu ngecja në zhvillimin ekonomik vazhdon. S’është e thënë që pushteti vendor të ndërtojë fabrika të mëdha, të zhvillojë industrinë e rëndë, të ndërtojë hotele shumëkatëshe e luksoze. Por komuna është e obliguar me ligj të sigurojë plotësimin e nevojave komunale të çdo qytetari. Komuna është e obliguar të rregullojë infrastrukturën rrugore në qytet e fshat, të sigurojë furnizimin e rregullt me ujë, të sigurojë standard bashkëkohor për klasifikimin dhe përpunimin e hedhurinave, të sigurojë hapësirat e nevojshme për relaksimin fizik të qytetarëve dhe marrjen me aktivitete sportive, sidomos të rinjve, të krijojë hapësira të gjelbra… Për të gjitha këto pushteti vendor duhet të nxjerrë dhe të zbatojë planet e duhura hapësinore dhe urbanistike.
Kryekomunarët e Ulqinit dhe pushteti vendor për këto 31 vite kanë bërë edhe punë të mira, por ato mund të numërohen me gishtat e një dore. Por, edhe nga ato punë të bëra, shumica prej tyre kanë mbetur të papërfunduara. Bulevardi “Teuta”, pothuajse pas 20 viteve të ndërtimit, ka mbetur “shkretë”, si në ditën e parë kur u lëshua në përdorim! Ani pse nuk u shtruan edhe dy shtresa asfalt që i mungojnë e ishin të planifikuara, por ajo çka të dhemb më së tepërmi është mungesa e trotuareve, sidomos në drejtimin nga Plazhi i Madh drejt qytetit, sepse në drejtimin nga qyteti për në Plazh të Madh ekziston një “mini trotuar”, më mirë se hiç! Kjo bëhet edhe më e dhimbshme kur rriten ferrat dhe bari e kështu qarkullimi i këmbësorëve bëhet i rrezikshëm. Ky bulevard nuk kalon nëpër zona pyjore apo malore, por nëpër fushë dhe zonë turistike! Marre apo turp, quaje si të duash, por këtë rrugë mund ta quajmë si të duam, por “bulevard” jo, sepse nuk i plotëson kushtet ligjore të parapara me Ligjin mbi qarkullimin e automjeteve.
Po ashtu, punët kanë mbetur të papërfunduara edhe në vazhdimin e këtij bulevardi. U ndërtua ura mbi kanalin e Kripores, por kyçja dhe dalja në bulevard nuk u ndërtua asnjëherë, dhe kështu qarkullimi i dendur rrugor mbetet ende i pazgjidhur dhe pengesë për valorizimin e Ulqinit si destinacion turistik.
Rrezik për këmbësorët paraqet edhe Rruga e Kosovës (Pinjeshit), e ndërtuar para 35 viteve, sepse është në të dyja anët e qarkullimit pa trotuar dhe burim i rrezikut për jetën e pjesëmarrësve në komunikacion.
Edhe pse në sektorin e furnizimit me ujë ka përmirësime të dukshme, ky problem është akoma i pazgjidhur, sidomos në sezonin turistik. Ndërkaq, çështja e hedhurinave në Komunën e Ulqinit është degraduese. Është fakt se ky sektor është i pajisur me teknikën e duhur, por koshat për seleksionimin e hedhurinave janë demoduar, janë të papërshtatshëm për kohën që jetojmë. S’duhet shkuar larg, mjafton të shkojmë në Utjehë, jo më larg se 15 km nga Ulqini, për të parë koshat modernë për seleksionimin e hedhurinave. Pra, edhe në këtë sektor jemi në dekadencë.
Në Komunën e Ulqinit funksionojnë 21 klube sportive, por nuk ka një sallë bashkëkohore sportive. Sallë sportive ka në Tivar, Budvë, Tivat, Kotorr, Herceg Novi, Mojkovac, Kollashin, Rozhajë… Por në Ulqin nuk ka. Ajo çka është edhe më e dhimbshme, Klubi Futbollistik i Ulqinit është i vetmi klub futbolli ndër qytetet e Malit të Zi që nuk ka, jo vetëm stadiumin por as fushën e vet të futbollit. Sa mëkat, aq edhe turp! Në këto kushte rinia ulqinake është e hendikepuar në krahasim me moshatarët e tyre në qytetet tjera të Malit të Zi. Nga ana tjetër, a ka gjë më absurde se të jetosh në bregdet, afër lumit apo liqenit, e të mos kesh së paku një pishinë olimpike për ushtrimin e sportit të notit?! Sa keq, aq edhe turp! Por, edhe shumë e shumë çka tjetër i mungon Ulqinit!
Ka apo s’ka mjete financiare për ndërtimin e infrastukturës së munguar, është çështje në vete dhe për këtë do të shkruajmë një herë tjetër. Kësaj radhe po përmendim vetëm faktin se në vitin 2018 subjektet ekonomike dhe joekonomike në Komunën e Ulqinit, kanë realizuar të ardhura në shumën 112.381.530,85 €, çka do të thotë afër 20 milionë euro TVSH të realizuara, nga të cilat një pjesë i takon edhe Komunës së Ulqinit. Nëse këtu shtojmë edhe të ardhurat nga taksat dhe tatimet e lartshënuara, atëherë shtrohet pyetja: A ka pasur para për ndërtimin e trotuareve të munguara, për ndërtimin e së paku një fushe sportive e të mos themi të një stadiumi, për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore apo mbitokësore, aq të nevojshme për qytetin tonë, për vendosjen e koshave bashkëkohorë për seleksionimin e hedhurinave!? Këto janë kërkesa minimale për plotësimin e nevojave komunale të qytetarëve, të garantuara me ligj. Këto janë kompetencat e komunave, sepse kompetencat tjera janë monopol i pushtetit të centralizuar shtetëror.
Sigurimi i infrastrukturës së përmendur komunale në nivelin e plotësimit minimal të tyre është obligim ligjor. Për realizimin e këtyre obligimeve, përveç parave, duhet siguruar edhe projektet e nevojshme, të cilat në Komunën e Ulqinit mungojnë me të madhe. Mungesa e tyre bëhet pengesë serioze edhe për thithjen e investimeve vendase dhe të huaja.
Kryetarët e komunës dhe pushteti vendor i Ulqinit janë shndërruar në ent për punësim ose ent social. Dhe kjo sa për interesa partiake, aq edhe për interesa personale, së paku për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Për këtë arsye janë punësuar militantë partiakë, janë stërmbushur zyrat e punës, me kuadro të kualifikuar ose jo, parësore është grumbullimi i votave për partinë e kryetarit. Kështu ka ndodhur shpeshherë që udhëheqësit (sekretarët) e organeve të pushtetit vendor të kenë statusin e ushtruesit të detyrës, sepse nuk i plotësonin kushtet ligjore për emërim të rregullt. Në një shtet ligjor, të ngritur e të konsiliduar, punësimi bëhet me shpallje ose konkurs publik në përputhje me nevojat e vërteta të procesit të punës në organe dhe institucione, e jo me sistematizime fiktive e aq më pak për të krijuar ushtrinë e vet të votuesve. Zhvatje e djersës së këtij populli të varfër! Sa keq është kur punëtori i plotëson kushtet për të shkuar në pensionin e merituar e nuk mund të shkojë, sepse punëdhënësi nuk i ka paguar kontributet shoqërore. Keqpërdorim i ligjit sigurisht. Përgjegjësia morale e sidomos ajo ligjore ka munguar. Kryetari i komunës dhe udhëheqësit e organeve dhe institucioneve, mbase për t’u treguar si të “suksesshëm” ua paguajnë pagën punëtorëve, por kontributet shoqërore jo, edhe pse pasojat mund të jenë të rënda.
Në kushtet kur buxheti komunal nuk funksionon sipas dispozitave ligjore në fuqi, si në rastin e Komunës së Ulqinit, tejkalimi dhe keqpërdorimi i zërave buxhetorë pothuajse është bërë i zakonshëm. Ka keqpërdorime, sidomos në zërat e të ardhurave që dedikohen për rregullimin e tokës ndërtimore apo pajisjeve (infrastrukturës) komunale ,ngase ato nuk përdoren për qëllimin e dedikuar, por për pagat e punëtorëve, pra në dëm të plotësimit të nevojave komunale të qytetarëve. Si pasojë apo rrjedhojë e këtyre veprimeve të papërgjegjshme, qytetit të Ulqinit i mungojnë të gjitha ato të mira komunale, disa prej të cilave i numëruam më lart.
Punësimi i militantëve partiakë mund të jetë e keqja më e vogël, por ajo dhemb, ajo vret. Drejtësia e munguar dhe shpresa e humbur i preokupon sot ulqinakët më shumë se kurrë.

Të fundit

më të lexuarat