Politika, pasion apo biznes ?

Problemet e shoqërisë shqiptare janë të shumta. Por, shumë probleme vijnë nga politika e mbrapshtë. Sigurisht një ndër problemet më të shumta është niveli i ulët i përfaqësimit të popullit, mangësia e formimit të tyre në politikë dhe paaftësia. Pra, këto janë sot disa nga problemet në shoqërinë tonë

Esat Mehmeti

Patjetër që shumëkush ka përgjegjësi politike e morale, pse jo edhe të personalizuar. Por, besoj se pesha kryesore e kësaj përgjegjësie bie mbi klasën politike, menaxhuese e administruese të punëve, jo vetëm në këtë mjedis, por edhe më gjerë. Këtu mungon një strategji politikisht e arsyeshme dhe konsensuale. Shpesh edhe atëherë kur bëhet ndonjë diskutim, apo debat, ai më së shumti degjeneron në “betejë ulërimash”, ku asnjëra palë nuk dëgjon argumentet e palës tjetër, por i mëshon fort kauzës se tij, qoftë edhe i gabuar. Këtu, koha kërkon strategji integruese, ndryshe situata mund të bëhet akoma më e vështirë. Padyshim, këto probleme që zhvillohen në dimensionin social dhe demografik, si në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë e vende të tjera në rrafshin kombëtar, mendoj se situata është kthyer në një “plagë sociale” komplekse dhe shumë dimensionale, me pasoja për të sotmen dhe të nesërmen.
Kanë kaluar tri dekada dhe akoma politika e pozitës dhe opozitës në këto vende ka mbetur në “ajër”! . Në anën tjetër përballemi me shqetësime serioze sikur janë; largimi i të rinjve, tkurrja e tregut të punës apo mungesa e profesionistëve të caktuar, andaj dhe nuk mund të jesh i qetë. Nga ana tjetër, nëse do vazhdojnë këto ritme si; rënia e lindshmërisë dhe vazhdimi i pandalshëm i emigracionit, atëherë jo vetëm shoqëria shqiptare do plaket, por gjithashtu do agravohen problemet edhe më të mëdha.
Është ultimative rritja e kuotës së besimit te njerëzit tanë, se në këtë vend do ketë drejtësi sociale, sistem meritokratik vlerash dhe jo deformacione nepotike. Doemos duhet zbutur tonet nihiliste e denigruese ndaj realitetit tonë, duke krijuar dhe ushqyer sintagmën se “ky vend nuk bëhet” apo se “duhet ikur nga ky vend”. Vendi ynë dhe të rinjtë tanë nuk kanë nevojë për retorika e “ilaçe” boshe, që ushqejnë mosbesim dhe pesimizëm, por duhen aksione të veprimit konkret. Edhe këtu jetohet. Edhe këtu ka jetë dhe gjallëri, por duhet shfrytëzuar potencialin njerëzor dhe resurset natyrore.
Në mënyrë sintetike besoj se faktorët e këtij emigracioni me përmasa paradoksale janë dy. Në një optikë filozofike, mund të themi se njëri është faktori subjektiv individual, që lidhet me pakënaqësinë, mungesën e shpresës e padurimin dhe faktori i dytë lidhet me situatën ekonomike e sociale. Faktori i dytë është diferenca e dukshme e standardeve të nivelit të jetesës në vendet e Perëndimit, i cili është “magneti” që të tërheq, me synim qe atje jetohet më mirë dhe më bukur. E vërtetë është se ndoshta në vende të tjera jetohet më mirë dhe me një standard më të favorshëm se këtu, por në anën tjetër je i lodhur tej mase e i shfrytëzuar deri në palcë dhe të mungon ajo më e rëndësishmja, mungon ana shpirtërore, që kurrë s’të lë të qetë.
Nga ana tjetër duhet parë realiteti matanë atdheut, sepse sigurisht jo të gjithë shqiptarët që emigrojnë kanë fat në procesin e ndërlikuar të adoptimit. Kjo do të thotë se shpesh shumë individë me status të përcaktuar si; inxhinier, mjek, jurist, ekonomist, mësues, aktor etj., jo gjithmonë kanë shansin të ushtrojnë profesionin e tyre. Andaj dhe është e njohur trajektorja apo kurba zhgënjyese e tyre.

Nga drejtuesit vendor shohim herë pas here paaftësi !
Unë jam i bindur që shumë politikanë nuk janë në gjendje të kuptojnë pasojat sociale të sjelljes së tyre, si rregull, shkaku është se politikanët kanë filluar të mendojnë vetëm për vete.
Personalisht më duket shqetësues fakti, se ne zgjedhim vetëm ata njerëz që shfaqin ambicie politike, por që nuk i kanë cilësitë profesionale për të realizuar cilësisht misionin e politikanit. Në jo pak raste për arsye, nepotike, apo thjesht militanteske, ndodh që shpeshherë partitë politike zgjedhin njerëz që janë prototipa të deformuar apo të dalë nga koha. Kjo është arsyeja pse tek qytetarët shqiptarë, është në rënie respekti për politikën dhe politikanët.

Partitë politike promovojnë njerëz të “fortë“, por aspak të ditur
Është koha që drejtuesit politik të këtij vendi të bëhen më të përgjegjshme, të kuptojë përgjegjësinë e vet. Duke plotësuar sot politikën me njerëz të paaftë, të paditur, militant, apo të “fortë”, jo vetëm po dëmtojmë të sotmen, por po krijojmë një kulturë të deformuar për politikën dhe statusin e politikanit, të cilat mund të ndikojnë në boshllëqet që do të shfaqen edhe në të ardhmen. Nuk kemi nevojë për politikanë të fortë, apo të pasur, nga se atyre ju mungon pushteti i dijes personale apo shfaqen me integritet të lëkundur.
Është anomali e madhe fakti që kemi akoma politikanë, që ushqejnë mentalitetin se ata janë mbështjellë me kostumin e pushtetit politik, për vete, për interesat dhe klanin e tyre dhe jo për të mirën e përbashkët. Andaj, për t’u marrë me politikë, për të qenë politikan karriere janë të mjaftueshme një tog me slogane politike boshe. Mjafton të dëgjoni politikanët tanë në (Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë), në debate politike televizive, për të kuptuar atë thelb të vërtetë që fshihet pas dukjes së “kostumit politik”, për të dalluar neverinë që i sjellin qytetarit me dialogë të neveritshëm, pa kulturë, koncepte të qarta e pa përgjegjësi politike e morale.

Politika nuk është spektakël
Shumë politikanë, gjatë viteve në politikë nuk diskutojnë kurrë dhe e harrojnë elektoratin e vet. Koha po tregon se disa politikanë e kanë përdorur pozitën politike për të bërë biznes. Për fat të keq, të vendit dhe shqiptarëve në përgjithësi, në këto tri dekadat e fundit duket qartë se politika është bërë “biznesi” më fitimprurës. Kjo është arsyeja pse një masë e madhe njerëzish, qe me logjikë të deformuar pragmatiste mendojnë se duke siguruar një pozicion komod në karrierën politike, kanë siguruar në mënyrë automatike famë, para, pasuri, autoritet, dukje sociale dhe shumë privilegje të tjera. Kjo është arsyeja që e ka bërë politikën shqiptare të jetë paradoksalisht shumë atraktive dhe në të njëjtën kohë edhe shumë amatore. Kjo duhet frenuar me çdo kusht.
Kjo është njëra nga arsyet pse politika dhe politikanët që kemi nuk janë tamam ata për të cilët ka nevojë vendi dhe zhvillimet në shoqërinë tonë. Për të shmangur mungesën e mosbesimit, është e domosdoshme dhe është koha kur ata jo vetëm duhen zgjedhur, por më së shumti ata duhen përzgjedhur. Na duhen njerëz që kanë aftësi dhe jo ata që luajnë dhe realizojnë qëllime të personalizuara në politikë. Politika nuk është spektakël, por, fatkeqësisht në politikë shpeshherë fitojnë të dobëtit.
Por, pa dije, kulturë, përvojë, njohuri dhe mbi të gjitha pa integritet personal e moral nuk mund të përballohen sfidat e angazhimit, as të realizohen kërkesat e vendit dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Të fundit

më të lexuarat