Manifestimi i përbashkët pesëditor i Takimeve të XLIV-ta letrare të Plavës dhe i Kolonisë së XIX-të figurative të këtij qyteti, i organizuar nën moton “Vjeshta kulturore e Plavës 2021”, filloi në mbrëmjen e të mërkurës së kaluar me hapjen e kolonisë së radhës figurative në hollin e Qendrës për kulturë “Husein Bashiq”, pjesëmarrës të së cilës ishin piktorët e mirënjohur akademik të artit figurativ: Ismet Çekiq nga Mali i Zi, Mersiha Merxhanoviq – Memiq dhe Merima Ivkoviq nga Bosna e Hercegovina, Snezhana Mellnik nga Maqedonia e Veriut dhe Islam Hasiq nga Serbia, të cilët aktivitetet e veta të punës pikturale i përformuan në sheshin e ri të Plavës dhe në lokalet e objektit në fjalë të kulturës, të cilat u ekspozuan bashkë me ato të nxënësve pjesëmarrës në konkursin figurativ, u ekspozuan në ekspozitën e hapur në ballinat e mureve të galerisë së Qendrës për kulturë të shtunën në mbrëmje në ditën e katërt të manifestimit. Koloninë figurative në fjalë e shpalli të hapur drejtori i Qendrës për kulturë, Vlladimir – Vllado Knezheviq.
Sipas programit të manifestimit, në orët e paradrekes së ditës së tretë, në hollin e Qendrës për kulturë në Plavë, është bërë takimi i poetëve dhe i piktorëve me nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës fillore dhe asaj të mesme të përzier, të dyat në Plavë, si dhe me nxënësit e Shkollës fillore në shkollën e Murinës, me ç’rast janë mbajtur orë letrare dhe janë zhvilluar biseda të ndërsjella, kurse aktiviteti në orët e para të mbrëmjes së kësaj dite, filloi me shfaqjen e filmit dokumentar 25-minutësh me titull “Plave pokraj jezera mog” (Plavë pranë liqenit tim), e pastaj Takimet e sivjetme letrare të Plavës, të XLIV me radhë, i ka hapur drejtori i Qendrës për kulturë “Husein Bashiq”, Vlladimir – Vllado Knezheviq, i cili ka përshëndetur të pranishmit, kurse poetëve dhe piktorëve të pranishëm u ka dëshiruar mirëseardhje dhe i ka falënderuar për pjesëmarrje.
Mbrëmja e dytë e manifestimit të përbashkët letrar e artistik, është mbajtur të premten në sallën e madhe të Qendrës për kulturë, në praninë e një numri të konsiderueshëm pavianësh, por edhe të tjerëve, adhurues të fjalës së shkruar letrare – poetike, me ç’rast është zhvilluar një pjesë e programit të manifestimit, me moton “Vjeshta kulturore e Plavës 2021” të cilin në rolin e moderatores e ka prezantuar poetja e re sharmante nga Berani, e martuar në Plavë, zonja Rebeka Çilloviq – Llalliq.
Mbrëmja e dytë e takimeve letrare, njëherazi ka qenë edhe mbrëmja e krijuesve (poetëve) vendlindas, në të cilën me nga dy poezi nga opuset e veta krijuese, të pranishmëve u janë prezantuar poetët: Todor Zhivaleviq – Velliçki, Sendain Pupoviq, Rebeka Çiloviq – Llalliq, Kaltrina Hoti (në gjuhën shqipe dhe malazeze), Millan M. Petroviq dhe Shaban Hasangjekaj (në gjuhën shqipe, të përkthyera edhe në gjuhën malazeze).
Në këtë mbrëmje është përkujtuar poeti i mirënjohur plavjan, Hasan Shaboviq, i cili ka ndërruar jetë para dy muajsh në Suedi, ku ka jetuar dhe krijuar shumë vite, ku dhe është varrosur. Në shenjë nderimi dhe respekti ndaj tij, të pranishmit kanë mbajtur një minutë heshtje, ndërsa moderatoja e programit, Rebeka Çilloviq – Llalliq, ka recituar një poezi nga opusi i gjerë dhe i begatë i veprimtarisë së tij krijuese – poetike. Në fund të programit të mbrëmjes në fjalë, është bërë përurimi i dy romaneve të shkrimtarit të mirënjohur malazias, Andrej Nikollaidis: “Odlazak” (Vajtje), dhe “Madjarska rečenica” (Fjalia hungareze), e vlerësuar me shpërblimin “Meša Selimović”. Përkitazi me romanet në fjalë dhe veprimtarinë krijuese voluminoze me shkrimtarin Nikollaidis ka biseduar (e ka intervistuar) moderatorja e programit, promotorja Rebeka Çilloviq – Llalliq. I tërë programi i kësaj mbrëmjeje, është përcjellë me tingujt e pianos së maestro Andrej Arsenijeviq.
Mbrëmja e tretë e ditës së katërt të manifestimit të përbashkët në fjalë, ka filluar në mbrëmjen e ditës së shtunë, me hapjen e ekspozitës së përbashkët të pikturave të piktorëve pjesëmarrës të Kolonisë figurative dhe të tri pikturave më të mira të shpallura nga juria e nxënësve pjesëmarrës në konkursin që e shpalli organizuesi i manifestimit të cilën e hapi drejtori i Qendrës për kulturë, Vlladimir Knezheviq, në hollin e qendrës në fjalë, e pastaj u shpallën fituesit pjesëmarrës të konkursit letrar dhe figurativ në temën “Dyert e vendlindjes janë gjithmonë të hapura”, në të cilën kanë marrë pjesë nxënësit e shkollave fillore në Plavë e Murinë dhe ata të Shkollës së mesme të përzier në Plavë. Juria tre anëtarëshe e konkursit të shpallur letrar, Millica Millosavleviq, kryetare, Flora Brovina dhe Bozhidar Proroçiq, anëtarë, dy poezitë më të mira të nxënësve pjesëmarrës të konkursit, shpallen nxënësin Ivan Mitroviq me shifrën PM34-2005, të cilin e ka shoqëruar mikesha e tij, Sumeja Canoviq, dhe poezinë e nxënësit, Xhenan Cirikoviq, me shifrën SP17-10-2006, të cilëve shpërblimet modeste ua ndau drejtori i Qendrës për kulturë, Vlladimir Knezheviq, dhe Juria pesë anëtarshe e konkursit të shpallur për krijimtaritë figurative në përbërje: Islam Hasiq, kryetar, Merima Ivkoviq, Snezhana Mjellnik, Mersiha Merxhanoviq – Memiq dhe Ismet Çekiq, anëtarë, dy punimet më të mira figurative i shpallën ato të nxënësve Llejlla Llalliq me shifër “Pčelica“ dhe Nejlla Huseinoviq, dhe shifër “Jagoda-013”, të cilave shpërblimet po ashtu ua ndau drejtori i Qendrës për kulturë. Të pranishmit në sallë me këtë rast i kanë argëtuar me përformancat muzikore Andrej Arsenijeviq me piano dhe këngëtarja e melosit burimor popullor nga Rozhaja, Illma Nurkoviq, në përcjellje me harmonikë nga bashkëvendësi instrumentalist dhe poet, Sullejman Beqa Kujeviq.
Por, tema qendrore dhe primare e programit të takimeve të XLIV-ta letrare të Plavës, ka qenë prezantimi i poetëve me poezitë e veta nga opusi i gjerë i tyre, nga Plava e Gucia, Mali i Zi dhe rajoni.
Prej 13 poetëve të ftuar, 12 sish janë përgjigjur ftesës, të cilët të pranishmëve u janë prezantuar me nga dy poezi të zgjedhura. Nga Mali i Zi: Todor Zhivaleviq – Velliçki, Senadin Pupoviq, Kaltrina Hoti, Millan M. Petroviq, Bozhidar Proroçiq, Sullejman Beqa Kujeviq, Kristina Babiq dhe Shaban Hasangjekaj, nga Serbia: Millica Millosavleviq, nga Kosova: Flora Brovina, dhe Maqedonia e Veriut: Suzana All Salltkini dhe Ivana Naskova.
Theksojmë se këtë vit në takimet letrare të Plavës, poezitë e veta në gjuhën shqipe i kanë lexuar (thënë) tre poetë: Flora Brovina, Kaltrina Hoti dhe Shaban Hasangjekaj (autori i këtij teksti).
Poetet Flora Brovina nga Kosova dhe Kaltrina Hoti nga Plava, për gazetën “Koha Javore” janë prononcuar. Flora Brovina shprehet “Gjithnjë në Plavë, sa herë që më ftojnë, vij me shumë kënaqësi, sado që rruga duket e largët dhe ende s’u krye rruga e shkurtër që bashkon Plavën dhe Kosovën. Vij, sepse pritem me gjithë zemër edhe nga publiku, edhe nga organizatorët. Edhe sivjet, isha shumë e lumtur që kisha një ftesë, dhe që morra pjesë dhe njoha shkrimtarë të rinj, sidomos këta që u paraqitën nga shkollat e mesme dhe shkollat fillore, ku isha edhe pjesë e Jurisë në shpalljen e dy punimeve më të mira letrare në poezi të nxënësve pjesëmarrës në konkursin që e shpalli organizatori. Këtu takova shkrimtarë të rinj që nuk i kisha takuar herëve të tjera. Këto takime kanë rëndësi, sepse në takime njerëzit njihen, ndërrojnë përshtypjet e veta, kuptojnë çka ka ndodhur në një vend tjetër fqinj, dhe natyrisht frymëzohen për të shkruar më tutje”.
Ndërkaq, poetja, por edhe piktorja tani e mirënjohur nga Plava, Kaltrina Hoti, në reflektimin e mbresës së vet, u deklarua: “Është një aktivitet shumë i bukur. Takimi i artistëve është një frymëzim në brendësi të shpirtit të artistit. Për mua, kjo është shumë e veçantë, sepse pata rastin ta njoftoj dhe të përjetoj një vizitë të bukur, që pos artistëve të tjerë ta njoftoj edhe heroinën tonë, Flora Brovina. Përndryshe, vargu dhe piktura gjithmonë e tregojnë të vërtetën e kohës. Këtë vit kemi pasur poetë dhe artistë të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës e Hercegovinës, të Malit të Zi e të Kosovës. Unë besoj që çdo artist që merr pjesë në një aktivitet të tillë, është me të vërtetë ushqim i shpirtit”.
Programi i manifestimit të sivjetmë të përbashkët – Takimet letrare të Plavës dhe Kolonia figurative, ka përfunduar në orët e paradites të ditës së diel, ditës së pestë, me piknikun e pjesëmarrësve që ua kanë bërë atraksioneve dhe bukurive natyrore e infrastrukturore me të cilat disponon Plava me rrethinë, siç janë Liqeni i Plavës, Kulla e Rexhepagiqve, Xhamia mbretërore (ndër më të vjetrat në Mal të Zi), Kisha ortodokse “Svete trojice” në Brezojevicë, etj.
Takimet e XLIV-ta të Plavës dhe Kolonia e XIX-të figurative e këtij qyteti, të cilat në fund të programit i shpalli të mbyllura moderatorja Rebeka Çilloviq – Llalliq, u organizuan nga Qendra për kulturë “Husein Bashiq” e Plavës, nën patronazhin e Ministrisë së arsimit, kulturës, shkencës dhe sportit të Mali të Zi dhe nën mbikëqyrje e përkrahje të Komunës së Plavës.
Sh. Hasangjekaj